Arti, kultura, thurima sociale dhe mafia. (Romeo Kodra)

Prej kohёsh po mendoja tё shkruaja diçka mbi pёrzgjedhjen e projekteve fituese tё thirrjes sё Ministrisё sё Kulturёs dhe disa ankesa publike dhe jo-pubike tё bёra nga konkurrentё tё zhgёnjyer pёr moszgjedhjen e projekteve tё tyre. Nё mёnyrё direkte, apo tё nёnkuptuar, akuzohen pёrzgjedhёsit dhe Ministria e Kulturёs pёr paaftёsi, pёr mungesё transparence, pёr korrupsion; nё pak fjalё, pёr tendenza mafioze.

Kёto akuza janё tё rёnda nё mёnyrё tё dyfishtё. Sё pari, sepse adresohen ndaj njё institucioni publik qё rrjedhimisht dёmton imazhin e Shtetit shqiptar, dhe bashkё me tё imazhin e tё gjithё shqiptarёve. Sё dyti, dhe ç’ёshtё mё e keqja pёr mendimin tim, sepse i adresohen njё institucioni tё drejtuar nga njё person qё nuk vjen nga rradhёt e politikёs [prej politikёs pritet infektimi mafioz], por prej rradhёve tё shoqёrisё civile. Jam mёse i bindur qё pasardhёsit e ministres aktuale tё kulturёs, nёse do tё jenё tё rreshtuar nё rradhёt e partive politike, do e pёrdorin si alibi keqmenaxhimin e gjёsё publike prej znj. Mirela Kumbaro-Furxhi pёr t’i mbyllur gojёn shoqёrisё civile tё parreshtuar nёn vijat partiake, dhe pёr t’i demonstruar qё nuk ka alternativё tjetёr pёrveç rreshtimit partiak. Ky shkrim ёshtё edhe njё mёnyrё pёr t’i paraprirё kёtyre alibive.

Por, doja mbi tё gjitha t’i kthehesha tendecave mafiose pёr tё cilat akuzohet MK. Nёse lexuesi do tё kthehet me njё flashback nё kohё, do tё shohё ankesat e bёra publike nё media tё ndryshme nga operatorё artistiko-kulturorё gjatё 24 viteve tё tranzicionit dhe do tё konkludojё qё historia pёrsёritet. Madje ajo ёshtё kthyer nё njё lugё çorbe tё gёlltitur dhe tё vjellё e rivjellё sistematikisht pavarёsisht rotacionit politiko-partiak tё ekzekutivit. Por nga gjenerohen kёto tendenza mafiose?

Them, pa pretenduar pёrmbylljen pёrfundimtare tё argumentit, se kёto tendenca mafioze janё diçka mё shumё: janё tipare mafioze. Mafia ka dy dukuri nё kontekstin shqiptar. E para i pёrket njё matrice antropologjiko-kulturore, ku individёt – pikёrisht, pёr bindje antropologjike dhe kulturore – i besojnё mё shumё lidhjeve klanore sesa sensit tё qytetarisё, i cili vihet nё krizё dhe detyrimisht i hap rrugё mafias, e cila historikisht ushqehet nga lidhje klanore tё konsoliduara dhe ekskluzive. E dyta i pёrket njё matrice ekonomiko-financiare tё pёrqёndruar nё burimet ekonomiko-financiare tё sektorit tё artit dhe kulturёs qё frenon apo pengon zhvillimin ekonomik tё njё sektori gjithmonё nё rrezik tё stabilitetit financiar, tё cilit historikisht i ёshtё dashur tё rikrijojё mundёsi tё reja mbijetese nё ekonominё e njё tregu sa vjen e mё tё pasigurtё.

Tipi i parё i mafias ka dhёnё rezultate tё dukshme nё pёrzgjedhjet fiktive tё posteve ministrore dhe publike. Mjafton njё skanim i shpejtё i mbiemrave tё njohur nё administratёn publike, nё institucione/ndёrmarrje publike, apo universitete publike pёr tё patur njё ide tё pёrafёrt pёr impaktin nepotik mafioz pёr tё cilin po flas. Tipi i dytё i mafias ka dhёnё rezultatet e saj nё kanalizimin e burimeve ekonomiko-financiare gjithmonё nё duar tё operatorёve tё mirёnjohur qё kanё nё kurrikulumin e tyre situatёn artistiko-kulturore aktuale shqiptare gjithmonё nё periferi, apo totalisht e munguar, nё panoramёn artistiko-kulturore ndёrkombёtare. Nё kёtё kanalizim kanё ndihmuar me vetёdije edhe aktorёt e jashtёm (ndёrkombёtarё, evropianё, amerikanё, etj.) tё cilёve u bie mbi supe barra e rёndё e akuzёs sё njohurisё sё fakteve dhe kontekstit, qё i klasifikon si bashkёpunёtorё dhe ushqyes primarё tё kёsaj mafieje.

