Nje propozim modest

FSHIRJE 2 dhe “Një propozim modest” i Jonathan Swift. (Romeo Kodra)

Nje propozim modest

Nje propozim modest

FSHIRJE 2, më 21 dhjetor 2015, në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli, ishte një ngjarje që kërkonte t’i jepte vazhdimësi një angazhimi 2-vjeçar në të cilën gjenden të kryqëzuara rrugët e shtresave në nevojë, operatorëve socialë, atyre kulturorë dhe artistëve. Këtë herë, ndryshe nga viti i kaluar, ku ngjarja u sintetizua në një ekspozitë të arteve pamore, u mendua të artikulohej më shumë problemi.

Për këtë, teatri na u duk rruga më e natyrshme.

Nëpërmjet këtij teatri të angazhuar, të gjithë ne (Romeo Kodra – regjisor, Fondacioni për Shoqërinë e Hapur të Shqipërisë/Soros – organizator, Rozi Kostani dhe Alfred Trebicka – aktorë), duke u përballur me problemin e strehimit dhe banesës si një e drejtë themelore e njeriut, u vumë në lojë me profesionet dhe pasionet tona. Në këtë mënyrë, u mor e drejta e vënies në diskutim të ndjeshmërisë së shoqërisë sonë ndaj problemit, vënia në diskutim e angazhimit të politikës dhe efikasiteti i saj.

Siç dihet figura të njohura të politikës, majtas e djathtas, kanë shfrytëzuar artin, kulturën dhe çështjet sociale si trampolina perfekte për karrierën e një profesioni që në bazë ka kompromisin. Si operatorë socialë, kulturorë apo artistë, duke u vënë në lojë, vendosëm dhe u vendosëm në një gradë zero, duke lënë të hapur gjykimin e publikut mbi vërtetësinë e angazhimit tonë kundrejt artit dhe problemeve sociale, të cilat, kur shihen nga pozicionet tona aktuale, nuk (duhet të) njohin kompromis. Kjo gradë zero, kjo bindje absolute dhe radikale që vjen si rrjedhojë e urgjencës së pasionit artistik apo urgjencës së angazhimit në vetë të parë për zgjidhjen e problemeve sociale, që shpesh janë tragjike në shoqërinë tonë, nuk vlen vetëm për sot, por edhe në të ardhmen. Thënë sa më sipër distancohemi, jo për të shmangur përgjegjësitë e së shkuarës, por për t’u vënë në një pozicion ndryshe prej të cilit shpresojmë të krahasohet ky aktivitet me ç’ka është bërë më parë e ç’do të bëhet në të ardhmen, prej gjithsecilit prej nesh, nga pikëpamja e angazhimit social por edhe e cilësisë artistike.

Ç’ka u tha më sipër, me ndihmën e Jonathan Swift-it dhe “Një propozim modest …”, u vu edhe në skenë, ose më mirë të themi u hoq nga skena. Kjo heqje nga skena tregoi itinerarin e dy aktorëve që me pasion ç’aktrojnë, pra mohojnë artin e tyre, për një orë e 10 minuta, duke u angazhuar me çështjen sociale të strehimit dhe banesës si një e drejtë themelore e njeriut. Për një orë e 10 minuta, këta aktorë i prezantuan publikut, nëpërmjet kësaj gjetjeje teatrore, shndërrimin e tyre nga pasionantë të artit dhe çështjeve sociale, në politikanë të pacipë; nga njerëz të ndershëm, në personalitete të pushtetshme që sakrifikojnë gjithçka dhe gjithkënd për hir të pushtetit, për hir të politikës reale, për hir të kompromisit. Pra, në një orë e 10 minuta, u prezantua ç’ka “shihet në TEATRIN e së përditshmes sonë, pjesë-pjesë, si një telenovelë”, gjatë një tranzicioni të patranzitueshëm 25-vjeçar.

Përsa i përket pjesës më teknike të “Një propozim modest …” duhet thënë se teksti i Swift-it, i fillim shekullit të XVII, u përshtat me Shqipërinë e sotme. Teksti, letrar në origjinal, u shndërrua, duke u integruar me elementë bashkëkohor shqiptarë, në një tekst dramaturgjik tejet kompleks. Ky kompleksitet kërkon predispozita aktoriale të veçanta. Por jo vetëm. Ky kompleksitet kërkon vënie në diskutim të gjithçkaje një aktor, regjisor, skenograf, apo pjesëtar i grupit krijues disponon në bagazhin e vet profesional. Në këtë mënyrë krijohet një bërthamë polifonike përreth së cilës dekonstruktohen dhe rikonstruktohen, në skenë, profile individësh krijues që komunikojnë me publikun përreth. Ky i fundit, i stimuluar të ndërveprojë me aktorët, zbulon në vetë të parë transformimin e personave në skenë, kompromisit me të cilin është bashkëpunëtor. Në pak fjalë, publiku zbulon, duke qeshur, që është njëherësh tallës dhe përbuzës i vetvetes, zbulon sarkazmën dhe dramën brenda së cilës është pjesë pasivisht aktive.

Rezultati cilësor i këtij lloj teatri, natyrisht, nuk është i kolauduar dhe nuk pretendohet të jetë në pikën e tij më të lartë. Kjo nuk thuhet për të paraprirë kritikat. Përkundrazi, me këtë hapje totale, me këtë vënie në diskutim të gjitha kritikat janë të mirëpritura. Madje shpresojmë tek ato. Por, gjithsesi, duhet thënë se kjo heqje në skenë nuk është tjetër veçse një tullë e parë. Të tjera, shpresojmë, do të hiqen.

2 mendime mbi “FSHIRJE 2 dhe “Një propozim modest” i Jonathan Swift. (Romeo Kodra)

  1. mua me pelqeu ne teresi, pervec disa momenteve ku stili i te shkruarit (lexuarit) lodhte edhe aktoret e ushtruar me tekstin. Here tjeter shpresojme dic me afer talk show-t ku nen thirrjet e tjerrjet bezdishme te pushtetareve pjesemarres enden balerine me maska gazetaresh qe marrin pozicione provokuese e poshteruese seksuale

Lini një koment