Disa specifikime mbi “Onufrin”. (Romeo Kodra)

Po hedh tё zezё nё tё bardhё, falё 4 orё e gjysёm regjistrimesh qё bёra pёrgjatё takimit, mendime, tё pjesshme, tё disa prej folёsve nё takimin pёr “Onufrin”, si dhe disa komente personale.

Mirela Kumbaro, folёsja e parё, e filloi takimin duke evidentuar qё nё mijёra shkrime informative tё prodhuara pёr “Onufrin” ndёr vite, vetёm 5 apo 6 kishin qenё analiza. I kishin bёrё pёrshtypje folёses vetёm “njё pasqyrim i Elsa Demos tek “Shekulli” dhe njё intervistё e Alban Hajdinajt” tё cilin e shtjelloi gjatё e gjerё. E bёri kёtё sepse kishte kuptuar shumё mirё Alban Hajdinajn kur kishte cituar frymёzuesin e tij Charles Baudelaire-in, “piktorin e postmodernes” [po, po, ministrja tha pikёrisht kёshtu, dhe shpresoj tё ketё qenё lapsus], dhe kishte parё shumё interesante se si Albani kishte evidentuar qё “cilёsia e artit [nuk] ёshtё rritur [ndёr vite dhe] ka ardhur koha pёr njё reflektim ideor dhe financiar tё “Onufrit””. Bingo! Tani kuptuam kush na paska qenё ideologu i ministres. Por, pёr çudi Alban Hajdinaj nuk ishte tek lista e tё ftuarve tё ministres. Nejse ia lё, nёse do tё ketё dёshirё, ideologut tё pёrgjigjet.

Ministrja evidentoi gjithashtu faktin qё, edhe nё “Onufrin” qё nuk bёri, ka qёnё aty, midis nesh, nё rrjetet sociale, “pёr tё ndjekur jo si ministre, por si njeri i thjeshtё i kulturёs opinionet e artistёve, analizat, tё cilat nuk kanё shkuar pёrtej nivelit tё batutёs nё facebook dhe nuk i kanё sjellё ndonjё kontribut nivelit tё artit”. Vetёm nё AKSREVSITA ka sё paku dy artikuj tё dedikuar prej meje “Onufrit”, qё flasin pёr menaxhimin, konceptin dhe impaktin tek brezi i artistёve tё rinj qё kishte “Onufrit XX”, organizuar nga GKA e drejtuar prej A. Shabanit, d.m.th. shkrime tё freskёta, jo tё 2011 si ato qё kishte gjetur ministrja, shkrime qё sfidoj kokёkrehurёn t’i gjykojё si “batuta”. Ndoshta kjo injorante e artit dhe kulturёs koncepton si batuta çdo kritikё negative, dhe nuk arrin tё gjejё pёrqёndrimin e duhur kur nuk lexon tjetёr pёrveç teksteve “mainstream” apo kur nuk i lёpihen njё kuratori, njё galeristi, njё drejtori, njё ministreje, kryeministri apo gjithkujt qё ka dhe ushtron njё pushtet.

Njё ndёrhyrje – nё dukje – interesante ishte dhe ajo e Albert Hetёs (prej tё cilit ministrja sa nuk u shkri kur e pa tё hynte nё derё pёr t’i mёshuar faktit qё kemi dhe ekspertё nga Kosova) ku evidentonte pak a shumё ç’ka kisha evidentuar edhe unё javёn e shkuar nё njё shkrim nё AKSREVISTA, mё 22 janar, sipas tё cilit “duhet kuptuar prej cilit institucion bёhet organizimi i eventit, prej GKA apo MK? Nёse prej GKA atёherё duhet pyetur drejtori pёr Onufrin”. Pikёrisht kёtu ndёrhyra dhe unё dukё specifikuar qё ishte MK organizuesja e kёtij takimi pёr dialog mbi “Onufrin” ç’ka do tё thoshte qё faktet demonstronin qё ishte MK dhe jo GKA, drejtori i sё cilёs as nuk ishte pyetur pёr koordinimin e kёtij takimi, institucioni qё vendos – kundra ligjit, qё njeh si veprimtari tё ministrisё vetёm “hartimin, programimin dhe zhvillimin e politikave” tё artit dhe kulturёs – se ç’do tё bёhet me “Onufrin”. Nuk e di pse, por z. Heta, qё merr vesh nga kёto punё, u mundua tё anestetizojё diskutimin duke thёnё qё “nuk ёshtё mirё me diskutu pse nuk u bё, por me qenё konstruktiv dhe me dhёnё ide si me u bё mё mirё”.

