Teatri i inflacionuar i Ema Andreas: Vade Retro! (Romeo Kodra)

Dje mora pjesë në një debat të hapur të organizuar nga ‘Tirana Ekspres’ të titulluar ‘E ardhmja e Teatrit Shqiptar!?’. E pranishme në këtë takim, ku dolën pikëpyetjet dhe pikëçuditëset e titullit, ishte edhe Ema Andrea.

Interesi i organizatorëve dhe, siç u zbulua me kalimin e minutave të debatit, i të pranishmëve ishte ‘trasformimi i ishujve të teatrit alternativ në gadishuj’. Përtej metaforës së inflacionuar më bëri përshtypje edhe ideja – jo më pak e inflacionuar – e Ema Andreas për teatrin alternativ (?) shqiptar.

Zonja e madhe e alternativizmit shqiptar – pas marrjes së pozave ‘cool’ dhe ‘t’folmes tironce’ edhe më ‘cool’ – parashtroi një panoramë me të drejtë kënetore të teatrit shqiptar. Duke filluar që nga Ministria (që do të reformojë teatrin me po ata njerëz që e kanë katandisur në aktualitetin e trishtë të së sotmes), tek Fakulteti i Artit Skenik (ku Ema lufton kundra të gjithëve) e deri tek aktorët e Teatrit Kombëtar (që kanë frikë të ndihen edhe kur drejtori i ri po i përgatit për të ndërruar kontratat nga të përhershme në një-vjeçare). Ema Andrea i dedikon nga një shuplakë të gjithëve. Kur e dëgjon nuk ke si dhe pse ta kundërshtosh. Madje ajo të predikon edhe emra autorësh dhe reformatorësh teatrorë të cilët mumjet e Fakultetit të Artit Skenik apo dinosaurët e Institutit të Albanologjisë nuk u kanë dëgjuar ekon.

Por, mbrëmë, diçka në të folurën e saj po më bezdiste. U detyrova ta pyesja: Si arrini të përjetoni kaq qetësisht ardhjen këtu [tek ‘alternativët’ e Tirana Ekspresit], të qenurit pedagoge në Fakultetin e Artit Skenik, si dhe praninë tuaj nëpër televizione [duke qenë këto të fundit apoteoza e konsumizmit që me botën e alternativëve nuk ka të bëjë aspak sepse operon me opinionin e masave]? Nuk ju duket se ka një kontradiktë?

Në këto raste, kush ndjen thumbin ndaj egos mundohet të mbrohet dhe justifikohet me fraza standart që i përkasin rrafshit të patetizmave. Kur pasqyra e egos fillon e kriset, imazhi i konstruktuar luhatet përpara se të shkërmoqet tërësisht. Përgjithësisht subjektet që kanë mbetur në stadin e zhvillimit psikologjik të ‘pasqyrës’ reagojnë njësoj; nuk janë në gjendje të dalin jashtë klisheve (cliché). Nuk janë alternativë në pak fjalë. Alternativët (Alter – latinisht, ‘tjetër’) e vërtetë kanë nevojë të përballen me Tjetrin e psikes, pra nuk u duhet egoja, por luftojnë me kufizimet që Tjetri (prindi, shoqëria, etj.) i vendos dëshirës së tyre duke pretenduar guximshëm njohjen e tjetërsisë së vet.

Gjejeni si reagoi Ema Andrea?

Reagoi siç bën shumica, pra në mënyrë aspak alternative. Filloi me vështirësitë e jetës së saj (nuk më duket delikate të përmend këtu detajet patetike), gradualisht shtoi se çfarë kishte bërë kur të tjerët rrinin të fshehur, dhe përfundoi duke kërkuar të më mbushte mendjen se shkonte në televizion për ta përdorur dhe jo të përdorej prej mediumit. I përmenda për ta kundërshtuar Pasolini-n e para 40 vjetëve dhe Debord-in e Shoqërisë së Spektaklit (1967), por pashë që ishin të vështirë për tu gëlltitur prej saj. Mënyra habitore e ‘printuar’ në fytyrën e saj më thosh se s’i kish lexuar.

Një tjetër aktor i pranishëm u hodh e shtoi se “Ema ka punuar edhe në Fast Food!!!’. Iu përgjigja duke i bërë me dije se ‘Fast Food-i nuk është Auschwitz-i.’ Një fans i pranishëm njëzëri me aktorin parafolës u hodhën: ‘Për një artist është!!!’. Filloi një dialog i këndshëm ku unë i quaja ‘borgjezë’ dhe ata mua ‘marksist që akoma mendon se ekziston ‘konspirazioni’ i televizioneve … akoma me Pasolini-n!’. Gjithsesi, nuk pati gjakderdhje.

