Edi Hila dhe manierizmi. (Romeo Kodra)

Dje pata mundësinë të vizitoja ekspozitën e Edi Hilës në Qendrën për Hapje dhe Dialog të Kryeministrisë, me të cilën u hap edhe sezoni 2016 i kësaj qendre. Titulli i kësaj ekspozite, të përbërë prej 6 punësh (vaj në kanavacë) të piktorit shkodran, ishte “Vegime bulevardi”.

Pjesë e ekspozitës është edhe një video-monolog i Hilës që shpjegon punët e prezantuara apo ndjesinë që këtyre punëve u qëndron si nëntekst. Që këtu, te pamjaftueshmëria e punës për të qëndruar mëvete, ndihet një lloj shqetësimi që perceptohet prej vizituesit të kësaj ekspozite. Natyrisht, është një shqetësim që, in primis, përpara se të përfshijë vëzhguesin, i përket piktorit. Përse ndodh kjo? Për të dhënë një përgjigje minimalisht ezauruese duhet hapur paksa më shumë diskutimi. Duhet filluar duke dalë nga konteksti i “Vegimeve të bulevardit”.

Edi Hila është një nga piktorët, me meritë, më të suksesshëm të artit piktorik shqiptar. Përsa më takon merita e tij qëndron kryesisht në gjetjen e arrirë të një pikture personale, që me vështirësi mund të mos bjerë në sy. Pra, për mua, Edi Hila është nga artistët e paktë që ka mundur të krijojë një profil të tijin, origjinal, duke e kultivuar, përthjeshtuar dhe sintetizuar deri në veprat e suksesshme që të gjithë pothuajse (Maks Velo të na falë!) i njohin. Kjo pikturë personale i ka rrënjët thellë në epokën e diktaturës së Enver Hoxhës, i ka tek ajo fidanishte e 1971 që qëndron në Galerinë Kombëtare. Që në atë epokë Edi Hila paraqet tendencën e braktisjes së “modeleve të mira”. Të mohohet kjo, është thjeshtë pandershmëri apo verbëri profesionale.

Pas diktaturës Edi Hila, me një qartësi intelektuale dhe profesional si pakkush në trevat tona, vazhdoi diskurin e tij piktorik, të lënë në stand-by për shkak të censurës së mirënjohur, duke e zhvilluar dhe rafinuar stilistikisht, dhe kjo e bëri dhe e bën piktorin origjinal që njohim sot.

Por çfarë ishte ajo tendencë e braktisjes së “modeleve të mira” të realizmit socialist? Për Gëzim Qëndron është dëshira e Hilës për të mospranuar “maskën e buzëqeshur të homosocialistikus dhe artit zyrtar”. Kjo është, edhe për mua, esenca artistike në thelb të punës së Hilës. Deleuze do të thoshte akti krijues si rezistencë artistike. Komponentët e tjerë, si teknika e ngjyrës, kompozimi, strukturimi vëllimor, do të vijnë duke u rafinuar më pas dhe duke konfirmuar me koherencë thelbin e rezistencës së punëve të Edi Hilës.

Pra, në thelb, puna e Hilës ka patur një “tradhëti” (“L’ideologia del traditore”, Achille Bonito Oliva) të sistemit të vlerave të pushtetit (realizmit socialist), duke i kritikuar në esencën e tyre këto vlera, me anë të profesionit të tij, pikturës.

Sot Edi Hila me “Vegime bulevardi” hap një ekspozitë që është brenda thelbit, esencës së pushtetit, është në bulevard, në godinën e Kryeministrisë. Sot Edi Hila ka një shqetësim. Puna e tij është e pamjaftueshme, nuk arrin të qëndrojë mëvete, nuk është e vetmjaftueshme si herë të tjera. Ka nevojë për një video shpjeguese.

Zakonisht i paktë në fjalë ose tërësisht i heshtur, siç vihej re ditën e hapjes (shih artikullin në Gazeta Shqiptare 17/01/2016) në COD, Edi Hila asnjëherë nuk ka shpjeguar veprat e tij. Por këtë herë kemi një video. Një video që me fjalë mundohet të shpjegojë një “mister”, që sipas artistit transmetonin fasadat hermetike të godinave të pushtetit në bulevard kur artisti i shihte gjatë shëtitjeve të tij.

Të ndërtuara prej italianëve në periudhën e fashizmit këto godina Hilës i transmetonin “mister” të cilin piktori ka dashur të na përcjellë edhe përmes imazheve piktorike. Por ka një problem. Ky mister këtu, në këtë ekspozitë, nuk artikulohet. Ky mister pasi emërtohet si i tillë, nuk lëviz aspak, as edhe një milimetër, nuk ka kurrëfarë dinamizmi. Ky mister mbetet absurd, ab+surdum, mes+shurdhësh, është një dialog/monolog i pakuptimtë për veten dhe (T)jetrin që nuk thotë kurrëgjë.

