Emigracioni lombard midis italianëve “të vjetër” dhe “të rinj”. (Paolo Barcella)

Lombardia dhe migracionet: grimca historike.

Zona e Lombardisë ka një histori të pasur e të ndërlikuar lëvizjesh njerëzore. Që në fillimet e epokës moderne banorët e sistemeve të ndryshme migratore kanë qenë të angazhuar në zhvendosje me rreze të shkurtër, të mesme apo të gjatë: herë rrugëtimet e tyre ezauroheshin brenda rajonit e herë drejtoheshin jashtë kufijëve të tij aktual. Një përqindje e konsiderueshme e këtyre flukseve zhvillohej përgjatë harkut alpin ku krijohej një «përqëndrim eksperiencash dhe praktikash që shkojnë nga emigracioni artistik dhe sipërmarrës tek ai artizanal dhe zejtar, nga ai i tregëtisë së vogël ambulante e deri tek ai i mjerimit të lypjes» [LUIGI LORENZETTI – RAUL MERZARIO, Il fuoco acceso. Famiglie e migrazioni alpine nell’Italia d’età moderna, Donzelli, Roma, 2005, fq. VIII]. Lëvizja nga malet ndiqte dinamikat e veta, me qarkullime, nisje dhe rikthime pak a ashumë të rregullta, që mundësonin transfermin e parave dhe kapitaleve nga qytetet në zonat periferike [DIONIGI ALBERA – PAOLA CORTI, La montagna mediterranea: una fabbrica di uomini? Mobilità e migrazioni in una prospettiva comparata (secoli XV-XX), Gribaudo, Cavallermaggiore, 2000]. Megjithatë, në epokën moderne, lëvizje dhe migrime nuk kanë patur vetëm malet, por edhe ulësirat dhe zonat kodrinore [PATRIZIA AUDENINO, “L’emigrazione dalla Lombardia”, «Archivio Storico dell’Emigrazione Italiana», 2, 2006, fqt. 25-37].
Në udhëkryq të këtyre flukseve gjejmë shpesh qytetin e Milanos, qendrën antike të tërheqjes së mijëra punëtorëve, të cilët garonin të kontrollonin segmente të tregut të punës qytetare. Një shembull shumë interesant janë hamejtë e Canton Ticino-s, të cilët zunë një pozicion mbizotërues në qytet, duke përfituar privilegje, që u mundësonin të punonin në sheshet milaneze: pikërisht për këtë arsye ata shpesh u konfliktuan me punëtorët e krahinave të tjera lombarde [STEFANIA BIANCHI, La patria di quartiere: identità e mercato dei servizi nella patria dei facchini, Percorsi di ricerca – Labisalp, 6, 2014; LUIGI LORENZETTI, “Migrazioni in area ticinese, tra pratiche transnazionali e geometrie identitarie (XVI- inizio XX secolo)”, «Archivio Storico dell’Emigrazione Italiana», 8, 2012, fqt. 76-85].
Gjithmonë gjatë epokës moderne, në rajon imigruan edhe migrantë të klasave të larta sociale, të përkushtuar ndaj tregëtisë ose, duke filluar që në Tetëqindën, industrisë. Shumë prej tyre vinin nga kantonet zvicerjane, nga Gjermania, nga Franca, nga Anglia dhe, të gjithë sëbashku, formuan koloni anëtarët e të cilave ishin përgjithësisht shumë të shkolluar, liberalë e protestantë, shpesh pjesëmarrës të jetës politike lombarde [GIORGIO SPINI, Risorgimento e protestanti, Il Saggiatore, Venezia, 1989]. Këto koloni u rritën dhe përfituan një konsideratë të madhe politike dhe ekonomike, sidomos në Milano dhe Bergamo, duke u karakterizuar gjithnjë e më tepër në sensin protestant për shkak të identitetit fetar të anëtarëve të tyre [GIORGIO SPINI, Italia liberale e protestanti, Claudiana, Torino, 2002]. Lidhjet familjare dhe miqësore të këtyre imigrantëve ishin të shtrira në të gjithë territorin italian – koloni të ngjashme kishin lindur në Venecia, Genova, Napoli, Firenze, Livorno, Roma dhe Torino [DANIELA LUIGIA CAGLIOTI, Vite parallele. Una minoranza protestante nell’Italia dell’Ottocento, il Mulino, Bologna, 2006; CINZIA MARTIGNONE, Imprenditori protestanti a Milano, 1850-1900, FrancoAngeli, Milano, 2001; GEORGES BONNANT – HERMANN SCHüTZ – EMILIO STEFFEN, Svizzeri in Italia. 1848-1972, Camera di Commercio Svizzera in Italia, Milano, 1972] – dhe në shumë vende të tjera europiane e amerikane, duke inkurajuar shkëmbime kulturore dhe tregtare që gjeneronin rrugëtime të mëtejshme lëvizjesh.
