Migjeni … Thesaret. Pjesa II. (Romeo Kodra)

Gjithmonë më ka tmerruar pyetja shkollore “Ç’ka dashur të thotë autori me veprën …?”. Jo prej frikës, por për shijen pështjellosëse prej llapaje spitalore që të linte përgjigjia; një përgjigje papagallizuese e përgatitur, paraprakisht ad hoc, prej mësuesve.

Pyetja në orën e “leximit” apo “letërsisë” ishte e të njëjtit rend funksional, si shumë pyetje të tjera shkollore, të cilat i përkisnin lëndëve shkencore, racionale, utilitariste me të cilat nxënësit përgatiteshin për jetën. Në orën e “diturisë natyrore” apo “biologjisë” ajo përkthehej: “Çfarë i marrim lopës?” Për përgjigje, prej bangave të klasës, një tufë e ngritur duarsh dhe gojësh cicëruese “Mse!, Mse!, Mse!” mezi prisnin të jepnin cliché-në: “Prej lopës marrim qumështin, brirët, lëkurën, mishin madje edhe kockat.” Për këto të fundit, për kockat, urtësia e gjysheve na thoshte se “i joti t’i ruan, pavarësisht se mishin ta ha”; dhe me këtë e kishim të qartë se lopa nuk ishte nga “tanët”.

Me këtë botëkuptim racional, utilitarist, jemi mësuar të konceptojmë dhe fusim edhe “autorin”. Çfarë i marrim autorit? Mishin? “Autori” ka vdekur, thotë Roland Barthes. Gojët cicëruese i ushqejmë me kufoma, me brezat e rinj rrisim nekrofagë të së ardhmes. Kockat, nëse është nga “tanët”, ja ruajmë. Nëse jo, Partia – në emër të turmës popullore – di ku t’ja degdisi pa i lënë as nam e as nishan.

Ndoshta dola tepër herët nga metafora; ndoshta “autorit i marrim qumështin/veprën”. Por cilën vepër? Nëse marrim si shembull Migjenin, cilën vepër qumështore marrim prej tij? I marrim versionin e Ardian Klosit dhe “Poemën e mjerimit” të kopsitur për fushatën e zgjedhjeve të “kryetarit ndryshe” (“Edi Rama për bashkinë e Tiranës” – Formuloi: A. Klosi, K&B, Tiranë, 2003.)? Si mund të politizojmë dhe të prostituojmë me “Poemën e mjerimit”, kur rrugët e Tiranës në 2014 ende janë të mbushur me “lypsa”, me “fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes, / të mbetunat e flliqta rrethepërqark tryezës / mbi të cilën hangri darkën një qen i pamëshirshëm / me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm.”

femite e padijes dhe flite e perbuzjes

femite e padijes dhe flite e perbuzjes

Si mund të politizojmë e prostituojmë me të, kur Shqipëria në 2014 është ende plot me atë lloj mjerimi që “ka i her i ka faqet e lustrueme, / buzët e pezmatueme, mollzat e ngjyeme, / trupin përmendore e një tregtis së ndytë / që âsht i gjikuem të bijë në shtrat vet i dytë; / dhe për at shërbim ka për të marrë do franga – / ndër çarçafë, ndër fëtyra dhe në ndërgjegje danga.”

...ne ndergjegje danga.

…ne ndergjegje danga.

Pra, ç’ka dashur të thotë Migjeni me veprën …? Ç’ka dashur të thotë një autor i vdekur me një vepër të prostituueshme për nevojat politike të politikanit të radhës (Me Migjenin e kishte provuar edhe Enver Hoxha, natyrisht në mënyrë të pjesshme, të parcelizuar)?

Një lexues idiot, i veçuar dhe veçues, i parcelizuar dhe parcelizues (sipas etimologjisë greke “idiotes”), që lexon veprën në një kohë dhe hapësirë, i përgjigjet pyetjes së shtruar në një kohë të shkuar, në një kohë të kryer, që e ka thënë të vetën një herë e përgjithmonë. I përgjigjet nëpërmjet kohës dhe hapësirës së vet idiote, të veçuar dhe veçuese, të parcelizuar dhe parcelizuese. Një përgjigje egoistike, ajo e idiotit, jo përtej hundës së vet, jo përtej utilitarizmit të menjëhershëm hic et nunc, jo përtej nevojës politike të joshjes së tyrmave qytetare/polis. Një përgjigje e robëruar nga KRONOS-i grek, nga koha e nevojave të menjëhershme që qetësojnë dhe restaurojnë ankthet shoqërore pre të fantazmave të turmave (“çdo fantazëm është fantazëm turme” – Deleuze). Një përgjigje, ajo e idiotit, që nuk ka këllqe për të përpallur pyetjen në perspektivën e AION-it grek, në kohën e të gjitha kohërave, në kohën përtej kohës/kronos-it, në kohën universale ku na shtyjnë impulset e dëshirave tona të parealizuara.

