Nga “Battlefield: Culture”, te “Soros” si operator kulturor … apo kolonizues. (Romeo Kodra)

Battlefield: Culture

Battlefield: Culture

Të hënën isha i ftuar, si dëgjues, në një konferencë të organizuar (në mënyrë të përkryer) nga AKCIJA ZA KULTURU, një organizatë aktivistësh kulturor nga Sarajevo. Konferenca “BATTLEFIELD: CULTURE. Cultural Activism and Social Change” u organizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur të George Soros.

Konferenca ishte e ndarë në tre panele: Kultura dhe Rritja e Shoqërisë Civile të së Djathtës Radikale, Aktivizmi Kulturor – Zgjerimi i Fushëbetejës, Hapja e Hapësirave Publike – Beteja për të Përbashkëtën. Të gjitha ndërhyrjet e lektorëve ishin interesante dhe deri diku cekën tematika të përbashkëta, gjashtë prej të cilave u zgjodhën të shtjelloheshin në diskutime në grup. Secili prej pjesëmarrësve dhe lektorëve do të zgjidhte tematikën dhe duke u bashkangjitur me të tjerë të interesuar për të njëjtën tematikë do të formonte grupin përkatës.

Personalisht, për të thënë ato që për mendimin tim kishin kaluar të pathëna prej lektorëve të konferencës, zgjodha grupin ku do të diskutohej “etika”, që pak a shumë, përmblidhte në një emërues të përbashkët ç’ka kisha për të thënë.

Por, përpara se të shkruaj ç’thashë, po filloj të rendis këtu shtysën parësore, të cilën nuk e ndava me të gjithë, por që më bëri të mbaja një lloj qëndrimi paksa të distancuar prej lektorëve dhe retorikës së përgjithshme të konferencës. Ky qëndrim ka të bëjë me një lloj sikleti, personal, që më vinte prej titullit të konferencës: BATTLEFIELD. Ky term, në Sarajevon e gjymtuar prej luftës së fundit në Bosnje e Hercegovinë, më bëri përshtypje edhe për arsyen personale të prejardhjes së gjyshërve të mi dhe të një shtëpie timen, ende të rënuar prej bombave, vetëm 15 minuta larg vendit të konferencës, Hotel Courtyard Marriot, ku u zhvillua ky event.

Kuća ... ulica Megara, 40.

Kuća … ulica Megara, 40.

Kjo shtëpi iu dha familjes sime në fillim të 1991 nga Bashkësia Islame e Sarajevës, nga fondi i Vakufit, tek i cili rezultonin ende disa pasuri të patundura që të parët e mi, nga ana e tim eti, i kishin dhuruar Bashkësisë përpara se të largoheshin prej frikës së hakmarrjes së pritshme austro-hungareze në Luftën e Madhe. Si shpërblim Bashkësia Islame e Sarajevës i ritheu tim eti, kur vendosëm të linim Shqipërinë, shtëpinë që shihet në foton përbri, e cila i kishte shpëtuar luftrave me armikun e huaj, por që u shkatërrua në luftën civile, shpesh literalisht vllavrasëse, në Bosnje e Hercegovinë. Kështu pra, prej ndjeshmërisë dhe eksperiencës personale thjeshtë përdorimi i fjalës BATTLEFIELD, në Sarajevo, më sillte kujtime të këqija.

Po ashtu më sikletosi edhe fakti që në konferencë u fol anglisht, por shpesh edhe “na našem jeziku”/”në gjuhën tonë” (me përkthim anglisht), ku nënkuptohej gjuha e Jugosllavisë, siç e përdorën pa të keq e pafajësisht prej shumë lektorëve. Por, midis “tonëve”, kishte edhe shqipfolës, që, natyrisht, ritheksoj, pa të keq e pafajësisht, ishin të përjashtuar prej vetës së parë shumës të përdorur, sepse, logjikisht, çdo “NE” ka një “JU” dhe një “ATA”, çdo e “JONA” ka një e “JUAJA” dhe një e “TYRE”.

