Kultura dhe rrënjët e Mafias: deri tek Avokati i Popullit. (Romeo Kodra)

Leviathan

Leviathan

Para disa kohësh dërgova tek Avokati i Popullit një kërkesë për mbështetje të çështjes sime problematike me Ministrinë e Kulturës, dhe specifikisht për përzgjedhjen e Drejtorit të Teatrit Kombëtar. Për këtë çështje kam shkruar mjaftueshëm në AKSREVISTA, por – për të bërë një sintezë – kisha evidentuar disa pika që edhe një i verbër apo analfabet i dallon si problematike nga pikëpamja ligjore. Ato ishin:

1. juria e konkursit me konflikt interesi, duke qenë e varur direkt prej ministres Kumbaro-Furxhi;

2. juria jo kompetente e fushës për të cilën vlerëson, duke qenë se asnjëri prej anëtarëve nuk ka një formacion studimor apo eksperiencë profesionale direkte në fushën e teatrit;

3. mungesa e dhënies së vlerësimit të platformës sime, me anë të së cilës do të mund të shihja edhe përgatitjen e jurisë nga pikëpamja teatrore dhe menaxheriale-teatrore;

4. mungesa e vënies në dispozicion të kopjes së platformës së fituesit – që aktualisht është në zbatim dhe duhet të jetë publike – me pretekstin se është nën të drejtat e autorit (në një konkurs publik të drejta autori ?!?!?!);

5. konflikti i interesit në gjyqësor të drejtorit të përzgjedhur, duke qenë se në momentin e përzgjedhjes ishte në një proçes me Teatrin Kombëtar dhe që automatikisht me përzgjedhjen e tij karshi ligjit dyzohet si “paditës” dhe “i paditur”;

5.1. konflikti i interesit në gjyqësor agravohet nga një fakt a posteriori ku drejtori i përzgjedhur prej Ministrisë së Kulturës i gjen “rastësisht” një pozicion punësimi “me konkurs” në Teatrin Kombëtar personit që në shkallën e parë të proçesit gjyqësor i kishte vënë në dispozicion provën kryesore për të mos u fajësuar;

5.2. agravohet jo vetëm konflikti i interesit por edhe taksat publike kur shihet se në Teatrin Kombëtar zgjedhjet e “rastësishme” me “konkurs” janë bërë praxis cotidiana (shih “pilotimin” e pozicioneve të tjera të publikuara si vende me konkurs nga TK).

Këtyre pikave nga zyrat e Avokatit të Popullit ju përgjigjen:

“Në postën elektronike të institucionit të Avokatit të Popullit keni paraqitur në dt. 28/07/2014 një ankesë në përmbajtjen e së cilës kundërshtoni rezultatin e shpallur nga Ministria e Kulturës si dhe procedurën e ndjekur për vlerësimin e kandidimeve, lidhur me konkursin e dt 05/12/2013 për postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar.
Avokati i Popullit pasi u njoh me shqetësimin tuaj, ka detyrimin kushtetues dhe ligjor t’ju informojë se ankesa juajnuk përmban elemente për t’u pranuar për shqyrtim.
Lidhur me objektin kryesor të ankesës, ju sqarojmë se në bazë të Ligjit “Për Avokatin e Popullit” neni 2, “Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshëm të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe të të tretëve që veprojnë për llogari të saj” .
Për rastin në fjalë nuk gjendemi përpara një të drejte të shkelur për aq kohë sa ka patur një procedurë konkurrimi dhe është shpallur një fitues në bazë të kritereve të vendosura nga institucioni përkatës, ndaj nuk ka hapësira për ndërhyrje të mëtejshme të Institucionit të Avokatit të Popullit.
Duke besuar në mirëkuptimin tuaj,
Stela SHKARPA”

Burokratishtja perfekte dhe e zbrazët, aq sa duhet për të mos të të inkurajuar të kërkosh shpjegime të tjera, mesa duket nuk më bëri efekt, kështu që vendosa të shkoja personalisht për të marrë një përgjigje njerëzisht të kuptueshme.

