Albanian Lapidar Survey: Lehtёsia e papёrballueshme e pёrdorimit tё konceptit “komunist”. (Romeo Kodra)

Prej disa kohёsh kam hasur nё internet njё iniciativё tё titulluar “Albanian Lapidar Survey”. Po aty, vura re qё ajo organizohet nga “Departamenti i Shqiponjave” – njё OJF qё operon nё territorin shqiptar – dhe mbёshtetet nga Ministria e Kulturёs. Tё rradhitur ndёr kontribuesit e katalogut, qё mendohet tё prodhohet nё pёrfundim tё iniciativёs, shoh edhe disa miq tё cilёve u vlerёsoj punёt dhe shpesh bashkёndaj pikёpamje, ide dhe pasione.

Duke qenё se kam njё interes tё veçantё nё konceptimin dhe pёrshёnjimin e hapёsirёs, dhe kjo iniciativё dokumentuese ka tё bёjё me to (lapidarёt etimologjikisht nёnkuptojnё pёrshёnjimin), doja tё parashtroja njё kёrkesё dhe disa opinione personale qё shpresoj tё gjejnё vesh apo tё stimulojnё disi organizatorёt.

Personalisht mendoj se “Departamenti i Shqiponjave”, edhe pse e ka pёrcaktuar si thjeshtё dokumentim kёtё iniciativё, ka detyrimin etik, karshi ndershmёrisё sё kёrkimit shkencor dhe karshi publikut prej tё cilit financohet, tё saktёsojё terminologjinё konceptuale, sidomos atё tё pёrdorimit tё konceptit “komunist”. Mё intereson ky saktёsim prej tyre sepse e shoh si njё nga konceptet me tё cilin ёshtё abuzuar dhe pёrfituar qёllimisht nё kёtё çerek shekulli pseudo-tranzicional shqiptar. Shpresoj gjithashtu sinqerisht (dhe deri nё provё tё kundёrt kanё gjithё mirёbesimin tim) qё tё mos ketё qenё kjo “lehtёsi e papёrballueshme e pёrdorimit tё konceptit komunist” njё mёnyrё e thjeshtё pёr tё arritur tek fondet publike, tё cilat shpesh tek ne menaxhohen nga jokompetentё tё emёruar prej lidhjeve paramafioze partiako-familjare.

Shpresoj qё kёrkuesit e kёsaj organizate duke qenё se i pёrdorin qё nё prezantimin e iniciativёs (citoj nga ndёrfaqja http://albanianlapidarsurvey.tumblr.com/about) tё gjejnё kohёn dhe tё citojnё, nёse munden, pёr tё justifikuar pёrdorimin e:

1. sintagmave “communist period”, “communist monumentality”, “post-communist countries”, “communist architecture”;

2. frazave emfatizuese si “the monumentalized presence of the communist party in every part of the country” apo “the undigested communist past of Albania”.

Dёshiroj tua zgjeroj kёtё sugjerim edhe kontribuesve tё katalogut pёrfundimtar nёse kanё ndёrmend tё pёrdorin thesaurus-in e terminologjisё konceptuale “komuniste”.

Opinioni im ёshtё se me anё tё gogolizimit tё termit konceptual “komunizёm” kanё kaluar nё shoqёrinё shqiptare lloj lloj konceptesh, qasjesh, praktikash fashistoide, nё rrafshin e shkencave sociale, humane apo edhe nё tё pёrditshmen e jetёs publike, qё nё njё botё normale dhe demokratike, siç ёshtё ajo e Bashkimit Evropian nё tё cilin shpresojmё tё bёhemi pjesё, as qё mendohet se duhet tё ekzistojnё.

Njё impakt katastrofik nё kёtё drejtim kanё patur edhe intelektualёt (?!) shqiptarё tё cilёt shumё shpesh dhe fare lehtё gjatё periudhёs sё pseudo-tranzicionit u janё shitur fondacioneve tё huaja (atyre tё Soros-it mbi tё gjithё) tё cilat propagandojnё terminologji pseudo-shkencore siç janё “komunist”, “post-komunist”, “ish-komunist” etj., pёr qёllime jo shumё tё qarta [Do i dedikohem mё gjatё nё njё shkrim tjetёr George Soros-it dhe lidhjeve me qeverinё aktuale pёr tё qartёsuar edhe mё shumё rёndёsinё e saktesisё terminologjiko-konceptuale.].

Do kisha dashur qё, sё paku pёr njё herё nё tё pёrditshmen e jetёs bashkёkohore shqiptare, dikush tё kishte bёrё njё citim mbi kёto koncepte pёr t’i nxjerrё nga pёrdorimi pezhorativ tashmё i bёrё mёse banal dhe i pabesueshёm. Madje personalisht mendoj se kush vazhdon dhe pёrdor me kёtё mospёrfillje banalizuese kёto koncepte, ose injoron totalisht etikёn e kёrkimeve shkencore, dhe nё kёtё rast improvizohet ekspert pёr tё marrё dy para tё qelbura, ose me qёllim rreshtohet nёn njё lloj militantizmi obskurantist tё rrezikshёm qё qelbet era fashizёm tё abortuar (meqё ёshtё edhe i padeklaruar).

Shpresoj – duke i uruar punё tё mbarё “Departamentit tё Shqiponjave” dhe kontrubuesve tё tjerё – qё ky shkrim tё mos merret si tendecioz, por tё mirёkuptohet, duke qenё se shoh nё kёto lloj iniciativash njё mundёsi tё paanashkalueshme tё ripёrpunimit tё historisё sё vonё tё kёtij vendi qё deri mё sot ka patur njё qasje krejtёsisht histerike, siç shoh gjithshtu edhe njё mundёsi pёr vetё operatorёt nё terren tё rafinojnё dhe pёrmirёsojnё mjetet dhe metodat e tyre kёrkimore dhe studimore.

2 mendime mbi “Albanian Lapidar Survey: Lehtёsia e papёrballueshme e pёrdorimit tё konceptit “komunist”. (Romeo Kodra)

Lini një koment