Të prodhosh, të menaxhosh dhe të kritikosh … kulturë: në Shqipëri është e mundur. (Romeo Kodra)

Në 2015, sidomos pas gjysmës së dytë të vitit, nuk i kam kushtuar shumë kohë përditësimit me shkrime këtij blogu. Arsyeja e thjeshtë është, jo indiferenca apo neglizhimi, por dëshira për të ftohur pak “motorrët” e mendimit dhe për të parë prej një distance kohore më të gjatë “gjërat” që ndodhin në të përditshmen tonë artistiko-kulturore.

Dikush, dikur, ndoshta edhe nëpërmjet komenteve të këtij blogu, më vuri në dukje se kritikat që bëj bazohen vetëm tek fjalët, të cilat, sipas këtij personit, janë të kota kur nuk demonstrohen me fakte, pra nëse nuk demonstrohen me aktivitete apo vepra. Personalisht nuk e kuptoj deri në fund këtë lloj logjike, edhe pse deri në një farë pike është kuptueshme dhe e vërtetë. Nga njëra anë, nuk e kuptoj sepse, sipas kësaj logjike, i bie që po të kritikosh Ministrinë e Kulturës p.sh. duhet të bësh patjetër teatër, ekspozita apo filma, përndryshe duhet të mbyllësh gojën … dhe të paguash taksa. Nga ana tjetër, është e kuptueshme, sepse, për të kritikuar, duhen patur minimalisht disa njohuri teknike, teorike dhe menaxheriale, gjëra që, natyrisht, i kam prej kohësh, duke qenë i diplomuar për këto njohuri.

Gjithsesi, sot, po marr mundin të shkruaj për ndonjë “punëtor stakanovist” të Ministrisë së Kulturës apo institucioneve në varësi të saj që nuk ka kohë të protestojë apo “pështyjë në pjatën ku ha”; shkruaj për ndonjë “artist që proteston vetëm me vepra” (paçka se shpesh veprat e këtij lloj “mendjeholli” nuk janë tjetër veçse paçavure që shërbejnë për të fshehur menderen kur është koha për të ngritur zërin); të shkruaj për ndonjë operator kulturor që “operon” vetëm me projekte (sepse ndryshe nuk gjen kohë për kulturën, duke qenë gjithë ditën nëpër baret e Bllokut); të shkruaj për ndonjë regjisor, kurator apo kritik facebook-u që proteston me kurdisje (sipas pjesës së tortës apo thërrimeve ministrore apo kryeministrore).

Pra, sot po shkruaj mbi veten për ata që nuk dinë sesi protestohet, kur besohet tek një e drejtë, dhe në të njëjtën kohë të punohet … duke djerësitur dhe pa u jargavitur.

Puna që kam bërë gjatë një viti (2015) konsiston, pak a shumë, në: 3 video-art (falas), 1 performancë-protestë 8-orëshe (falas), 4 kurime apo bashkëkurime ekspozitash (falas), 1 Creative Time Event (falas), 4 seminare të mbajtura (2 falas në Tirana Art Lab dhe Qendra Rinore / 2 me pagesë në Universitetin “Epoka”), 4 pjesëmarrje në konferenca (me pagesë në Sloveni, Maqedoni, Kroaci dhe Hungari), 1 përkthim rreth 280 faqe (me pagesë), 2 pjesëmarrje në juri për konkurse social-kulturore (me pagesë), 1 pjesë teatrore (me pagesë).

Gjithashtu, gjatë 2015, aplikova duke fituar një rezidencë 3-mujore (me pagesë), për 2016, në “Institut National d’Historie de l’Art” (INHA – Paris) për një projekt kërkimor mbi artin bashkëkohor dhe marrëdhëniet me politikën (është e kotë të them që casus studimor është Shqipëria). Natyrisht janë studime dhe kërkime pa vlerë për ajkën e intelligencijas hipster të Tiranës. Ato u interesojnë vetëm atyre 30-50, maksimumi 100 vetëve dhe Institutit Kombëtar të Historisë së Artit në Francë që dinë se ç’bëj e ç’shkruaj në Tirana Art Lab apo vetë.

Gjithashtu, gjatë 2015, aplikova dhe fitova një vend (me pagesë) si ekspert vlerësues i “European, Audiovisual and Culture Executive Agency” (ECAEA) të Komisionit Europian për programin “Creative Europe” ku vlerësoj – nga pikëpamja menaxheriale – projekte të quajtura “të vogla” (deri në 200.000 euro) dhe “të mëdha” (deri në 2.000.000 euro … praktikisht aq të mëdha sa buxheti i Ministrisë sonë të Kulturës as që u afrohet).