Kёtij anestetizimi iu pёrgjigj Matilda Odobashi nё ndёrhyrjen e saj ku pyeti se “si mund tё jemi konstruktiv pa kuptuar se pse nuk u bё Onufri i vitit qё shkoi, pa u fokusuar mbi dёshtimet e sё kaluarёs?”

Njё ndёrhyrje qё solli edhe sensin e “Onufrit” si event, por edhe si figurё historike, ku mund tё frymёzohen politikёbёrёsit dhe drejtuesit e institucioneve tona pёr t’i dhёnё kuptim dhe rezonancё ndёrkombёtare artit shqiptar nё pёrgjithёsi, ishte ajo e Krenar Zejnos. Nё pak fjalё poezi puro, e mbёshtetur nё njohuri teoriko-historike madje. Pёr fat tё keq ministrja gjatё gjithё kohёs ishte duke folur me z. Albert Heta vesh mё vesh, nuk e di se pёr çfarё. Tё them tё drejtё, ishte momenti mё i trishtueshёm i takimit. Ishte gjithashtu edhe njё epifani e kontekstit nё tё cilin kam vendosur tё qёndroj, punoj e jetoj. Mё vinte tё kapja pёr flokёsh kokёkrehurёn e ta qethja tullё. Praktikisht njё performacё postmoderne e absurdit bashkёkohor shqiptar, e titulluar “Ministrja tullace”.

P.S. Do tё doja tё thosha mё tepёr pёr sa u tha nga tё tjerёt dhe pёr sa u tha prej meje nё kёtё takim. Por, mё duket sikur po i jap kuptim palaçollёkut tё organizuar nga kokёkrehura e (agri)kulturёs sё munguar, pёr tё cilёn ky takim/dialog ishte njё justifikim pёr çfarё nuk bёri me “Onufrin” 2014.

P.P.S. Doja vetёm tё shtoja, pёr njohurinё e lexueve dhe pёr tё hedhur poshtё alibinё e kokёkrehurёs pёr mosinteresimin e artistёve pёr artin dhe kulturёn, qё nё “Onufrin 2013” Artan Shabanit i kanё ardhur 160 kёrkesa prej artistёve tё interesuar. Ministrja do qё artistёt tё vijnё e tё diskutojnё pёr politika me tё. Ёshtё nё rregull nga trutё? Mos do edhe t’i hartojnё, programojnё dhe zhvillojnё politikat, pёr tё cilat paguhet me taksat e shqiptarёve, pёrfshi kёtu dhe tё artistёve? Nё vend qё tё dёgjojё dhe tё falenderojё ata qё ishin tё pranishёm, kjo kokёkrehur bёn ironi me njё kategori tё tёrё artistёsh qё ndoshta nuk janё mёsuar tё impovizohen politikanё si ajo vetё pёr tё zёnё apo zaptuar njё post/vend pune nё hierarkinё e pushtetit.

Reklama

Arti, kultura, thurima sociale dhe mafia. (Romeo Kodra)

Prej kohёsh po mendoja tё shkruaja diçka mbi pёrzgjedhjen e projekteve fituese tё thirrjes sё Ministrisё sё Kulturёs dhe disa ankesa publike dhe jo-pubike tё bёra nga konkurrentё tё zhgёnjyer pёr moszgjedhjen e projekteve tё tyre. Nё mёnyrё direkte, apo tё nёnkuptuar, akuzohen pёrzgjedhёsit dhe Ministria e Kulturёs pёr paaftёsi, pёr mungesё transparence, pёr korrupsion; nё pak fjalё, pёr tendenza mafioze.

Kёto akuza janё tё rёnda nё mёnyrё tё dyfishtё. Sё pari, sepse adresohen ndaj njё institucioni publik qё rrjedhimisht dёmton imazhin e Shtetit shqiptar, dhe bashkё me tё imazhin e tё gjithё shqiptarёve. Sё dyti, dhe ç’ёshtё mё e keqja pёr mendimin tim, sepse i adresohen njё institucioni tё drejtuar nga njё person qё nuk vjen nga rradhёt e politikёs [prej politikёs pritet infektimi mafioz], por prej rradhёve tё shoqёrisё civile. Jam mёse i bindur qё pasardhёsit e ministres aktuale tё kulturёs, nёse do tё jenё tё rreshtuar nё rradhёt e partive politike, do e pёrdorin si alibi keqmenaxhimin e gjёsё publike prej znj. Mirela Kumbaro-Furxhi pёr t’i mbyllur gojёn shoqёrisё civile tё parreshtuar nёn vijat partiake, dhe pёr t’i demonstruar qё nuk ka alternativё tjetёr pёrveç rreshtimit partiak. Ky shkrim ёshtё edhe njё mёnyrё pёr t’i paraprirё kёtyre alibive.