Le të mos më marrin lexuesit e rinj të këtij blogu për ndonjë “nacionalist” apo “patriot”. E kam shprehur kahera që Shqipërisë, ashtu si çdo shteti kombëtar, si identifikuese të një personi, “kombit” dhe “kombëtarizmës” ashtu si “at+dheut” dhe idesë trashendentale të “atit” i kam bërë mutin. Ajo që këtu më intereson është fusha semantike e kuptimeve që kalojnë nëpërmjet gjuhës dhe hapësirës psiko-fizike që ajo përcakton.

Kulmi i sikletit arriti acarimin kur në dhomën e hotelit, sikur të isha diku në Far West-in e evangjelizuar prej kolonëve të rinj amerikanë, m’u materializua kjo skenë:

Trashendentalizmi dhe shenjtërimi i Atit ... gjithkund!!!

Trashendentalizmi dhe shenjtërimi i Atit … gjithkund!!!

Dhe pas këtyre pështjellimeve emocionale, për t’iu rikthyer edhe thelbit të shkrimit, në “grupin e etikës”, hapa diskutimin sesi nëpërmjet gjuhës së përdorur pafajësisht dhe pa të keq, kalojnë kuptime të pafiltruara racionalisht, të cilat i trupëzojmë dhe i themi sikur të dinim qartësisht se me çfarë kemi të bëjmë. Si shembull mora edhe rastin e termit “kulturë”, tek i cili Derrida shihte, sipas së njëjtës prejardhje etimologjike latine “colo”, një përzjerje dhe shpesh ngatërrim me termin “kolonizim”. Theksova sesi në ndërhyrjet e lektorëve shpesh flitej pa qartësuar pozicionin dhe perspektivën e tyre personalisht dhe të termave që ata përdornin. P.sh. kur flitej për art dhe artistë, pak prej tyre kishin parasysh që nuk po flitej për kulturë dhe operatorë kulturorë e aq më pak për aktivizëm dhe operatorë social. Kjo shpërfillje e kontekstit dhe e hapësirës prej së cilës flitej dhe për të cilën referohej për menimin tim nuk mund të mos gjenerojë e shpërhapë injorancë. P.sh. një artisti i vjen natyrshëm të mos ketë lidhje me kontekstin, madje të presë çdo lidhje me të, të mos informojë e as të komunikojë gjë prej gjëje, përveç artit dhe botës së vet (Antigona e Sofokliut, por edhe absurdi i Beckett-it docet). Kjo është e bukura e artit. Vetëm kështu mund të pritet social change-i i ARTIT që kërkohej prej titullit të eventit.

Është etikisht e papranueshme t’i komisionohet një vepër arti një artisti që të ketë të bëjë me emigrantët, punëtorët, shtresat në nevojë apo minoritetet. Kurse një operatori kulturor, p.sh, një kuratori, mund t’i kërkohet. Është operatori kulturor ai që gjen, sipas njohurisë së supozuar të tij, një artist i cili ka në praktikën e vet përfshirjen e emigrantëve, punëtorëve, shtresave në nevojë apo minoriteteve. Por te ky i fundit fillon problemi i kulturës si kolonizim. Për të shmangur këtë eventi kulturor nuk mund të vijë nga lart, nga njohuria e supozuar e operatorit kulturor, i cili informon, konformon dhe me raste deformon kategoritë e sipërpërmendura, të supozuara sikur nevojën ta kishin për kulturë dhe jo për arsye sociale apo ekonomike, siç kanë në më të shumtën e rasteve. Pra, eventi duhet të gjenerohet, të informohet, konformohet apo edhe deformohet edhe prej këtyre kategorive të përfshira; duhet të ketë një hapje të ndërsjelltë lart-poshtë, jo një kolonizim dhe mbushje truri të njëanëshme, por të kultovohen qofshin kategoritë në nevojë, qofshin operatorët kulturor pjesëmarrës. Kjo quhet KULTURË që shmang kolonizimin alla Far West!

