Center for Openness and Dialogue … COD-i ia bën muuuuu!!! – Pjesa III. (Romeo Kodra)

COD-i ia bën muuuu sepse kur një artist i nënshtrohet një kodi (Rama i pari ndaj Merkel-it, dhe pas tij Parreno, Demand, Höller dhe gjithë pjesa tjetër e kopesë me artistë pëllitës, të jashtëm e të brendshëm) nuk ka kuptuar që thelbi i arti mund të jetë gjithçka përveç nënshtrimit. Madje arti është shtrim i një kodi. Nuk është as nën-shtrim dhe as mbi-shtrim/shkrim. Arti është diferenca (Derrida, Deleuze). Diferenca që arti bën është një kod i ri me të cilin shoqëria mëson dhe përparon. Shoqëria përparon duke mësuar të përvetësojë diferencën, të ndryshmen, tjetërsinë. Arti dhe asimilimi i tij prej shoqërisë, pra kultura, siç thotë Eugenio Barba, është e tillë “kur prodhon kuptime të reja”, përshenjues të rinj, që zgjerojnë fushën semantike të botkuptimit të shoqërisë përkatëse.

[Këtu duhet të shpjegoj diçka për artistët pëllitës: Arti nuk është pedagogji! Kur them që shoqëria mëson, kjo nënkupton pasiviteti e subjektit artist. Pra, artistit nuk i “plas fare nëse shoqëria mëson apo jo”. Artisti është i interesuar ekskluzivisht për tjetërsimin, për ndryshimin, për revoltën, për të renë, dhe më këtë e ka kryer funksionin e tij.]

Çudi aspak e çuditshme është edhe fakti që për COD-in e Kryeministrisë askush nuk ka folur derimëtani nga pikëpamja artistike. Kjo çudi aspak e çuditshme varet nga shkretëtira absolute në të cilën gjendet konteksti (shqiptar) dhe nga deformimi antropologjik i artistëve, kritikëve të artit dhe operatorëve kulturor (jo vetëm shqiptar). Pra, varet nga ndjesia e bythshtrëngimit që këta pësojnë kur flasin hapur për fushën e tyre të kompetencës. Ky bythshtrëngim nga një anë ju vjen prej dëmit që mund t’i shkaktojnë “imazhit të shefit” dhe nga tjetra nga bllofi i shfaqur publikisht, nga zbrazëtia që kanë dhe janë në thelb, e cila mund t’ia bëj “muuuu” përpara gjithkujt ditën më diell.

Shkretëtira dhe deformimi antropologjik i artistit/kritikut/operatorit kulturor fillon me Kryeministrin Rama, vazhdon me artistët e ftuar në COD, por prek edhe (mbi të gjithë) kopenë pëllitëse autoktone. Të gjithë i bashkon cinizmi pseudo-intelektual që i bën të mendojnë se do të luftojnë sistemin nga brenda dhe prej aty do ta përmbysin, deri në revolucion. Kjo sipas mendjes së “mprehtë” të tyre arrihet nëpërmjet strategjive. Dhe këto strategji tek ne fillojnë (mesa kam dijeni) që më “Përrallën e Peshkut të Kuq” të Edi Ramës, në 1990-’91 ku quheshin “modele”, e mbarojnë me Armando Lulajn në Bienalen e Venecias 2015. Pra, kemi, si shqiptarë, prej një çerek shekulli që shohim artistë që bëjnë strategji politike, dhe rezultatin e kemi përpara syve: tredhje artistike dhe prostituim sistematik institucional (pra, prostitucion artistik i ngritur në sistem, si ai i tipit Obrist/Rama/Sala & viça të tjerë që vijnë nga pas).

