BARTELBY NË PROTESTË PËRPARA KRYEMINISTRISË DHE ‘CHEMICAL BROTHERS’ (Romeo kodra)

Kriza politike e retorikës dhe retorike e politikës këto ditë të nxehta nëntori po na shfaqet në gjithë qartësinë e saj. Shihet qartë tek kryeministri Rama, shihet tek mënyra e të artikuluarit të diskurit të tij të lëkundshëm duke qenë se mbështetet në një retorikë boshe që kërkon të fitojë kohë kur kohë nuk ka, kur koha nuk ekziston, kur ekzistenca si qenie refuzon kohën. Të rinjtë e sheshit para Kryeministrisë kanë se ç’t’i mësojnë nga kjo pikëpamje.

Kryeministri e di që zgjedhja është një jo-zgjedhje, e ndjen në mish, në shpirt, e ndjen në atmosferën që e rrethon: një atmosferë që i merr frymën. Shihet qartë tek z. Rama vështirësia e pamëshirshme e të mësuarit përmendësh letrën e diskurit të tij të shkruar tjetërkund, nga tjetërkush: në dyert e hekurta të Ambasadës së rrugës së Elbasanit. Frymë/marrja gjatë deklaratave për shtyp i mjafton vetëm për oksigjenimin e gojës, deri diku të mushkërive, por jo të trurit. Zoti Kryeministër flet duke ditur që po flitet nga dikush tjetër, nga gjuha e tjetrit, nga diskuri i Big Brother-it tonë made in USA.

Shpresoj që z. Kryeministër të mos këtë pësuar shgënjimin e rradhës në këto ditë të nxehta nëntori. Shpreoj që z. Rama të mos ketë kujtuar se Big Brother-it do t’i mjaftonte antiçegevarizmi i deklaruar haptazi në përvjetorin e parë të vrasjeve të 21 Janarit, në 2012, kur nga podiumi mohonte një ikonë të së majtës mbarëbotërore. Duke mohuar Che Guevara-n zoti Rama besoj se e ka kuptuar që po bënte një kapërcim 180° në rrafshin e politikës … apo jo? Ndoshta Kryeministri duke dashur t’i flasë portës së hekurt të Ambasadës së rrugës së Elbasanit kapërceu i shtyrë nga entuziazmi një cak që e bën të luaj një lojë politike në një fushë tjetër, tërësisht djathtas. Shpresoj që zoti Kryeministër ta ketë kuptuar që me atë akt simbolik (‘nuk jemi çegevaristët e Amerikës Latine’, thënia e tij, është një pozicionim simbolik dhe politik i mirëfilltë) po bën një politikë të majtë të shprishur. Edhe pse reformat që po ndërmerr janë më pak të djathta se të qeverisë informale (jo-qeverisëse) Berisha, duke mohuar simbolet Kryeministri duhet të kuptojë se po heq rrënjët e idealeve, po shkëputet nga ideologjia, nga logjika e ideve. Po bën pra një politikë skizofrenike duke predikuar majtas në një fushë të djathtë dhe kjo s’është tjetër gjë veçse shfaqja konkrete e një politike tautologjike dhe entropike.

Kryeministri Rama në një interviste të pak kohëve më parë dhënë një gazetari francez shprehte vullnetin e tij për të hyrë në Historinë (Histerike) shqiptare. Nuk tha se për çfarë motivi. Duke ditur se historia përbëhet në më të shumtën e rasteve nga monstra, mishi më ngjethet. Nuk na mbetet veçse ta mbajmë nën vrojtim konstant, ta vëzhgojmë në çdo lëvizje politike që ndërmerr, ta analizojmë në detajet më të imta të diskurit të tij tëhuajzues dhe të tëhuajzuar.

Te flasësh është një akt pushteti, por kur e ndjen që është pushteti që të flet kjo kthehet në një pakënaqësi që shprish gjakun, shpirtin, mendjen, esencën e të qenurit njerëzor. E përsëris edhe një herë: besoj se z. Rama e ndjen këtë, por për mua dhe për çdo shqiptar të përfaqësuar nga të rinjtë e sheshit para Kryeministrisë është thelbësore që të mos alienohemi, tëhuajzohemi nga një e ardhme ekologjikisht dhe biologjikisht e sigurt, kështuqë është e pamundur – për nga vlera që ka – t’i lihet në dorë ekskluzivisht z. Rama apo kujtdo prej politikanëve tautologë shqiptarë.

Në terrenin e fjalës nuk ka vend për asnjë pafajësi, për asnjë siguri. Kush flet ka pushtet dhe pushteti e flet. Për Jacques Lacan fjala na flet, siç flet Kryeministrin Rama fjala e tjetërkujt nga tjetërkundi i rrugës së Elbasanit. I rëndësishëm është vetndërgjegjësimi mbi këtë çështje dhe mbi të gjitha duhet reaguar, fizikisht, me trup dhe shpirt në sheshin përpara Kryeministrisë për të thënë JO! Njësoj si melville-iani “Bartelby the scrivener” të cilin e rekomandoj për lexim … në fund të fundit jam pro-amerikanë edhe unë.

P.S.1 Dje mu bë qejfi edhe për reagimin e të rinjve të sheshit të Kryeministrisë ndaj vejushave të luftës së humbur të pushtetit, Berisha-Basha apo BeriBasha. Do të kisha dashur të kisha qenë aty në këtë event që demonstron qartësisht se protestuesit janë shumë më përpara se politikanët dhe se ‘delet’ e vërteta janë këta të fundit që kanë shitur gjithçka për pushtetin e kukullave.

P.S.2 Nuk më pëlqen muzika huose por ‘Chemical Brothers’ dhe Big Beat-i i tyre janë perfekt për këto ditë të nxehta nëntori.