Kultura dhe rrënjët e Mafias: deri tek Avokati i Popullit. (Romeo Kodra)

Leviathan

Leviathan

Para disa kohësh dërgova tek Avokati i Popullit një kërkesë për mbështetje të çështjes sime problematike me Ministrinë e Kulturës, dhe specifikisht për përzgjedhjen e Drejtorit të Teatrit Kombëtar. Për këtë çështje kam shkruar mjaftueshëm në AKSREVISTA, por – për të bërë një sintezë – kisha evidentuar disa pika që edhe një i verbër apo analfabet i dallon si problematike nga pikëpamja ligjore. Ato ishin:

1. juria e konkursit me konflikt interesi, duke qenë e varur direkt prej ministres Kumbaro-Furxhi;

2. juria jo kompetente e fushës për të cilën vlerëson, duke qenë se asnjëri prej anëtarëve nuk ka një formacion studimor apo eksperiencë profesionale direkte në fushën e teatrit;

3. mungesa e dhënies së vlerësimit të platformës sime, me anë të së cilës do të mund të shihja edhe përgatitjen e jurisë nga pikëpamja teatrore dhe menaxheriale-teatrore;

4. mungesa e vënies në dispozicion të kopjes së platformës së fituesit – që aktualisht është në zbatim dhe duhet të jetë publike – me pretekstin se është nën të drejtat e autorit (në një konkurs publik të drejta autori ?!?!?!);

5. konflikti i interesit në gjyqësor të drejtorit të përzgjedhur, duke qenë se në momentin e përzgjedhjes ishte në një proçes me Teatrin Kombëtar dhe që automatikisht me përzgjedhjen e tij karshi ligjit dyzohet si “paditës” dhe “i paditur”;

5.1. konflikti i interesit në gjyqësor agravohet nga një fakt a posteriori ku drejtori i përzgjedhur prej Ministrisë së Kulturës i gjen “rastësisht” një pozicion punësimi “me konkurs” në Teatrin Kombëtar personit që në shkallën e parë të proçesit gjyqësor i kishte vënë në dispozicion provën kryesore për të mos u fajësuar;

5.2. agravohet jo vetëm konflikti i interesit por edhe taksat publike kur shihet se në Teatrin Kombëtar zgjedhjet e “rastësishme” me “konkurs” janë bërë praxis cotidiana (shih “pilotimin” e pozicioneve të tjera të publikuara si vende me konkurs nga TK).

Këtyre pikave nga zyrat e Avokatit të Popullit ju përgjigjen:

“Në postën elektronike të institucionit të Avokatit të Popullit keni paraqitur në dt. 28/07/2014 një ankesë në përmbajtjen e së cilës kundërshtoni rezultatin e shpallur nga Ministria e Kulturës si dhe procedurën e ndjekur për vlerësimin e kandidimeve, lidhur me konkursin e dt 05/12/2013 për postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar.
Avokati i Popullit pasi u njoh me shqetësimin tuaj, ka detyrimin kushtetues dhe ligjor t’ju informojë se ankesa juajnuk përmban elemente për t’u pranuar për shqyrtim.
Lidhur me objektin kryesor të ankesës, ju sqarojmë se në bazë të Ligjit “Për Avokatin e Popullit” neni 2, “Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshëm të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe të të tretëve që veprojnë për llogari të saj” .
Për rastin në fjalë nuk gjendemi përpara një të drejte të shkelur për aq kohë sa ka patur një procedurë konkurrimi dhe është shpallur një fitues në bazë të kritereve të vendosura nga institucioni përkatës, ndaj nuk ka hapësira për ndërhyrje të mëtejshme të Institucionit të Avokatit të Popullit.
Duke besuar në mirëkuptimin tuaj,
Stela SHKARPA”

Burokratishtja perfekte dhe e zbrazët, aq sa duhet për të mos të të inkurajuar të kërkosh shpjegime të tjera, mesa duket nuk më bëri efekt, kështu që vendosa të shkoja personalisht për të marrë një përgjigje njerëzisht të kuptueshme.

Më priti “drejtori për shërbimet ndaj qytetarit” z. Besnik Deda. Me shumë xhentilesë më tha – “midis nesh” – se ishte “më mirë ta lija këtë punë”. “Jashtë nesh” më tha që “kjo çështje nuk ka të bëjë me Statusin e Nënpunësit Civil” për të cilin mund edhe të ndërhynte Avokati i Popullit. Meqë si të vetmin pretekst nxorri këtë arsye po jap një link të Ministrisë të Kulturës në të cilin mund të lexohet qartësisht se “Kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e përgjithshme për pranimin ne Pozicionin Drejtor i Tetarit Kombëtar ne përputhje më nenin 12 te ligjit 8549, datë 11.11.1999 Statusi i nëpunësit civil.” – ergo, kemi të bëjmë me Statusin e Nënpunësit Civil.

http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/njoftime/konkurrim-per-vend-pune-drejtor-i-teatrit-kombetar&page=5

Nuk po i futem pikave të tjera që kisha parashtruar në kërkesë sepse po supozoj që për Avokatin e Popullit nuk ekzistojnë.

Duke më këshilluar vllazërisht z. Deda, në mbyllje të takimit tonë, më tha që të mos humbisja kohë të shkoja nëpër prokurori apo gjykatë, por të bëja një ankimim në Ministri të Kulturës dhe në Kryeministri, duke qenë se janë institucionet që firmosin për pozicionin e drejtorit të TK.

Tani, gjëja interesante është se nuk është hera e parë që më thonë të “bëj një xhiro andej nga Kryeministria”. Por, nuk kam ndërmend ta bëj. Pikësëpari për faktin se është mëse e ditur dhe kuptuar tashmë moda e të bërtiturit në masmedia për të marrë një copë kockë nga duart e Kryeministrit, për të zënë një vend pune. Sëdyti, sepse një vend pune nuk zihet e as zaptohet, por bëhet. Është e vështirë të kuptohet në një mjedis prostitucional qoftexhinjsh dhe matrapazësh një gjë e tillë, por kam përshtypjen se duhet dhënë shembulli dhe alternativa në vetë të parë.

Ajo që do të bëj është të hap një gjyq kundër z. Edi Rama dhe znj. Mirela Kumbaro-Furxhi. Për të mos ofenduar inteligjencën time dhe për të mos luajtur një teatër burokratik, meqë zotërinjtë bëjnë të paditurit, atëherë – pa i lajmëruar me një letër zyrtare – do të mund t’i takoj atje ku të paditurit takohen, përpara një gjykatësi. Nuk do të harroj as institucionin e Avokatit të Popullit që në këtë rast e shoh si Avokat të Qeverisë (emrit të së cilës do i bashkangjitet në akt-padi) dhe si pjesë bashkëpunëtore e një atentati mafioz të përditshëm ndaj institucioneve kombëtare të artit dhe kulturës shqiptare.

Do i provoj të treja shkallët e gjykimit, dhe – nëse nuk mjafton për të nxjerrë të drejtën që them se më takon – do të vazhdoj më tej, deri në gjykatën e Strasburgut.

Kam një problem të vogël: nuk disponoj as një shumë të hollash dhe as një rrogë mujore për të ndërmarrë këtë inisiativë leviatanike.

Kanë një problem të vogël edhe “të paditurit”: shtëpinë, që sot, e kam nxjerrë në shitje!