Atelier Albania braktiset nga IABR. George Brugmans na la kopilin në derë. (Romeo Kodra)

Për të kuptuar më mirë këtë shkrim sugjerohet përsëpaku leximi i një shkrimi tjetër, po në këtë blog, që daton 22 korrik 2014, me titull “Divide et Impera. Kronika perandorake IV: përshenjimi i hapësirës urbane. Edi Rama dhe Atelier Albania”, por edhe të tjerë që kanë për tematikë Atelier Albania. Kush dëshiron mund të kopjojë, si gjithmonë, por të paktën të ketë mirësinë dhe korrektesën e citimit.

Lajmi, po e them menjëherë, është se IABR (International Architecture Biennale Rotterdam) është tërhequr nga Atelier Albania. Këtë ma komunikoi Eva Vrouwe, sekretare e drejtorit të IABR z. George Brugmans, i cili ishte edhe ideatori i Atelier Albania.20161024_185737-1

Pse ndodhi kjo? Për të dhënë një shpjegim duhet të nisem prej 2014.

Që në fillim, siç mund të shihet në shkrimin e sipërcituar, pak kohë pas prezantimit publik të Atelier Albania-s, në korrik të 2014 kam patur dyshime mbi konceptet absurde ose aspak profesionale të saj. Kjo gjë më ka bërë të ngre zërin, por askush nuk ma ka vënë veshin, ose, nëse ma ka vënë, e ka bërë për të vjedhur atë që thosha për ta shitur si origjinale të vetën në media apo rrjete sociale. E kam fjalën për disa gazetarë të masmedias opozitare apo të pavarur, për disa kritikë të improvizuar, por edhe për rektorë universitetesh arkitekture apo drejtues shoqatash e studiosh urbanistiko-arkitekturore, të cilët parazitojnë prej kohësh nga anët tona. Por ekziston edhe ky blog me shkrime të datuara, kështu që kush do të gjejë rrënjët e parazitarëve mund të frymëzohet fare lehtë këtu.

Gjithsesi, edhe pse kanë kopjuar, pak kanë qullosur ndonjë gjë për të qenë për Atelier Albania, përtej asaj që në këtë blog është thënë. Por askush nuk ka guxuar të vërë në diskutim konceptet, sepse për to duhen studime dhe jo fjalë kafeneshë. Kështu që kopjacët janë dorëzuar për të mos rrezikuar diskretitimin e mundshëm, apo mundësinë e përfitimeve (fonde, tendera, taksa për të rrjepur studentë, etj). Personalisht kam dërguar disa e mail-e në drejtim të IABR dhe studios arkitekturore belge 51N4E, por pa sukses. Në fillim më është dukur çudi, sepse në Perëndim, në mos për gjë tjetër, së paku për edukatë, një përgjigje e kthejnë. Por, gjithsesi, insistova deri në maj të këtij viti, kur fillova të punoja në Institutin Kombëtar të Historisë së Artit (INHA) në Paris si kërkues i ftuar dhe prej zyrës sime dërgova edhe një herë pyetjet për Atelier Albania-n. Kësaj radhe natyrisht i dërgova me e mail-in personal, që mbaron me @inha.fr. Për çudi një përgjigje, thuajse e menjëhershme, erdhi.

Në e mail, dërguar direkt drejtorit George Brugmans, kërkoja specifikime se kush ishte nismëtar i Atelier Albania, a ishte bërë ndonjë konkurs për të patur atë pozicion të privilegjuar nëpërmjet të cilit menaxhohen të gjitha konkurset dhe tenderat urbanistiko-arkitekturore të një vendi, konceptet dhe proceset. Drejtori u përgjigj nëse kisha lexuar librin The Metabolism of Albania ku mund të gjeja përgjigjet që kërkoja dhe duke shtuar diçka që në të nuk ishte shkruar:

“One question that’s not answered in the book: Atelier Albania was an initiative of myself, and thus of IABR – a logical thing for me to do as we, at the time, were also running Ateliers in Istanbul, in São Paulo, and in The Netherlands. I thought the instrument of the Atelier would be very helpful in the Albanian situation given the need for deep reflection on new sustainable spatial development and planning policies. I brought 51N4E in and together we explained the concept to Edi Rama. This all happened at the Next Generation Albania meeting in Tirana, in August 2013, that is, before Edi Rama’s new government was officially installed. Subsequently, the concept was further discussed with Edi Rama, and with the Deputy Prime Minister, Niko Peleshi, and the Minister of Urban Development, Eglantina Gjermeni, after which the Atelier was installed in the first months of 2014”.

Pra, George Brugmans mund të quhet si babai i Atelier Albania. Pavarësisht kësaj unë kam përshtypjen se gjenezën propozimi e ka patur që nga pjesëmarra e Edi Ramës në IABR (nuk më kujtohet viti) si “star guest”.

Sidoqoftë librin, të cilin nuk e kisha lexuar, por i kisha parë ekspozitën që ende sot gjendet në GKA, drejtori Brugmans pati mirësinë të ma dërgonte në adresën time të INHA, duke shtuar se pas leximit do të linim një intervistë me e mail ose skype për të vazhduar diskutimin.

Natyrisht dyshimet që kisha për përmbajtjen e librit ishin ato të një megalomanie të bazuar në koncepte boshe që pashë edhe në ekspozitë. Ato, pasi lexova librin, u konfirmuan dhe konsoliduan bindjen time për zbrazëtinë e koncepteve të përdorura prej këtyre njerëzve që drejtojnë bienale apo studio ndërkombëtare të arkitekturës. Kështu që vendosa t’i dërgoja një e mail tjetër. Te ky e mail, siç mund ta shihni më poshtë, pavarësisht anglishtes sime jo perfekte, dalin mjaftueshëm qartë ngritja e disa pikëpyetjeve mbi metodologjinë, konceptet, transparencën, konfliket e interesit:

20161025_165431

20161025_170019

20161025_170355

20161025_170621

Prita për përgjigje dy muaj, por z. Brugmans nuk u ndje. Para disa ditësh ridërgova edhe një herë të njëjtin e mail. Dje më erdhi përgjigjia e cituar në hyrje të këtij skrimi. Në pak fjalë, pas ngritjes së çështjes së zbrazëtisë metodologjike, konceptuale, mungesës së transparencës dhe konfliktit të interesit, linja ra! Babai i Atelier Albania na la kopilin në derë. I dërgova një e mail tjetër sekretares ku i kërkoja përsëpaku disa përshtypje të fundit prej drejtorit Brugmans për eksperiencën e Atelier Albania-s, në pak fjalë një përgjigje në mos për mua për hir të taksapaguesve shqiptarë. Por që dje, “heshtja ra midis nesh”.

Në mbyllje dua të them se nëse Shqipëria do të ishte një shtet normal do hetoheshin të gjithë tenderat e Atelier Albania-s që vazhdon e prostituon idenë e Rilindjes Urbane dhe do plaseshin në burg ata që e pollën: drejtuesit e IABR, të 51N4E dhe vetë Edi Rama. Madje “ekspertët e jashtëm”, nëse u del boja siç edhe duket, mund të dënohen edhe në vendet e tyre, pa qenë e nevojshme të gjëmohen këmba këmbës, mjafton një denoncim i prokurorisë sonë, se kusurin e punës e bëjnë kolegët e huaj.

P.S. Kisha lënë me Stefano Boeri-n një skype call, të cilin, sipas urdhërit të Stefano-s, do e organizonte Martina, e studios Boeri Architetti. Jam ende në pritje.

2 mendime mbi “Atelier Albania braktiset nga IABR. George Brugmans na la kopilin në derë. (Romeo Kodra)

Lini një koment