Këtë e ka vënë re edhe Shkëlzen Maliqi që sheh “objektet” arkitekturore të bulevardit të Hilës si “të braktisura, të zhytura në atmosferën e zymtë e të mistershme të kotësisë, boshllëkut e trishtimit” siç lexohet në tekstin prezantues të COD-it. Pra edhe për Maliqin ka një mister, por është i kotë, madje është kotësia vetë. Kjo është absurde. Është kontradiktë në terma. Nuk jam i bindur nëse Shkëlzen Maliqi ka shprehur me fjalë mendimin, që në këtë rast është i pakuptimtë, apo janë fjalët që kanë denoncuar pa dashur pakuptimësinë përmbajtësore të shprehjes së Shkëlzen Maliqit. Duhet pyetur Maliqi ç’ka dashur të thotë me këtë shprehje.

Po kështu Ami Barak, tjetër kontribues i tekstit të prezantimit të ekspozitës: “Si në të gjitha vendet ballkanike, edhe këtu, shteti në tranzicion është thelbësor në çdo detaj, si të vendit edhe të qyteteve, ku artisti i shpalos paradokset pas një velloje misteri”. Pra për kritikun francez kemi një paradoks. Por, kam përshtypjen, se këto fjalë Ami Barak i ka thënë jo për këto punë dhe mbi të gjitha jo për këtë ekspozitë në Kryeministri. Sepse në këtë rast nuk mund të flitet për paradoks, i cili sipas etimologjisë është një opinion alternativ, ndryshe prej opinionit të përgjithshëm e të gjithëpranuar. Këtu nuk kemi asnjë opinion ndryshe veçse ripërsëritjen e fjalës apo vellos “mister” e cila nuk shtjellohet dhe nuk zbulon asgjë nga pas. Këtu jemi në një rrugë qorre, pa dalje. Jemi në absurd, mes shurdhësh.

Të gjithë flasin për mister, por askush nuk bën qoftë edhe një milimetër përtej emërtimit. Pra, ka mister. Po pastaj? Asgjë. Rruga ndërpritet. Syri sado që mundohet të shohë përtej, sado që rrotullohet (majta-djathtas, lart-poshtë), sgurdullohet, nuk arrin të dallojë asgjë. Syri ka arritur këndin zero.

Por le të ndjekim komentatorin Hila tek shpjegon piktorin: “Kompleksi arkitekturor rreth Universitetit, sheshi, së bashku me bulevardin si aksi kryesor urbanistik i qytetit, edhe sot shërbejnë si teatër i ngjarjeve, shpesh herë dramatike të historisë sonë bashkëkohore”. Metafora e teatrit, mua që merrem edhe me teatër, më duket e pavendt. Është një shtesë e tepërt që i bëhet Reales si koncept filozofik dhe psikanalitik. Është e nevojshme metafora, manierizmi letrar dhe intelektualistik(*), i përcaktimit “ngjarje teatrore” për 21 janarin, ngjarja që më shumë se cilado tjetër ka shenjuar bulevardin? Personalisht, kam përshtypjen se pas 21 janarit ka pak vend për metafora në këtë bulevard. Në bulevard që prej 21 janarit 2011 lëvrin Realja, kapërcimi direkt i historisë në mish, në plagë. Metafora do të lejohej jashtë bulevardit (dhe Hila ndryshe nga herët e tjera është brenda në këtë rast), sepse bulevardi është vetë plaga e shkaktuar prej pushtetit.

Komenti vazhdon: “Dëshira për të ruajtur një marrdhënie koherente midis gjashtë tablove dhe ndërtimeve kryesore që përbëjnë kompleksin arkitektonik, erdhi si nevojë për një organizim të kontrolluar artistikisht të veprave në raport me njëra-tjetrën, duke përdorur një gamë kromatike të caktuar, e cila i përgjigjet në mënyrë organike përmbajtjes dhe funksionit administrativ që ruajnë sot këto godina”. Pra komentatori Hila punën e artistit Hila e sheh si koherente dhe në sintoni me objektet arkitektonike fashiste, me racionalizmin e tyre, me rregullin, rendin social që ato përfaqësojnë. Ndoshta nuk është kështu, por ambiguiteti qëndron, dhe atë mund ta zgjidhë vetëm autori. Me fjalë apo në kanavacë qoftë do të ishte i mirëpritur.

