Dritan Hyska dhe biopsia në hapësirë e “OBJEKT”-eve artistike. (Romeo Kodra)

Ekziston një tipar i artistit Dritan Hyska, i dukshëm sidomos në serinë “Objekt” të punëve të tij, ku ai paraqitet si një makineri e përshpejtimit të reflektimit, një makineri që reflektimin e çon në ekstrem. Ai reflekton jo me mendjen e tij, por me mendësinë e kontekstit ku jeton. Refreni mbizotërues në Shqipërinë e tranzicionit të patranzitueshëm, e tregut të lirë neo-liberist, më shumë se kudo tjetër në botën e globalizuar, kërkon reflektimin. Dhe Hyska atë bën: reflekton! Pa menduar. Refleksi i tij është i kushtëzuar, as më pak e as më shumë sesa ai i qenit të laboratorit pavllovian. Dhe, duke qenë i tillë, refleksi i Hyskës është edhe pasqyrë; pasqyrë e laboratorit dhe produkteve të shoqërisë bashkëkohore, jo vetëm shqiptare, ku kaviet vërtiten sipas kushteve e ligjeve hapësinore të paracaktuara në po atë laborator. Dritan Hyska, duke i reflektuar tiparet më bazike, i jep shoqërisë atë që ajo kërkon, atë që ajo është dhe pashmangshmërisht prodhon e riprodhon. Për këtë mund të thuhet se është artist tipik bashkëkohor i angazhuar me çështjet apo çështjen par exellance sociale, i angazhuar në ekzaltimin e dëshirave më thelbësore të shoqërisë së konsumit të masave.

Pikërisht prej mënyrës së tij origjinale të të qenurit social dhe i angazhuar Dritan Hyska është edhe autor i një bote të zymtë e të ndotur, por jo për këtë të paorganizuar, të çrregullt apo kaotike. Kjo botë ose, më mirë të themi, fragmentet e mikrogjeografisë përbërëse të saj, të cilat, të gjitha sëbashku, formojnë korpusin e plotë të veprës së autorit, përshfaqen, me përpikmëri kirurgjikale përgjatë gjithë punës së tij artistike, me një kromatizëm esencial edhe iluminues.

Por, pavarësisht iluminimit (mendor e formal), puna e Hyskës është larg të qenurit event i shkëlqyeshëm, i shndritshëm, rrezatues, është larg çdo lloj pretendimi filozofik të ontogjenezës së aurës së veprës së artit klasik. Ajo nuk është gjë tjetër veçse efekti difektoz më i denjë për të përfaqësuar, nëpërmjet artit bashkëkohor, shoqërinë dhe epokën bashkëkohore.

Treguesi më simptomatik i pohimit të mësipërm është, siç u përmend edhe më lart, seria e punëve të artistit që mban titullin “Objekt”.

dritan-hyska-objekt-18-2013-c-print-on-dibond-100x100cm-courtesy-of-artist

Dritan Hyska, Objekt 18, 2013, c-print on dibond, 100x100cm, courtesy of artist

Me këtë seri veprash artisti reflekton rezultatet e biopsisë laboratorike të një prej tumorreve më të rënda të shoqërisë bashkëkohore: shfrytëzimit konsumerist dhe inflacional hapësinor, për interesa profitesh financiare individuale.

Në një botë humanocentrike, që po shkon gjithmonë e më pakthyeshmërisht drejt vetëshkatërrimit, Dritan Hyska thotë të tijën, nëpërmjet analizimit të një fragmenti të quajtur “Objekt”.

_mg_0173

Cortesy Dritan Hyska

“Objekt”-i arkitekturor në veprën e Hyskës është shpesh një ndërtesë dykatëshe që ka hedhur themelet (ob+jectum / hedhur përpara, prej latinishtes) diku në mes të asgjësë apo të gjithkundit të paidentifikuar; pra, mund të jetë sa lokale aq edhe globale. Te kjo dykatëshe, në vetvete, përcaktohet përmbajtja thelbësore (fizike, intelektuale e psikologjike) e punës reflektuese të makinerisë artistike, e cila do të zhvillohet në laboratorin e Dritan Hyskës.

 

 

Pas një ekzaminimi histologjik të korpusit arkitekturor/artistik Hyska përzgjedh, duke e pasqyruar, strukturën bazike të ndërtesës; një strukturë e cila pasqyron njëkohësisht, në mënyrë analoge karshi spektatorit, teksturën apo thurimën e botkuptimit dhe dëshirave të individit dhe, si rrjedhojë, të shoqërisë që i prodhoi.

2

Le të marrim një shembull:

part-_-objekt-8-2012-c-print-on-dibond-100x100cm-courtesy-of-artist

Te kjo thurimë nga njëra anë shohim frustrimin e një individi dhe një shoqërie të tërë, si ajo shqiptare, pas vitesh racionalizimi hapësinor, thuajse prej kavjesh, ku hapësira për kokë në kohën e regjimit enverist arrinte nivelin më të ulët në rang europian (17m2 në 1989, karshi vendit të parafundit, Rumanisë, me 34m2 … dyfishi!). Ky frustrim pasqyrohet te ndërtesa e mbetur, një rrënojë e munguar, të cilën vetëm skamja e ka ruajtur të paprekur në varfërinë e vet.

