Efekti katartik i debatit dhe inflacioni i fjalës në qerthullin teatror. (Romeo Kodra)

Problemi i teatrit në Shqipëri është heshtja.
Heshtja është humus për pjellorinë e terrenit mafioz. Kur njerëzit flasin, diskutojnë, debatojnë, ata i hapen njëri tjetrit, i ekzpozohen bashkëbiseduesit. Ndërsa heshtja – nëse do i marrim të mirëqena njohuritë e fushës së psikologjisë – është kolona zanore e kalimit në akt, e dhunës, e abuzimit.
Pak ditë më parë pata një reagim të drejtorit të Teatrit Kombëtar të Komedisë i cili komentoi dy shkrime, “Teatrër Eksperimental apo Teatër i Komedisë? Kjo nuk është çështja.” dhe “Gjendja e ‘komedisë shqiptare’, shpina e Robert Ndrenikës dhe teatrologjia shqiptare”.

I prekur në kallo z. Kastriot Çipi – të cilin e falenderova duke qenë se ishte i pari që bënte një ‘comunig out’ publik duke iu përgjigjur kritikave të mia (ka reaguar edhe Ema Andrea, por me një mesazh privat që për përmbajtjen aspak profesionale nuk më jepet mundësia ta publikoj) – mu kundërvu duke vënë në diskutim edhe njohuritë e mia teatrore.
Duke qenë se siç thotë Lacan-i ‘gjuha na flet’, vura re që në fjalët e drejtorit thuhet më shumë se ç’kish dashur të thoshte vetë z. Çipi. Dhe kjo gjuhë që fliste drejtorin e TKK denoncon njohuritë e profesionit të tij, që supozojmë të jenë teatri si art, por edhe menaxhimi i artit të teatrit (duke qenë se është zgjedhur në krye të një institucioni publik kombëtar).
Drejtori i TKK, aspak i mësuar të lexojë kritika të vërteta, kujtoi se prapa meje kishte ndonjë telekomandues kukullash. Ai për të treguar se ç’kishte bërë profesionalisht për teatrin filloi të rendiste arritjet e tij në këtë mënyrë:
“Unë nuk e di ku ke jetuar ti gjatë 15 viteve të fundit dhe pse nuk e di, ose bën sikur nuk e di, se unë kam 15 vjet që flas publikisht kundër politikat antikulturore të ministrave shqiptarë të kulturës, përfshi edhe kryeministrin aktual. Ku ishe ti Adam, kur Teatri Kombëtar u mbyll me urdhër të ish ministrit sot kryeministër? Ku ishe ti Adam, kur ndërtesa e Teatrit Kombëtar u propozua për shembje nga ish kryetari i Bashkisë sot kryeministër? Ku ishe ti Adam, kur u hartuan tri ligjet për teatrin (2000), artin skenik (2006) dhe artin e kulturën (2010)? Pasi të kujtohesh ku ke qenë vetë, informohu se ku kam qenë unë, pastaj eja e më fol si zoti nga maja e reve.”
Personalisht kam përshtypjen se z. drejtor i sheh si esenciale, madje edhe të mjaftueshme për profesionin e tij këto arritje. Për mua nuk janë të mjaftueshme, ndonëse esencial mbetet angazhimi për gjithkënd në interesimin e menaxhimit të gjësë publike prej politikanëve. Por kam gjithashtu përshtypjen se aludimi i menjëhershëm rreth politikanëve vjen edhe si rrjedhojë e një ‘praxis cotidiana’ të sprovuar të dinamikave pushtetare që aspak kanë të bëjnë me artin e teatrit. Drejtori i TKK, duke qenë i rregjur në mjedisin e tij, di që nëse dikush ngre zërin e bën vetëm sepse është bërë paraprakisht palë e një kahu politik dhe jo sepse i intereson teatri apo ka njohuri mbi të. Kështu që detyrimisht kritika ime është – për të – e krahut tjetër.
Zotit Çipi (të cilit i shpreha solidaritetin për iniciativën kundër ndërrimit me autoritarizëm të emrit të TKK nga ana e Ministrisë, por jo për mënyrën e të bërit teatër dhe menaxhimin e tij) me këtë rast iu duk e arsyeshme të kundërsulmonte sepse, siç thashë, për të jam i kahut të kundërt. Por, fatkeqësisht, këtu mbreti/drejtori na del lakuriq. Ai me dy fjali demonstron ‘profesionin’ e tij menaxherial:

“Vlerësimi i një platforme menaxhimi nuk mund të mos jetë subjektiv dhe, më lejo të them, se gjykimi im subjektiv për platformën tënde ishte “platformë e një njeriu që nuk e njeh Teatrin Kombëtar”. Mjafton të të them se ti nuk e di sa vetë punojnë në atë institucion.”