Më priti “drejtori për shërbimet ndaj qytetarit” z. Besnik Deda. Me shumë xhentilesë më tha – “midis nesh” – se ishte “më mirë ta lija këtë punë”. “Jashtë nesh” më tha që “kjo çështje nuk ka të bëjë me Statusin e Nënpunësit Civil” për të cilin mund edhe të ndërhynte Avokati i Popullit. Meqë si të vetmin pretekst nxorri këtë arsye po jap një link të Ministrisë të Kulturës në të cilin mund të lexohet qartësisht se “Kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e përgjithshme për pranimin ne Pozicionin Drejtor i Tetarit Kombëtar ne përputhje më nenin 12 te ligjit 8549, datë 11.11.1999 Statusi i nëpunësit civil.” – ergo, kemi të bëjmë me Statusin e Nënpunësit Civil.

http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/njoftime/konkurrim-per-vend-pune-drejtor-i-teatrit-kombetar&page=5

Nuk po i futem pikave të tjera që kisha parashtruar në kërkesë sepse po supozoj që për Avokatin e Popullit nuk ekzistojnë.

Duke më këshilluar vllazërisht z. Deda, në mbyllje të takimit tonë, më tha që të mos humbisja kohë të shkoja nëpër prokurori apo gjykatë, por të bëja një ankimim në Ministri të Kulturës dhe në Kryeministri, duke qenë se janë institucionet që firmosin për pozicionin e drejtorit të TK.

Tani, gjëja interesante është se nuk është hera e parë që më thonë të “bëj një xhiro andej nga Kryeministria”. Por, nuk kam ndërmend ta bëj. Pikësëpari për faktin se është mëse e ditur dhe kuptuar tashmë moda e të bërtiturit në masmedia për të marrë një copë kockë nga duart e Kryeministrit, për të zënë një vend pune. Sëdyti, sepse një vend pune nuk zihet e as zaptohet, por bëhet. Është e vështirë të kuptohet në një mjedis prostitucional qoftexhinjsh dhe matrapazësh një gjë e tillë, por kam përshtypjen se duhet dhënë shembulli dhe alternativa në vetë të parë.

Ajo që do të bëj është të hap një gjyq kundër z. Edi Rama dhe znj. Mirela Kumbaro-Furxhi. Për të mos ofenduar inteligjencën time dhe për të mos luajtur një teatër burokratik, meqë zotërinjtë bëjnë të paditurit, atëherë – pa i lajmëruar me një letër zyrtare – do të mund t’i takoj atje ku të paditurit takohen, përpara një gjykatësi. Nuk do të harroj as institucionin e Avokatit të Popullit që në këtë rast e shoh si Avokat të Qeverisë (emrit të së cilës do i bashkangjitet në akt-padi) dhe si pjesë bashkëpunëtore e një atentati mafioz të përditshëm ndaj institucioneve kombëtare të artit dhe kulturës shqiptare.

Do i provoj të treja shkallët e gjykimit, dhe – nëse nuk mjafton për të nxjerrë të drejtën që them se më takon – do të vazhdoj më tej, deri në gjykatën e Strasburgut.

Kam një problem të vogël: nuk disponoj as një shumë të hollash dhe as një rrogë mujore për të ndërmarrë këtë inisiativë leviatanike.

Kanë një problem të vogël edhe “të paditurit”: shtëpinë, që sot, e kam nxjerrë në shitje!

