“Dialog për të shkuarën” utopike në epokën e COD-ifikimit distopik. (Romeo Kodra)

Dje, përpara se të shkoja në pseudo-dëgjesën publike për ndërtimet teatrore që do të na dhurojë Rilindja, pasi të ketë asgjesuar Teatrin në tërësinë e tij, kalova “për të hedhur një sy” te protesta e studentëve/maturantëve kundër përndjekjeve skandaloze të qeverisë për të vrarë shpresën e vetme të një brezi: dijen.

Situata e trishtë e të përditshmes shqiptare, dhe aq më shumë ajo e ditës së djeshme, natyrisht nuk ishte ftuese për të qëndruar, pavarësisht atyre shpirtrave protestues rinorë që mbajnë gjallë thurimën e shthurur të kësaj shoqërie, e cila, pa ta, për mendimin tim do të meritonte kataklizma që as në fantazitë biblike nuk janë dëgjuar.

Nga një anë problemi i studentëve qëndron tek rezistenca, e lëvdueshme, dhe nga tjetra te qëllimi, aspak i lëvdueshëm, i kësaj rezistence: dëshira për t’u shkolluar në universitet shqiptare, në këto fabrika diplomash ku më së shumti studiohen jo libra shkencorë, por shënime profesorësh të lajthitur dhe përkthime wikipediane.

Në fakt, ky është problemi thelbësor i arsimit në Shqipëri, i cili, pa një reformë arsimore të bazuar mbi cilësinë pedagogjike, është tërësish i kotë (pra, nuk mjafton mbyllja e KRISTALËRAVE apo VETRINAVE). Por, fati i keq i brezave të rinj shqiptarë është sepse janë të kapur nga dara e një qeverie ultra-neo-liberiste (PD-ja dhe Rilindja janë mut i këtij trungu të vetëm familjar), që pompon përfitimet e universiteteve private (PA PËRJASHTUAR ASNJË), dhe nga profesorë dinosaurianë në universitetet publike, që për t’i parë të reformojnë katedrat e tyre duhen groposur bashkë me to. Dhe kur mendohet që studentët protestojnë të futen në këto halera, atëherë kuptohet se sa i aftë është kapitali ta devijojë problemin nga qendra nevralgjike ku mund dhe duhet të intensifikohen energjitë e studentëve protestues.

Lind pyetja, si ka mundësi që ndodh ky devijim i problemeve? Natyrisht kjo ndodh në mënyrë sistematike, pra është pjesë e funksionimit të makinerisë së kapitalit, kështu që edhe materializimi i devijimit është pjesë e automatizuar e sistemit në të cilin jetojmë, e sistemit, një herë e një kohë, kapitalist, sot ultra-neo-liberist.

Jetojmë në shoqërinë e kontrollit absolut. Dhe në Shqipëri, përtej vetëpëlqimit egoistik që mund të tingëllojë nga ky pohim, jemi në një nga laboratoret avangardë globalë të këtij sistemi. Dje, nga kjo pikëpamje, pata një nga shembujt më konkretë.

Pasi mbaroi seanca gang-bang e Karabushit kryeministror me pjesëmarrjen e të nënshtruarve të hareshëm të Operas, Teatrit dhe Baletit shqiptar, nën menaxhimin e pagabueshëm prostitucional të ndrikullës së Ministrisë së Kulturës, u ktheva në Bulevard për të parë nëse protesta e studentëve/maturantëve vazhdonte. Protesta kishte mbaruar. Por, duke dalë nga dera e Kryeministrisë, shoh një grup të rinjsh. Menjëherë m’u kujtua një e mail i orës 09.40 nga qendra e kodifikimit COD brenda Kryeministrisë, që më ftonte të konfirmoja praninë timë për një aktivitet që zhvillohej në ambjentet e tyre në orën 10.00 (?!?!?!).

Aktiviteti i COD, i të ashtuquajturës Qendër për Hapje dhe Dialog, titullohej “Dialog me të shkuarën” (natyrisht dialog i filtruar, mediuar dhe kodifikuar nga pushteti i Karabushit të Kryeministrisë) dhe konsistonte në një seri filmash që trajtonin të kaluarën, kuruar prej regjisores Iris Elezi. Të ftuar, “të rastësishëm”, për këtë takim të parë, ishin “studentët të Universitetit të Beratit”, të cilët do të mbanin vesh për diskutimet “interesante dhe të përpikta me realitetin e përditshëm ku jetojnë” të panelistëve Olsi Lelaj dhe Fabian Kati.

