Gjuha “e dëlirë”. (Romeo Kodra)

Në gazetën Shqip on line po lexoja një intervistë të Ardian Vehbiut dhënë Alda Bardhylit. Tema ishte “standarti i shqipes”, e cila vinte si stimul prej Seminarit për Gjuhën dhe Letërsinë që mbahet në Prishtinë http://gazeta-shqip.com/lajme/2015/08/27/zerat-per-ndryshim-te-standardit-politike/.

Po shkëpus një pjesë të shkrimit që m’u duk i kthjellët dhe problematik në të njëjtën kohë:

“Në vitet 1960-1980, shqipes së lëvruar iu amputua gegërishtja letrare, kinse për hir të njësimit, por në fakt për arsye politike dhe ideologjike; kjo na kushtoi shumë shtrenjtë të gjithëve. […] Për fat të keq, pas 1990-s, të gjithë ata që i kishin mundësitë dhe përgatitjen për të rikuperuar shumëçka nga kjo traditë, parapëlqyen të bëjnë zhurmë politike, për rishikimin e standardit; ose humbën kohë me rivendikime dhe argumente populiste, të fokusuara në dialektin dhe në objekte të tjera të një këndvështrimi romantik ndaj gjuhës. Kjo ngjarje e rëndë për kulturën kombëtare që ishte represioni shpesh i dhunshëm i shkodranishtes letrare, erdhi dhe u shfrytëzua si pretekst – do të thoja me cinizëm – për të kërkuar amatorisht ndryshimin e standardit, si një formë dëmshpërblimi “kulturor”. Sikur të mos mjaftonte kjo, standardit pas 1990-s i humbi edhe prestigji, si variant gjuhësor “zyrtar”, ose i mbrojtur nga shteti; dhe nëse mbijetoi, kjo ndodhi për shkak të inercisë. Në këtë kuptim, shqipes së shkruar i ka munguar, të paktën këto 20-25 vjet, një autoritet i besueshëm dhe i respektuar nga palët, tek i cili të ankorohet standardi si sistem rregullash relativisht të detyrueshme, sidomos në rrafshin e shkruar; dhe këtu ka fajin e vet edhe shkolla, edhe në Shqipëri, edhe e sidomos në Kosovë (më gjerë të gjitha këto i kam trajtuar në librin me ese “Fraktalet e shqipes”, Çabej 2007). Sikur të mos ishte për kanalet televizive me përhapje kombëtare, publike dhe private, situata do të kish precipituar krejt, sepse shkolla nuk arrin dot të imponojë ndonjë respekt për normën. Nga ana e vet, regjistri i shqipes së folur ka ndryshuar në mënyrë dramatike, për shkak të lëvizjeve të popullsisë dhe migrimit të brendshëm, shndërrimit të Tiranës në një “melting pot” mbarëkombëtar, ndikimit rrafshues të televizionit dhe shumëfishimit të elementit me prejardhje gege, veçanërisht nga Kosova, në televizion dhe në kulturën pop. Gabimi që bëjnë shumë studiues, opinionistë dhe propagandistë (këta të fundit me qëllim) është se vitalitetin e regjistrit të folur duan ta shfrytëzojnë si platformë për të markuar territore të reja në standard, ose për ta “xanun” edhe shqipen e shkruar.”

Leximi që i bën Vehbiu kontekstit është i qelibartë. Edhe profanët, ashtu si njerëzit me ndershmëri intelektuale, e kanë kuptuar me kohë që regjimi i Enver Hoxhës kishte në qëllimet e tij represionin e një lloj “shkodranishte” (e quan Vehbiu) që perceptohej dhe perceptohet (sëpaku prej meje) si një thesar i gjuhës kishtare, dhe metafizike do të shtoja, të cilën ende nuk kemi mundur ta ripërvetësojmë. Thashë profanët e kanë kuptuar, por jo “intelektualët”. Këta të fundit janë në pritje të dëmshpërblimit “kulturor”, si ish të persekutuarit. Dhe duke patur disa dijeni të prekshme mbi jetën e të persekutuarve doja të sqaroja një aspekt që në dijeninë time pak e kanë prekur.

Të persekutuarit nuk do të mund të dëmshpërblehen. Fjala në këtë rast denoncon folësin, pra shtetin, pra pushtetin, pra pushtetin e shumicës, pra, si një herë e një kohe, pushtetin “demokratik” dhe “popullor” tashmë i shndërruar në populist. Ato, që shteti pushtet i quan dëmshpërblime, janë ndihmë ekonomike për mbijetesë, në më të mirën e rasteve. Dëmi, që i është shkaktuar të persekutuarve, nuk shpërblehet më! Për këtë duhet ta flemë mendjen. Po kështu edhe për gegnishten, të cilën shumë intelektualë të persekutuar e flisnin. Nuk mund të shpërblehet më! Mundet vetëm të ndihmohet për mbijetesë. Dhe keq më vjen ta them, por nuk duhet t’u shkojë kjo ndihmë për mbijetesë “studiuesve apo intelektualëve” të zellshëm për dëmshpërblime, por poetëve, shkrimtarëve. Këta të fundit janë “A-ja” e projektit të ripërvetësimit të gegnishtes, ashtu si të çdo gjuhe tjetër.