Por, për të folur për strategjinë, pa shkuar te de Certeau-ja (të cilin na e kujtuan sëfundmi në GKA organizatorët e Bienales “White House”) apo Bourdieu-ja, duhet parë etimologjia. Kjo, publikut shqiptar që ushqehet mësëshumti me librat e Daria Bignardi-t dhe Saviano-s dhe fare pak me filozofi apo kritikë të artit bashkëkohor, mund t’u thotë sigurisht më shumë, më thjeshtë dhe më qartë nga se çalojnë gomerët apo viçat tanë që merren me art në mënyrë strategjike. “Strategjia” vjen prej “strategos” e greqishtes së vjetër, ose më mirë prej “stratos”/”shtresë” dhe “egos”/”udhëheq”. Viçat e artit kanë mësuar se ç’është shtresa, shpalosja, rrafshimi gjithpërfshirës global, por kanë harruar të bëjnë llogaritë me “egos-in”, me udhëheqësin, me egon e autoritetit, me vertikalizmin e institucioneve brenda të cilëve prostituojnë dhe prostituohen. Natyrisht mund të kisha thënë përshenjojnë dhe përshenjohen, në kuptimin gjuhësor të fjalës, sepse janë pjesë e COD-it paraekzistues, i cili i gjithpërfshin dhe gjithpërpin. Viçave tanë, që bëjnë muuuu për të mjelë lopën e pashtershme të quajtur art, do u duhet kohë të arrijnë tek Deleuze (Mille Plateaux):

“Aty ku psikanaliza thotë: «Ndaluni, rigjeni Unin tuaj», duhet të përgjigjemi: «Ecim akoma më përpara, nuk kemi gjetur ende Trupin pa Organe (TpO), nuk kemi ende shpërbërë mjaftueshëm Unin tonë»”.

Pra, viçat duhet të përpunojnë ende egon, që psikanalistët e egos (sidomos ata “made in USA”) ende vazhdojnë e patinojnë me bythlëpirje institucionale në Shoqërinë e Kontrollit.

Çelësi i deshifrimit të COD-it është tek shkatërrimi pragmatik dhe i vazhdueshëm i egos, që institucionet e shoqërive të kontrollit plazmojnë apo patinojnë vazhdimisht. Dhe deri këtu nuk ka asgjë të re. Kjo dihet që prej 6 apo 7 dekadash. Por, natyrisht kur i themi brenda kopështit zoologjik brenda të cilit jemi, duken si gjetje origjinale. E përsëris edhe një herë: nuk ka asgjë origjinale tek egoja e papërpunuar (sikur edhe artistikisht) përveç ripërsëritjes së përjetshme të prostituimit të vetvetes.

Por, problemi qëndron tek heshtja, ose e (për)folmja e COD-it, sepse “Qendra për Hapshmëri dhe Dialog” e përflet dialogun, e përgojon. Gjithsesi – paçkase në dukje hiqet si dialog i hapur (Center for Openness and Dialogue) dhe në të vërtetë, duke mos qenë i tillë, ai mund të na stimulojmë që ta kërkojmë atë – nuk duhet rënë në grackën e dialogut, siç bëjnë mirëmenduesit e anëve tona që lexojnë pesë libra kuturu e mendojnë se bëjnë kritikë arti.

Pra, tek COD-i nuk duhet kërkuar dialogu. Duhet kërkuar diçka më rrënjësore. Në art nuk ekziston dialogu. Në art ekziston monologu, me të cilin duhen bërë llogaritë, pikërisht sepse arti është një trup i huaj, një tjetërsim, një gjuhë e re që flet vetëm një artist në botkuptimin e tij. Nëse do të pranonim në art dialogun, Edi Rama, me gjithë prostituimet e tij “artistike”, do të na dilte artist. Do të na dilnin artistë të gjithë viçat pëllitës të rreshtuar hierarkikisht sipas dogmës së bythlëpirjes institucionale. Në pak fjalë duhet shtyrë “Artisti” ynë drejt monologut, dhe aty do të shohim nëse ka këllqe ta mbajë këngën pa pëllitësit e tjerë që i mbajnë ison dhe pa kapërcyer në politikë.

Dua të gjej një ekstrem, një pol të kundërt me të cilin mund të ballafaqoj këtë prostituim institucional me artin dhe kulturën që quajmë COD. Dhe e gjej shumë shpejt. Në historinë e artit. Në vitet ’60, ’70 të ‘900. Quhet Marcel Broodthaers. Është themeluesi i “Departamentit të Shqiponjave”, një institucion, muze i artit modern, që në të njëjtën kohë ishte kundërshtim dhe mohim i çdo lloj institucionalizimi politik të artit dhe kulturës si dhe trajtimit të objektit artistik nëpërmjet llogjikës së tregtimit të mallrave (shumë domethënës për aspektin e mallifikimit nënvizimi prej Kryeministrit Rama i “kuotimit stratosferik” të artistëve që na nderuan me ardhjen e tyre nën hyqmin e COD-it – shin on line në prezantimin zyrtar që Rama i bën kësaj hapësire në faqen kryeministria.al).