Por, doja mbi tё gjitha t’i kthehesha tendecave mafiose pёr tё cilat akuzohet MK. Nёse lexuesi do tё kthehet me njё flashback nё kohё, do tё shohё ankesat e bёra publike nё media tё ndryshme nga operatorё artistiko-kulturorё gjatё 24 viteve tё tranzicionit dhe do tё konkludojё qё historia pёrsёritet. Madje ajo ёshtё kthyer nё njё lugё çorbe tё gёlltitur dhe tё vjellё e rivjellё sistematikisht pavarёsisht rotacionit politiko-partiak tё ekzekutivit. Por nga gjenerohen kёto tendenza mafiose?

Them, pa pretenduar pёrmbylljen pёrfundimtare tё argumentit, se kёto tendenca mafioze janё diçka mё shumё: janё tipare mafioze. Mafia ka dy dukuri nё kontekstin shqiptar. E para i pёrket njё matrice antropologjiko-kulturore, ku individёt – pikёrisht, pёr bindje antropologjike dhe kulturore – i besojnё mё shumё lidhjeve klanore sesa sensit tё qytetarisё, i cili vihet nё krizё dhe detyrimisht i hap rrugё mafias, e cila historikisht ushqehet nga lidhje klanore tё konsoliduara dhe ekskluzive. E dyta i pёrket njё matrice ekonomiko-financiare tё pёrqёndruar nё burimet ekonomiko-financiare tё sektorit tё artit dhe kulturёs qё frenon apo pengon zhvillimin ekonomik tё njё sektori gjithmonё nё rrezik tё stabilitetit financiar, tё cilit historikisht i ёshtё dashur tё rikrijojё mundёsi tё reja mbijetese nё ekonominё e njё tregu sa vjen e mё tё pasigurtё.

Tipi i parё i mafias ka dhёnё rezultate tё dukshme nё pёrzgjedhjet fiktive tё posteve ministrore dhe publike. Mjafton njё skanim i shpejtё i mbiemrave tё njohur nё administratёn publike, nё institucione/ndёrmarrje publike, apo universitete publike pёr tё patur njё ide tё pёrafёrt pёr impaktin nepotik mafioz pёr tё cilin po flas. Tipi i dytё i mafias ka dhёnё rezultatet e saj nё kanalizimin e burimeve ekonomiko-financiare gjithmonё nё duar tё operatorёve tё mirёnjohur qё kanё nё kurrikulumin e tyre situatёn artistiko-kulturore aktuale shqiptare gjithmonё nё periferi, apo totalisht e munguar, nё panoramёn artistiko-kulturore ndёrkombёtare. Nё kёtё kanalizim kanё ndihmuar me vetёdije edhe aktorёt e jashtёm (ndёrkombёtarё, evropianё, amerikanё, etj.) tё cilёve u bie mbi supe barra e rёndё e akuzёs sё njohurisё sё fakteve dhe kontekstit, qё i klasifikon si bashkёpunёtorё dhe ushqyes primarё tё kёsaj mafieje.

Nё rradhёt e tё zhgёnjyerve kam parё shumё miq me tё cilёt ndaj dhe besoj vlera, vizione, pasione. Kam parё tё panjohur tё cilёve u besoj ndershmёrinё dhe etikёn e punёs. Por, kam parё edhe plot tё improvizuar, oportunistё dhe rryshfetxhinj tё rёnё vaktit. Do tё doja qё njё ditё tё bukur tё ishte prej tё gjithёve, siç ёshtё pёr mua, i dallueshёm ndryshimi midis kёtyre tё zhgёnjyerve. Pёr kёtё kisha njё sugjerim.

Unё jam i bindur qё artikulimi politiko-institucional publik shqiptar aktualisht jep si rezultat shpёrbёrjen e thurimёs sociale, integritetin e saj tё copёtuar. Ndonёse nё sipёrfaqe politika shqiptare reflekton dukuri demokratike pёrkthimi i kёsaj politike nё terrenin social, nё sektorin artistiko-kulturor, reflekton vetёm dy alternativa: mafian dhe autoritarizmin politiko-institucional. Qё tё dyja plazmojnё me dhunё nga sipёr, jo vetёm individin, por edhe shoqёrinё. Falё udhёkryqit/rrethrrotullimit 24 vjeçar tё tranzicionit tё gjithё e kemi tё qartё kёtё.

