… marr shkas nga Joël Riff në ACAS … (Romeo Kodra)

Të hënën, me datë 2 nëntor 2015, në Muzeun Historik Kombëtar, në kuadër të aktivitetit të “Albanian Contemporary Artist Salon”, kuratori francez Joël Riff bëri një prezantim të punëve dhe kërkimeve të tij kuratoriale.

Personalisht e pashë shumë interesant kërkimin kuratorial në përfshirje me artistin, pra bashkëpunimin në organizimin hapësinor të një ekspozite, përshenjimin e një territori nga një grup subjektesh (minimalisht 2: artist, kurator), marrdhënien dhe tensionet që mund të krijohen përgjatë kësaj pune stresuese dhe stimuluese njëkohësisht. Natyrisht dikë tjetër kjo gjë mund të mos e entuziazmojë. Por, si gjithmonë çdonjeri ka pasionet, manitë dhe interesat e veta. Mua, që çdo ekspozitë të organizuar deri më tani e kam bërë ekskluzivisht duke përdorur këtë përqasje, më dha disa shkëndija që më bëjnë të mendoj se puna që bëj nuk është jashtë këtij rruzulli tokësore ose për 50 veta të tjerë.

Gjithsesi, nuk do të flas për përqasje kuratoriale në këtë shkrim. Ajo që më intereson është të specifikoj diçka në lidhje me një pohim të kuratorit francez dhe një ndërhyrje timen që mendoj se do të ishte me interes të qartësohej disi më shumë.

Joël Riff në një moment, duke iu përgjigjur një pyetjeje nga publiku, pohoi se në Tiranë kishte vizituar disa hapësira mes të cilave Galerinë Zeta, Galerinë Miza dhe Tirana Art Lab, duke i parë këto “të ngjashme njëra me tjetrën” sepse “të lyera me bojë të bardhë”. Aty për aty m’u kujtua menjëherë një thënie që e kam dëgjuar prej një anglezi në Sarajevo: “Në Ballkan nga dy njerëz mund të formohen tre Parti”. Kjo, për të thënë sesa komplekse është të zbulosh dy mendje njësoj nga anët tona.

Por gjithsesi, thashë me vete, me majmunëritë që shihen rreth e rrotull, sidomos në Shqipëri, ka shumë mundësi të ketë të drejtë. Dhe fillova të mendoj. Tek të treja vendet që përmendi Riff kam patur mundësi të bashkëpunoj apo punoj, kështu që mund edhe të them dy a tre fjalë për këto realitete të artit bashkëkohor shqiptar. Sidoqoftë, sado që mendoja, nuk më vinte ndërmend ndonjë ngjashmëri – përtej bojës së bardhë – siç pohonte Joël Riff. Atëherë vendosa të thosha diçka për kuratorin që ndoshta do e ndihmonte të shihte me një perspektivë tjetër kontekstin “e ngjashëm” shqiptar.

I thashë se “në Shqipëri boja e bardhë është ajo më e lira në treg”. Të paktën kjo është arsyeja e bojës së bardhë në Tirana Art Lab. Pas kësaj ndërhyrjeje, që mendoja se do të mjaftonte për të qartësuar idetë, kuratori francez shtoi se ngjashmëria ishte si pasojë e një përqasjeje kuratoriale “alla White Cube”!!!

Nuk m’u duk me vend të hapja një diskutim dhe u përmbajta, por tundimi ishte i madh. Ishte i madh sepse për eventin e ACAS si Tirana Art Lab kemi marrë pjesë për thirrjen kuratoriale dhe ndoshta hapja e një diskutimi do të merrej si tendecioz, siç bëhet zakonisht. Do të merrej sikur do t’ua kisha me të keq organizatorëve që kishin menduar se një kurator shqiptar nuk ishte i nevojshëm për të përfaqësuar artistët shqiptarë, që kishin menduar se kurimi do të bëhej më mirë nga vetë organizatorët francezë që njohin artin shqiptar mrekullisht.

Ndoshta është edhe më mirë që një diskutim nuk u hap, sepse, përsa më takon, nuk ka vend për diskutim. Thjeshtë, këtu, po mundohem të arsyetoj përsenë.