Zgjedhja e Drejtorit të Teatrit Kombëtar: sikur Pasolini në 2014 … (Romeo Kodra)

Në 1974, Pier Paolo Pasolini shkruante atë që në shkollat e gazetarisë njihet si një lloj manifesti i gazetarit intelektual. Bëhet fjalë për artikullin e botuar në “Corriere della Sera” me titull “Che cos’è questo golpe? Io so.” (Ç’është ky grusht shteti? Unë di). Intelektuali italian merrte në këtë rast guximin të bënte një kritikë të pastër krejt sistemit politik, përtej provave dhe gjurmimit të të dhënave, duke u mbështetur në ndershmërinë e arsyes intelektuale.

40 vjet më vonë, Shqipëria po bën të njëjtat hapa të Italisë së viteve ’70 drejt “normalizimit demokratik”. Duke marrë shkas prej kësaj analogjie do të kisha dëshirë të ndiqja, duke bërë një lojë kronotopike, zhvillimin e arsyes intelektuale pasoliniane në këtë moment historik që po kalon vendi ynë. Për këtë po përdor zhvillimet e fundit në politikat social-kulturore dhe, më konkretisht, duke filluar nga përzgjedhja e Drejtorit të Teatrit Kombëtar.

Pasolini do të fillonte me:

Unë di. Unë di tashmë që shpallja e konkursit për postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar është sa për t’i hedhur hi syve publikut taksapagues. Kjo vërtetohet nga fakti që Ministria e Kulturës në deklarata për shtyp (9/1/2014) pohon se: “Në këtë konkurs u paraqitën njëmbëdhjetë konkurues, të cilët iu nënshtruan procesit të selektimit nga Komisioni i ngritur nga Ministria e Kulturës në bazë të dispozitave të ligjit ‘Për Artin dhe Kulturën’”. Hiri syve duket qartazi sepse në këtë ligj nuk ka asnjë fjalë për “ngritjen e një komisioni’’. Ky ligj, dhe kjo zbrazëti ligjore, i mundëson një autoritarizëm të pastër Ministrit të Kulturës, ligj të cilin politikanët tanë i kanë praktikisht aprovuar vetes, nën heshtjen dhe injorancën e alkoholizuar të operatorëve dhe ‘intelektualëve’ të fushës së artit dhe kulturës. Ministria, në këtë rast, kur thotë se po bazohet në ligj po mashtron, ose injoron totalisht një gjë të tillë.

Shpresa ishte që Ministrja e Kulturës, znj Kumbaro-Furxhi, duke qenë se nuk vinte nga rradhët e politikës, të vendoste një komision dhe, mbi të gjitha, një komision ekspertësh.

Unë di që znj. Kumbaro-Furxhi një gjë të tillë nuk e bëri.

Unë di sepse, që në formulimin e kritereve të kërkuara kandidatëve në shpalljen publike të konkursit, shihet që ‘ekspertët’ – në më të mirën e rasteve – nuk kanë idenë se ç’është TK dhe puna në TK. [Përcaktimi i një ‘kalendari të qartë vjetor’ është një absurditet që edhe profanët e teatrit e kuptojnë si të pamundur për tu realizuar pa njohur trupën, regjizorët, buxhetin. Për të mos folur për ‘shfaqjet e repertorit’ që s’ekzistojnë as në ëndrrat më jermuese të çdo teatërdashësi kryeqytetas.] Them që këta ekspertë janë injorantë të fushës në më të mirën e rasteve, sepse mund të jenë edhe të manipuluar nga lart apo, më keq, të korruptuar. Në çdo rast nuk justifikojnë veten përpara punëdhënësit të tyre: publikut taksapagues.

Unë di që Ministrja e Kulturës znj. Kumbaro-Furxhi kur thotë ‘Le të flasim për menaxhim !’ – në debatet përpara artistëve, kinematografëve, teatrantëve – nuk e bën vetëm se kjo fjalë magjike i duket “fashion & trendy”, por edhe sepse kujton që në këtë fushë ‘deti është bërë kos’ dhe mund t’i hyjë me lugë pa pikë meraku, falë mungesës së figurave profesionale kompetente, apo frikës së këtyre figurave për sigurinë e bukës së gojës .