Shumё miopё tё sociologjisё apo historisё artistiko-kulturore shqiptare kёtё plazmim e marrin pёr integritet sepse injorojnё tёrёsisht mekanizmat e brendshёm integrues tё njё shoqёrie demokratike. Kёto mekanizma janё shumё komplekse, por fillojnё nё mёnyrё tё pashmangshme me mekanizmin rregullator tё komunikimit dhe informimit midis aktorёve social. Mekanizmi rregullator i komunikimit dhe informimit midis aktorёve social ёshtё bazik pёr tё paraprirё efikasitetin e strategjive ndёrhyrёse mafioze nё gjёnё publike. Zbardhja e zonave tё errёta dhe obskurantiste hedh dritё mbi marrdhёniet mafie-shtet. Prandaj ёshtё e paanashkalueshme qё kritika (nёse intereson njё kritikё) ndaj Ministrisё sё Kulturёs (dhe ndaj tё gjitha institucioneve publike apo private) duhet pёrqёndruar nё kёrkesёn e transparencёs, bazё e çdo demokracie. Demokracia ёshtё (ende!?) sinonim i aksesit nё informacion dhe dije.

Kёshtu pra mund tё fillohet me kush janё pёrzgjedhёsit e Ministrisё sё Kulturёs? Cilat kompetencat e tyre? Cilat kriteret e pёrzgjedhjes? Pse nuk bёhen publike (nё detaje) projektet-propozimet fituese? Pse nuk bёhen publike (nё detaje) vlerёsimet e pёrzgjedhёsve?

Kjo transparencё shfaq njёkohёsisht aftёsinё, e ballafaquar, tё pёrzgjedhёsve dhe tё konkurruesve, si dhe eleminon mundёsinё e ndёrhyrjeve korruptuese mafioze tek institucionet artistiko-kulturore. Por, kjo nuk vlen vetёm pёr Ministrinё e Kulturёs. Kjo transparencё vlen edhe pёr aktorёt e tjerё social. Vlen edhe pёr ata tё zhgёnjyer tё cilёt vetёm pas kёsaj transparence mund t’i lёnё vend vetes pёr ankesa dhe kritika publike. Nuk di p.sh. sa prej tyre bёjnё publik raportin financiar vjetor. Ёshtё blasfemi tё bёhet njё gjё e tillё? Po sikur tё bёhen publike dokumentat e çdo konkursi publik, tё pjesёmarrёsve dhe tё organizatorёve?

Unё besoj se njё aktor social qё operon nё sektorё me interes publik e ka pёr detyrё t’i bёjё me dije publikut aktivitetin e tij ekonomiko-financiar dhe procedurat e punёs sё tij, pёr t’i demonstruar aftёsitё dhe etikёn qё ka nё themel tё praktikёs sё tij operative. Dhe nuk pёrbёn arsyetim pёr tё mos bёrё njё gjё tё tillё fakti qё nuk kёrkohet me ligj njё procedurё e tillё. Personalisht kam bindjen se shqiptarёt meritojnё mё shumё sesa politikanёt qё kanё qeverisur dhe degdisur nё kёnetёn aktuale artin dhe kulturёn e tyre pёrgjatё rrethrrotullimit tё tranzicionit. Ndryshimi nuk ka ardhur kurrё – nё demokraci apo diktaturё qoftё – nga politikanёt. Kёshtu qё nuk duhet pritur ligji dhe ligjbёrёsit pёr tё qenё transparent dhe pёr ta kthyer kёtё transaparencё nё etik pune. Shoqёria civile, prej sё cilёs pёr fat tё keq vjen edhe ministrja aktuale e kulutrёs, meriton dhe mundet tё bёjё mё shumё pёr tё paraprirё kontaminimin e thurimёs sociale nga fenomene tё tipit mafioz apo paramafioz. Vetёm kёshtu aktorёt artistiko-kulturor qё operojnё nё njё sektor me interes publik tё shoqёrisё civile shqiptare mund tё shndёrrohen nё integratorё tё vёrtetё tё thurimёs sё brishtё sociale tё kёtij vendi.