Drejtori – duke qenë se nuk ka njohuri profesionale mbi menaxhimin – kujton se studimi shkencor i teknikave menaxheriale i lihet në dorë gjykimeve subjektive (Kjo po, që do të ishte parajsa e injorancës!). Nuk kupton që kur bëhet fjalë për studime shkencore subjektivizmi është deontologjikisht i përjashtuar. Jo vlerësimi, por zgjedhja e shkollave apo teorive të menaxhimit që mundëson hartimin e projekteve menaxheriale është subjektive. Këtë kam bërë edhe unë për projekt-platformën time, por z. Çipi nuk mund ta deshifrojë në përkatësinë e saj, edhe se këtë do e dallonte si shqipen nga arabishtja, apo latinishtja nëse do të kishte një alfabetizim menaxherial minimal. Më pas ai fundos veten duke më vënë në dukje injorimin tim të numrit të punonjësve të Teatrit Kombëtar, që mesa kuptoj duhet të ketë ndonjë burim të cilin e supozon të saktë. Por kjo nuk është një mungesë e imja, që – edhe nëse do të gabohesha – u bie si barrë moskompetence drejtuesve të institucionit të TK apo Ministrisë së Kulturës të cilët, nëse do e kishin ndopak idenë e menaxhimit të institucionit, do të duhej ta kishin publikuar në faqen e tyre të internetit. Madje këtë gjë nuk e ka bërë as drejtori z. Kastriot Çipi që drejton TKK [U rekomandoj lexuesve një provë të vogël për të kuptuar, sot e kësaj dite, lehtësinë e gjetjes së numrit të të punësuarve në TK apo TKK].

Sikur të kishte probleme edhe me leximin e shqipes z. drejtor i TKK më sugjeron që “[në]se [m]ë ha meraku se kush është “gomari e kush zoti i kulturës”, organizo[…] një debat publik me ministren e kulturës dhe më fto. Do të vij patjetër, se kam edhe unë qejf të ndaj gomarin nga balta dhe kulturën nga sofizmat”. Praktikisht atë që i kisha sugjeruar unë në shkrimin tim të mëparshëm, pra organizimin e ‘manifestimeve intelektuale’ siç u imponon “Ligji për Artin dhe Kulturën” [neni 6] drejtuesve të institucioneve publike kulturore kombëtare. Por drejtorin e TKK kinse e ha meraku të thotë gjëra kundra palës tjetër, nuk e ha meraku të dalë nga zhezhitja e së përditshmes masmediatike shqiptare. Atij i mjafton të bëj zhurmë, paçka se faktet e nxjerrin, siç shihet, lakuriq.
I pakënaqur me lakuriqësinë menaxheriale z. drejtor i TKK donte të më tregonte vendin edhe përsa i përket specificitetit profesional të artit teatror. Këtu, mbreti/drejtor na shpalos jo vetëm lakuriqësinë e tij të paturpshme, por edhe zbrazëtinë e njohurive teatrore.
Rasti i jepet duke më cituar:
“Romeo Kodra: [‘Djemtë gazmorë’ janë një vepër suksesi e Broadway-it që vetëm për këtë fakt duhet evituar të vihet në skenat tona sepse prej kufomave të një teatri komercial, të një teatri vdekjeprurës dhe vdekjendjellës (‘deadly theater’ e quante Peter Brook në ‘Empty Space’) nuk mund të vijë asgjë e gjallë. Dhe teatri është një art që luhet përsëgjalli.]
Mos ia vish Peter Brook-ut budallalleqet e tua! Duhet te jesh budallai me i madh ne bote te thuash se nuk duhet vene nje nje tekst ne skene vetem e vetem se na qenka vene ne skene ne Broadway. Ti qe u shet mend te tjereve i paske kaluar tangent atij libri pa kuptuar asgje. Brook flet per venie ne skene, jo per tekste vdekatare (se me duket se nuk dike as anglisht). Lexo me poshte citimin:
Peter Brook: [The theatre has often been called a whore, meaning its art is impure, but today this is true in another sense – whores take money and then go short on the pleasure. The Broadway crisis, the Paris crisis, the West End crisis are the same: we do not need the ticket agents to tell us that the theatre has become a deadly business and the public is smelling it out… […] A true theatre of joy is non-existent and it is not just the tricial comedy and the bac musical that fail to give us our money’s worth – the Deadly Theatre finds its deadly way into grand opera and tragedy, into the plays of Moliere and the plays of Brecht. 12]”
Zoti Kastriot Çipi, drejtor i TKK, po më mëson mua terminologjinë e Brook-ut duke mos kuptuar që ky autor përdor sintagmën ‘deadly theater’ si koncept të përdorur më parë nga Antonin Artaud. Nuk kupton zotëria që ‘vepër teatrore’ është si teksti ashtu dhe vënia në skenë. Nuk kupton që po ndyn Molierin sepse nuk e ka idenë që Neil Simon-i ka shkruar këtë pjesë pikërisht për Broadway-n, për të cilin Molieri nuk më rezulton se ka shkruar [O njeri, tekstet e Molierit bëhen ‘deadly’ kur hyjnë në Broadway, ndërsa tekstet e Neil Simon-it kanë lindur ‘deadly’!!!]. Ky zotëri që ‘dika’ anglisht dhe përkthen ‘deadly/vdekatar’, që ka lexuar ‘Hapësira boshe’ të Peter Brook-ut sipas përkthimit noterial të Sesilia Plasarit, merr guximin dhe me pafytyrësinë më të madhe më tregon kalimin tim ‘tangent’ të këtij libri. Dhe absurditeti kalon çdo kufi kur mund të shihet prej të gjithëve që citimi i tij është një ‘copy/paste’ nga rrjeti internet të cilin nuk e ka lexuar aspak, sepse po ta kishte lexuar – me anglishten e tij ‘perfekte’ – do e kish vënë re që ky ‘abstrakt’ ka gabime ortografike, duke qenë se është kopje e kopjes, pra një simulakër e pastër. Dhe simulakra është malli që ka influencuar të gjithë thesaurus-in e teatrit shqiptar, ka bulimizuar një kontekst të tërë që topitet i bukosur nga kompetentë zhurmues të palëve politike dhe adhurues të paepur të emërimeve dhe emërtimeve.
Për ta mbyllur shpresoj që të mos heshtet më mbi teatrin, siç shpresoj që të flitet me njohuri argumentash për të kufizuar vërshimin e përrenjve inflacionues sepse vetëm kështu kemi shpresë të çlirojmë shqisat dhe ndoshta të perceptojmë realisht të shumëpërfolurën katharsis.

