Zgjedhja e Drejtorit të Teatrit Kombëtar: sikur Pasolini në 2014 … (Romeo Kodra)

Në 1974, Pier Paolo Pasolini shkruante atë që në shkollat e gazetarisë njihet si një lloj manifesti i gazetarit intelektual. Bëhet fjalë për artikullin e botuar në “Corriere della Sera” me titull “Che cos’è questo golpe? Io so.” (Ç’është ky grusht shteti? Unë di). Intelektuali italian merrte në këtë rast guximin të bënte një kritikë të pastër krejt sistemit politik, përtej provave dhe gjurmimit të të dhënave, duke u mbështetur në ndershmërinë e arsyes intelektuale.

40 vjet më vonë, Shqipëria po bën të njëjtat hapa të Italisë së viteve ’70 drejt “normalizimit demokratik”. Duke marrë shkas prej kësaj analogjie do të kisha dëshirë të ndiqja, duke bërë një lojë kronotopike, zhvillimin e arsyes intelektuale pasoliniane në këtë moment historik që po kalon vendi ynë. Për këtë po përdor zhvillimet e fundit në politikat social-kulturore dhe, më konkretisht, duke filluar nga përzgjedhja e Drejtorit të Teatrit Kombëtar.

Pasolini do të fillonte me:

Unë di. Unë di tashmë që shpallja e konkursit për postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar është sa për t’i hedhur hi syve publikut taksapagues. Kjo vërtetohet nga fakti që Ministria e Kulturës në deklarata për shtyp (9/1/2014) pohon se: “Në këtë konkurs u paraqitën njëmbëdhjetë konkurues, të cilët iu nënshtruan procesit të selektimit nga Komisioni i ngritur nga Ministria e Kulturës në bazë të dispozitave të ligjit ‘Për Artin dhe Kulturën’”. Hiri syve duket qartazi sepse në këtë ligj nuk ka asnjë fjalë për “ngritjen e një komisioni’’. Ky ligj, dhe kjo zbrazëti ligjore, i mundëson një autoritarizëm të pastër Ministrit të Kulturës, ligj të cilin politikanët tanë i kanë praktikisht aprovuar vetes, nën heshtjen dhe injorancën e alkoholizuar të operatorëve dhe ‘intelektualëve’ të fushës së artit dhe kulturës. Ministria, në këtë rast, kur thotë se po bazohet në ligj po mashtron, ose injoron totalisht një gjë të tillë.

Shpresa ishte që Ministrja e Kulturës, znj Kumbaro-Furxhi, duke qenë se nuk vinte nga rradhët e politikës, të vendoste një komision dhe, mbi të gjitha, një komision ekspertësh.

Unë di që znj. Kumbaro-Furxhi një gjë të tillë nuk e bëri.

Unë di sepse, që në formulimin e kritereve të kërkuara kandidatëve në shpalljen publike të konkursit, shihet që ‘ekspertët’ – në më të mirën e rasteve – nuk kanë idenë se ç’është TK dhe puna në TK. [Përcaktimi i një ‘kalendari të qartë vjetor’ është një absurditet që edhe profanët e teatrit e kuptojnë si të pamundur për tu realizuar pa njohur trupën, regjizorët, buxhetin. Për të mos folur për ‘shfaqjet e repertorit’ që s’ekzistojnë as në ëndrrat më jermuese të çdo teatërdashësi kryeqytetas.] Them që këta ekspertë janë injorantë të fushës në më të mirën e rasteve, sepse mund të jenë edhe të manipuluar nga lart apo, më keq, të korruptuar. Në çdo rast nuk justifikojnë veten përpara punëdhënësit të tyre: publikut taksapagues.

Unë di që Ministrja e Kulturës znj. Kumbaro-Furxhi kur thotë ‘Le të flasim për menaxhim !’ – në debatet përpara artistëve, kinematografëve, teatrantëve – nuk e bën vetëm se kjo fjalë magjike i duket “fashion & trendy”, por edhe sepse kujton që në këtë fushë ‘deti është bërë kos’ dhe mund t’i hyjë me lugë pa pikë meraku, falë mungesës së figurave profesionale kompetente, apo frikës së këtyre figurave për sigurinë e bukës së gojës .