Nё rradhёt e tё zhgёnjyerve kam parё shumё miq me tё cilёt ndaj dhe besoj vlera, vizione, pasione. Kam parё tё panjohur tё cilёve u besoj ndershmёrinё dhe etikёn e punёs. Por, kam parё edhe plot tё improvizuar, oportunistё dhe rryshfetxhinj tё rёnё vaktit. Do tё doja qё njё ditё tё bukur tё ishte prej tё gjithёve, siç ёshtё pёr mua, i dallueshёm ndryshimi midis kёtyre tё zhgёnjyerve. Pёr kёtё kisha njё sugjerim.

Unё jam i bindur qё artikulimi politiko-institucional publik shqiptar aktualisht jep si rezultat shpёrbёrjen e thurimёs sociale, integritetin e saj tё copёtuar. Ndonёse nё sipёrfaqe politika shqiptare reflekton dukuri demokratike pёrkthimi i kёsaj politike nё terrenin social, nё sektorin artistiko-kulturor, reflekton vetёm dy alternativa: mafian dhe autoritarizmin politiko-institucional. Qё tё dyja plazmojnё me dhunё nga sipёr, jo vetёm individin, por edhe shoqёrinё. Falё udhёkryqit/rrethrrotullimit 24 vjeçar tё tranzicionit tё gjithё e kemi tё qartё kёtё.

Shumё miopё tё sociologjisё apo historisё artistiko-kulturore shqiptare kёtё plazmim e marrin pёr integritet sepse injorojnё tёrёsisht mekanizmat e brendshёm integrues tё njё shoqёrie demokratike. Kёto mekanizma janё shumё komplekse, por fillojnё nё mёnyrё tё pashmangshme me mekanizmin rregullator tё komunikimit dhe informimit midis aktorёve social. Mekanizmi rregullator i komunikimit dhe informimit midis aktorёve social ёshtё bazik pёr tё paraprirё efikasitetin e strategjive ndёrhyrёse mafioze nё gjёnё publike. Zbardhja e zonave tё errёta dhe obskurantiste hedh dritё mbi marrdhёniet mafie-shtet. Prandaj ёshtё e paanashkalueshme qё kritika (nёse intereson njё kritikё) ndaj Ministrisё sё Kulturёs (dhe ndaj tё gjitha institucioneve publike apo private) duhet pёrqёndruar nё kёrkesёn e transparencёs, bazё e çdo demokracie. Demokracia ёshtё (ende!?) sinonim i aksesit nё informacion dhe dije.

Kёshtu pra mund tё fillohet me kush janё pёrzgjedhёsit e Ministrisё sё Kulturёs? Cilat kompetencat e tyre? Cilat kriteret e pёrzgjedhjes? Pse nuk bёhen publike (nё detaje) projektet-propozimet fituese? Pse nuk bёhen publike (nё detaje) vlerёsimet e pёrzgjedhёsve?

Kjo transparencё shfaq njёkohёsisht aftёsinё, e ballafaquar, tё pёrzgjedhёsve dhe tё konkurruesve, si dhe eleminon mundёsinё e ndёrhyrjeve korruptuese mafioze tek institucionet artistiko-kulturore. Por, kjo nuk vlen vetёm pёr Ministrinё e Kulturёs. Kjo transparencё vlen edhe pёr aktorёt e tjerё social. Vlen edhe pёr ata tё zhgёnjyer tё cilёt vetёm pas kёsaj transparence mund t’i lёnё vend vetes pёr ankesa dhe kritika publike. Nuk di p.sh. sa prej tyre bёjnё publik raportin financiar vjetor. Ёshtё blasfemi tё bёhet njё gjё e tillё? Po sikur tё bёhen publike dokumentat e çdo konkursi publik, tё pjesёmarrёsve dhe tё organizatorёve?

Unё besoj se njё aktor social qё operon nё sektorё me interes publik e ka pёr detyrё t’i bёjё me dije publikut aktivitetin e tij ekonomiko-financiar dhe procedurat e punёs sё tij, pёr t’i demonstruar aftёsitё dhe etikёn qё ka nё themel tё praktikёs sё tij operative. Dhe nuk pёrbёn arsyetim pёr tё mos bёrё njё gjё tё tillё fakti qё nuk kёrkohet me ligj njё procedurё e tillё. Personalisht kam bindjen se shqiptarёt meritojnё mё shumё sesa politikanёt qё kanё qeverisur dhe degdisur nё kёnetёn aktuale artin dhe kulturёn e tyre pёrgjatё rrethrrotullimit tё tranzicionit. Ndryshimi nuk ka ardhur kurrё – nё demokraci apo diktaturё qoftё – nga politikanёt. Kёshtu qё nuk duhet pritur ligji dhe ligjbёrёsit pёr tё qenё transparent dhe pёr ta kthyer kёtё transaparencё nё etik pune. Shoqёria civile, prej sё cilёs pёr fat tё keq vjen edhe ministrja aktuale e kulutrёs, meriton dhe mundet tё bёjё mё shumё pёr tё paraprirё kontaminimin e thurimёs sociale nga fenomene tё tipit mafioz apo paramafioz. Vetёm kёshtu aktorёt artistiko-kulturor qё operojnё nё njё sektor me interes publik tё shoqёrisё civile shqiptare mund tё shndёrrohen nё integratorё tё vёrtetё tё thurimёs sё brishtё sociale tё kёtij vendi.