Teatri Kombëtar në udhë ose në kryq: çështje evropianizimi. Romeo Kodra (Gazeta Shqiptare, 20/12/2013)

Më 26 dhjetor mbyllen aplikimet e konkursit për pozicionin e Drejtorit të Teatrit Kombëtar të shpallur nga Ministria e Kulturës. Nga të katër anët – dhe jo vetëm në teatër – kërkohen 4R: rinovime, risi, reforma, rilindje. Por nga cilët i presim? Kush do t’i realizojë dhe si? Këtë e di ekzekutivi i zgjedhur më 23 qershor, ose – për së paku – kështu shpresohet.

Deri më sot, përsa i përket kulturës, rinovimet (R1) janë parë dhe kanë të bëjnë ekskluzivisht me personat e zgjedhur në krye të institucioneve kombëtare më të rëndësishme, siç janë ata të Teatrit të Operas dhe Baletit, Muzeut Historik, Cirkut, Qendrës Kulturore për Fëmijë dhe Teatrit të Kukullave. Risitë (R2) do të shihen kur krerët e sapozgjedhur do të organizojnë eventet e para të institucioneve që drejtojnë. Reformat (R3) nuk dihen, sepse platformat e gjithsecilit prej këtyre të sapozgjedhurve janë të panjohura për publikun dhe dihen në detaje vetëm nga Ministria e Kulturës së cilës i falim mirëbesimin tonë. Por, në përzgjedhjen e krerëve të porsazgjedhur, është për tu vënë re diçka interesante dhe problematike: asnjëri prej tyre nuk ka një formim studimor në menaxhim arti, edhe pse kërkohej specifikisht në thirrjet e konkurseve ministrore. Si rrjedhojë, gjenerohen dyshime mbi qëndrushmërinë e reformave që mendohet të ndërmarrin drejtorët e rinj. Kam përshtypjen se strukturat menaxheriale nuk improvizohen; për to duhet – dhe na kërkohet nga partnerët evropianë – profesionalizëm. E thoshte edhe Andy Eagle, konsulenti uellsian i British Council, njëzëri me Ministren M. Kumbaro-Furxhi, një muaj më parë. Së fundmi, rilindja (R4) supozohet të na materializohet në fund të mandatit të ekzekutivit Rama.

Deri këtu logjika dhe mirëbesimi (shprehja e mirëmenduesve “lërini të punojnë”) i japin një vazhdimësi dhe koherencë zgjedhjes së shqiptarëve më 23 qershor. Kjo koherencë vlen edhe për përzgjedhjen e kreut të Teatrit Kombëtar. Dhe këtu artikulli mund të mbyllej. Por duke qenë se mbi teatrin jam interesuar vazhdimisht dhe mbi historikun e dinamikave politike të ndërmarra në vite mbi këtë institucion jam i informuar, nuk më duket e mjaftueshme kjo logjikë dhe ky mirëbesim. Personalisht nuk më mjafton logjika e mirëmenduesve. Unë di dhe kujtoj – për publikun që pa dashje e ka harruar – se refreni i 4R-ve në teatër është konsumuar prej vitesh: mjafton për këtë t’i hedhim një sy shkrimeve të Mihal Luarasit në “Teatri Kombëtar në udhëkryq” që datojnë vitet 1999, 2000, 2001; pra thuajse mbi një dekadë më parë.

Duke qenë se z. Luarasi e shoh si njeriun e vetëm në Shqipëri që mbi lëmën teatrore flet me koherencë mbi konceptin e profesionit të tij dhe idesë së Teatrit Kombëtar (pëlqehet apo jo, kjo nuk më intereson; më mjafton koherenca sepse tregon sistematikë pune dhe njohuri shkollore dhe eksperiencë direkte mbi të) nuk po i përsëris problemet që ka shtruar. Gjithkush – nëse i interesuar – mund të lexojë dhe konstatojë personalisht që ato mbeten qartësisht të njëjtët, që prej botimit të shkrimeve të tij. Nëse lexohen këto shkrime jam i bindur se vështirë do të besojmë akoma në retorikën e 4R dhe të jemi ende mirëmendues. Problemet e dekadave të shkuara ripërsëriten në Teatër, dhe më shumë se në një “udhëkryq”, siç thotë prof. Luarasi, duket se Teatri Kombëtar vazhdon e vërtitet në një rrethrrotullim duke bërë të vjellin ata që janë brenda dhe ata që janë jashtë (të gjithë duan reforma, siç u tha më sipër, brenda e jashtë TK), të cilët shohin këtë makinë të çmendur pa shofer ose me shofer të alkoolizuar që s’di ç’rrugë të marrë prej dekadash. Teatri nga kjo situatë nuk përfiton asgjë përveç moçalishtes aktuale; përfitojnë vetëm pushtetarët e rradhës dhe kolonia parazitare me të cilën qarkohen, të cilët s’kanë të nginjur me mjeljen e këtij institucioni-“lopë publike” të quajtur TK.

