“Corriere della sera” mbi “Teatrin e gjelbërimit” … “Jo, faleminderit!”. (Romeo Kodra)

Gjatë dy viteve të fundit kam fokusuar thuajse gjithë veprimtarinë time te Tirana Art Lab. Arsyeja e bashkëpunimit me TAL është sepse Adela Demetja, drejtuese ekzakutive, ishte njëra prej dy personave, të cilët merren me art e kulturë në Shqipëri, që vendosën të firmosnin “Manifestin e transparencës në dhe si kulturë” të publikuar në maj të 2014 në këtë blog. Një manifest që ka për qëllim bashkëpunimin, por edhe distancimin prej pushtetit, për të ruajtur pavarësinë e për të mos iu përulur dëshirave të tij. Natyrisht pas kësaj arsyeje duhet shtuar vendodhja e TAL, pas fasadave shumëngjyrëshe të pushtetit, aty ku pushteti prostituoi hapësirën publike duke e mbytur në beton, tulla e llaç, duke filluar nga Rama, Basha e tani Veliaj. Po ashtu arsyes së bashkëpunimit tim me TAL i duhet shtuar vizioni i përbashkët gjithnjë e më i konsoliduar, i cili mund të lexohet në veprimtarinë tonë të përbashkët, por edhe në shumë shkrime të këtij blogu. Ku kemi arritur në këto dy vite e thonë aktivitetet tona që përbëjnë standart artistik e kërkimor si ai i HEROES WE LOVE, projekti i parë në Shqipëri i mbështetur nga programi europian Creative Europe, apo standart institucional si ai i bashkëpunimit me Institut National d’Historie de l’Art në Paris, i cili pritet të zgjerohet më tej me krijimin e platforme pan-europiane me njërën prej qendrave në Tiranë (natyrisht po lë mënjanë arritjet personale të anëtarëve të TAL).

Siç mund të kuptohet nga sa më lart ideja parësore e TAL është transparenca dhe distancimi prej pushtetit për të krijuar pavarësinë dhe frymëmarrjen e nevojshme për të krijuar art dhe kulturë. Thënë kjo personalisht më dukej i rëndësishëm një aktivitet i organizuar nga disa operatorë kulturorë në kontekstin shqiptar (kryesisht tiranas) i titulluar “Teatri i gjelbërimit”, i cili shtron në një hapësirë ekspozitive një arkiv domethënës, por jo ezaurues, të ndërhyrjeve artistike ndër vite, që shpesh kanë patur për temë hapësirën publike shqiptare. Duke mos qenë pjesë dhe duke mos e parë këtë aktivitet nuk mund të shprehem mbi të, por gjithsesi, edhe pse i parë vetëm nga jashtë, por duke parë të rreshtuar emrat e pjesëmarrësve, më duket disi abuziv përdorimi i termave “protestë” apo “rezistencë” për këtë ekspozitë arkivore duke përfshirë të gjithë pjesëmarrësit e saj. Më duket abuziv sepse aty nga një anë shohim njerëz që kanë bashkëpunuar pa teklif me qendrën kryeministrore të COD-ifikimit dhe nga tjetra njerëz që i kanë thënë “JO!” sepse e kanë konsideruar me të drejtë fashiste. Abuziv sepse nga një anë aty shohim njerëz që pushtetit vazhdojnë e i nxjerrin parasyve varret mbi të cilët ka shkelur dhe nga ana tjetër njerëz që me atë pushtet kanë dalë në mitingje. Abuziv sepse nga një anë aty shohim njerëz që e kanë përfaqësuar mbarëbotërisht këtë pushtet, njerëz që nuk e kanë parë problematik ta përfqësojnë, njerëz që kërkojë ende ta përfqësojnë, njerëz që ende mesa duket “synojnë të rrisin ndërgjegjësimin për bashkëpunim te politika” http://www.reporter.al/teatri-i-gjelberimit-ekspozita-proteste-e-artisteve-ne-shqiperi/; dhe nga ana tjetër ka njerëz që këtij pushteti për përfqësim i lënë viktimat, betonin, në pak fjalë frytet e tij.