Ndërsa në tridhjetëvjeçarin e fundit të Tetëqindës, u intensifikuan nisjet e lombardëve jashtë vendit, të cilët çlironin Ulësirën Padane nga teprica e punëkërkuesve. Fillonte kështu sezoni i Emigrimit të Madh, përgjatë të cilit flukset, megjithëse ruajtën disa karakteristika të veçanta të qarkullimit të epokës moderne, morën përmasa të tilla saqë detyruan klerin lombard të ndërmerrte nisma asistence dhe shoqëruese për migrantët: peshkopi i Cremona-s, Geremia Bonomelli, falë një ndjeshmërie të zhvilluar duke vrojtuar shpopullimin e fushave lombarde, i dha jetë Opera-s homonime, e cila do të kujdesej për emigrantët italianë të nisur drejt qendrave europiane [FABIO BAGGIO, Scalabrini e Bonomelli. Due vescovi al cui cuore non bastò una diocesi, CSER, Roma, 2015].
Zhvillimi industrial i dha një drejtim tjetër historisë ekonomike dhe shoqërore të Gadishullit, duke gjeneruar tipologji të reja fluksesh migratore. Gjatë tridhjetëvjeçarit të parë të shekullit, qytete si Milano dhe Sesto San Giovanni tërhoqën dhjetra mijëra punëtorë të krahinave përreth [LAURA FRANCESCA SUDATI, Tutti i dialetti in un cortile. Immigrazione a Sesto San Giovanni nella prima metà del ’900, Guerini e Associati, Milano, 2008]. Duke filluar pas Luftës së Dytë Botërore, falë përhapjes së industrisë në territor, Lombardia në tërësi u shndërrua në një pol tërheqës për migrimet masive, fillimisht të atyre të Jugut e më pas të të huajve. Megjithatë, deri në vitet Gjashtëdhjetë të Nëntëqindës, imigracioni vazhdoi të ishte i shoqëruar nga flukse domethënëse emigratore të zonave socio-ekonomikisht të dëshpëruara të rajonit drejt destinacioneve përtej oqeanike apo të Europës së Veriut. Flukset dalëse humbën peshën e tyre duke filluar vetëm nga vitet e para të Shtatëdhjetës.
Kjo lëvizshmëri përcaktoi profilin e rajonit: Lombardia që njohim është e përbërë prej flukseve që e kanë përshkuar. Kultura e saj, ekonomia dhe shoqëria janë produkt i sedimentimit të aktiviteteve njerëzore që në shumicën e rasteve janë fryt i lëvizjes së punëtorëve. Nga gjysma e dytë e Nëntëqindës, rajoni ka përthithuar fillimisht milona jugorë e më pas qytetarë të huaj që në Lombardi kanë punuar dhe jetuar, duke ndërtuar shtëpi, ura dhe rrugë, duke hapur restorante dhe aktivitete tregtare, duke dhënë mësim nëpër shkolla e duke studiuar në universite, duke punuar në ndërmarrje, spitale dhe administrata: sot, edhe ata janë Lombardia. Dhe, nëse shohim flukset migratore që nga kriza e 2008 kanë shtyrë një numër personash gjithnjë në rritje të lënë rajonin, kuptojmë që përbërja e këtyre flukseve është pjesë e historisë që po tregojmë: personat që po largohen nga Lombardia e sotme janë edhe ata ish-imigrantë apo fëmijë imigrantësh që kanë dhënë kontributin e tyre në konfigurimin e fytyrës së shoqërisë, ekonomisë dhe kulturës rajonale. Lombardët që emigrojnë janë fëmijë napolitanësh dhe puljezësh që kanë jetuar pak vite në Jug dhe janë formuar në shkollat apo universitetet lombarde; janë edhe shqiptarët, senegalezët, marokenët, indianët sikh të lindur apo mbërritur që në vegjëli në Lombardi, por që sot janë qytetarë italianë të cilët zotërojnë në mënyrë perfekte gjuhën dhe njohin rajonin si shokët e tyre të shkollës, punës apo universitetit.