Paragrafi me komentin e Edi Hilës, në tekstin prezantues të ekspozitës, mbyllet me një perlë që kallëzon “kotësinë” e punëve dhe ekspozitës: “Këto (godinat) e kanë frymëzuar nismën për të ndërtuar një cikël pikturash ku historia e shatërvanit, si ndërhyrje e dhunshme, shërben si moment interesant përgjithësimi”. Ky moment interesant përgjithësimi për fat të mirë (për ndonjë) apo të keq (për mua) nuk ekziston më. Shatërvani i pushtetit të një kohe (ndërtuar rreth fundit të viteve ‘80) është fshirë nga dora e pushtet të kësaj kohe (nga 2014 shatërvani në sheshin Nënë Tereza nuk ekziston më). Duke fshirë këtë “moment interesant përgjithësimi” pushteti i kësaj kohe, brenda hapësirës ekspozitive të të cilit Edi Hila prezanton punët e tij, ka fshirë pikën ku artisti mbështet levën shqetësuese të krijimtarisë së tij, të rezistencës së tij krijuese. Pa këtë pikë mbështetjeje leva artistike e Edi Hilës xhiron bosh, kot, në mënyrë absurde. Pushteti pa këtë pikë nuk ka më mistere. Ai thjeshtë e ka fshirë. Po ashtu edhe piktura e Hilës, në këtë rast ndryshe prej veprave të mëparshme, pas vellos së zankonshme nuk paraqet më asgjë. Problematika nuk ekziston. Velloja e mistershme, shenjë dalluese e piktorit shkodran, shndërrohet në një manierizëm të kotë, butaforik, pa vlerë përmbajtësore. Këtu fillon qarku vicioz, manierizmi i vetvetes, që ka marrë në qafë shumë artistë të talentuar (le të shihet gjithashtu fshirja e dritareve të godinës së Universitetit duke lënë vetëm ato të katit të fundit si në serinë e Penthouse).

Por nuk është e thënë që do të humbasim Edi Hilën si piktor. Një mundësi rrugëdaljeje, ndonëse të vështirë, e ka. Madje e ka aty ku duket e pamundur se mund ta gjejë: në bulevard. Pikërisht në atë gradë zero absurde, të dhunshme dhe topitëse të krijuar nga pushteti i shurdhët fashist, në atë kënd zero të shikimit që është bulevardi. Por natyrisht shikimi, syri i artistit nuk duhet të sgurdullohet e as rrotullohet, majtas-djathtas, lart-poshtë për të parë ndonjë perspektivë të re, për të thyer apo tradhëtuar ndonjë vizion apo “moment interesant përgjithësimi”. Ai duhet të kthehet mbrapsht, të rrotullohet brenda vetes. Duhet të kthehet deri sa bebja e syrit të shohë përbrenda dhe nga jashtë të zbardhet, njësoj siç u ndodh njerëzve kur janë duke vdekur, njësoj siç ka gjasa t’u ketë ngjarë atyre “Dëshmorëve të Kombit” që morën nga një plumb në protestë kundër pushtetit të bulevardit. Edi Hila, më shumë se çdo artist tjetër në këtë moment, ka mundësi të shohë nga afër këtë perspektivë të verbër të pushtetit dhe artit dhe të provojë të hedhë në pikturë atë ç’ka kanë parë e provuar në momentin e fundit sytë e kthyer e të zbardhur të Ziver Veizit, Aleks Nikajt, Hekuran Dedës dhe Faik Myrtajt. Natyrisht jo për të shenjtëruar me pikturë vaji këta dëshmorë të ngjyer tashmë me vajin e shenjtë (crisma-n e ritualit të krishterë) të mirënjohjes mbarëshqiptare, por për t’i dhënë vajit të kanavacës së tij piktorike një “organizim të kontrolluar artistikisht” që t’i përgjigjet në mënyrë “organike përmbajtjes dhe funksionit” … të bulevardit.

* Shih ende Achille Bonito Oliva kur flet për Rilindjen … italianen, jo këtë karnavalen tonë … dhe rastet kur fillon e shfaqet manierizmi dhe lidhjet/funksionin e tij me pushtetin.

4 mendime mbi “Edi Hila dhe manierizmi. (Romeo Kodra)

  1. Po tani qe ka pak kohe qe ne bulevard erdhi cadra dhe iku…ne cfare ndertese bulevardi ajo ben pjese…une e di ajo eshte nje ndertese politike e formes pushtet, e shtuar, por levizese…po per Hilen si mendoni Ju Romeo, do ishte nje mister i ri apo vazhdim i nje mendimi te kamufluar manierist apo nje kompromis me realitetin e ri…?

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s