Këtu vijmë edhe te thelbi i çështjes së mungesës më të madhe në këtë konferencë.

Për koinçidencë(!?), përpara se të fillonim bashkëbisedimin për etikën, si grup na u sugjerua, sipas interesit të shprehur prej Fondacionit Shoqëria e Hapur (Soros), të nxirrnim idera dhe këshilla se si, për çfarë dhe ku mendonim duheshin përqëndruar fondet e mundshme.

Muzikë për veshët e mi!

Ajo që parashtrova si mungesë thelbësore, dhe që kishte të bënte pikërisht me përzgjedhjen time të grupit që diskutonte “etikën” në lidhje me kulturën, ishte mosproblematizimi prej lektorëve të konferencës (përfshi ndërhyrjet me pyetje nga salla) i fondeve të Soros-it dhe Fondacionit të tij, reputacionit që ka mbarëbotërisht si reaksionar dhe devijues i çdo lloj rezistence kundër kafshërisë së “Kapitalit”. Thashë që eksperienca ime, pikërisht për këtë çështje, më kishte nxjerrë përballë një problemi etik.

Zakonisht, në praktikën time artistiko-kulturore më intereson proçesi, ajo ç’ka rri pas prodhimit të veprës/eventit, hapja e laboratorit, sigurimi i mjeteve (marksiane) të prodhimit dhe transparenca për të evituar efektet “rrezatuese/aurea-n” e veprës/eventit, efektet përshfaqëse/përfaqësuese, efektet e “fasadës” artistike/spektakolare. Kështu në një bashkëpunim që m’u ofrua nga Fondacioni shqiptar i Soros-it thuajse një vit më parë, ramë bashkarisht dakort që do të problematizohej pikërisht, dhe mbi të gjitha, ky reputacion, pas të cilit qëndron edhe përfitimi politik i trushplarësve që shohim në panoramat e përfaqësimit politik të mbarë Ballkanit, ku Shqipëria është pararojë, si në rastin e përcaktimit të romëve dhe egjiptianëve si “zhuli dhe llumi” prej Kryebashkiakut të freskët të Tiranës, Erion Veliaj.

Nje propozim modest

Nje propozim modest

Eventi që kisha menduar ishte një pjesë teatrore ku dy aktivistë të “shoqërisë civile”, ergo  nënkuptuar Edi Rama (në bordin e Soros-it për vite) apo më mirë Erjon Veliaj dhe MJAFT-i mbështetur nga Soros, përparonin në një karrierë politike deri sa arrinin pa të keq në propozimin e idesë gjeniale të eleminimit të problemit të lypsave (“llumit të jevgjve, gabelve që mbushin Bulevardin dhe rrugët tona apo punëtorëve zhulsa tek Ushtari i Panjohur dhe Dogana“) dhe fëmijëve të tyre duke i kthyer në ushqim, duke i kultivuar si bagëti për t’u ngrënë prej “njerëzve me klas të shoqërisë sonë civile” (adoptim i pjesës “Një propozim modest …”, prej Jonathan Swift).

Bashkëpunimi, përsa më takon, rezultoi i mirë. Do kishte qenë perfekt sikur vendndodhja e përshfaqjes të ishte, sipas propozimit tim fillestar, COD-i kryeministror, por që do merrej si provokim i Fondacionit/Soros-it, që nuk do të cënojë çështjet e politikës së brendshme, siç mendohej se mund të interpretohej. Aq më shumë perfekt do ish sikur posteri në hapësira publike të kishte qenë, siç e kisha kërkuar, fotomontazhi i mësipërm që dikush e supozoi si tepër agresiv dhe fyente ndjeshmërinë e publikut. Por për këtë tolerim të fundit fajsoj veten për pavendosmërinë time, sepse vetëm një ditë përpara përshfaqjes, kur porsterin kisha rënë dakort ta ndërroja me një tjetër (krejtësisht anonim), në Durrës kishte vdekur nga të ftohtit, e ngrirë në duart e së ëmës një foshnje, bijë e një romeje të pastrehë, për të cilën nuk kam dëgjuar t’i ketë rënë të fiktët ndonjë qytetari a qytetareje hiper të ndjeshme.