Për të mos e lënë topin ekskluzivisht në duar e politikës do të doja të shtroja një argument për të bërë një hap përpara, drejt daljes prej rrethrrotullimit marramendës.

Mihal Luarasi në shkrimet e tij, edhe pse jep drejtime dhe ide të qarta mbi perspektivat e mundëshme të TK (por pa dhënë një platformë menaxheriale, me sa di unë), nuk ka përmendur fatkeqësisht një argument të thjeshtë por bazik: mënyrën e përzgjedhjes së kreut të këtij institucioni. Duke qenë se përzgjedhja është edhe akti themeltar i fillimit të punës së mbarë dhe i 4R-ve të dëshiruara prej të gjithëve, marr përsipër të shtoj disa gjëra të vogla por të domosdoshme mbi këtë argument.

Duke qenë se për institucionet e tjera kombëtare të kulturës zëra koridoresh kishin “profetizuar” emrat e drejtorëve (përpikmërisht të gjetur) disa javë, për të mos thënë muaj, përpara shpalljes publike, dhe duke qenë se e njëjta gjë po ndodh edhe për TK, do të ishte mirë që përzgjedhja të bëhej me një konkurs publik real. Do të sygjeroja që, për njohuri publike dhe eleminim dyshimesh mbi dallavere të brendëshme ministrore, të viheshin në dispozicion – on line në sitin e Ministrisë ditën e mbylljes së aplikimeve – platformat dhe dosjet e secilit konkurues për tu krahasuar midis njëra tjetrës prej gjithkujt, dhe për të parë përputhshmëritë me kriteret e kërkuara nga Ministria. Kështu, kam përshtypjen, papagajtë që fryjnë duke ledhatuar veshët e politikës do të dalin zbuluar. Pas kësaj konkuruesit do të mbronin dhe shpalosnin (me pyetje/përgjigje prej ekspertëve) platformat/dosjet e tyre përpara një jurie ekspertësh të artit teatror dhe menaxhimit të teatrit ditën e konkurimit të hapur për publikun. Do të ishte mirë të jepeshin edhe referencat bibliografike të përdorura prej konkuruesve – për të eleminuar dyshimet mbi plagjatura të rëndomta të shitura për gjetje origjinale – të cilat mund të verifikohen direkt on line nga juria, meqë tashmë thuajse gjithçka është e përftueshme në rrjetin internet.

Duke thënë këto gjëra më duket vetja sikur po shpik ujin e ngrohtë, më duket sikur po bëj pedagogji apo alfabetizim të rëndomtë. Ç’ka u tha më lart është thjeshtë proçedura normale e një konkursi publik në vendet evropiane. Por më mirë të akuzohem për pedagogjizëm dhe alfabetizim të rëndomtë sesa për menefregizëm. Personalisht nuk kam asnjë dëshirë ta shoh TK të gozhduar në kryq, por në udhë, për të luajtur me titullin e Mihal Luarasit. Sepse kjo është perspektiva që i paraqitet në të ardhmen e shpejtë: o merren vendime për të formuar një strukturë të qëndrueshme dhe efikase, ose do të humbasim përgjithmonë Teatrin, artin e parë të institucionalizur në Shqipëri (1945) dhe për koinçidencë, por jo rastësisht, në Evropë (arti i parë i institucionalizuar në kulturën evropiane është teatri i athinasve të lashtë). Këtë specifikim të fundit e them duke nënvizuar in primis përgjegjësinë e qeverisë Rama, Ministrisë së Kulturës dhe personalisht të znj. Kumbaro-Furxhi. Këto ditë, me vendimin që do të marrin, ata kanë mundësinë të tregojnë evropianizimin e tyre. Nuk na mbetet veçse të presim.

P.S. Personalisht do të publikoj platformën/dosjen time ditën e përfundimit të aplikimeve në http://www.aksrevista.wordpress.com hapësirë të cilën ja ofroj falas edhe Ministrisë së Kulturës për të publikuar dosjet e konkuruesve të tjerë, duke i garantuar privatësinë e të dhënave personale, nëse Ministria në fjalë nuk ka ende një sit interneti për një shërbim të tillë publik.