dialog-per-te-shkuaren

Por, ku dua të dal me këtë? Te devijimi i qartë. Fabula, që duhet të kuptojmë pas kësisoj aktivitetesh “të goditura” që na ofron largpamësia e pushtetit tonë “të hapur” për dialog, është se jo të gjithë studentët janë të pakënaqur nga palo-reforma e Rilindjes. Kapitali konjitiv, i specializuar tek perceptimi, që na përshfaqet dhe përfaqësohet sot nga Rilindja qeverisëse, kërkon – politikisht dhe mediatikisht – të tërheqë vëmendjen tonë (si dele që jemi) nga protesta e studentëve të pakënaqur. Si e bën këtë? Duke realizuar një takim mbi të shkuarën utopike. Por, përse bën pikërisht këtë tipologji aktiviteti? Për të devijuar intensifikimin e energjisë së protestuesve mbi realitetin distopik ku jetojmë (studentët më të mirë mbeten pa shkollë, ose u ofrohen si gjah i majmë ultra-neo-liberistëve të universiteteve private që t’i rrjepin sipas qejfit … më distopi se kaq!!! … edhe Orwell do mbetej gojëhapur!). Pra, kapitali, dhe Edi Rama si përfaqësues madhor i tij, po na flet: kujtoni të shkuarën utopike, dëshirat e investuara për diçka të paqenë si “komunizmi”, si sistemi që gjoja pretendonte të arsimonte të gjithë, pa qëllime përfitimi, por që shkollonte vetëm “komunistët” e besuar! Çfarë ironie eh!? Djali i Kristaq Ramës, deputetit të Kuvendit Popullor të kohës së diktaturës totalitare, pasi i është nënshtruar totalisht kapitalit, predikon mbi të shkuarën utopike për të tërhequr vëmendjen nga e tashmja distopike, ku jo vetëm shkollohen jashtë shtetit pjellat e elitave injorante dhe idiote që kanë mbushur Parlamentin, por u mohoet e drejta edhe atyre që me mund e djersë e kanë merituar atë copë shkollë. Ky është kapitali: konservatorizëm absolut dhe autoritar; frikë nga mendjet vetëmenduese; promovim i injorancës për të ruajtur status quo-në dhe klasicizmin e kontrolluar imtësisht!

Gjeniale! Gjenialitet sistematik! Imanencë dhe trashendentalizëm brenda sistemit. Trashendentalizmi përcillet biologjikisht nga prindi në pjellë. Imanente është dyfytyrësia e përhershme me të cilën pa turp predikojnë nga maja e plehut duke nxjerrë lloj-lloj fytyrash sipas interesit, por që përpikmërisht duhet t’i përshtaten makro-fytyrës së kapitalit. Kush kërkon një shpjegim më të saktë le të lexojë/shohë/dëgjojë, duke interpretuar me këtë qasje, videon Intervista, të Anri Salës, ku personazh kryesor kemi mamanë, ish-sekretare rinore e Partisë në pushtet tashmë e penduar deri në atë pikë sa të mos njohë veten  në imazhet e së shkuarës pa zë, të cilin e dëgjon falë një interpretuesi të buzëve shurdh-memec. (Uauuuu …paskëshim qenë të gjithë në trans kolektiv, si popull, dhe mamaja na përfaqëson të gjithëve, duke na parapërgatitur për stafetën e përfaqësimit binar në makro-fytyrën e re të të birit, gjeniut të kapitalit!!!)

sala_intervista

Por, duke lënë mënjanë pseudo-politikën dhe pseudo-artin që japin një ide ndryshe mbi interpretimin e sistemit ku jetojmë, duhet thënë se shumicës së studentëve protestues, me të cilët kam patur kontakte (dhe ju siguroj se atyre deri më tani nuk u duhen interpretues shurdh-memecë), nuk u plas fare për dialogun me të shkuarën, sidomos kur filtrohet, mediohet dhe kodifikohet prej kurvave distopiste që vazhdojnë zanatin e të parëve utopistë (Edi Rama autori i Refleksione-ve e di mirë këtë), thjeshtë duke ndërruar brekët e fëlliqta apo duke ngjyer Fasadat, Bunk’Artet e të tjera gjëra të bukura si këto. Studentët e dinë më së miri që fokusi i tyre është dhe duhet të jetë e sotmja, përndryshe pas 25 vjetësh do dëgjojnë kurva të tjera të flasin për kurvat e sotme pa u përqëndruar tek aktualja dhe realja.

Në mbyllje lindin disa pyetje: kur tendencën alienuese të kapitalit e di një student 20 vjeçar, a ka shanse të mos e dijë edhe, bie fjala, Iris Elezi apo panelistët e kodifikuar prej qendrës për hapje, shqyerje, hallakatje dhe diallogje Kavaje? A ka shanse të mos e ndjejnë sikletin e bashkëpunimit me qendrën kodifikuese të pushtetit edhe artistët që i lëpijnë menderen Karabushit kryeministror për të varur punët e tyre të fëlliqta në COD Center? A ka shansa të mos ndihet idiotësia e të folurit me kompetencë dhe duke dashur t’i ngjishen kuptime të shkuarës sonë utopike nga një platformë distopike si ajo e Center for Openness and Dialogue? A ka shanse ta injorosh deri në atë pikë sa të mos ndjeshë influencën e kontekstit në kuptimet e reja apo origjinale që pretendohen të jipen për atë të shkuar utopike? Dhe në fund a ka shanse të mos kuptohet perversiteti i angazhimit intelektual në të njëjtin front me pushtetin e sotëm pa u distancuar në kurrëfarë mënyre, madje përkundrazi, duke përfshirë edhe studentë, që do ishte mirë të ftoheshin të dilnin në protestë, dhe jo të dëgjonin përrallat nga e kaluara, sepse, nëse ka ndonjë gjë që duhet kuptuar nga e kaluara jonë utopike është pikërisht protesta ndaj pushtetit, kultura dhe kultivimi i ngritjes së zërit kundër padrejtësive?

P.S. Si gjithmonë pyetjet në këtë blog janë të hapura për përgjigje, pavarësisht se zakonisht ato të kësi soji mbeten retorike, siç i ka hije kontekstit skuthor ku jetojmë.