“Zeta”, “Miza” dhe “TAL” nuk ngjajnë aspak me njëra tjetrën, nëse nuk do të llogarisim bojën, sepse nuk kanë të njëjtën përqasje menaxheriale përkundrejt aktivitetit të tyre; nuk kanë të njëjtën përqasje konceptuale të misionit të tyre dhe dhe në ndërtimin e programit të aktiviteteve; nuk kanë të njëtën përqasje të konceptimit kutatorial të eventeve. Në pak fjalë nuk ngjajnë askund.

Dikur, dikush, më pati thënë se “TAL”, aty ku zhvilloj aktivitetin tim prej mëse një viti, ka ngjashmëri me një tjetër hapësirë të artit bashkëkohor shqiptar, por edhe atëherë parashtrova këto perspektiva të procesit së punës dhe, mesa kuptova e kuptuam edhe atëherë, ngjashmëria ishte dhe është 0.

Për t’iu rikthyer ngjashmërisë që kishte parë kuratori francez, duhet theksuar se “White Cube” nuk është një ngjyerje me të bardhë e mureve të hapësirës ekspozitive, por është mbi të gjitha një koncept. Këtë, kuratori Joël Riff, zonja Christine Macel kuratore e Pompidou-së dhe këshilltare e COD-it në Kryeministri si dhe përzgjedhëse e ndritur e eventit të ACAS dhe të gjithë mbajtësit e gurit filozofal të artit në Shqipëri, besoj se e dinë më mirë se ne ekzotikët e Ballkanit ende të pazbuluar. Unë nga modestia e kushteve në të cilën ndodhem, në Tirana Art Lab, dua që të shpjegoj se bëj ekzaktësisht të kundërtën e asaj që koncepti i “White Cube” ka në thelb. Pra, nëse në “White Cube” muret ngjyhen me të bardhë për të nxjerrë në një dritë krejtësisht të pavarur veprën e artit, në TAL, të paktën në eventet e kuruara ku unë personalisht kam marrë pjesë, vepra është totalisht e ndërlidhur me kontekstin, jo vetëm të Shqipërisë, jo vetëm të Tiranës, por edhe të vendit konkret (lagjes), në të cilin ndodhet TAL. Mund të shihen për këtë të gjita ekspozitat e organizuara për serinë “Double Feature” e të tjera.

Nuk e di në “Zeta” apo “Miza” si përqasen në përgjithësi kundrejt veprës së artit, por në rastin e ekspozitës së Ergin Zaloshnjës në “Miza” apo Matilda Odobashit dhe Dritan Hyskës në “Zeta” veprat nuk kanë qenë të pavaruara nga konteksti që i rrethonte. Mund të thuhet që ka qënë ekzaktësisht e kundërta.

Si përfundim doja të shtoja që është mëse e qartë që vazhdojmë e lexojmë artin shqiptar dhe vazhdojnë e na lexojnë, me kategori të huaja, aliene ndaj territorit dhe kontekstit. Historia përsëritet. Pa fund. Kemi 25 vjet që shohim lexime ekzotike që na bëjnë “francezët” për shembull. Kjo është e turpshme, aspak profesionale nga ana e francezëve por edhe idiote nga ana jonë. Sot në Galerinë Kombëtare të Arteve kemi të ekspozuar Bujar Lucën, artist i famshëm (në Francë!!!), famën e të cilit askush në Shqipëri s’di ta artikulojë se ku bazohet, përtej jargavitjeve gazetareske ku na del se para 25 vjetësh na paskësh qenë i ftuar në Ambasadën Francezë, bashkë me Edi Ramën, për të treguar veprat e artit “moderne”, “alternative” të bëra fshehurazi si një “disident” anteliteram.

Nuk e di se kur do të mbarojë kjo idiotësi e jona – se mungesa e profesionalizmit të francezëve është shumë e vështirë për t’u vënë në diskutim për vërtetësinë apo për interesin që ka nga pas dhe, pas së gjithash, nuk më intereson shumë – por një gjë duhet thënë: iditosisë sonë duhet t’i vijë fundi nga brenda. Duhet ngritur zëri kundër leximeve njëtrajtësuese dhe përgjithësuese, kundër ekzotizmave me çdo kusht, sikur të ishim në Mesjetë ku etnocentrizmi i “perëndimorëve evropianë” lexonte si të njëjtë kinezët, japonezët, indianët sepse ishin “të verdhë” dhe kishin sytë si “bajame”. Jemi në 2015!

Një mendim mbi “… marr shkas nga Joël Riff në ACAS … (Romeo Kodra)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s