Tek kjo pjesë e fundit e eksperiencës sime në ECAEA doja të ndalesha pak.

Natyrisht nuk është se më duhej të bashkëpunoja me ECAEA-n për programin europian Creative Europe për të kuptuar nivelin e turpshëm të të ashtuquajturit “menaxhim të artit dhe kulturës shqiptare”. Shpesh, mbi këtë argument, kam përdorur shprehje si “prostituim i artit dhe kulturës”, sidomos kur kam patur të bëj me menaxhimin e kulturës prej Mirela Kumbaros apo Edi Ramës.

E pra, nëse më parë, këto prostituime të shitura për art dhe kulturë arrija t’i dalloja teorikisht (prej studimeve) apo duke i parë nga niveli “i ulët” i një operatori të zakonshëm kulturor shqiptar, tani, duke i parë nga shumë më lart, nga një nivel i mirëstrukturuar apo thjeshtë normal si ai i ECAEA-s, shprehjeve të mia nuk u heq asnjë presje. Madje, i ripërsëris, sepse situata është akoma më tragjike, sidomos kur shihen sesi arrijnë të marrin projekte prej “Creative Europe” operatorë kulturorë prej vendeve të Bashkimit Europian që nuk është se vuajnë për bukën e gojës, e megjithatë arrijnë të formulojnë projekte minimalisht të strukturuara duke tërhequr fonde. Po ashtu i ripërsëris ato fjalë në opinionet e mia, që tashmë janë të faktuara, edhe për të mos u dukur si idiot që kënaqet duke shijuar rrumpallën e përditshme të Tiranës tek sheh fëlliqësira të panoramës politike të përfitojnë prej taksapaguesve menefregistë, injorantë apo thjeshtë bythlëpirës.

Shpresoj që kush lexon këto rreshta të kuptojë, të paktën deri diku, nivelin e paturpësisë që këta kodoshë – Kokëkrehura e Kinostudios dhe Karabushi i Bulevardit – kanë arritur, edhe pse nuk besoj se do kuptohet ndonjëherë deri në fund. Këta i kanë patur dhe vazhdojnë të kenë të gjitha mundësitë që me pak mund të organizojnë një klimë ndryshe kulturore. U duhet fare pak mund për një strukturim menaxherial që do të aftësonte operatorët e tjerë kulturorë të thithnin fonde nga BE, të cilat do u mundësonin pavarësi dhe qëndrueshmëri organizatave të tyre, si dhe të çlironin Ministrinë e Kulturës nga dhënia e thërrimeve. Por, siç dihet dhe siç e kam thënë prej kohësh, problemi është se Kokëkrehura e Kinostudios dhe Karabushi i Bulevardit nuk duan. Nuk duan sepse prostituimin e arti dhe kulturës, në mos nuk e kanë në gjak, e kanë profesion. Me ato thërrime mbajnë varur njerëz të trembur, të paditur, të paaftë apo thjeshtë pa dinjitet … në pak fjalë tipologjia karakteriale e nënpunësve të COD-it.

Një gjë të fundit nuk kuptoj. Në rradhët e ECAEA-s ka patur dhe ka disa shqiptarë. Janë të pakët, por ekzistojnë. Një pyetje më lind: si rrinë këta pa folur? Ndonjërin e kuptoj sepse ka një rrogë apo post për të mbrojtur, ndonjë tjetër di që ka vendosur të lëpijë menderen e Ministres apo Kryeministrit. Po të tjerët? Si arrijnë të ushtrojnë kaq qetësisht dhe me menefregizëm zanatin në një vend ku në nivelin më të lartë të institucioneve përfaqësues të profesioneve të tyre qëndron Mirela Kumbaro, apo në një vend ku Kryeministri i thotë vetes artist me paçavuret që prodhon?

Në mbyllje do të shtoja vetëm që ata artistë, operatorë kulturorë apo thjeshtë dashamirës të artit e të kulturës të cilët nuk protestojnë, kritikojnë, natyrisht aty ku ka vend për të protestuar e kritikuar; ata që nuk ndihen për interesa rroge, karriere apo thjeshtë ata që përtojnë; në fund të fundit, më është krijuar bindja, nuk dinë të prodhojnë e as të menaxhojnë kulturë, madje nuk kanë lidhje me kulturën. Janë thjeshtë gjallesa mediokre që vegjetojnë në një vend e në një kohë që të tjerë për ta kanë zgjedhur.

Lini një koment