Publikut shqiptar, përgjithësisht atyre 200 vetëve që përpikmërisht frekuentojnë skenën e artit pamor, “Departamenti i Shqiponjave” për fat të keq u vjen ndërmend si krijesë e Vincent van Gerven Oei, një individ që i jepte mend, si profesor i mbarur, “skenës kulturore shqiptare” (“This fear shows the fundamental naivety of the Albanian cultural scene”) përpara disa kohësh, duke patur besim tek Ministria jonë e Kulturës dhe emrat [lexo egot] e mëdhenj që zgjodhën artistin Armando Lulaj për Bienalen venedikase 2015. Oei-t të ndjeshëm ndaj puhizave të pushtetit artistiko-politik thuajse nuk i bënte përshtypje mungesa e transparencës së Ministrisë së Kulturës dhe sinjali përthithës së kodit të ri të artistit Lulaj prej COD-it të pushtetit. Oei gjithsesi shpresonte që herët a vonë MK të ishte transparente (I agree with Kodra that I would like to see the jury report presented in full rather sooner than later, to take away any lingering doubts). Nuk e dinte Oei që është pikërisht ky problemi: përshenjimi, prostituimi, COD-ifikimi që duhet të vijë ekskluzivisht prej pushtetit. Pra, nuk ka për të pasur kurrë transparencë, sepse kjo do të thotë vënie në diskutim të COD-it, hapje e tij dhe njëjtësim me kodet e reja. COD-i nuk toleron kodet e reja të pakodifikueshme. Maksimumi që mund të bëjë është të dialogojë. Por kjo është një hic et nunc, sepse atëherë – nëse do të dialogonte – do të ishte politikë, dhe jo art.

Prandaj COD-i ato që rezistojnë, ato që kundërshtojnë, ato që mohojnë COD-ifikimin i quan të devijuar, i margjinalizon, i quan të shtrembër, të keqkuptuar, pervers, të fiksuar me “analen” (But I don’t share Kodra’s “personal” fear: that because he really likes Lulaj’s work he even writes about it without using the word “anal”!). Por, siç thashë, nuk e dinte ironiku Oei, me leximet e tij të përcipta [nuk kupton as logjikën e Broodthaers-it, prej të cilit ka huazuar Departamentin e Shqiponjave!?!?!?], që pushteti politik i shoqërisë së kontrollit ka kapur e kontrolluar, duke filluar që prej anales (madje molekulares thotë Deleuze), kopetë pëllitëse të viçave bashkëkohor. Dhe për këtë, sinjali më krupndjellës, për ta mbyllur me përfaqësimin e Shqipërisë në BI-ANALE, na vjen nga një bythlëpirje dhe jargavitje e turpshme e Marco Scottini-t, kuratorit zorraxhi të padiljonit shqiptar:

“Jam i bindur se publiku ndërkombëtar, në 7 muaj që do të zgjasë aktiviteti, do të ndërgjegjësohen se nuk ekzistojnë vetëm 2-3 emra artistësh shqiptarë të njohur [shyqyr!!! tani kemi 4?], por tashmë ka edhe një strukturë publike në lartësinë e situatës, që promovon artin bashkëkohor në Shqipëri: Kjo më duket një risi e madhe që do t’u jetë e dukshme të gjithëve, një zhvillim që nisi me ardhjen e Edi Ramës në krye të qeverisë në vitin 2013”. Gazeta Panorama, 29 Prill 2015. KY PO QË E KA KUPTUAR COD-IN !!!

