“Pёrralla e Peshqve tё Kuq”, ose orakulli i Edi(p) Ramёs. Pjesa II. (Romeo Kodra)

“Nuk ёshtё rasti/momenti pёr tё pyetur cili regjim

ёshtё mё i rёndё apo mё i tolerueshёm,

sepse nё secilin prej tyre pёrplasen liri dhe skllavёri …

Nuk ёshtё rasti/momenti as tё qajmё e as tё shpresojmё,

pёr tani bёhet fjalё pёr tё gjetur armё tё reja.”

“Shoqёria e kontrollit”, Gilles Deleuze, 1990.

Tek “Refleksionet” e A. Klosit dhe E. Ramёs – nё kёtё libёr fantazёm tashmё tё bibliofilisё shqiptare – u ndesha pёr shkak tё interesit tim mbi pёrshёnjimin e hapёsirёs si koncept. Nё mёnyrё tё veçantё tek shenja qё pёrshёnjon. Akoma mё nё veçanti tek autoriteti qё shenjon dhe procesi i transformimit nё autoritarizёm qё ky autoritet pёrshёnjues kryen falё shenjёs.

Nё kontekstin shqiptar kjo dialektikё e autoritetit me autoritarizmin, pra pushteti nё konkretёsinё e vet, ёshtё ende i virgjёr nё studimeve, paçkase si terren ёshtё tejet pjellor dhe me shumё mundёsi, falё veçantisё sё tij karakteriale, mund tё thotё shumё edhe nё rang mё tё gjerё sesa ai i studimeve albanologjike dhe/ose albanocentrike.

U ndesha gjithashtu sepse kisha dhe kam njё dёshirё personale pёr tё sintetizuar gjendjen dhe panoramёn e artit dhe kulturёs bashkёkohore shqiptare qё nga pёrshёnjimi i hapёsirёs prej pushtetit ёshtё krejtёsisht i varur, paçkase shumё mirёmendues – sidomos ata qё kujtojnё se nё Shqipёri ka njё qeveri tё majtё – pёr arsye qё shkojnё nga frika e humbjes sё njё vendi tё punёs, tek interesi i llokmave e deri tek verbёria intelektuale karshi rrezatimit tё imazhit karizmatik tё udhёheqёsit tonё tё dashur me tё cilin janё kokё e kёmbё tё pёrfshirё dhe kontribues tё situatёs sё mjerё artistiko-kulturore qё ky vend paraqet.

Kam kohё qё flas mbi tredhjen edipike tё Edi(p) Ramёs, si artist dhe si politikan, pёr tё cilёn shumё kujtojnё se ёshtё e tё njёjtit nivel banal dhe banalizues qё kryen Sali Berisha. Le tё shohim.

Po tё lexohen “Refleksionet” – dhe sidomos “Pёrralla e Peshqve tё Kuq” – duket qartazi qё kryeministri i sotёm e kishte mёse tё qartё kozmogoninё e politikёs shqiptare dhe procesin e saj funksional, dhe pёrsёri zgjodhi tё ishte politikan. Nё njё farё mёnyre iu shit ngjyrimeve politike, psikanalitikisht u trodh. Asnjeri tё mos çuditet qё Ramёs – i cili bёnte ironi me ngjyrёn e kuqe, ngjyrёn blu, ngjyrёn biçimblu apo vishnje tё mavijosur – i janё realizuar in toto tё gjitha “profecitё” nё kurriz tё vet (nuk ёshtё rastёsi qё ngjyra e PS ёshtё vishnje e mavijosur). Ka shumё naivё qё kujtojnё se kemi tё bёjmё me njё profet. Jo tё dashur mirёmendues, kёtu kemi tё bёjmё me njё njeri qё ёshtё tredhur, po tridhet dhe do tё vazhdojё tё tridhet politikisht. Nё kёtё vend nuk qeveris Edi(p) Rama i cili fiton zgjedhjet duke specifikuar mirё e mirё gjatё pёrvjetorit tё parё tё 4 tё vdekurve tё bulevardit 2011 qё “nuk jemi çegevaristёt e Amerikёs Latine” se kushedi ndoshta matanё murit tё verdhё antiatomik tё Rrugёs sё Elbasanit nё Tiranё nuk e kanё kuptuar ende.

Dhe tredhjen zotit kryeministёr ia ka parashikuar qё nё vitet ’90 “orakulli” i tij [e kush tjetёr mund t’ia parashikonte Edi(p)t?], qё unё personifikoj mё George Soros, por qё janё natyrisht vёllezёrit tanё tё mёdhenj me flamurё me yje dhe vija, made in USA.

Tek lidhja Soros-Rama nuk kam arritur as prej Linda Bashёs, tashmё Rama, as prej Anri dhe Valdete Salёs dhe as prej dallavereve tё ojf-ve dhe ojq-ve tё cilat eksitojnё gazetat shqiptare dhe publikun e gjerё tё masave apo turmave me PD-istёt nё krye (Meqё ra fjala, ёshtё parё ndonjёherё PD apo tё tjerё t’i shkojnё nё fund kёtyre skandaleve eksituese? Pyetje vetes nuk kemi pse i bёjmё, apo jo?). Tek kjo lidhje kam arritur prej “Teorisё sё Pёrgjithshme tё Refleksivitetit” sorosiane, prej “refleksivitetit” dhe hetimit tё morfemёs qё qёndron nё rrёnjёn e kёsaj fjale, “refleksit”. Nga refleksiviteti, refleksi dhe tek “Refleksionet” hapi ёshtё i shkurtёr. Po le ta marrim nga fillimi.