Unë di që Ministrja, edhe nëse nuk është e fushës së menaxhimit të artit dhe kulturës, ka mundësi të zgjedhë njerëz që dinë ç’janë strukturat menaxheriale, por nuk do. Nuk do sepse, edhe nëse nuk do të donte të zgjidhte kompetentë shqiptarë, mund ta kish bërë prej strukturave të Bashkimit Evropian të pranishëm në vend të cilët do të konstatonin përgatitjen e kandidatëve për postet e drejtuesve të institucioneve artistiko-kulturore kombëtare dhe do të kishin guximin të publikonin rezultatet e konstatimeve të tyre pa ndrojtje.

[Personalisht kam protokolluar më 17/1/2014 në Ministrinë e Kulturës kërkesën e vënies në dispozicion (fotokopimit) të dosjes së komisionit përzgjedhës së Drejtorit të TK dhe komenteve të tyre mbi platformat, për të cilat mbetem ende në pritje. Por mëkot, sepse e di që Ministrja kupton rrezikun e diskretitimit, jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen, që i kanoset nga kjo zgjedhje.]

Unë di që nëse institucionet artistiko-kulturore publike do të reformoheshin realisht në strukturat e tyre menaxheriale do të bëheshin efikase në atë pikë sa të konkuronin disa struktura para-shtetërore, të cilave politikanët tanë u kanë lënë pjesën më të madhe të ‘tortës artistiko-kulturore’ duke qenë se paguhen prej këtyre strukturave para-shtetërore, apo sepse thjeshtë i zotërojnë ato me emra fiktivë.

Unë di që e vetmja mënyrë për mbijetesë e institucioneve artistiko-kulturore publike do të ishte ndërlidhja në një makro-strukturë menaxheriale të përbashkët me institucionet formative dhe kërkimore të artit dhe kulturës (universitetet). Unë di që nëse kësaj makro-strukture do t’i shtoheshin si mbështetës institucionet mediatike publike (RTSH), atëherë strukturave para-shtetërore do tu mbeteshin thërrimet e sipërmarrësit më të madh dhe më kualitativ artistiko-kulturor: Shtetit Shqiptar. Pra shqiptarëve që, me shumën e taksave që paguajnë për këto institucione, meritojnë t’i shohin pararojë të artit dhe kulturës dhe jo totalisht të zbrazët në përmbajtjen e tyre artistiko-kulturore, duke i hapur rrugën identifikimit shoqëror të artit dhe kulturës në atë që propagandon konsumerizmi televiziv jo publik.

Unë di, sëfundmi, që shpresa e krijuar nga përzgjedhja si Ministre e Kulturës së znj. Kumbaro-Furxhi – si person jo militant – dhe mohimi thuajse i menjëhershëm i kësaj shprese, falë zgjedhjeve të dyshimta dhe fiktive që ka bërë për drejtuesit e institucioneve artistiko-kulturore kombëtare, do të ketë një efekt apokaliptik për kontekstin artistiko-kulturor shqiptar. Efekti do të jetë ai i reformave dhe ristrukturimeve menaxheriale të munguara për të cilat do të flasim mandatin e ardhshëm, dhe që do të mundësojnë ajrosjen e gojës së kërmave të politikës që do të thonë: ‘’E patë, e zgjodhëm njërën si ju, që s’ishte politikane, dhe rezultatet i keni përpara syve!’’ Kështu që do të kemi, nga njëra anë, një rivirgjërim të politikanëve që do t’i vërsulen lirisht ‘tortës së artit dhe kulturës’ dhe, nga ana tjetër, një diskreditim të atij elektorati që s’ka votuar asnjë parti politike[1] që shpresonte të përfaqësohej denjësisht nga imazhi (deri më dje) i panjollosur i Ministres Kumbaro-Furxhi.


[1]    Kujtoj që numëri i mosvotuesve në zgjedhjet e fundit arriti një përqindje (mbi 33%) që asnjë parti politike nuk mund ta konkurojë.