Lëvizjet bashkëkohore: të dhënat.

Lombardia, përveç se është një nga rajonet më të populluara në Itali, është edhe më e karakterizuara prej pluralitetit etnik. Vetëm në qytetin e Milanos numërohen 160 komunitete të kombësive të ndryshme [DONATELLA FERRARIO – FABRIZIO PESOLI, Milano multietnica. Storia e storie della città globale, Meravigli Edizioni, Firenze, 2016]. Bëhet fjalë për komunitete që numërojnë brenda tyre një numër në rritje “italianësh të rinj”, individë shpesh të rinj që vendosin të marrin nënshtetësinë e vendit ku jetojnë që prej lindjes. Në nivel kombëtar, marrjet e nënshtetësisë italiane kanë patur rritje të vazhdueshme duke arritur, në 2015, shifrën e 178.000. Në 38% të këtyre rasteve bëhej fjalë për të mitur, ndërsa gjysma kishte një moshë nën të 30-ve. Gjithashtu, në të gjithë rajonin mbetet në nivele të rëndësishme ardhja e imigrantëve me origjinë nga rajone të tjera italiane. Sipas INSTAT-it të 2017 territori lombard është nga të paktët me një ndryshim pozitiv të popullsisë, më domethënësi pas krahinave të Bolzano-s dhe Lazio-s.
Gjithsesi, pavarësisht rritjes së popullsisë falë imigracionit, Lombardia ka parë vitet e fundit një rënie të të ardhurave të përgjithshme, që përbën një nga faktorët kryesorë të rifillimit të emigracionit.

Edhe pse duhet thënë që të dhënat e AIRE duhet të vlerësohen duke patur parasysh kufizimet e tyre, nga krahasimi me të dhënat e ISTAT mbi migrimet e brendshme duket qartazi sesi emigrantët e rajoneve jugore vazhdojnë të gjejnë në rajonet Qendër-Veriore destinacione interesante, ndërsa për lombardët në kërkim të alternativave, vendmbërritje kryesore mbeten vendet e huaja.
Mes tyre ekziston një kuotë gjithnjë e më domethënëse e “migrantëve të rinj italianë”, që kthehen në vendet e tyre të origjinës si qytetarë italianë, ose që u drejtohen destinacioneve të reja. Më poshtë do të shohim sesi këta kthehen në eksportues të Made in Italy, si përcjellës të gjuhës, kulturës, ndjeshmërisë dhe produkteve italiane në botë. Dhe, duke parë numrin e tyre në Lombardi, emigrimi i “italianëve të rinj” meriton të jetë i konsideruar si një nga aspektet më karakterizuese të fenomenit migrator lombard bashkëkohor.

Të rinj lombardë në botë.