Migjeni flet dhe thotë përtej hapësirës dhe kohës së vet, përtej kufirit që koha dhe hapësira përcaktojnë. Migjeni flet përtej vetvetes, dhe pikërisht për këtë motiv është i pavdekshëm, përtej metaforës së inflacionuar nga idiotizmi kronologjik i përditshmërisë.

“Mjerimi s’ka gëzim. Por ka vetëm dhimba, / dhimba paduruese që të bajnë të çmendesh / që t’apin litarin e të shkojsh fill’ e të varesh / ose bahe flî e mjerë paragrafesh.”

Migjeni flet dhe thotë përtej egos së vet, sepse edhe tek ajo “bëhet fli e mjerë paragrafesh” përsëri mjerimi, të cilit autori duket se i mban krahun. Migjeni e di që flet e thotë nga qarku i gjakshmërisë biologjike të organizuar në sistem, ku edhe ai vetë bën pjesë; flet dhe thotë nga një sistem biopolitik në të cilën jemi planifikuar sot e kësaj dite të vegjetojmë.

Prostituimi politik këtë nuk mund ta thotë, sepse nuk mund të pohojë alienimin total që sjell fjala e cila demaskon gjatë gjithë kohës idiotësinë e “kuptimit të fjalës” si diçka e dhënë dhe mirëqenë, dhe aq më tepër e transmetueshme prej dhe për pushtetit/in politik të turmës. Prostituimi politik kërkon të ruajë iluzionin e të vërtetës nën fjalë, sepse me të – dhe vetëm me të – mund të restaurojë egot e gjymtuara. Prostituimi politik nuk mund të heqë maskën e tij teatrore, nuk mund të demaskojë dhe të heqë nga skena fasadën e egos së restauruar me aq mund. Thjeshtë sepse nuk është teatër i vërtetë, nuk është art i vërtetë. Thjeshtë sepse nuk mund të pranojë për arsye morali elementin tragjik të pranimit të prostituimit të cilin teatri dhe arti pranojnë dhe me të cilin arrijnë sublimen universale.

Politika dhe sistemi ku jetojmë nuk rresht sot e kësaj ditë të na ofrojë llapanë pështjellosëse spitalore: Ç’ka dashur të thotë autori?, Ç’ka dashur të thotë vepra e tij?, Ç’qëllim ka arti i tij?, Ç’arsye?. Nga arti të gjithë kërkojnë një kuptim, një impakt shoqëror me sa më shumë turma, masa popullore; mjafton të shohim thirrjet e fondacioneve financuese, institucioneve publike dhe private. Po Migjeni ç’thotë?

“Për një kohë të shkurtë shndrroi faqen shteti X. Arti i frymzuem dhe i punuem mbas reçtave të Parisë, shndrroi shtetin në një muzeum artistik. Ishte triumfi i reçetës! Ose triumfi i artit me qëllim! E qëllimi i mrrinte dalngadalë por me siguri. Kur shndrroi faqen Shteti, zunë të shndrrojnë trajtat dhe shpirti i nënshtetasve.” – “Novela mbi krizë”.

Arti për Migjenin – siç shihet në këtë “Novelë [të vjetër] mbi krizë” – nuk ka qëllim, aq më pak qëllim social. Kjo natyrisht bie ndesh me moralin borgjez që padyshim revoltohet nga mosdhënia e kuptimit, edhe në art, sistemit të planifikuar në të cilin vegjeton. Revoltohet me mosarsyen që arti i shfaq nën logjikën e të mjerëve, e prostituimit universal të fjalës, me mosarsyen e minoriteteve, e periferive që arsyeja borgjeze ka krijuar aq natyrshëm në ekosistemin e saj shoqëror.

Ky është thesari më i madh i Migjenit që paradoksalisht humbas së gjenduri apo gjendem së humburi.

Së shpejti me thesare të tjera.

P.S. Tek përfundoja shkrimin pata një tundim për të thënë se si materializohej ky thesar i Migjenit dhe si mund ta gjenim (Mi Gjeni! – na e kërkon autori), të gjithë bashkarisht si lexues në vetën e parë shumës. Për t’u kuptuar po marr përsëri shembullin e lopës. Prej lopës marrim edhe bajgat, jashtëqitjen, fekalet me të cilën plehërojmë tokën për ta pasuruar. Kushedi edhe Migjeni – porsi një paraprirës i Piero Manzoni-t dhe “Mutit të Artistit” të konservuar në kuti gati për konsum në tregun e artit – nëse merret kështu, me gjithë fekale, me gjithë esencën e tij anti-utilitariste dhe të jashtëqitur, mund të na pasurojë terrenin e shkretë të mendjeve. Natyrisht për këtë na duhet t’i themi lamtumirë egos. Ndoshta shija është më pak pështjellosëse se kovat e mbushura me të cilat na kanë restauruar dhe vazhdojnë të na restaurojnë fasadën e egos sonë politikanët e radhës.