Por, nga ana tjetër, kemi edhe filizën e parë të një dëshire të realizuar. Mbi atë konstruksjon ndërtimor fillon e ngrihet apo ngjitet një shtesë, që tenton të prezantohet jo vetëm si ndërtesë, por edhe si arkitekturë, si art arkitekturor, sepse disi më e rafinuar se ajo mbi të cilën mbështetet, por gjithsesi elementare në thjeshtësinë e vet.

objekt-8-2012-c-print-on-dibond-100x100cm-courtesy-of-artist

Te struktura e përbërë e kësaj ndërtesë shihen dy modele racionalizimi hapësinor: njëri (origjinar) i kufizuar prej autoritetit diktatorial të bazuar te socializmi shkencor i shoqërisë së masës dhe tjetri (shtesa e re) kufizuar prej atij financiar, bazuar në ekonominë e tregut të lirë dhe konsumerizmit masiv. Hyska izolon izolon pikërisht kontradiktën ideologjike të strukturës, që vihet re qartazi te kërcitja dhe palidhshmëria e tyre pamore, për të ruajtur dhe intensifikuar – pas shumimit të kateve dhe hyrjeve të pallatit/shtesës – tensionin psikik që këto shkaktojnë te vëzhguesi.

Natyrisht është tensioni psikik, më shumë se ideologjik, ç’ka i intereson artistit. Nëpërmjet këtij tensioni Dritan Hyska vihet qëllimisht në lojë, lëshohet i tëri në rrjedhën e pandryshueshme dhe të kahershme të masivizimit të artistit shqiptar dhe global: nga një masë shoqërore populiste (enveriste te ne, apo hitleriane ose mussoliniane gjetkë), në një masë shoqërore konsumeriste Perëndimore dhe, tashmë, globale. Si rrjedhojë Hyska vazhdon me koherencë përçojë traditën tipike të artistit shqiptar dhe të artistit bashkëkohor global; traditën e artistit që shpreh dhe ekzalton dëshirat dhe pulsionet psikike të masave, që, në këtë rast, përkthehet në zaptim pa kriter të hapësirave të banimit por edhe ekspozimit. Duke mbartur tensionin kontradiktor psikik brenda, madje duke e shtuar atë në të gjitha dimensionet hapësinore, arti i Dritan Hyskës kthehet në një mjet/medium të përçimit të atij tumorri të pazgjidhshëm thelbësisht individual dhe social.

_mg_5468

Artist’s cortesey

Por ka edhe një hap të mëtejshëm në serinë “Objekt”. Natyrisht askush të mos mendojë në hapin apo hovin e përtejmë që pritet prej artistit me “A” të madhe. E përsëris, këtu nuk bëhet fjalë për aurea-n e shkëlqyeshme të artistit dhe veprës së tij gjeniale para-benjaminiane, apo për hovin nietzschean përtej të mirës dhe të keqes. Këtu jemi në një hap të mëtejshëm drejt topitjes, tejngopjes, ezaurimit të hapësirës psiko-fizike, që vazhdon e gjenerohet prej reflektimit të dëshirave dhe pulsioneve të shoqërisë, të shprehura në ndërtime arkitekturore përçudnuese. Dritan Hyska vazhdon, prodhon e riprodhon në laboratorin e tij, si një makineri industriale, thurimën istologjike të njërit prej tumorreve më të përhapur të epokës sonë bashkëkohore: shfrytëzimit të hapësirës për përfitime individuale.

dritan-hyska-objekt-18-2013-c-print-on-dibond-537x136cm-courtesy-of-artistShfrytëzimi i hapësirës për Hyskën kryhet si koncept, pra në të gjitha dukuritë e termit hapësirë; qoftë hapësirë fizike/natyrore, publike, sociale apo edhe artistike. Kontradikta dhe mospërputhshmëria elementare e thurimës së objekteve arkitekturore, që Hyska i reflekton te punët e tij prej realitetit të përditshëm, ripërsëritet në të gjitha nivelet e tyre: aty gjejmë mospërputhshmëri midis “Objektit” të përzgjedhur dhe natyrës përreth apo edhe mospërputhshmëri midis veprës/”Objektit” të artistit dhe veprës së aktorëve të tjerë social-artistik-kulturor, si në rastin e një ekspozite të përbashkët me artistë të tjerë. Edhe këtu Hyska me koherencë reflekton atë ç’ka më shumë e karakterizon atë dhe shoqërinë të cilës i përket: ezaurimin, tejngopjen, topitjen e çdo hapësire që i vihet në dispozicion, paçka se ajo duhet të jetë dhe të konceptohet si e përbashkët. Hyskës nuk i intereson, ai zapton horizontalisht apo vertikalisht të gjitha hapësirat që i vihen në dispozicion, sepse për të, ashtu si për shoqërinë që vetë Hyskën e prodhoi, si subjekt, por edhe si objekt, çdo hapësirë nevojitet për të shfryrë dëshirat dhe pulsionet individuale, të cilat, duke dashur të imponohet vertikalisht e horizontalisht në hapësirë mbi të tjerët për të eleminuar kontradiktën origjinare, kurrë nuk e zgjidhin në thelb atë, por e ripërsërisin dhe e riprodhojnë duke e përshpejtuar deri në kufijtë e të pamundurës.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s