Vitet e fundit shumë studime janë përqendruar mbi lëvizshmërinë e të rinjve italianë dhe në veçanti të studentëve të diplomuar apo doktoruar tëcilët shkojnë të gjejnë fatin e tyre jashtë vendit, në universitete, fondacione, qendra kërkimore ndërkombëtare. Bëhet fjalë për atë kategori të cilës analistë të shumtë, apo edhe publiku i përgjithshëm i referohet si “cervelli in fuga” / “tru në arrati” [PAOLA CORTI, “La nuova mobilità degli italiani e le migrazioni internazionali”, in ADELINA MIRANDA – AMALIA SIGNORELLI, Pensare e ripensare le migrazioni, Sellerio, Palermo, 2011, fqt. 120-135]. Të para nga afër historitë e shumë të rinjve emigrantë lombardë, përcjellin ndjesinë që kjo tipologji ka prodhuar një lloj përkufizimi përgjithësues, një etiketë nën të cilën futen itinerare dhe eksperienca shumë të ndryshme. Në fakt, bëhet fjalë për histori të ndryshme prej atyre që media tregojnë në formën e një narrative vetëpëlqyese, e cila sheh shumë “gjeni” të vegjël italianë të punësuar me meritë në qendrat kërkimore ndërkombëtare. Historitë reale u ngjajnë historive të njerëzve të zakonshëm, persona më të shkolluar se migrantët italianë të pesëdhjetë viteve më parë – sepse vetë Vendi është, sot, më i shkolluar – por që, njësoj si migrantët e asokohe, rraskapiten duke punuar e studiuar, në kërkim të një konsolidimi profesional. Shpesh, pastaj, këto persona, si imigrantët në përgjithësi, përballen me fenomenin e overeducation-it, domethënë pranojnë punësime që kërkojnë kompetenca dhe aftësi inferiore prej atyre që disponojnë falë formimit [M. CAROLINA BRANDI – M. GIROLAMA CARUSO – SIMONE DE ANGELIS – SIMONA MASTROLUCA, “L’evoluzione del mercato del lavoro tra gli immigrati laureati: il fenomeno della “overeducation” dai censimenti del 2001 e 2011”, në MATTEO SANFILIPPO, Nuovi studi sulle migrazioni in Europa, «Studi Emigrazione», 206, 2017, fqt. 181-213]. Më poshtë do të rendis dy prej këtyre historive, fryt i intervistave të shkruesit.
Pietro Rosso (Intervistuar më 30 prill 2017).
Pietro Rosso u lind në Fiesole por u rrit në Milano, ku u shpërngul me familjen në moshën 14 vjeçare. Në kryeqendrën lombarde filloi shkollën dhe u diplomua. Më pas u transferua në Pavia, ku vendosi të studionte filozofi. Në fund të trevjeçares, në 2006, nuk kishte ende ide të qarta përsa i përket së ardhmes. Kështu vendosi të ndiqte një mikun e tij, Luca-n, që ishte transferuar në Paris, për të studiuar Shkenca Politike. Fillimisht Pietro kishte bindjen se do të jetonte në Francë vetëm disa muaj, për të mësuar gjuhën dhe të pasuronte kurrikulumin e tij përpara kthimit në Milano. Për të përballuar jetesën, gjatë qëndrimit të parë në Paris, pranoi të gjitha punët karakteristike të prekariatit, nga baristi e deri te magazinieri. Teksa punonte, mori dijeni për ekzistencën e ndihmave sociale të Francës dedikuar personave me të ardhura të ulëta, të cilat garantonin transportin publik falas dhe kontribute për shpenzimet e qerasë së banesës, për të cilat mund të aplikonin edhe të huajt. Pikërisht ky element, sëbashku me joshjen e një jete metropolitane multikulturore, e shtyu të kërkonte një mënyrë për të qëndruar në Francë. Brenda pak kohëve, perceptimi i realitetit pavez, ku kishte kaluar ciklin e parë të studimeve universitare, ndryshoi. U ndje shumë i tërhequr prej një qyteti ku ishte e mundur të bëje miqësi me kolumbjanë, magrebinë, portugezë: për të, në kohërat e para, vetëm me francezët marrëdhëniet ishin më të ndërlikuara. Ai u regjistrua në universitetin e Parisit, por, brenda pak kohëve, i lindi dëshira të punonte në fushën e kinemasë. Gjeti një punë në një shtëpi produksioni si monatzhier, përpara se të kuptonte që interesi i tij i vërtetë ishte ai i teknikut të set-it. Gjithsesi përfundoi universitetin dhe vendosi t’i dedikohej punës me kohë të plotë. Falë kasës sociale të punëtorëve të prekariatit gjeti mënyrën për të frekuentuar falas kurse të shumta për të marrë liçensa dhe patenta që, nga 2009, i kanë mundësuar të bëhet teknik dritash në set-e kinematografike. Në 2011, edhe pse ishte i kënaqur me punën e tij, ndjente që ende nuk kishte ardhur momenti i stabilizimit. U transferua në Québec për disa muaj, për të verifikuar mundësinë e vazhdimit të zanatit në Amerikën e Veriut. Por, kur u rikthye në Paris, njohu një vajzë që shpejt do të bëhej shoqja e tij: kjo marrëdhënie e motivoi të qëndronte në Francë, ku rifilloi me kënaqësi profesionin e vet. Një zanat përgjithësisht manual, me aktivitet fizik, konkret e stimulues nga pikëpamja artistike: ditën e intervistës Pietro gjendej në Marsejë për xhirimin e një seriali televiziv.
Chiara Morbi (Intervistuar më 2 maj 2017).
Mbi punën dhe studimin është edhe historia e Chiara Morbi-t, lindur e rritur në Crema. Pasi frekuentoi liceun gjuhësor të qytetit, Chiara vendosi të provonte punën në fabrikë. Puna disamujore në zinxhirin e montimit e bëri t’i dukej më e arsyeshme ideja e vazhdimit të studimit dhe kështu u regjistrua në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Teksa po përgatiste tezën e diplomës, u apasionua shumë pas historisë, e cila e shtyu të provonte rrugën e doktoraturës jashtë. Kështu, në 2011 u transferua në Londër, një qytet që zgjodhi pasi në të kishin kaluar edhe disa prej mikeshave të saj. Muajt e parë i kaloi duke frekuentuar një shkollë për perfeksionimin gjuhësor. Ndërkohë punonte në një restorant që, nga ana profesionale, do të prëbënte një eksperiencë të tejskajshme: shumë orë në të zezë, me ditë të tejzgjatura pune dhe luhatje oraresh të papërballueshme. Pikërisht për këtë arsye kërkoi dhe gjeti një punë tjetër në një dyqyn të njohur veshjesh, ku ia doli të kishte një kontratë dhe orare të rregullta. Në 2012 u transferua në Birmingham, për të filluar doktoraturën kërkimore. Vitin e parë nuk arriti të marrë bursën e studimit, e cila iu njoh në vitet në vazhdim. Paralelisht, ajo ka zhvilluar kërkimet duke kaluar disa kohë për studim në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, pavarësisht se prodhimi i saj kishte rezultate të vlerësuara prej docentëve me të cilët ballafaqohej, vitet e doktoraturës nuk ishin në lartësinë e pritshmërive, aq sa arriti të vinte në diskutim vazhdimësinë e karrierës akademike. Pas mbarimit të tezës në 2016, Chiara gjeti një punë të re në një agjensi ku punon me kënaqësi, falë sidomos mjedisit të punës dhe kolegëve me prejardhje nga kombe të ndryshme. Kontrata gjithsesi zgjat vetëm një vit, aq sa koha që Chiara i ka lënë vetes për të menduar rreth së ardhmes: deri përpara Brexit, mendonte të regjistrohej në një master që do i mundësonte mësimdhënien në shkollat angleze. Por, duke parë rezultatin e referundum-it dhe pasigurinë për situatën e imigrantëve në Angli, vendosi të mos e konsiderojë më atë zgjedhje.