Ç’më bëri të shkruaj për debatin e djeshëm është interesi për teatrin. Më intereson të higjenizoj pak mjedisin. Ema Andrea nuk ka të bëjë fare me autorët me të cilët ajros gojën për t’u dukur alternative. Ajo jo vetëm që nuk di se ç’janë Artaud, Barba e të tjerë, por praktikon keq edhe pedagogjinë. Zonja është pedagoge në Fakultetin e Arteve Skenike dhe u predikon studentëve ‘alternativizmin’ sipas imazhit të saj të ‘kulluar dhe unikal’. Pa pikë cipe madje thotë se i ka të përkthyer vetë autorët në fjalë (duke qenë se i përmenda mungesën e përkthimeve si gjënë më absurde të kontekstit shqiptar), por fatkeqësisht ‘askush nuk do t’ja botojë’. Ah, harrova, ajo gjithsesi u këshillon studentëve të saj përdorimin e google-it! Ema Andrea për mendimin tim nuk i ka lexuar autorët që përmend. Nëse i ka lexuar nuk kuptoj si nuk tmerrohet tek sheh imazhin e saj të dashur përpara pasqyrës sepse Artaud për të mos ju shitur turmës[1] përfundoi në çmendinë, iu nënshtrua 130 seancash elektroshok-u dhe ridoli duke folur vetëm për teatri. Barba emigroi në Norvegji dhe e la atë për të studiuar nga afër një tjetër lloj të çmenduri në Poloni – përtej ‘Perdes së Hekurt’ – që bënte spektakle për maksimumi 30 spektatorë i cili, më vonë ne profanët do të kuptonim, po revoluciononte teatrin: ishte Jerzy Grotowski. Ky i fundit, le ta lexojë Ema Andrea dhe ‘alternativët e teatrit shqiptar’, ka shkruar ‘Për një teatër të varfër’ jo më të shkonte në ‘Dancing with the Stars’ për të gjetur milionat që duhen për të bërë teatër në Shqipëri.

Për ta mbyllur më duhet të them se Ema Andrea është pjesë e një numri të madh personazhesh që lëvrijnë sa në institucionet publike, në televizione e deri në skena alternative duke zaptuar dhe bukosur skajshëm jetën artistiko-kulturore shqiptare. Dhe ç’është më e keqja janë tërësisht personazhe, maska, lëvozhga pa esencë artistike që nuk arrijnë të artikulojnë një mendim të bazuar në njohuri shkencore apo profesionale, por shijojnë llucën e kënetës së të përditshmes.

Vade retro!


[1] Turmë masmediatike së cilës Ema i shitet pa teklif. ‘Si e shpjegon – më tha – që kur shkoj në TV më mbushet salla në Teatër?’.

5 mendime mbi “Teatri i inflacionuar i Ema Andreas: Vade Retro! (Romeo Kodra)

  1. Jam dakord me kritiken tuaj, por edhe ate e kini mpire sepse e kini perdorur ne funksion te nje individi. Me pak fjale pamundesia juaj per te folur per Artaud, pa e vene ne funksion te Emes apo te X-it.

    1. Te gjithe mund te flasin per Artaud dhe gjithe c’ka universi; mjafton cognitio causae (njohuria e fakteve). Nuk e kuptoj pse ju duket e mpire kritika kur flitet per individin. Me pelqen kur i referohem fakteve dhe personave tu ve emrin dhe mbiemrin. Kush do mund te futet ne diskutime … riperseris: mjafton cognitio causae!

  2. Bravo, bravo, bravo!!!!! Nuk ia dalim dot me te shohim pseudoaktore teatri te shfaqin talentin e tyre tek Arjan Cani. Vazhdo keshtu! Eshte e veshtire per te mos thene e pamundur te ndryshoje dicka nga ky mentalitet i ndryshkur qe ka pushtuar jo vetem artin ne kete vend ku eshte shume me e rendesishme te dukesh sesa te jesh. Por, ku i dihet…

  3. baruti i thate
    Romeo shume mire. Urime! Nje ze i fuqishem qe njeh problematikat qe shqetesojne teatrin tone jane ato qe na duhen sot . Kush ka veshe le te degjoje. Pa mohuar disa arritje te historise se teatrit dhe disa emra te nderuar aktoresh eshte e qarte se nuk mund te vazhdohet me keshtu. Ka rene prej njezet vitesh alibia e dhunes shteterore apo e izolimit. Ilaçi i pare qe keshillon eshte i hidhur por i duhuri: te hapim syte dhe te shohim realisht gjendjen ne teater dhe ne akademi per ate qe eshte. Sa per mungesen e perkthimeve te librave me te rendesishem te literatures se teatrit ajo eshte uleritese.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s