‘Teatër Eksperimental’ apo ‘Teatër i Komedisë’? Kjo nuk është çështja! (Romeo Kodra – Gazeta Shqiptare 23/03/2014))

Erdhi edhe rradha e Teatrit Kombëtar të Komedisë. Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro-Furxhi siç duket ka vënë në shenjestër edhe këtë institucion publik në vartësi së Ministrisë që drejton. Duhet t’i njohim kësaj Ministreje një farë koherence në vendosmërinë e ndryshimit të institucioneve mbi të cilat ka kompetencë [ndryshim i kufizuar në emërtime dhe emërime, natyrisht. Përtej fasadës? ‘Larg qoftë’, nëse thellohemi!].

Kështu që natyrshëm i erdhi rradha edhe TKK. Nuk kuptoj çudinë e drejtorit Kastriot Çipi dhe bordit artistik të TKK nga kjo pikëpamje. Nuk kuptoj pse kujtojnë se, meqë “TKK ka marrë lavdërime” prej Ministres së Kulturës gjatë një takimi me të, u dashka kursyer nga koherenca ministrore [Prandaj paskan ndenjur urtë deri më tani!?]. Madje kanë nënshkruar edhe një peticion për “shpëtimin e TKK”, me të cilin kërkojnë të mbledhin shumën e ‘paimagjinueshme’ të 1000 firmave.

U them këtyre zotërinjve se janë shumë vonë. Loja ka mbaruar me kohë miq të dashur. Është e lehtë të ngrini zërin kur patatja e nxehtë ju vjen nën të ndenjura. I pata kërkuar një miku të TKK ekspozimin publik për autoritarizmin e Ministres së Kulturës gjatë proçesit të përzgjedhjes së Drejtorit të Teatrit Kombëtar ku – duke u faktuar mbi ligj – mund diskretitohej jo vetëm Ministria e Kulturës, por të tërë ata që ‘Ligjin për Artin dhe Kulturën’ e kanë hartuar. Dhe do të ishte higjenizuar goxha ambjenti kam përshtypjen. Por kërkesës së mbështetjes sime me një ekspozim në vetë të parë me dashamirësi iu preferua ‘një shfaqje në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit’ dhe premtimi i ekspozimit ‘pas zgjedhjes së drejtorit të Teatrit Kombëtar’, domethënë, ‘pas pilafit’, që megjithatë ende jam duke e pritur.