“Lombardët e rinj” në botë.

Sipas të dhënave të ISTAT-it thuajse çereku i 100.000 të fshirëve prej zyrave të gjendjes civile italiane për t’u shpërngulur jashtë shtetit kishin origjinë të huaj. Mbi këto të dhëna hipotezohej se një pjesë ishin amerikano-jugorë me origjinë të largët italiane, të cilët kishin ardhur në Itali vetëm për të marrë nënshtetësinë në bazë të iure sanguinis. Gjithsesi, midis emigrantëve me nënshtetësi italiane të marrë vonë një numër i madh ka përjetuar eksperienca shumë të ndërlikuara, që, për t’u kuptuar, kanë nevojë për një rikonstruktim të tërësisë së eksperiencave të tyre familjare. Lombardia, për arsyet demografike të sipërcituara, është në qendër të këtij fenomeni. Më poshtë do të renditen rastet e dy grave me origjinë shqiptare – të cilat kanë marrë nënshtetësinë italiane në kohëra të ndryshme, si rrjedhojë e migracionit në Lombardi – që për arsye profesionale kanë vendosur të rishpërngulen: arsyeja e përzgjedhjes së vrojtimit të zhvendosjes së qytetarëve të rinj italianë me origjinë shqiptare është e motivuar edhe nga përmasat e fenomenit, që gjen konfermë në statistikat më të fundit [http://www.ilpost.it/2017/06/21/albanesi-italiani-tornano-in-albania/].
Eriola Fiore (Intervistuar më 29 prill 2017).
Eriola Fiore u lind në Tiranë, ku përfundoi cilkin e parë të shkollës fillore. Në 1991, u transferua me familjen në Itali. I ati i Eriolës, Francesco, u lind dhe rrit në Shqipëri, por është qytetar italian: pikërisht për këtë arsye kishte një rrjet njohjesh në Itali, që i mundësuan transferimin në Gallipoli ku familja e tij banoi për dy vjet. Falë situatës së Francesco-s, të gjithë pjesëtarët e familjes morën nënshtetësinë, si italianë të riatdhesuar. Në 1993, prindërit e Eriolës vendosën të transferoheshin në Veri, ku kishin më shumë mundësira punësimi. Pasi panë disa qytete, zgjodhën Bergamo-n sepse bulevardi kryesor me pemët e tij, gjelbërimi dhe kodra ku gjendet pjesa e epërme e qytetit u kujtonin Tiranën e tyre. Eriola tregon: «Francesco ngarkoi Renault 5 me gjithë pasurinë e familjes, domethënë me rrobat dhe një televizor, dhe i solli të gjitha në Bergamo, ndërsa unë, ime më dhe ime motër, u ngjitën nga Gallipoli me tren. Tani që e mendoj dhe kujtoj, më duket si një skenë e Rocco e i suoi fratelli, që zbarkoi në Milano nga Lucania me familjen». Në Bergamo u pritën dhe ndihmuan nga një çift fqinjësh, Gianni dhe Milena, që u shndërruan në miqtë më të mirë të familjes. Ndërkohë që prindërit punonin Eriola dhe Edlira përfunduan studimet e tyre. Eriola, në veçanti, frekuentoi liceun artistik, ku pati një marrëdhënie të mirë me bashkëmoshatarët dhe disa prej mësuesve që ditën t’i nxirrnin në pah vlerat dhe ta mbështesnin në momentet e vështira. Më vonë, falë bursave të studimit, u regjistrua në Fakultetin e Letrave të Università Cattolica të Milano-s, ku gjërat nuk shkuan siç duhej, duke favorizuar kështu transferimin në Statale. Gjatë viteve të universitetit rastësisht u ndesh me një kurs falas regjie të mbajtur nga disa ish-nxënës të Shkollës së Kinemasë së Milano-s. Në përfundim të këtij kursi, një ekip me disa shokë, prodhuan dokumentarët e parë, midis të cilëve një mbi shqiptarët që studionin art në Lombardi. Kështu, më vonë, kaloi seleksionimin për në Shkollën e Kinemasë, të cilën e mbaroi teksa punonte si kamariere. Pas mbarimit të shkollës u punësua në një librari dhe bëri një stazh pranë Bergamo Film Meeting, pas të cilit iu mundësua një bashkëpunim që e mbylli për shkak të nevojës së gjetjes së një pune me kohë të plotë. Pasi kërkoi punë, nga libraritë e deri te luleshitësit, në 2013 vendosi të rikthehej në Shqipëri ku, që në 2011, kthehej gjatë verës për bashkëpunime të shkurtra me një shtëpi produksioni. Kështu, u rikthye në Tiranën e lënë 20 vite më parë, si nënshtetase italiane, me një formim studimor të përfunduar midis Bergamos dhe Milanos. Prej 2016 punon si dokumentariste freelance dhe e ndjen shumë të fortë lidhjen me Italinë.
Klara Kodra.
Klara Kodra, me baba boshnjak dhe nënë shqiptare, u lind në Tiranë më 1980. Kaloi dy vite në Sarajevë me familjen derisa, pak para fillimit të luftës, u kthye me të ëmën dhe vëllanë në Tiranë, ndërsa i ati mbeti në Sarajevë përgjatë gjithë periudhës së rrethimit. Në Shqipëri Klara frekuentoi Shkollën e Baletit të cilën e përfundoi në Akademinë e Bakusë, në Azerbajxhan. Ndërkohë familja, në 1997, u shpërngul në Bergamo, ku i vëllai Romeo, në atë kohë futbollist premtues, ishte angazhuar me skuadrën e Albinoleffe-s, me perspektiva karriere në kategoritë profesioniste. Pikërisht për këtë arsye, pas kthimit nga Bakuja, edhe Klara u zhvendos në Bergamo, ku iu përkushtua baletit klasik derisa një dëmtim në gju e detyroi të mbyllte karrierën. U regjistrua në Universitetin e Milano-s, por e ndërpreu pasi rifitoi lëvizjen normale të gjurit. Në 2003 themeloi një shkollë baleti në qytetin orobik: kursi shkonte shumë mirë dhe arriti të kishte që në fillim një numër të lartë nxënësish. Çoi përpara këtë aktivitet, paralelisht me aktivitetin e spektakleve, derisa në 2005 u njoh me disa elementë të Kombëtares Italiane të Gjimnastikës Ritmike që e afruan pranë Kombëtares. Më tej, prej 2008, ajo u bë koreografe e skuadrës, me një kontratë të rinovueshme vit pas viti. Për Kombëtaren Italiane filloi, edhe falë saj, një sezon suksesesh të mëdha, me shumë medalje të njëpasnjëshme të fituara në botërore dhe olimpiada. Në 2013 Klara u bë nënshtetase italiane, gjashtëmbëdhjet vjet pas ardhjes në Itali. Më pas, në 2014, një shtatzani u bë shkak për mungesën e rinovimit të kontratës. Kështu mbeti e papunë, por vetëm për një periudhë të shkurtër: trajnerja e skuadrës Kombëtare të Finlandës, që Klara kishte njohur gjatë grumbullimeve në Follonica, e thirri sapo mori vesh që ishte e papunë. Prej 2015, filloi të punonte në Helsinki, ku ka vendosur të qëndrojë, si qytetare italiane, mbi të gjitha sepse shoqëria dhe shteti finlandez lehtësojnë punën e grave, duke u mundësuar kombinimin e profesionit me amësinë. I bir, Tommaso, është tre vjeç dhe flet italisht, gjuhën e të atit, shqip, gjuhën e nënës dhe finlandishten e kopshtit. Klarës i mungojnë shumë gjëra nga Italia, që është edhe vendi – midis të tjerëve që përbëjnë historinë e saj – për të cilin ndjen më tepër nostalgji.