Unë di që Ministrja, edhe nëse nuk është e fushës së menaxhimit të artit dhe kulturës, ka mundësi të zgjedhë njerëz që dinë ç’janë strukturat menaxheriale, por nuk do. Nuk do sepse, edhe nëse nuk do të donte të zgjidhte kompetentë shqiptarë, mund ta kish bërë prej strukturave të Bashkimit Evropian të pranishëm në vend të cilët do të konstatonin përgatitjen e kandidatëve për postet e drejtuesve të institucioneve artistiko-kulturore kombëtare dhe do të kishin guximin të publikonin rezultatet e konstatimeve të tyre pa ndrojtje.

[Personalisht kam protokolluar më 17/1/2014 në Ministrinë e Kulturës kërkesën e vënies në dispozicion (fotokopimit) të dosjes së komisionit përzgjedhës së Drejtorit të TK dhe komenteve të tyre mbi platformat, për të cilat mbetem ende në pritje. Por mëkot, sepse e di që Ministrja kupton rrezikun e diskretitimit, jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen, që i kanoset nga kjo zgjedhje.]

Unë di që nëse institucionet artistiko-kulturore publike do të reformoheshin realisht në strukturat e tyre menaxheriale do të bëheshin efikase në atë pikë sa të konkuronin disa struktura para-shtetërore, të cilave politikanët tanë u kanë lënë pjesën më të madhe të ‘tortës artistiko-kulturore’ duke qenë se paguhen prej këtyre strukturave para-shtetërore, apo sepse thjeshtë i zotërojnë ato me emra fiktivë.

Unë di që e vetmja mënyrë për mbijetesë e institucioneve artistiko-kulturore publike do të ishte ndërlidhja në një makro-strukturë menaxheriale të përbashkët me institucionet formative dhe kërkimore të artit dhe kulturës (universitetet). Unë di që nëse kësaj makro-strukture do t’i shtoheshin si mbështetës institucionet mediatike publike (RTSH), atëherë strukturave para-shtetërore do tu mbeteshin thërrimet e sipërmarrësit më të madh dhe më kualitativ artistiko-kulturor: Shtetit Shqiptar. Pra shqiptarëve që, me shumën e taksave që paguajnë për këto institucione, meritojnë t’i shohin pararojë të artit dhe kulturës dhe jo totalisht të zbrazët në përmbajtjen e tyre artistiko-kulturore, duke i hapur rrugën identifikimit shoqëror të artit dhe kulturës në atë që propagandon konsumerizmi televiziv jo publik.

Unë di, sëfundmi, që shpresa e krijuar nga përzgjedhja si Ministre e Kulturës së znj. Kumbaro-Furxhi – si person jo militant – dhe mohimi thuajse i menjëhershëm i kësaj shprese, falë zgjedhjeve të dyshimta dhe fiktive që ka bërë për drejtuesit e institucioneve artistiko-kulturore kombëtare, do të ketë një efekt apokaliptik për kontekstin artistiko-kulturor shqiptar. Efekti do të jetë ai i reformave dhe ristrukturimeve menaxheriale të munguara për të cilat do të flasim mandatin e ardhshëm, dhe që do të mundësojnë ajrosjen e gojës së kërmave të politikës që do të thonë: ‘’E patë, e zgjodhëm njërën si ju, që s’ishte politikane, dhe rezultatet i keni përpara syve!’’ Kështu që do të kemi, nga njëra anë, një rivirgjërim të politikanëve që do t’i vërsulen lirisht ‘tortës së artit dhe kulturës’ dhe, nga ana tjetër, një diskreditim të atij elektorati që s’ka votuar asnjë parti politike[1] që shpresonte të përfaqësohej denjësisht nga imazhi (deri më dje) i panjollosur i Ministres Kumbaro-Furxhi.


