Kolonializimi fashist e neo-liberal nëpërmjet starkitekturës dhe përgjigjia devijuese e z. Brugmans dhe IABR mbi Atelier Albania. (Romeo Kodra)

Në këtë blog është folur për pushtetin dhe arkitekturën si të lidhur pazgjidhshmërisht me konceptimin e hapësirës, e nënkuptuar kjo si territor i shpalosjes së kontradiktave dhe koherencave midis së drejtës individuale dhe sociale. Po ashtu është folur se si mentaliteti qeverisës (governmentality) i pushtetit është përcjellë, komunikuar dhe trashëguar nëpërmjet arkitekturës fashiste (racionalizmi italian, i marrë si paradigmë e një stili artistik modern), duke ndikuar formësimin e konsensusit politik, por edhe mentalitetin e përditshëm të njerëzve, të leader-ave që këta njerëz promovojnë prej “gjirit të tyre” në udhëheqës të vendit, e deri, mentalitetin konceptues të të qenurit artist dhe funksionit të artistit në Shqipëri.

Gjithsesi mbi këto çështje thuajse aspak nuk flitet në shkolla, universitete, private apo publike, qofshin, përveçse në mënyra devijuese, kontradiktore, apo, në më të mirën e rasteve, të përcipta. Kjo mungesë hapjeje diskutimi dhe, si rrjedhojë, vetëndërgjegjësimi ka të bëjë me Sistemin, me atë të “S” së madhe, ku përfshihen mbi të gjitha politikat, institucionet por edhe njerëzit.

Zakonisht në Shqipëri, nëpër kafenera, flitet shumë mbi politikat dhe, disi më pak, mbi institucionet. Madje, ndonjëherë, në një mënyrë goxha kritike. Por, kur vjen puna tek njerëzit, “heshtja bie mbi ne”. Njerëzit nuk duhen cënuar.

Të mos prekurit e njerëzve është tipike për shoqëritë feudale apo klanore, aty ku nuk ka shtet apo nuk ka lindur ende shteti, aty ku ka vetëm klane/”elita”, aty ku mafja e një klani specifik kërkon të “ma+fja=mbajë+fjalën” (informacionin, dijen, njohurinë e bashkëndarë vetëm për vete, pavarësisht se u takon të gjithëve) me çdo kusht. Po ashtu është tipike edhe për shoqëritë pseudo-demokratike bashkëkohore (p.sh. më thoni sa demokratike është shoqëria amerikane kur zgjedhja është midis një idioti si Trump dhe një luftëndjellëseje si Hillary?). Këto tipare bëjnë të mundur që në Shqipëri, ku të dyja modelet e sipërpërmendura lulëzojnë duke i lënë shpesh vendin njëra-tjetrës, të krijohen “elitat” e hajdutëve dhe dallaverexhinjëve feudalë, apo oligarkëve bashkëkohor, që tjetër nuk janë veçse koalicioni i korporatave të biznesit dhe pafytyrësisë së përfaqësuesve politik të këtij vendi, të cilët dalin gjithmonë palagur nga aferat korruptive në kurriz të gjithnjë e më të vobektëve shqiptarë.

Sistemi, ai me “S” të madhe, na ka imponuar injorancën (mungesën e pjesëmarrjes dhe aksesit në informacion), sepse po të mos na e kishte imponuar do të zbulonim që korporativizmin e kemi trashëguar me idenë e shtetit të qëndrueshëm. E kemi trashëguar me qeverinë e parë të qëndrueshme, me qeverinë e Zogut. Do të zbulonim që qe Mussolini ai i cili futi gradualisht në kthetra Shqipërinë e qeverisë zogiste, të cilën një ditë më parë mbështeste, me korporatat e investuesve/ndërtuesve italianë. Falë po këtyre korporatave u kolonizua dhe, më pas me natyralitetin më të madh, u pushtua ky vend, ku ende mbizotëron i njëjti Sistem korporativist. Nuk është çudi që Arvizu quante burrë shteti Sali Berishën më 21 janar 2011 dhe Lu-ja mbështet Rilindjen mafjoze dhe vdekjeprurëse të Edi Ramës. Është pikërisht për të siguruar qëndrueshmërinë e një shteti korporativist, neoliberal, fashist.