Made in Italy-a.

Është shumë interesante të vërehet se çfarë marrin me vete, nga Lombardia, emigrantët bashkëkohorë italianë. Pietro, në team-in e tij të punës, është i vetmi italian dhe mendon se ky faktor e ka favorizuar, duke i mundësuar që kolegët ta shohin me një simpati të lidhur, sipas tij, me imazhin pozitiv që Italia ka në Francë, falë faktorëve si kultura, qytetet e artit, kuzhina, të cilën ai kontribuon ta bëjë të njohur. Në Paris ka një grup miqsh italianë me të cilët takohet rregullisht për të praktikuar «ndonjë ritual nostalgjik, si gatimi i carbonara-s, duke dëgjuar këngët e De Gregori-t». Analogji të tilla gjenden edhe në situatën që përjeton Chiara në Angli.
Kështu, nuk është për t’u cuditur që, në përgjithësi, të jenë pikërish emigrantët me origjinë të huaj më të ndërgjegjshmit për atë ç’ka Italia dhe Lombardia u kanë dhënë, ndoshta sepse, për të cituar një proverb të nativëve amerikanë, “duhet të ecësh për tre hëna në këpucët e tjetrit për të njohur … këpucët e tua”. Klara ka përvetësuar në Itali aftësitë profesionale dhe organizative, mbi të gjitha ato të punës në skuadër. Ajo, me prejardhje nga baleti klasik nuk kishte mentalitetin përkatës të gjimnastikës ritmike, ku është thelbësore ndarja e energjive të një staff-i. Pikërisht në vitet ku ajo mori një rol kyç në Kombëtaren Italiane, u zhvillua një Shkollë Italiane e Gjimnastikës Ritmike që, për rezultatet e arrituar, është sot në lartësinë e shkollave kryesore, si ajo ruse, bielloruse apo ukrainase. Sot Klara po eksporton dhe po bën të njohur në Finlandë këtë “shkollë italiane”. Kurse Eriola pranon që ka marrë nga shkolla dhe formimi lombard materialin përbërës të botkuptimit të saj, sidomos atë të fushës profesionale. Italia, për të, nuk është vetëm nënshtetësia: ndjek meshën në italisht, lexon gazetat në italisht dhe, me përjashtim kur janë autorë shqiptarë, lexon vetëm përkthime italisht të veprave të huaja. Aq sa thotë që: «të qenurit italiane është shumë e fortë: edhe kur flas shqip më shpëtojnë vazhdimisht  fjalë në italisht». Nuk është rastësi edhe fakti që njëra nga gjërat që i bënë përshtypje tek shoku i saj, Romeo Kodra, qe pikërisht se «ishte personi i parë që takoja i cili, në blogun e tij, shkruante shqip sikur të ishte duke shkruar italisht». Romeo, që është edhe i vëllai i Klarës, ndryshe nga familjarët e tij nuk e ka marrë kurrë nënshtetësinë italiane por, pasi la futbollin, është kthyer në një studiues të artit dhe kritikës teatrore, duke u shndërruar në mbartës të shëndetshëm të italianitetit në Ballkan: rikthyer në Tiranë, midis të tjerash ka eksportuar autorë italianë, duke përkthyer dhe publikuar në Shqipëri veprën e regjizorit teatror Eugenio Barba, si dhe shkrime dhe komente të njerëzve të kulturës së Gadishullit, midis të cilëve gjermanistin siçiliano-lombard Valerio Furneri, prej të cilit ka publikuar dhe përkthyer refleksione në blogun e tij.