[1]    Kujtoj që numëri i mosvotuesve në zgjedhjet e fundit arriti një përqindje (mbi 33%) që asnjë parti politike nuk mund ta konkurojë.

Transparenca dhe Kompetenca sipas Ministrisë së Kulturës. Romeo Kodra

Më datë 14 Janar isha në Ministrinë e Kulturës për të kontrolluar dokumentat e konkursit për postin e Drejtorit të Teatrit Kombëtar. Sipas komunikimit që patëm javën e shkuar me Drejtoreshën e Kabinetit të Ministres së Kulturës znj. Kumbaro-Furxhi, znj. Lauresha Basha më konfermonte si më poshtë:

–          Lidhur me platformën që ju keni prezantuar, jeni i lirë te vini dhe të konsultoni dosjen tuaj për të parë komentet që ka bërë komisioni .Në këtë rast do te shihni dhe emrat e pjestarëve të komisionit

–          Platformat e tre personave të seleksionuar si dhe dosja juaj personale do t’ju  vihen ne dispozicion për tu konsultuar në ambientet e Ministrisë se Kulturës duke filluar nga data 14 janar 2014, kjo në bazë të të drejtës tuaj për t’u njohur me aktet administrative të parashikuara nga Kodi I Procedurës Administrative. [Marrë nga e mail-i origjinal]

Për fat të keq vura re që në dosjen e konkursit nuk kishte as edhe një shpjegim apo koment të komisionit përzgjedhës mbi platformat e eleminuara dhe atyre të përzgjedhura, si dhe nuk mu vu në dispozicion (për ta fotokopjuar) asnjë platformë e konkurentëve.

Proçesi i shqyrtimit të këtyre dokumentave prej meje u verbalizua nga asistentja e sekretarisë znj. Lesaj. Asistentes i kërkova të verbalizonte që nuk po më lihej mundësia e fotokopimit të dokumentave dhe që në gjendjen aktuale në dosjen e konkursit nuk kishte të verbalizuar asnjë gjykim konkret të komisionit përzgjedhës mbi platformat. Asistentja pasi shënoi me dorë këto vërejtje, u ngrit të konsultonte eprorët e saj përpara se të më jepte një kopje të verbalit që po mbante, të cilin unë dhe ajo e firmosëm.

Pas dy minutash mu prezantua znj. Edlira Kokona, kryetare e komisionit përzgjedhës për postin e drejtorit të TK. Disi me krekosje më bëri me dije që ishte “një nga personazhet e panjohur të komisionit”, duke nënkuptuar që si ‘personazh’ nuk është edhe aq e panjohur siç kishte kuptuar nga një dalje publike timen. I bëra me dije që personalisht kisha dëgjuar emrat e komisionit ditën e dhënies së intervistës sime në “Gazetën Shqiptare” të 12 Janarit. Shtoj, gjithashtu këtu, që personalisht nuk më interesojnë ‘personazhet’ jashtë teatrit, dhe aq më pak në administratën publike, prej së cilës pres kompetencë dhe trasparencë.

Zonja në fjalë, pas këtij prezantimi, u mundua të më shpjegonte që nuk mund të merreshin fotokopje të plaformave sepse nuk lejohej me ligj riprodhimi i tyre, sikur të ishin këto publikime kreative dhe jo dokumenta të një konkursi publik. I vura në dukje kryetares së komisionit që kur një kandidat merr pjesë në një konkurs publik duhet të bëhen publike edhe të dhënat personale, jo më materialet e konkursit, dhe ç’është më e rëndësishmja, këto gjëra znj. Kokona duhet t’i dinte më mirë se unë duke qenë se ka një background si avokate.

Dola nga Ministria e Kulturës, prej këtij institucion publik që pjesërisht është edhe i imi si qytetar, si një klient i zhgënjyer dhe i mashtruar. Nuk mu dha as verbali i mbajtur gjatë shqyrtimit të dosjes së konkursit.

