Transparencë me fondin publik, “Kanoa prej letre” dhe falënderime. (Romeo Kodra)

Më 24 maj 2014 në këtë blog u publikua një Manifest për transparencën në art dhe kulturë (https://aksrevista.wordpress.com/2014/05/24/manifest-transparenca-n%D1%91-dhe-si-kultur%D1%91-romeo-kodra/). Duke qenë se këtë vit Ministria e Kulturës më nderoi duke mbështetur pjesërisht një projek timin, më duket me vend të filloj të bëj transparencë mbi projektin që përfitoi prej parave të taksapaguesve shqiptarë.

Projekti quhet “TEATRALITURA” dhe përbëhet nga një sërë përkthimesh mbi lëmën e teatrit. Synimi i tij është krijimi i një bibliografie minimale teoriko-teknike për formimin e aktorit. Ideja që qëndron në bazë lindi si nevojë personale e imja si përkthyes, por edhe si një përpjekje për të qarkuar, pra për të evidentuar më shumë sesa mbushur, një vrimë të zezë bibliografike, e cila në kontekstin shqiptar – ku kemi institucione që diplomojnë aktorë, apo teatro kombëtarë e lokalë që interpretojnë Shakespear-in, pa patur libra për formimin e aktorit – ushqen në mënyrë absurde, inflacionale dhe të vazhdueshme moskompetencën, autoritarizmin institucional, dhe degradimin e vetë artit teatror nëpërmjet (de)formimit shkencor të aktorit.

Gjithsesi, duke mos dashur të hap diskutime që mesa duket nga letargjia e “teatrantëve” shqiptarë interesojnë vetëm shkruesin e këtyre rreshtave, po i bie shkurt duke thënë që produkti i parë i projektit TEATRALITURA është “Kanoa prej letre”, libri i parë i regjisorit dhe teoricienit teatror italian Eugenio Barba.

Ministria e Kulturës, në kuadër të “Thirrjes për projekt-propozime 2015”, pati mirësinë të mbështesë këtë projekt me 150.000 nga 700.000 lekë të kërkuara, duke mbështetur më specifikisht vetëm gjysmën e zërit buxhetor të shtypshkrimit dhe duke e arsyetuar si “të rëndësishëm edhe për vetë lexuesin”. Injoranca ime nuk më ka mundësuar ende, sot e kësaj dite, logjikën që rri pas këtij arsyetimi. Ndoshta Ministrja, përkthyese ajo vetë dhe njohëse e thellë e problematikave të përkthimit, mund të na “iluminojë” mbi këtë pikë. Sidoqoftë gjej rastin të rinovoj personalisht falënderimet për Ministrinë e Kulturës, edhe në emër të lexuesve dhe … shtypshkruesve.

Për librin ka kontribuar personalisht Eugenio Barba, që më nderoi me dhënien falas të të drejtave të autorit, si dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë, nëpërmjet Institutit Italian të Kulturës, që mundësoi 60% të pagesës për përkthimin. Kohëzgjatja e projektit ishte mars 2015 – tetor 2015 dhe produkti përfundimtar mund të shihet në libraritë kryesore të Tiranës apo Bibliotekën Kombëtare. “Kanoa prej letre” u botua nga “Pika pa sipërfaqe”, që mban të drejtën e botimit për 1000 kopje. Botuesi dhe përkthyesi vendosën në tirazhin e parë të nxirrnin në treg 500 kopje. Duke qenë se në thirrjen e Ministrisë aplikova si individ, nuk kam obligim të bëj të njohur ndonjë statut apo emrat e shoqatave në të cilat jam pjesë, të cilat sidoqoftë nuk kanë asnjë anëtar të përfshirë me institucionin e Ministrisë së Kulturës. Përsa i përket emrave të jurisë që vendosi mbështetjen e pjesshme të këtij projekti, i bëj me dije publikut të interesuar se ato/a nuk i njoh as unë … ndoshta janë thjeshtë programe virtuale … përsëpaku unë njoh vetëm znj./z. info_projekte@kultura.gov.al me të cilën/in kam komunikuar vetëm via e mail.

Për të pasionuarit pas artit të aktorit, mbi të gjitha, duhen sugjeruar të vetmet tekste në qarkullim me të cilët, deri diku, ky përkthim mund të lidhet: “Jeta ime në art” i Kostantin Stanislavskij-t, të përkthyer nga Petro Zheji me disa seri në revistën “Nëntori”, rreth viteve ’60, dhe “Hapësira boshe” i Peter Brook-ut, përkthyer prej Sesilia Plasarit në 2010. Libri i Stanislavskij-t nuk është “metoda” e tij apo “sistemi” siç njihet ndryshe, por është tentativa e parë e gjeniut rus drejt kodifikimit shkencor të formimit të aktorit. Libri i Brook-ut është më shumë një përmbledhje e përqasjes teoriko-kritike e regjisorit amerikan. Kështu pra, “Kanoa prej letre” e Eugenio Barba-s mund të thuhet se është libri i parë i botuar në Shqipëri që fokusohet mbi formimin teoriko-teknik të aktorit. Ky fakt natyrisht ushqen egon e përkthyesit, por u siguroj lexuesve të këtyre rreshtave që trishtimi i konstatimit të prapambetjes së kontesktit shqiptar është kontraceptiv mëse efikas për çfarëdolloj egoje.

