Giselle & Albrecht në Tiranë – Petra Conti & Eris Nezha. (Romeo Kodra)

 

Që Baleti të ketë ndonjë mundësi duhet

që në të gjithçka të jetë e pamundur.

Théophile Gautier

 

Baleti klasik lind në një periudhë ku shartohen idealizmi dhe romanticizmi dhe Giselle është sinteza e parë gjuhësore që në mënyrë të vetëdijëshme i përfaqëson në panoramën skenike evropiane. Për herë të parë kemi një leitmotiv karakterizues të një bote sa të përtejme aq dhe të këtejme. Ëndrra dhe realiteti, idealja dhe truporja, qiellorja dhe tokësorja në personazhin e Giselle-it mishërohen në një.

Pak histori: Giselle-i i parë është i vitit 1841. Punuar mbi libretin e Théophile Gautier-së, i cili ish frymëzuar nga një legjendë zanash të folklorit gjerman e treguar prej Heinrich Heine-s, vepra është koreografuar prej dy mjeshtrave më të mëdhenj baletor të Parisit të shekullit të XIX, Perrot dhe Coralli, për të famshmen Carlotta Grisi. Personazhi femëror që mahniti Gautier-në mbart në vetvete dy tematikat më të njohura dhe të trajtuara prej romantikëve: folklorin baritor dhe zymtësinë e pasvdekjes. Në aktin e parë Giselle-i dashurohet me Albrecht-in e shtirur si Loys-i, një fshatar si ajo. Kur zbulohet identiteti i vërtetë i tij, dhe martesa me një grua të të njëjtit rang, Giselle-i çmendet dhe vdes me zemër të thyer. Në aktin e dytë, e shndërruar tashmë në zanë nokturne, ndryshe nga shoqet e saj, ajo nuk do të hakmerret kundrejt të dashurit të penduar, por e mbron atë deri në agim kur fuqia e zanave (që bënin të çmendeshin burrat deri sa të vdisnin në ethet e kërcimit) merr fund.

Nuk besoj se më parë kemi patur mundësinë të shohim një Giselle të tillë në TOB. Petra Conti është përtej çdo gjykimi kritik profesional apo të pasionuar. Eris Nezha në kulmin e pjekurisë artistike. Fjalët mungojnë.

Petra Conti fillon me një  pantomimë dhe asolo që tregon një kërkim maniakal të teatrores që sublimohet në theksimin e çdo note muzikore. Personalisht nuk kam parë një ndërtim personazhi aq të qartë që në notat e para. Gjithçka bëhet me një vetëdije absolute dhe të natyrshme. Paradoksi qëndron në këtë parashtrim të dukshëm që më vonë do të na nevojitet ne, si spektatorë, të deshifrojmë dhe të kapim të padukshmen: Giselle-i i gjallë po na përgatit për në botën e Giselle-it të shndërruar në shpirt pas vdekjes.

Kulmi shprehimor i Petra Conti-t, dhe dhurata e saj për publikun, ishte skena e çmendurisë. Teatër i vëtrtetë që pak kush arrin ta konkurrojë. Nuk ka asnjë vështirësi tekniko-fizike; e gjitha kufizohet në pantomimën dramatike: rimarrja e gjesteve të lumtura të hapjes, gjestikulimi i heqjes së petaleve të margaritës së dikurshme, aludimi i hapave të kërcimit të shkujdesur fillestar (pas ballonné). Thjeshtë gjuhë baleti e shndërruar në poemë trupore që sfidonte lotët dhe lëmshin e mbledhur në grykë.

Eris Nezha me pesëmbëdhjetë entrechat seis[1] (kaq arrita të numëroj unë, dhe u ndala se duart po më djersinin vetëm tek e shihja) nuk kish nevojë për të mbajtur tempin as të dëgjonte muzikën, që për rastin u mbulua nga duartrokitjet e një publiku që nuk po u besonte syve për ç’ka po shihte.

Ishte e vështirë të gjendej një gabim në mbrëmjen e djeshme të Conti-t dhe Nezhës, dy étoiles që meritojnë suksesin që kanë nga Teatro alla Scala e deri në Boston, ku prej vitit të shkuar kanë zgjedhur të transferohen. Kjo varet ndoshta edhe prej ngurtësisë dhe plogështisë së shqisave që na janë niveluar me solistët e TOB dhe televizioneve.

Kush ka mundësi, të vrapojë e të shohë sonte mbrëmjen e fundit në TOB të Petra Conti-t dhe Eris Nezhës! Kush e di për sa kohë do të na duhet të na thahen sytë që të shijojmë përsëri një nivel të tillë!


[1]    Hedhje nga vendi në të cilën duhen kryqëzuar këmbët në ajër për tre herë.

Një mendim mbi “Giselle & Albrecht në Tiranë – Petra Conti & Eris Nezha. (Romeo Kodra)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s