Refleksi ka tё bёjё me pasqyrёn, me stadin e pasqyrёs psikanalitikisht, me momentin e fazёs anale tё psikologjisё sё fёmijёs kur dhe ku materializohet egoja dhe fraktura e saj. Nё stadin e pasqyrёs, nё fazёn anale, fёmija njeh vetveten si koherent, si diçka tё bukur, si objekt i dёshirёs sё nёnёs qё konfermon pulsionet e dёshirёs sё fёmijёs pёr veten. Ankthi, krisja e egos, e imazhit pasqyror, i fillon kur hyn nё funksion “ndalimi nёpёrmjet fjalёs”, i cili nuk ёshtё gjё tjetёr veçse ndalimi i Atit, dmth ёshtё momenti kur nёpёrmjet fjalёs sё Tjetrit fёmijёs i bёhet e ditur qё objekti Tjetёr i dёshirёs sё nёnёs ёshtё Ati dhe jo ekskluzivisht fёmija.

Duhet njё punё goxha e madhe pёr tё kaluar frakturёn e egos, shpesh zgjat vite me rradhё, madje pёrgjatё gjithё jetёs sё individit. Pёr disa psikanalistё kjo kalohet duke rindёrtuar dhe pёrforcuar egon, duke ngjitur fragmentet e egos sё shkёrrmoqur. Janё psikanalistёt qё – kryesisht nё SHBA – bombardojnё me ilaçe qё nё mosha tё mitura fёmijё pa pikё preokupimi pёr dёmet e parekuperueshme, dhe kёtё e bёjnё natyrisht falё lobimeve, falё sistemit tё spitalizimit, falё shumёkombsheve tё farmaceutikёs, mbi tё gjitha falё njё politike metafizike tё “self made man” qё s’ka shumё ndryshim nga “njeriu i ri socialit”. Po marr njё shembull: shihni figurёn e kandidatёve pёr President kur ngjiten nё podiume, shihni njё fjalim tё Obamёs p.sh.. Nuk ju duket si Rocky Balboa? Kanё nё sfond edhe muzikё. Gjithçka ёshtё njё vёnie nё skenё. Vёnie nё skenё e njё teatri idiot e tё dalё boje, paçka se bulimia e ngjyrave tё ndezura bёn ç’ёshtё e mundur tё mbulojё zbrazёtinё thelbёsore. Ёshtё vёnia nё skenё pёr rindёrtimin e egos, e fasadёs sё unit presidencial, qё do u shitet turmave tё votuesve apo “peshqve tё ngjyrosur” pёr ta thёnё me Edi(p)in e fasadave tona. Jo mё kot Carmelo Bene gjatё gjithё jetёs do tё fokusohej vetёm tek “heqja nё skenё” sepse e kishte kuptuar qё teatri ishte bёrё bajat, ishte bёrё njё pёrshfaqje politike dhe pёr politikanё tё tredhur, ishte pёr turma.

Pёr disa psikanalistё tё tjerё (Lakan mbi tё gjithё) fraktura e egos kalohet duke u pёrballur nё thellёsi tё saj, deri nё qenien e individit. Nё pak fjalё me dialektikёn e fjalёs, me ripёrpunimin gjuhёsor tё kёsaj frakture qё vetё fjala – ajo e ndalimit primar tё kryer prej nёnёs – na ka shkaktuar. Kalohet ky fragmentarizim i njeriut bashkёkohor duke u marrё pёr atё qё ёshtё, nё vёrtetёsinё intelektuale tё tij. Edhe kёtu po marr njё shembull: shihni Gjermaninё pas nazizmit dhe ripёrpunimin e Shoahsё. Nuk u stigmatizua nazizmi si e keqja absolute nё vetvete, por u hap njё diskutim nё tё gjitha instancat e shoqёrisё civile, politikёs, kulturёs gjermane. U vunё nё njё letёr (“Letra” thoshte Lakan) emra dhe mbiemra tё fajtorёve pёr krime dhe bashkёpunёtorёve tё tyre. U dёnuan si njerёz pёr aktet e tyre dhe jo si persona nё vetvete. Kjo nuk do tё thotё qё shoqёria mbeti e paprekur nga faji, edhe ajo ёshtё qё prej Shoahsё e stigmatizuar nga letra, nga shenja, nga pёrshenjimi i hapёsirёs sociale, kulturore dhe politike tё kryer nё Auschwitz, dhe bёn llogaritё pёrditё me tё. Po ashtu edhe individёt e saj e kanё mёse tё qartё qё asnjё nuk s’mund tё ndihet mё i mirё se gjyshёrit e tyre qё ndёrtuan kampet e pёrqёndrimit.

Pёr mua “e vёrteta intelektuale dhe politika janё – siç thoshte Pier Paolo Pasolini – tё papёrputhshme” dhe, si rrjedhojё e kёsaj, nuk ka artist qё tё mos praktikojё tё vёrtetёn intelektuale. Konkluzioni ёshtё qё Edi(p) Rama nuk mund tё jetё artist, paçka se alimentojnё erotomaninё egoistike tё tij Anri Sala me ekspozita dhe libra tё posaçёm pёr kёtё qёllim, apo Mirela Kumbaro me gjuhёn metafizike tё saj tё shpёlarё ku cilёson “artist nga shpirti dhe kryeministёr nga misioni” Edi(p) Ramёn. Kёta janё nё rastin mё tё mirё injorantё tё arti, politikёs dhe psikanalizёs apo, nё mos mё keq, janё tё tredhur qё japin/marrin favore prej kryeministrit duke kompletuar qarkun biopolitik shqiptar ku nuk ka mё as copa mishi me dy sy, por kemi tё bёjmё vetёm me zarzavate tё kultivuara nё kopshtin biopolitik tё deformimit antropologjik apo deantropologjizimit.

Po tё lexohen “Refleksionet” … [vazhdon]