Gjithsesi, duke i lënë brengat e “ETIKËS” sime të leshit, vetëm dy javë më pas përshfaqjes sonë, për më shumë, Erion Veliaj u thirr nga Soros-i, diku në Azinë Jug-Lindore, në një forum ekonomik mbarëbotëror, mbështetur nga vetë miliarderi amerikan. Praktikisht problemi im ETIK qëndron tek përfshirja brenda një hapësire të përbashkët me Erion Veliajn, kornizuar e përcaktuar nga nënsqetullat ekonomiko-politko-kulturore të Soros-it. Natyrisht kjo përfshirje nuk është reale për mua personalisht dhe të pranishmit në sallën e Teatrit Eksperimental natën e vetme që u përshfaq pjesa “FSHIRJE 2. Një Propozim Modest …”. Por për publikun e gjerë që informohet, konformohet dhe deformohet pasivisht prej kulturës kolonizuese të masmedias fashiste, konservatore të djathtë, neo-liberale, reaksionare apo konspiracioniste, ky realitet i pak personave është i pallogaritshëm përkundrejt mainstream-it. Pyetja, që në këtë rast ngrihet, është krejtësisht ETIKE: duke qenë se për mua është goxha problem etik të bashkëndaj të njëjtën hapësirë, sikur edhe në mënyrë tangente, po për Soros-in a është problem të përfshihet në çfardolloj marrdhënieje me Erion Veliajn, sidomos, para agimit të 7 gushtit 2016, pas vrasjes së Ardit Gjoklajt, ku në mënyrë identike swift-iane pushteti politik shqiptar dhe kryeqytetas ka materializuar makinerinë mishgrirëse të minorenëve për barkun e pangijshëm të oligarkëve me klas të shoqërisë sonë civile?

Nga shqyerja e syve apo devijimi i argumentit mendoj se ky problem J+ETIK është ende tabu për etikën e shumicës së bashkëpunëtorëve të Soros-it dhe Fondacionit. Por dikush duhet ta ngrejë si çështje, apo jo? Mos duhet të kemi frikë dhe të ruajmë fondet e mundshme si artistë apo operatorë kulturorë pa ofenduar Soros-in? Mos administrata e Fondacionit duhet të ketë kujdes se mos u mbyllen selitë vendore, rajonale, se mos u ikën rroga? Po të kemi këtë frikë në Ballkan, apo Shqipëri ku historikisht nuk ka vdekur njeri për bukë, qoftë nën 6 ditshin e Ylli Bufit apo ’97 e Sali Berishës, ç’presin të bëhet në Afrikë? Mos duhet të marrim leksione kulturore/kolonizuese nga Soros-i? A nuk duhet të jetë edhe e kundërta për të mos u quajtur kolonizim?

Në mbyllje, më intereson të theksoj se përgjigjia më devijuese është ajo, siç dëgjova, e mjaftueshmërisë që duhet patur në sensibilizimin e 200, 300 vetave në shfaqje teatrore, apo 10 shfaqjeve teatrore rresht, që do të mund të shumëzonin numrin e të sensibilizuarve. E gjitha kjo, sepse përndryshe arti, apo kultura në këtë rast, rrezikon të mos bëhet. Por, a është kjo një arsye reale? Për mendimin tim, vetëm njerëz dashakeqës, reaksionarë, konservatorë të djathtë, neo-liberalë, kolonizatorë, apo, në më të mirin e rasteve, injorantë do e pranonin si real një arsyetim të tillë. Arti dhe kultura ka ekzistuar pa fonde, pa shtet, pa fondacione, pa Soros-in dhe variante historike të tij, që prej shpellës së Lascaux-së, 30.000 vjet më parë, ku praardhësit e species sonë shihnin si nevojë të krijonin dhe materializonin dëshirat dhe ëndërrat e tyre të munguara, por të mundshme, në pikturë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s