Duke qenë se rëndësinë e një konkursi publik real si themel i një pune të mbarë në TK e kam parashtruar që në publikimin e “Teatri në udhë ose në kryq”, në Gazetën Shqiptare të 20 Dhjetorit, të shkruar dhe në ndërhyrje të tjera publike, dhe duke qenë se asnjë reagim s’ka ardhur prej Ministrisë së Kulturës, besoj se është momenti i duhur për të nxjerrë disa konkluzione.

Kam përshtypjen se Ministria e Kulturës, në rastin e konkursit për drejtorin e TK, po trajton gjënë publike sikur të ishte private.

I kërkoj kësaj Ministrie dhe ekspertëve të saj ligjor të provojnë, duke u bazuar në ligj, që për materialet e një pjesëmarrësi në një konkurs publik na u dashka leje prej personit pjesëmarrës sepse nuk na u lejoka riprodhimi/fotokopimi. Konkursi është publik, dhe publikut i lejohet të marrë dijeni mbi gjënë e vet. Për mua, Ministria e Kulturës do të kishte rregulluar imazhin e saj po të kishte publikuar vetë dokumetat e konkursit. Pra, humbi rastin.

I kërkoj gjithashtu kësaj Ministrie dhe ekspertëve të saj që të prononcohen dhe të komentojnë platformat, të përzgjedhura dhe jo të përzgjedhura. Kam përshtypjen se duke i komentuar do t’i njohim sa ekspertë janë për artin teatror, për menaxhimin e artit teatror dhe për strukturën artistiko-menaxheriale aktuale të Teatrit Kombëtar.

Jemi në pritje.

Falenderimi ministror 2 dhe trasparenca.

Çudia ndodhi: Ministria e Kulturës, në personin e Drejtoreshës së Kabinetit znj. Lauresha Basha, iu përgjigj e mail-it të djeshëm dhe informacioneve të kërkuara prej meje. Po rradhis më poshtë shkëmbimin e djeshëm.

I nderuar Zoti Kodra,

Ju faleminderit për emailin e dërguar lidhur me konkurimin për pozicionin e Drejtorit të Teatrit Kombëtar. Më poshtë do të gjeni përgjigjen lidhur me problematikën e ngritur:

          Anëtaret e Komisionit janë përzgjedhur nga rradhët e drejtuesve të lartë dhe të mesëm  të Administratës së  Ministrisë se Kulturës, në përputhje me parashikimet ligjore të vendimeve kolegjiale.

          Lidhur me platformën që ju keni prezantuar, jeni i lirë te vini dhe të konsultoni dosjen tuaj për të parë komentet që ka bërë komisioni .Në këtë rast do te shihni dhe emrat e pjestarëve të komisionit

          Platformat e tre personave të seleksionuar si dhe dosja juaj personale do t’ju  vihen ne dispozicion për tu konsultuar në ambientet e Ministrisë se Kulturës duke filluar nga data 14 janar 2014, kjo në bazë të të drejtës tuaj për t’u njohur me aktet administrative të parashikuara nga Kodi I Procedurës Administrative

Ju falenderoj për mirekuptimin

Sinqerisht

Lauresha Basha

Drejtor Kabineti

Ministria e Kultures

 Rr. Kavajes  Nr 1., 1003 Tiranë, Shqipëri

Tel : +355 4 22 30 019

 

Shume faleminderit znj. Basha, mbi te gjitha per pergjigjen e menjehershme.

Vetem nje gje te fundit:
nuk me thate diten dhe vendin per t’me mundesuar pranine gjate paraqitjes se tre kandidateve per mbrojtjen e platformave te tyre. Duke qene se eshte konkurs publik, do te isha shume i interesuar te degjoja mbrojtjen e platformave te tyre prej kandidateve.

Edhe nje here, faleminderit dhe pune te mbare.