Sistemi mafjoz apo korporativist/fashist neoliberal gjeneron gjithmonë arkitekturë “elitare”, dhe është pikërisht racionalizimi dhe kushtëzimi i hapësirës prej këtij sistemi që në kërkimet e mia më intereson. Natyrisht, termin “elitar” e vendos në thonjëza sepse nuk ka të bëjë me elitat e vërteta, të cilat – sipas etimologjisë elegere/me zgjedh – zgjedhin të mos bëhen turmë, të mos homologohen dhe homogjenizohen. “Elitat” e sistemit tonë nuk janë të tilla. Siç duket mësëmiri nga arkitektura që na kanë dhuruar në hapësirat urbane ato zgjedhin të homologohen dhe homogjenizohen. Kështu, në Shqipëri, kemi arkitekturën më të homologuar të mundshme: duke filluar që nga arkitektura koloniale (eklektike dhe racionale) e italianëve, tek ajo e neo-klasicizmit apo neo-barokut sovjetik, tek “kullat binjake” false e deri te përçudnimet fallocentrike të Edi(p) Ramës.

Ashtu si dje, edhe sot, ndërtuesit (sepse t’i quash arkitektë është ofendim për buonsensin estetik) në Shqipëri janë në modë. Ata, ashtu si në epokën fashiste, fshihen pas idesë së “modernizimit” të vendit, “identitetit kombëtar” dhe, nëpërmjet tyre, ngrefjes egoistike të një populli me tradita “të veçanta”, “jo normale”, “të jashtëzakonshme”. Dhe modernizimi i vendit, identiteti kulturor dhe jashtëzakonshmëria e tij nuk mund të shprehet më mirë se sa me arkitekturë, që tjetër nuk është veçse – si gjithmonë – inflacion dhe përfitim financiar, mbushje xhepash për oligarkët e përhershëm, të cilët shteti shqiptar, me natyralitetin që e karakterizon, s’rresht së gjeneruari.

Kështu pra, për interesa vetjake apo institucionale, direkte apo indirekte, askush prej ekspertëve të planifikimit urban dhe arkitekturës në Shqipëri, prej thuajse tre vjetësh, nuk vë në diskutim një nga mashtrimet më të mëdha të historisë së arkitekturës dhe planifikimit urban të këtij vendi, që ka tek Atelier Albania zemrën pulsuese. Duket sikur në Shqipëri kanë vdekur historianët, teoricienët e artit; duket sikur mbi të gjithë kanë vdekur planifikuesit urban, arkitektët, shoqatat e tyre përkatëse apo diplomoret më pak përkatëse. Duket sikur mafja e tullës dhe llaçit ka mbyllur gojën e ekspertëve të fushës. Por nuk është krejtësisht kështu, sepse, përtej këtij menefregizmi, fshihet një arsye fare e thjeshtë: këta janë vetë mafja, janë pjesë e pashkëputshme dhe e patjetërsueshme e saj.

Kështu edhe lënia e kopilit Atelier Albania në derë prej George Brugmans, themeluesit apo atit të Atelier-së, kalon në heshtje sikur të ishte kurrëgjë, në një mënyrë fare normale. Zotëria, drejtor i Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Roterdam, pasi themeloi dhe menaxhoi të gjitha konkurset e mundshme kombëtare tonat, nëpërmjet Atelier Albania, tani – NORMALISHT – heq dorë për të mos iu përgjigjur disa pyetjeve mbi konceptet e Atelier-së, trasparencës së krijimit dhe futjes së saj brenda korpusit administrativ të një shteti, organizimit të konkurseve të saj, konfliktit të interesit direkt kryeministror e të tjera pyetje NORMALE për një vend NORMAL. Por natyrisht, siç thotë edhe vetë Brugmans, “Shqipëria nuk duhet të jetë një vend normal. Botës dhe Europës nuk ka ç’i duhet edhe një vend tjetër normal” (min. 2.20).