Personalisht përzierjen me lloj lloj artistësh e institucionesh nuk do e toleroja, ashtu si nuk do toleroja përzierjen e TAL, sepse do të ndoste atë që unë dhe TAL përfqësojmë. Domosdoshmërisht ajo që jemi, varet nga ajo që bëjmë, procesi se si e bëjmë dhe si e paraqesim për të na përfaqësuar. Dikush, duke qenë përfaqësimi vetëm fasada e procesit artistik, pra e laboratorit të Tirana Art Lab, do të thotë që nuk duhet ta kemi këtë frikë, përsa arrijmë të distancohemi nëpërmjet transparencës prej çfardolloj ndotjeje prej pushtetit. Pra askush nuk mund të na marrë si Edi Rama, bie fjala, i cili lyente fasada artistike pallatesh dhe mbas fasadave, në mënyrë aspak artistike, por tërësisht financiare dhe politike, lëshonte leje ndërtimi për përdhunuesit e hapësirave publike.

Por, gjithsesi, në rastin e “Teatrit të gjelbërimit”, unë personalisht dhe TAL, ishim të përfshirë në mënyrë indirekte nëpërmjet paraqitjes së disa veprave, prej të cilave nuk distancohemi, por që duke na përfaqësuar në një hapësirë të përbashkët me artistë dhe institucione të tjera na vënë, le të themi, në siklet për shkak të aspekteve përfaqësuese. Sikleti është ndotja e imazhit publik të TAL, që vjen prej disa figurave të dyshimta të këtij eventi, që lënë vend për keqinterpretime ,me të cilat nuk mundet asnjëherë të përfaqësohemi. Po jap një shembull se ku konsistojnë këto keqinterpretime:

img-20161022-wa0000

Para dy ditësh Corriere della sera publikoi një shkrim mbi eventin duke veçuar dy artistë italianë që kanë prodhuar punë falë angazhimit të TAL. Këto punë kanë gjurmën e artistëve por edhe atë të mënyrës së prodhimit të TAL, e cila u përmand më lart; pra transparencë dhe distancim prej pushtetit duke e përballur atë me frytet e veta (viktimat njerëzore apo hapësinore). Rasti në fjalë është domethënës sepse në gazetën më të madhe italiane ka dalë fotoja e një pune Vegla bën ustain e artistit Fabrizio Bellomo, që u prodhua me një fond italian që mbulonte artistin dhe impenjimin tim (ergo Tirana Art Lab) falas, ashtu siç bëj shpesh në këtë kontekst ku injorohem dhe pengohem vazhdimisht si shumë të tjerë prej pushtetit politik shqiptar, paçkase mbështetem për garancinë e vlerës që jap nga struktura europiane apo botërore të artit dhe kulturës.

Siç thashë kjo punë ishte në vazhdën e synimit për të përballur e ballafaquar pushtetin me efektet më përfaqësuese të tij, që në këtë rast ishte alienimi total i punëtorit prej zanatit dhe vetvetes, prostituimi total që pushteti politik kryen me njerëzit që denjësisht duhet të përfaqësojë. Praktikisht ideja e punëtorit shqiptar të lënë në rrethrrotullimin e doganës si një prostitutë semaforësh në Itali, vend ku, thuajse dy muaj përpara ndërhyrjes artistike, Edi Rama promovonte si vlerë të shtuar mungesën e sindikatave në Shqipëri për të tërhequr bizneset italiane të CONFINDUSTRIA-s. http://www.linkiesta.it/it/article/2015/06/06/edi-rama-lalbania-e-meglio-dellitalia-perche-e-senza-sindacati/26210/

