Draft Manifest: Transparenca në dhe si Kulturë. (Romeo Kodra)

Ministria e Kulturës, dje më 12/05/’14, publikoi on line thirrjen e dytë të këtij viti për projekt propozime. Duke qenë se më shumë se obskurantizëm tashmë sjellja e drejtueses së institucionit më të lartë kulturor në vend znj. Mirela Kumbaro-Furxhi i ngjan një talljeje kundrejt operatorëve të fushës, vendosa të hartoj një Draft Manifest për tu nënshkruar prej atyre që e shohin të arsyeshme të më mbështesin në këtë nismë nga poshtë.
Kam bindjen se asnjëherë ndryshimi ka ardhur prej politikanëve, por prej bazës së shoqërisë civile, e cila mban me taksat e saj këta parazitë fodullë që vegjetojnë prej kohësh duke tejkaluar cakun e përtypshmërisë.

Kupa u mbush dje me vënien në lojë të intelektit të operatorëve artistiko-kulturor që Ministria e Kulturës kryen, me një lloj pedagogjizmi abetaresk, kur specifikon në këtë thirrje kujdesin që pjesëmarrësit duhet të tregojnë në leximin e udhëzuesit që shoqëron formularin e aplikimit. Sipas MK problemi qenka “vëmendja e leximit”, “mosleximi i kujdesshëm” dhe “një mungesë e theksuar detajimi i projekteve” dhe jo qokat e Mirela Kumbaros, injoranca e nënpunësve të mesëm dhe të lartë sëbashku me drejtuesit e strukturave të gjinive të artit që vlerësojnë projektet. Për t’i nxjerrë në pah zbrazëtinë dhe lakuriqësinë e kompetencave administrative këtyre analfabetëve të lëmës së artit dhe kulturës, besoj se, si fillim, nuk do të ishte keq hartimi i një manifesti sensibilizues që do të mundësonte formimin e masës kritike për t’i bërë ballë problemit të shpërdorimit të taksave prej parazitëve.

Në këtë “Manifest të Transparencës në dhe si Kulturë” fokusi parësor është mbi aftësinë dhe qartësinë menaxheriale të projektuesve dhe përzgjedhësve të tyre që detyrimisht janë dhe duhet të jenë të ndërthurura me transparencën e etikës dhe praktikës së punës së gjithsecilit.

1. Nënshkruesi i këtij Manifesti impenjohet të publikojë on line projektin me të cilin ka fituar një fond publik menjëherë pas shpalljes së tij si fitues. Kjo bëhet për të mos lejuar talljen prej përgjegjësve të instancave ministrore të cilët me paturpësi deklarojnë se mbi projekt-propozimet apo platformat ekzistojnë të drejtat e autorit, kështuqë nuk mund të bëhen publike (Kujt i duhen të drejtat e autorit kur projekti është i aprovuar, vetëm mendja e gjenive të legjislacionit të MK e di!)

2. Nënshkruesi i Manifestit impenjohet të bëjë publike on line statutin dhe anëtarët e shoqatës në të cilën bën pjesë (nëse bën pjesë në një shoqatë). Kjo bëhet për të qartësuar pozicionin ndaj konflikteve të interesit me anëtarët e jurisë përzgjedhëse.

3. Nënshkruesi i Manifestit impenjohet të bëjë publike harkun kohor të zbatimit të projektit për të cilin ka marrë fonde publike si dhe të dokumentojë rezultatet e projektit në një raport përfundimtar, video, fotografi, etj. Kjo bëhet për të parë cilësinë artistiko-kulturore të operatorëve të financuar me fonde publike.

4. Nënshkruesi i Manifestit impenjohet të bëjë publike furnizuesit dhe bashkëpunëtorët në realizimin e projektit për të cilin ka marrë fondet publike. Kjo bëhet për të evidentuar higjenën dhe mohimin ndaj çdo ndërhyrjeje mafioze, qoke apo bakshisheve ndaj familjarëve ministror.

5. Nënshkruesi i Manifestit impenjohet të denoncojë mitmarrjen prej cilitdo subjekti publik apo privat. Kjo bëhet për të manifestuar sensin e etikës së qytetarisë dhe bashkëjetesës së ndershme në komunitet.

6. Nënshkruesi i Manifestit impenjohet, në rast dënimi për mitmarrje prej organeve të drejtësisë, të mos prezantojë kërkesa për financim apo mbështetje prej fondeve publike.

7. Nënshkruesi i Manifestit i kërkon Ministrisë së Kulturës publikimin e emrave të jurisë që përzgjedh projektet menjëherë pas shpalljes së projekteve fituese. Kjo bëhet për të parë aftësitë dhe njohuritë e jurisë në fushat e artit dhe kulturës për të cilat janë përzgjedhur si autoritet vendimarrës në politikat artistiko-kulturore të institucionit më të rëndësishëm në vend dhe lidhjet e tyre me fituesit.

Deri këtu them se një Draft Manifest të Transparencës në dhe si Kulturë është i mjaftueshëm. Por deri më datë 19 Maj 2014 jam i hapur ndaj sugjerimeve të lexuesve të këtij drafti të cilëve u intereson argumenti. Për sugjerime dhe info: transparencakulture@gmail.com ose http://www.aksrevista.wordpress.com

Sëfundmi parashikoj që ndonjëri prej operatorëve artistiko-kulturor mund të jetë në mëdyshje për publikimin e projekteve pasi mund t’i duket se po jep falas njohurinë e tij dhe po ndihmon “konkurrencën”. Personalisht nga kjo pikëpamje nuk kam çfarë të justifikoj në këtë zgjedhje që gjithsecili duhet të marrë individualisht, përveçse të nënvizoj një herë e përgjithmonë që nënshkruesi i këtij Draft Manifesti (nëse është dakort) duhet të perceptojë bashkë me autorin e këtyre rreshtave artin dhe kulturën si një të mirë të përbashkët, jo si mall për tu shitur dhe konsumuar ekskluzivisht; pra, si aktivitet për tu ndarë sëbashku në komunitet.

Duke qenë se fjalët i merr era, gjej rastin – meqë kam një formim akademik në Teori, Teknika dhe Menaxhim ta Artit dhe Spektaklit – të ofroj kontributin personal me ekspertizën time në shkrimin e projekteve për ata që kanë vështirësi, falas për një ditë, brenda muajit Maj 2014. Për këtë më duhen tre bashkëpunëtor (falas edhe këta) që ndihen të sigurtë në shkrimin e projekteve dhe duan të ndërmarrin këtë nismë për të ndihmuar operatorët e tjerë. Këtë gjë natyrisht duhet ta kishin ndërmarrë periodikisht dhe në mënyrë të programuar Ministria e Kulturës apo bamirësit e përfaqësive ndërkombëtare të pranishëm në Shqipëri gjatë këtyre 24 viteve të tranzicionit, por siç thashë ndryshimi nuk ka ardhur ndonjëherë nga lart (dhe mesa duket as nga jashtë), por nga poshtë (dhe shpresojmë nga brenda).

Për ta mbyllur i lutem lexuesve që të shpërndajnë sa më shumë në rrjetet sociale apo media këtë Draft Manifest dhe, nëse të interesuar, të kontaktojnë për të nënshkruar, për tu informuar ose për të sugjeruar. Ju faleminderit!