Dhe për të qenë “të jashtëzakonshëm” duhet të kemi edhe ne arkitekturë të jashtëzakonshme dhe planifikim urban të jashtëzakonshëm, nëpërmjet të cilave vetë i madhërishmi Kryeministër të përshenjojë territorin me ndërhyrjet e tij gjeniale, në mos personalisht vetë, me anë të huazimit të emrave të miqve, të cilëve Atelier Albania, ergo IABR (George Brugmans) dhe 51N4E, në mënyrë “profesionale”, “transparente” dhe “pa kurrëfarë konflikti interesi” u ka dhënë tenderat.

Por, pavarësisht dërdëllitjes mbi koncepte kontradiktorë, pseudo-politically correct, ngacmues të vetëpëlqimit provincial të shqiptarit të mesëm=mediokër, atë që mësëmiri përfaqësohet dhe trupëzohet prej leader-ave tanë, George Brugmans, në mënyrë aspak “të jashtëzakonshme”, por krejt NORMALE, refuzon të përgjigjet; madje, paturpësisht, të mohojë çdo përgjegjësi përkundrejt krijesës së tij Atelier Albania. Bile, zotëria merr mundimin e guximin, duke “harxhuar kohën e tij të çmuar”, të theksojë, nëpërmjet sekretares së tij, se ai nuk e ka për detyrë t’i justifikohet publikut dhe taksapaguesit shqiptar, por vetëm atij holandez, sepse çdo projekt i IABR në Shqipëri është bërë falë taksapagueve holandezë.

20161103_170306-1

Por, pavarësisht përgjigjes devijuese, është mëse e qartë që IABR dhe zotit Brugmans diçka u djeg. U djeg sepse pyetja nuk ishte për projektet që ai dhe “IABR has carried out” (kryer), por për konkurset dhe tenderat që kanë menaxhuar “në kontekstin e Atelier Albania-s”, për eksperiencën e tyre në tërësi. Jo për gjë, por taksapaguesit shqiptarë e dinë shumë mirë që duhet të falenderojë taksapaguesit holandezë për nderin që u bëjnë duke paguar z. Brugmans dhe IABR për të filtruar ekskluzivisht – falë Edi Ramës – të gjitha konkurset dhe tenderat e planifikimit urban dhe arkitekturor në Shqipëri. Por dinë gjithashtu që, nëse z. Brugmans dhe IABR u japin konkurset dhe tenderat miqve të Kryeministrit, që ky të përshenjojë estetikisht territorin dhe estetizuar politikën e tij, siç bën prej ditës që i është futur politikës, apo që, nëse miqtë e Kryeministrit fitues të tenderave dhe konkurseve përfshijnë firma ndërtimore të dyshimta të lidhura me riciklimin e parave të krimit (drogë, prostitucion, etj), atëherë z. Brugmans dhe IABR kanë – që ç’ke me të – detyrim/owe t’u përgjigjen shqiptarëve taksapagues.

P.S. Pavarësisht se z. Brugmans dhe IABR duan të mbrojnë menderen duke devijuar vëmendjen nëpërmjet referencës së ambasadës holandeze, të cilën nuk e kuptoj se si mund të jetë e përfshirë “në çdo hap” / every step of the way të eksperiencës së tyre në territorin shqiptar, unë gjithsesi në ambasadë do të informohem. Madje edhe për detyrimet ose justifikimiet që z. Brugmans dhe IABR kanë apo jo përkundrejt publikut dhe taksapaguesve shqiptarë.

P.P.S. Dhe që z. Brugmans dhe IABR duan të devijojnë vëmendjen prej bëmave që kanë bërë prej 2 vjetësh, kjo duket nga mënyra se si më tregojnë të informohem te 51N4E për bëmat e fundme “more recent ins and outs”. Jo z. Brugmans dhe të nderuar “ekspertë” të IABR, informacione na duhen për aktivitetin e 2 vjetëve të fundit, që nga dita e instalimit të Atelier Albania në korpusin administrativ të një shteti të supozuar të pavarur dhe të pa kapur, jo nga okupatori i huaj siç ishte Italia fashiste e ’39, por nga mafia, nga oligarkia korporativiste e neoliberizmit mbarëglobal.

2 mendime mbi “Kolonializimi fashist e neo-liberal nëpërmjet starkitekturës dhe përgjigjia devijuese e z. Brugmans dhe IABR mbi Atelier Albania. (Romeo Kodra)

Lini një koment