Pikërisht këtë nuk e gjejmë të specifikuar në artikullin absurd të Corriere della sera-s, ku një gazetar italian mbetet vetëm te sipërfaqja e lajmit pa u thelluar në detaje. Natyrisht dikush mund të kundërshtojë që edhe hapësira për publikim në gazeta është e kufizuar, prandaj nuk mund të zgjatej më tej artikulli. Por problemi qëndron tek vazhdimi i artikullit i cili promovon pikërisht atë pushtet të cilit ne i rezistojmë dhe që mësëmiri mund të duket nga puna e cituar në të njëjtin artikull. Absurditeti thellohet kur një punë e bashkëprodhuar prej TAL i kreditohet si “investim largpamës” (lungimiranti investimenti), prej dekadash tashmë, një pushteti politik që prostituon nëpërmjet artit njerëzit të cilët duhet të përfaqësojë.

Zakonisht këto keqkuptime ndodhin nga mosinformimi i gazetarëve, por kam përshtypjen edhe praktikat e artistëve dhe institucioneve që operojnë në kontekstin artistiko-kulturor shqiptar, të cilët shpesh herë fshihen pas hermetizmit konceptual që karakterizon artin bashkëkohor apo kulturën për të mos thënë troç pozicionin e tyre për çështjet që trajtojnë, apo thuhet se trajtojnë, në veprimtarinë e tyre. Kjo, jam i bindur, ndodh për dy arsye të cilat përbëjnë një hic et nunc të çështjes dhe sqarimit të kulturës dhe sidomos artit bashkëkohor: njëra arsye është mungesa dhe mosnjohja e profesionit të vet prej gazetarit si dhe mosnjohja e kontekstit të kulturës dhe/ose artit bashkëkohor për të cilin flet; arsyeja tjetër është heshtja e artistëve dhe operatorëve kulturor kur intervistohen nga gazetarët për të mos e prishur me pushtetin, që e mban me rroga, fonde, promovime e tituj. Kjo heshtje shpesh fshihet pas klishesë “flet arti im për mua”.

Më intereson shumë të sqaroj edhe këtë pikë të fundit, pikën e gjeniut të “artit që flet për të”. Kjo qëndron kur artisti apo operatori kulturor ka dijeni për efektet e aspekteve përfaqësuese të veprës së vet kur kjo e fundit paraqitet në një kontekst/hapësirë të caktuar. Pra artisti apo operatori kulturor gjeni i “arti flet për mua” duhet të dijë që efekte përfaqësuese ka vepra e tij, por edhe hapësira ku ajo paraqitet. Efektet e përfaqësimit në hapësirë kanë të bëjnë me efektet e pushtetit që përcakton mënyrën e përfaqësimit dhe paraqitjes së veprës. Në pak fjalë tregon mënyrën e leximit, narrativën e veprës në hapësirë, kuptimet që ajo çliron. Ballafaqimi në hapësirë i kuptimeve të prodhuara prej pushtetit, në këtë rast, i bie të jetë ai i pushtetit të artistit dhe politikanit. Duke qenë çdo hapësirë artistike shqiptare ku arti prodhon kuptime nën udhëheqjen e të ndriturit Edi Rama, besoj është me vend t’u këkohet artistëve dhe operatorëve kulturor në Shqipëri si e kanë këtë marrëdhënie me përcaktimin e leximit, narrativës, kuptimet e veprës së tyre. Do ishte interesante të fillohej nga pjesëmarrësit te “Teatri i gjelbërimit”, te marrëdhënia e tyre me pushtetin, dje, sot dhe ç’kanë ndërmend të bëjnë nesër.

P.S. Natyrisht sot do dërgoj edhe një e mail sqarues për gazetën Corriere della ser, gjë që shpresoj ta bëjnë të gjithë individët dhe institucionet e përfshira që perceptojnë një lloj ndotjeje prej pushtetit politik përfaqësuar në këtë artikull.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s