Fishta ka vdekur. Dhe do vdesë gjithnjë e më shumë nëse nuk do të stimulohet një pasardhës i tij të krijojë e të luftojë me gjuhën e Fishtës. Gjuha është gjithmonë e “xanun” dhe gjithmonë na “xen” me pushtetin e saj, madje deri në atë pikë sa nuk lejon më gjë tjetër veç esencës së vetevetes: pushtetin. A nuk po flasim në fakt për pushtet? A nuk po flasim për karrieristë të posteve akademike? A nuk po flasim për akademi, institute albanologjike, qendra pompoze si institucione të boshatisura dhe të përthara shkencërisht? A nuk po flasim për (dëm)shpërblime votash nëpërmjet këtyre institucioneve të zbrazura që i rreshtohen pushtetit politik, sa herë ky i fundit ka nevojë, duke u maskuar pas zellit gjuhësor?

Pra sërisht, për mendimin tim, po nuk pati donkishotë të rinj si Fishta, Prenushi, Harapi, Koliqi, Camaj, Pashku, Pipa, Shllaku apo Gjeçi, të cilët Vehbiu përmend, po nuk u ndihmuan në mbijetesën e tyre për të krijuar dhe luftuar me dhe kundër gegnishtes në përditshmërinë e tyre, vetë gegnishtja do të vazhdojë të kristalizohet e vdesë në esencën e pushtetit të vetvetes, si çdo gjuhë, dhe ne do të vazhdojmë të humbasim thesaret e saj.

Ndërsa për kanalet televizive, publike apo private, që Vehbiu i sheh si fashues së plagës hemorragjike të shqipes së standartizuar, unë i shoh si asgjesues të thesarit të shqipes. Nëse shkollat, këto 25 vitet e fundit, siç thotë Vehbiu, nuk kanë luajtur rolin e tyre në përhapjen e njëtrajtshme të standartit duke punësuar p.sh. votues partiak si mësues të padenjë apo të paaftë, ai, për mendimin tim, paçkase tmerrësisht i dëmtuar, arrin të ripërvetësohet dhe asimilohet në një farë mënyre prej përdoruesve/nxënësve të shqipes së standartizuar. Në mos për gjë tjetër për vetë faktin sepse pushteti i mësuesve përkundrejt nxënësve artikulohet apo performohet – deri në vënie në diskutim – në mënyrë të menjëhershme dhe të përditshme. Kurse marrdhënia e televizionit me teleshikuesin, ndonëse po aq e menjëhershme dhe e përditshme, është aktive vetëm nga njëri skaj: ai i pushtetit, idiotesk dhe topitës do e quaja, të masmedias. Kam përshtypjen se opinioni i Vehbiut në këtë rast është i cytur në mënyrë indirekte nga një pushtet politiko-masmediatik – i formatit Top-Channel/KlanTV – që prej kohësh vetëshpall e vetëlavdon pa kurrëfarë të dhënash faktike dhe konkrete këtë “të mirë që i paskan bërë kombit” kanalet televizive kombëtare. Reklamat më të ndyra në kanalet televizive që mbulojnë hapësirën kombëtare, dhe sa reklama të ndyra ka në kanalet televizive kombëtare e di vetëm shpirti ynë, janë ato që i mëshojnë opinionit të gënjeshtërt të bashkimit kombëtar, të cilin do e cilësoja si mashtrim kombëtar. Në fakt çdo komb apo ide kombëtare i/e nënkuptuar si bashkim është një mashtrim. Që kur kanë lindur kombet dhe idetë kombëtare nuk kanë bërë tjetër gjë veçse kanë ndarë dhe jo bashkuar.

Dua ta mbyll me një “hosana” për Vehbiun:

” – Alda Bardhyli: Komunizmi, çfarë ishte për gjuhën?

– Adrian Vehbiu: Në vend se për “komunizëm”, do të flisja më shumë për “regjim totalitar” – duke shtuar se ky regjim u përpoq që edhe ligjërimin publik shqip ta vinte në shërbim të ideologjisë dhe të synimeve të veta për të manipuluar masat. Kjo e drunjëzoi ligjërimin publik dhe, me kalimin e kohës, përçudnoi edhe subjektet e ligjërimit – deri në atë shkallë sa t’ua bënte të pamundur lirinë e të shprehurit. Nëpërmjet aparatit të saj propagandistik dhe trysnisë sociale ndaj qytetarëve të vet, regjimi u përpoq dhe shpesh arriti që t’i detyronte subjektet publike t’i nënshtroheshin krejt shqipes së përpunuar në ofiçinat totalitare, duke e shndërruar kështu komunikimin publik në një ritual riprodhimi të përkatësisë politike dhe të besnikërive ndaj pushtetit.”

Përdorimi shpërfillës dhe i hallakatur i fjalës “komunizëm” është një “drunjëzim i ligjërimit publik” që një “regjim totalitar” përpiqet ta vërë “në shërbim të ideologjisë dhe synimeve të veta për të manipuluar masat” duke “përçudnuar edhe subjektet e ligjërimit”. Shkurt: lectio magistralis.