Një histori e fundit: frontalierët.

Kur flitet për migracionet në Lombardi, duhen patur një konsideratë e veçantë për një kategori punëtorësh në lëvizje, domethënë frontalierët. Bëhet fjalë për ata lavjerës ndërkombëtarë që – rezidentë në Lombardi por aktivë në Zvicër – kanë marrë një statut specifik në 1931, kur Kenfederata Helvetike e përcaktoi me një ligj federal mbi imigracionin. Prani e vazhdueshme gjatë gjithë shekullit, frontalierët kanë marrë një peshë vendimtare në gjysmën e dytë të Nëntëqindës, duke shkaktuar një qarkullim të vazhdueshëm punëtorësh, në veçanti midis krahinave të Verese-s, Como-s, Sondrio-s, dhe kantoneve Grigioni e Ticino, ku sot drejtohet 90% e flukseve totale të frontalierëve lombardë. Pas krizës së 2007-2008, që goditi dhunshëm Italinë, këta punëtorë janë shtuar me shpejtësi, duke kaluar vlerat e njohura më parë. Në 2016 ato prekën kuotën 61.000, duke favorizuar në gjirin e popullatës vendase një radikalizim të ndjesisë karshi tyre, që kishte filluar që prej viteve Nëntëdhjetë. Pavarësisht iniciativave me referendume kundër të huajve në 2014 dhe 2016, që patën fituar shumicën e votave në Canton Ticino, numri i frontalierëve ka vazhduar të rritet dhe të mbërrijë sot deri në 65.000 njesi. Në fakt këta mund të konsiderohen si një qytet lombard që përditë transferohet në Konfederatën Helvetike, ku eksporton fuqinë e vet punëtore dhe aftësitë e veta, duke kapërcyer të gjitha kontradiktat dhe arsyet e konfliktualitetit që përcjell me vete. Pas së gjithash, siç tregonte një punëtor varezin në një intervistë dhënë përgjatë një kërkimi të fundmë: «Një koleg i vjetër i imi më thoshte gjithmonë që buka e fitur atje [në Ticino] ka shtatë kore! Ka aq shumë të mira sa ç’ka edhe të këqija!» [GIUDO COSTA, Non avete pane a casa vostra? Mezzo secolo di frontalierato italo-svizzero (1965-2015), BiblioLavoro, Milano, 2016, fq. 61].

Përfundime.

Historia e gjatë e emigracionit lombard gjendet sot në një fazë të re, ku kush lëviz duket më pak i motivuar nga nevoja urgjente ekonomike, në krahasim me emigrantët lombardë të një herë e një kohe. Shumë të rinj emigrojnë në kërkim të përmirësimit të kushteve të tyre profesionale, të karakterizuara ndër vite nga kënetëzimi ekonomik i Vendit: edhe pse në shumë raste kanë një formim të lartë, shpesh janë të disponueshëm të pranojnë punësime në sektorë të ndryshëm prej atyre që sugjeron formimi i tyre, shpesh të përkohshme dhe me kualifikim të ulët. Bashkë me këta emigrantë lombardë nisen edhe një numër në rritje “italianësh të rinj”: bëhet fjalë më së shumti për fëmijë imigrantësh që, pasi kanë jetuar në Lombardi në pjesën më të madhe të jetës së tyre dhe pasi kanë marrë nënshtetësinë italiane vitet e fundit, kërkojnë tek emigracioni një rrugëdalje prej vështirësive ekonomike. Duke migruar me një formim dhe kulturë italiane, kontribuojnë në eksportimin e made in Italy me një shkallë ndërgjegjshmërie më të madhe në krahasim me atë të shumë autoktonëve. Sëfundmi, në kuadër të emigracionit lombard, kanë një vend mëse të veçantë frontalierët, që eksportojnë përditë fuqi punëtore italiane, mes polemikash e konfliktesh.

*Artikulli origjinal gjendet në Barcella, Paolo L’emigrazione lombarda tra “vecchi” e “nuovi” italiani Rapporto italiani nel mondo i Fondacionit Migrantes, Roma 2017, fqt. 326-337.