Kur kapesh me pras ndër duar. (Romeo Kodra)

Zakonisht kur shkruaj për argumente që përbëjnë interesin, profesionin dhe pasionin tim nuk medohem gjatë. Nuk di a bëj mirë, por – duke qenë se fjalët dhe arsyetimet mbi këto argumente më vijnë thuajse në mënyrë automatike – ndjej të nevojshme të lëshohem i tëri në atë që mund ta quaja hedhje nga trampolina e kritikës. Kam thënë diçka mbi këtë argument në shkrimin tim të parë të botuar në shqip dhe të publikuar në Milosaon e Gazetës Shqiptare (Henry VI: Grada zero e teatrit). Po e përsëris të sintetizuar. Kur bëhet një kritikë vihen në lojë njohuritë, instrumentat e kritikës dhe pse jo edhe vetja. Këtë e them përtej çdo metafizike. Nuk më pëlqen të flas për ‘vënie të fytyrës në lojë’, ‘prishje imazhi’ apo ku di unë, sepse të gjitha kanë të bëjnë me egon. Kur bëhet kritikë e një argumenti që është njëherësh pjesë e interesit, profesionit dhe mbi të gjitha pasionit, falë këtij të fundit, nuk mund të flitet vetëm për egon, por për diçka edhe më esenciale që është pjesë e vetvetes.

Artikulli i publikuar në askrevista.wordpress.com më 14 shkurt (Teatri i inflazionuar i Ema Andreas: Vade Retro!) i përkiste interesit, profesionit dhe pasionit tim. Brenda artikullit – siç e kam zakon – bëhesh emri dhe mbiemri i një personi që ka (shpresoj!!!) të njëjtin interes, profesion dhe pasion. Kjo shpresë ishte e vetmja arsye për të cilën nuk u mendova një natë, as dy, por tre netë. Shpresoj të mirëkuptohet privilegji.

Ky person që pretendon të bëjë një profesion të fushës sime pretendon gjithashtu të ketë të drejtë të predikojë mish mashin e vet të përditshëm si të ishte koherent me leximet, autorët, artin dhe të jetuarin që pasioni im detyrimisht kërkon prej të gjithë atyre që e praktikojnë. Ky person kujton se e shkuara në ‘Dancing with the Stars’ është njësoj si e shkuara e Eugenio Barba-s (të cilin ajo përmend sa herë i jepet rasti) në televizion ku flet ekskluzivisht për Meyerchol’d-in. Ky person më dërgon një mesazh në një social media (por pa më lënë mundësinë për t’i dhënë përgjigjen që meritonte) me ofendime personale pa më dhënë faktin apo faktet mbi të cilin i bazon. Duke qenë se jam njeri i ndjeshëm dhe nuk dua të merrem më me ‘problemin e imazhit në pasqyrë’ të këtij personi nuk po e publikoj (shpresoj ta kuptojë nderin e fundit që po i bëj). Shpresoj gjithashtu që ky person të mos jargavitet apo qurravitet nëpër persona të tretë, por të ballafaqohet personalisht mbi interesin, profesionin apo pasionin e vet në kontekstet apo platformat që dëshiron.

Përpara se ta mbyll më duhet të specifikoj që është mirë kur një person kapet me pras ndër duar t’i gjej vendin dhe t’i dalë për zot. Unë pretendoj se di për çfarë flas kur argumentoj mbi interesin, profesionin apo pasioni tim, dhe mbi të gjitha s’kam ndërmend të papagallizohem si lëpirësit e mejhaneve që për tre groshë u shiten ofruesit të parë. Panegjirizmat nuk bëjnë për mua. Kështu që shpresoj që personi në fjalë ta mendojë mirë përpara se të dalë në skenë e të shesë, në vend të punës artistike, statusin e arritur falë papagajve. Statusi për mua nuk ekziston. Statusi është – siç e thotë fjala – statik, i kristalizuar, i mumifikuar. Për fat të keq, me sa më duket mua, mbaroi koha e detit kos. Kush do të fusë turinjtë në tavë duhet të paraqesë kredencialet, përndryshe le të ruaj statusin e zbrazur të personazhit lëvozhgor masmediatik.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s