Dinamizmi “kubist” i realitetit kryeqytetas në veprën e artistëve të ftuar në rezidencën e TICA-s. (Romeo Kodra)

   Që jemi gjithsecili “qeveri më vete” këtë çdo ditë na e pohojnë pejsazhet urbane të qyteteve tona. Tirana si kryeqytet jo vetëm që nuk i shmanget këtij pohimi, por nuk rresht në asnjë segment të mikrokozmosit të saj pa na e përplasur syve. Ky pohim është paralelisht i anasjelltë me buliminë tonë konsumeriste urbanistike, arkitetonike, madje edhe artistike.

   Evidenca e fakteve demonstron se në kontekstin tonë pak artistë, edhe më pak arkitektë dhe thuajse asnjë urbanist, që kanë patur rastin të ushtrojnë profesionin e tyre “në terren” – pra duke u përfshirë në “gjënë publike” – kanë patur edhe ndjeshmërinë dhe/apo përqëndrimin e duhur për tu sintonizuar me gumëzhitjet rënkuese të qyteteve në të cilat jetojnë.

   Teoria e “qeverisë më vete”, produktet e haluçinuara të së cilës bëjnë të duken si gjetje diletantësh perspektivat kubiste të një Picasso-je apo Braque-u, ka hedhur rrënjë të thella tashmë, dhe ato pak filiza jashtë teoremave të saj duken si uji i freskët në këtë shkretëtirë mbizotëruese të reales.

   Një ndër këto filiza të freskëta ishte edhe ekspozita e mbylljes së artistëve të ftuar në rezidencën e TICA-s (Tirana Institute of Contemporary Art): shqiptarja Anila Rubiku, zvicerjanët Su&pe (Susanne Schär dhe Peter Spillmann) dhe austriaku Wendelin Pressl.

   Pak mund të them për punën e Anila Rubikut, duke qenë se mesa duket është në vazhdim dhe e papërfunduar. Por zgjedhja e saj për të punuar dhe ndërvepruar brenda institucioneve penitenciare me banorët e kësaj bote jashtë bote është një nga idetë më sygjestionuese të artit në epokën bashkëkohore. Mjafton të shihet thjeshtësia dhe impakti direkt i disa prej vizatimeve të ekspozuara – të realizuara prej subjekteve të dënuara me heqje lirie – për të kuptuar që arti nuk njeh kufij apo pengesa prej kushteve shoqërore, formimit arsimor apo të çdo lloji tjetër.

   E njëjta thjeshtësi elementare dhe delikate karakterizonte punën e çiftit zvicerjan Su&pe. Filtri ndjesor i përshtypjeve të tyre tiranase transmetonte të gjitha emocionet, kureshtjen dhe habinë ndaj kontekstin tonë ekstrem. Ekstrem siç ndodh të jenë ndonjëherë ekstremisht të kthjellta disa ditë të vjeshtës në kryeqytet; ekstrem si boom-i ndërtimeve të epokës së tranzicionit tonë të pafundë; ekstrem si larmia e lojërave të fatit: BINGO!

   I sintonizuar në të njëjtat frekuenca ishte edhe Wendelin Pressl që me aparatin e tij vëzhgues ndërhapësinor “Observatory” na projektonte murin përpara hundës si të ishte sipërfaqja e Hënës. BINGO! Edhe një herë. Nga tendencat bajate të emërtimeve që projektojnë ëndërrat tona (me sy hapur) drejt Universit, Botës, Amerikës, Evropës, një artist pa fjalë, në mënyrë krejtësisht anti-spektakolare, me një varfëri dhe thjeshtësi mjetesh na tregon udhën drejt një mikrokozmosi autokton tejet sygjestionues, por që s’rresht së denoncuari përdhosjen dhe degradimin e përditshëm.