Gjithsesi me këtë përkthim dhe të tjera që do të vijojnë me projektin “TEATRALITURA”, që u japin përmbajtje konkrete institucioneve teatrore, shpresohet se teatri do të fillojë, edhe në Shqipëri, të bëhet jo vetëm art, por edhe shkencë, siç perceptohet e studiohet në universitetet dhe institucionet përkatëse të të gjithë botës.

“Litura”, pjesë e titullit të projektit, si term, është një fshirje, heqje apo retushim, të cilën, si dukuri, e gjejmë tek repertet arkeologjike (p.sh. në mbishkrimet e ndërtimeve arkitektonike dhe skulpturave monumentale klasike të vandalizuara si pasojë e urrejtjes), por edhe në tekstet e shkruara që interesojnë filologjinë (p.sh. në tekstet e dorëshkruara prej murgjëve mesjetar, të modifikuara prej gabimeve apo censures). Si rrjedhojë e kësaj koinçidence të termit dhe kontekstit teatror shqiptar duhet ditur që është i qëllimshëm paradoksi që gjendet në thelb dhe në titull të këtij projekti botimesh, që nga njëra anë promovon teatrin, artin më të paqëndrueshëm, më efemer, artin jomaterial par exellance, dhe, nga tjera, kërkon të prodhojë një bazë materiale, një produkt (libror në këtë rast) objektiv të qëndrueshëm. Është fati dhe njëkohësisht bukuria paradoksale e teatrit, që u shfaq gjatë konceptimit dhe këtij hapi të parë të projektit të përkthimeve për teatrin. Thjeshtë, u mendua se nuk duhej humbur ndjesia e frikës dhe rrezikut të vazhdueshëm të harresës që është motori krijues i teatrit.

Natyrisht, konteksti dhe situata aktuale e sistemit teatror shqiptar kushtëzoi edhe vetë përkthimin në shqip të këtij teksti, ku ishte jashtëzakonisht e mundimshme të gjeje atë që Paul Ricoeur quante mikpritje gjuhësore, mikpritje të cilën ne shqiptarët vazhdojmë dhe e promovojmë si vlerë kombëtare. Pra, prej lexuesit duhet kuptuar mbi të gjitha vështirësia e gjetjes së hapësirës brenda së cilës duhej pritur një mik si Eugenio Barba, i cili besoi te ky projekt dhe pati mirësinë dhe bujarinë e dhënies falas të të drejtave të autorit për botimin në shqip. Eugenio Barba-s i shkon edhe falenderimi i parë për këtë përkthim: faleminderit Maestro!

Ky gjest i Barba-s bëri të mundur edhe hapin e parë konkret drejt gjetjes së hapësirës për një mikpritje gjuhësor të denjë, për të cilën ndihmuan financiarisht siç thashë Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë dhe Ministria e Kulturës së Shqipërisë. Falenderimi i dytë së bashku me urimin e begatisë në kultivim e mëtejshëm të vlerave artistiko-kulturore u shkon këtyre dy institucioneve: faleminderit për besimin!

Duke qenë se nga njëra anë Jacques Derrida-ja na thotë se gjuha na mikpret, por edhe na zë rob; nga ana tjetër Jacques Lacan-i sqaron që, përveç se na zë rob, gjuha na flet më shumë sesa e flasim; dhe nga një tjetër akoma Umberto Eco-ja specifikon se përtej kurthit të gjuhës një pëkthyes duhet të dijë se përkthimi është gjithmonë një tradhëti apo si të kesh një protezë apo parruke; përkthyesit, të pasionuar pas vënies dhe heqjes së maskave, pra të dashuruar pas teatrit, iu duk si një lejekalimi apo “vizë Schengen” për shqipen e tij, me të cilën symbyllazi u hodh në detin e përkthyesisë. Natyrisht po të mos kishte qenë për Aida Baron shqipja do të kishte mikpritur Eugenio Barba-n me një pjatancë tek e cila ndiheshin ende të pa gatuar përbërësit e gjellës gjuhësore autoktone. Kështu që falenderimi i rradhës i shkon redaktores: faleminderit Aida!

Eugenio Barba në këtë vepër na vë në dijeni edhe për rëndësinë dhe domosdoshmërinë e njohjes së praktikës teatrore prej atyre që shkruajnë mbi teatrin. Gjithçka unë di për teatrin, sidomos përsa i përket etikës së punës, është e lidhur me eksperiencën time brenda “Teatro Tascabile të Bergamo-s”. Pa këta shokë dhe shoqe, che sanno ridere e piangere in albanese recitando “Giulietta e Romeo”, nuk do të dija plotësisht se çfarë do të thotë mikpritje dhe nuk do të mund të mikprisja si duhej Eugenio Barba-n. Faleminderit TTB!

Duhen falenderuar për këtë përkthim Ataoli, Arlindi dhe shtëpia e tyre botuese “Pika pa sipërfaqe”; Silvia Baudin, “tutorja” ime në Teatro Tascabile; Julia Varley e Odin Teatret; Ben Andoni për mbështetjen; kolegët e OJF-së “LITURA” – Jolka, Matilda, Gaetani, Stavri; dhe në fund, pafundësisht, Eriola.

P.S. Gëzuar 2016 dhe qoftë për të gjithë, artistikisht dhe kulturalisht, një vit sa më i begatë … dhe transparent.

Lini një koment