Përshtypja ime është se kush nuk ka hapur gojën përgjatë gjithë këtyre autoritarizmave ministrorë e ka bërë sepse injoron totalisht kontekstin artistiko-kulturor shqiptar, ose është i përfshirë në marrveshje të dyshimta që e kanë sjellë në pozicionin e derimësotëm. Nuk shoh arsye tjetër. Jam i hapur ndaj alternativave.

Si mund të dilet nga kjo situatë miq të dashur të TKK? Është e thjeshtë besoj: duke folur për atë që të gjithë duket se evitojnë; për teatrin si art dhe si art që duhet menaxhuar në mënyrë specifike dhe të posaçme. Pse ju, operatorë të fushës, keni kaq frikë të kundërshtoni Ministren e Kulturës në thelbin e çështjes? Është i çuditshëm fakti që nuk e bëni duke qenë se do të flisni për gjënë që teorikisht njihni më mirë, për profesionin tuaj dhe (shpresoj) pasionin. Jeni të pasigurtë për atë që dini të bëni? Atëherë si keni arritur aty ku jeni? Keni arritur aty si bord dhe si drejtues duke fituar konkurse të hapura me platforma të cilave u dilni për zot sot e kësaj dite? Mos vallë ka të drejtë Ministrja e Kulturës kur flet për “qoka”? Nëse nuk është kështu, pse nuk detyroni Ministren Kumbaro-Furxhi të zbresë një ditë të bukur nga zyra në një debat publik të hapur, me praninë e media-s, në sallën e TKK, ku të mund të vlerësohet vizioni i Ministrisë së Kulturës? Por kini kujdes, do t’ju duhet të justifikoni edhe vizionin tuaj, artistik dhe menaxherial. Jeni të sigurtë që keni bërë art me broadway-izmat që keni vënë në skenë këto pak vite të egzistencës suaj si institucion? Jeni të sigurtë se ajo është komedia e vërtetë, për të cilën mbani emrin dhe jeni përfaqësues institucional? Jeni të sigurtë se ia keni idenë se ç’është një platformë e vërtetë menaxheriale dhe ndërtimi strukturor i një institucioni? Kam përshtypjen se edhe ju miq të dashur do t’ju duhet të ekspozoheni dhe të vlerësoheni për ato që dini. Dhe do t’ju duhet diçka më shumë se ndonjë frazë e efektshme e hedhur tek-tuk për të sugjestionuar profanët e teatrit. Kam përshtypjen se në këtë rast ka pjesërisht të drejtë Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro-Furxhi (dhe unë e di sa më kushton të jem në një gjysëm-mendje me të) kur thotë “le të flasim për menaxhim”, dhe për vizion teatri, do të shtoja unë. Kështu do të zbulojmë kush e luan bluff-in.

Miq të dashur nuk ka zgjidhje tjetër. Gomarin nga balta e nxjerr i zoti dhe jo një gomar tjetër. Duhet ende të shohim kush është i zoti i artit dhe kulturës – i vizionit teatror në veçanti – dhe kush gomerët. Deri më sot kemi parë vetëm gomarllëqe artistike dhe menaxheriale (përjashto raste sporadike si ai i Giselle-it të Nezhës dhe Conti-t të organizuar nga Ilir Kerni), nga ekzekutivi Rama si dhe nga drejtuesit e institucioneve publike.

Është e qartë që Ministres së Kulturës i duhet kjo fishekzjarre e emërtimit idiot, për të zëvendësur një emërtim jo më pak idot dhe ofendues për thelbin e komedisë, sepse do të shpërqëndrojë vëmendjen nga projektligji që ka propozuar për artin dhe kulturën. Miq të dashur, ndokush e ka parë këtë projektligj? Është këtu që duhet vënë me shpatulla pas muri politika autoritare e kulturës autoktone, jo me rendjen pas emërtime idiote.

Kam përshtypjen miq të TKK se ata që nuk e ngrejnë problemin në këtë plan nuk kanë kompetencat e duhura, nuk njohin gjë tjetër përveç etiketave të emërtimeve (rrjedhimisht: posteve institucionale) të lëmës teatrore njësoj si ekspertët e Ministrisë së Kulturës. Dhe Ministrja, të dashur miq, e di më mirë se ju këtë gjë dhe kur ju thotë se “qasj[a juaj është] për interesat personale dhe të pozicionit aktual” po ju thotë se ‘ju erdhi dita’. Mendoni për një vend të ri pune.