Por le të kthehemi tek Departamenti i Shqiponjave. Përse pikërisht Broodthaers? Sepse ky artist njësoj si Edi Rama e kishte të pandashëm artin dhe politikën. Në fakt objekt kryesor i kërkimit të tij artistik ishte reflektimi i kontekstit ekonomik dhe shoqëror i lidhur me objektin artistik. Dhe reflektimi nuk është prostitucional alla Rama apo George Soros, pra për një përfitim strategjik artistik apo politik që reagon duke riprodhuar, si një pasqyrë e dëshirave, atë ç’ka kërkon pushteti, status quo-ja, realiteti, por është një reflektim i deklaruar dhe përtej ose brenda pasqyrës, radikal ndaj realitetit, deri në thelbin real të tij: tek kristalizimi i objektit të artit deri në thelbin e tij konkret, ku ndihet ndikimi i revolucionit nouveau realiste duchamp-ian.

Broodthaers njësoj si Edi Rama hap një muze personal (në shtëpinë e tij dhe jo në një institucion të mbajtur me taksa publike të një shteti të botës së III), por ndryshe nga ky i fundit merr përsipër të qenurit drejtor i tij dhe jo “mbështetës i veçantë” i pjellës së vet. Emri që i vë është Departamenti i Shqiponjava, ku shqiponja është marrë si simbol i pushtet dhe jo COD, Center for Openness and Dialogue, ku pas hapjes fiktive dialogjike qëndron ende fshehur monologu i një pushteti të tredhur, pëllitës dhe mjelës i lopës së institucionalizuar nën emrin art.

Broodthaers gjithashtu ishte një poet. Dhe me konkretësinë e një poeti, me distilimin e fjalëve deri në thelb, trajtonte dhe distilonte hapësirat, objektet në hapësirë, si dhe kuptimet që prej tyre çliroheshin (shih mbi të gjitha “Décor: A Conquest by Marcel Broodthaers”). Ndërsa Edi Rama (po e marr si të mirëqenë që është “Artisti” ynë kurator i COD-it, sepse që të jenë Edit Pulaj dhe Falma Fshazi nuk është e besueshme as prej pulave të fshatit) në hapësirën e tij është narrativ. Duart e Demand-it (Sign) që bashkohen në qendër, përballë hyrjes kryesore janë të pritshme dhe të parashikueshme deri në abetarizëm. Kërpudha e Höller-it në lulishte po ashtu. Tenda e Parreno-s idem. Shkalla që ndan sallën e fotografive historike të zgjedhura prej Zef Pacit ngjan shumë me shkallaren e Pradës së Nju Jorkut të Rem Koolhaas-it, me të njëjtën pordhë megalomaniakale, por edhe me një lustër turbokitsch-i made in Albania. Në pak fjalë katalogim skatologjik (mungesa e “e”-së nuk është e rastësishme). Rregull topitës. Narrativë e renditur.

Në mbyllje, një herë e përgjithmonë me COD-in, do të shtoja vetëm keqardhjen time për trumpiksjen topitëse që ka zënë, për shkak të renditjes narrative apo narrativës renditëse (s’ke ç’i bën, ky është pushteti!!!), edhe një surfer të botës sipërfaqësore të STARtistëve dhe STARkitektëve: më vjen keq për Hans Ulrich Obrist-in. Shoh që prej valles prostitucionale dhe institucionale të hequr me “Artistin” tonë Edi Rama nuk po pjell gjë prej gjëje. Ka kohë që nxjerr vetëm aborte intelektualistike të zbrazëta (Era e pordhëve të Prishtinës u dëgjua deri në Tiranë). Më vjen keq se me Anri Salën dhe Philippe Parreno-n, si zbatues të përpiktë, ka qenë pjellor. Narrativ dhe pa pikë risie, si vetë arti i tyre, por pjellor. Me Salën dekonstrukton tingullin në hapësirë, ndërsa me Parreno-n imazhin. Natyrisht nuk ka asgjë artistike; thjeshtë riprodhim leximesh filozofike të përcipta apo per-version i artit, tek i cili një herë e një kohë frymëzohej filozofia (Derrida, Deleuze), pra fluksi shkonte në kah të kundërt sepse burimi kuptimor, frymëzues bazik i filozofisë, vinte prej artit. Natyrisht në kohë kulturalisht të shkreta, si ajo që po kalon Evropa sot, nuk mund të pritet më shumë, por gjithsesi më vjen keq, për atë, por edhe për pëllitësit tanë të COD-it që ia bën muuuu.