Me respekt

 

Zoti Kodra, ne proceduren e perzgjedhjes se Drejtorit te Teatrit Kombetar nuk eshte parashikuar nje séance degjimore publike per kandidatet e perzgjedhur por sic jua permenda programet e tyre mund ti konsultoni prane Ministrise se Kultures duke filluar nga data 14 janar.

Ju falenderoj dhe njehere

Sinqerisht

Ok, kuptova. Por, gjithsesi, seanca degjimore do te eleminonte thashethemet per nje perzgjedhje te dyshimte dhe te mbeshtjelle ne obskurantizem.  Personalisht kisha ndermend te vija dhe te regjistroja mbrojtjen e platformave te tyre duke qene se nuk jam mirebesues a priori. Do te ishte shmangur mundesia qe ndonjeri te recitonte ndonje platforme te kopjuar dhe do te kursehej kohe ne reformat e TK te kerkuara prej Ministrise.

Respektet e mia.

 

Nga ky shkëmbim i papritur me znj. Basha duhen specifikuar disa gjëra:

1 – Ministria e Kulturës është më e hapur se ç’pritej kundrejt publikut;

2 – Ministria e Kulturës nuk kupton, ose bën sikur nuk e kupton, që kundrejt publikut nuk është e mjaftueshme kjo gjysëm hapje;

3 – Hapja e platformave pas vendimit është një humbje kohe, sepse Ministria mund edhe të ketë gabuar (shpresoj të mos e imagjinojnë veten si të pagabueshëm) në gjykimin e përzgjedhjes, kështuqë është mirë – për të kursyer jo vetëm kohë, por edhe para – që platformat të hapen përpara përzgjedhjes.

Për ta mbyllur, nga shkëmbimi i e mail-eve me Drejtoreshën e Kabinetit kuptova diçka që – për injorancën time – nuk dija: praktikisht përzgjedhja bëhet nga njerëz të Ministrisë (Anëtaret e Komisionit janë përzgjedhur nga rradhët e drejtuesve të lartë dhe të mesëm  të Administratës së  Ministrisë se Kulturës, në përputhje me parashikimet ligjore të vendimeve kolegjiale).

Dyshimi besoj se është mëse i legjitimuar.

Së pari, kam dyshime mbi pavarësinë e vendimarrjes së anëtarëve të komisionit.

Së dyti, do të kontrolloj personalisht curriculum-et e tyre (sa prej tyre njohin teatrin? nga pikëpamja artistike dhe menaxheriale).

Së treti, do të kontrolloj dhe verifikoj bibliografinë në bazë të së cilës këta drejtues të lartë dhe të mesëm të Administratës së Ministrisë së Kulturës kanë vendosur për të përzgjedhur njërin kandidat në vend të një tjetri.

Thjeshtë për trasparencë.

Falenderimi ministror dhe disa pyetje të pafajshme.

falenderim ministror

falenderim ministror

Për korrektësi Ministria e Kulturës via e mail më komunikoi dje, më 9/1/2014, mos përzgjedhjen e kandidaturës sime për postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar. Këtij e mail-i iu përgjigja si më poshtë:

“Pershendetje,

duke Ju falenderuar per punen e bere doja – nese eshte e mundur – qe te me komunikoni (meqe konkursi eshte publik):

1 – pjestaret e komisionit perzgjedhes;
2 – platformat e tre te seleksionuarve prej te cileve do te zgjidhet drejtori i Teatrit Kombetar;

3 – formulimin me te artikuluar te mos perzgjedhjes se platformes sime;

4 – diten dhe vendin per t’me mundesuar pranine gjate paraqitjes se tre kandidateve per mbrojtjen e platformave te tyre.

Duke Ju falenderuar paraprakisht per korrektesine

Uroj nj Dite dhe Pune te Mbare.

Romeo Kodra.

P.S. E mail-i i komunikimit te mos perzgjedhjes se kandidatures sime, ky e mail dhe pergjigjia juaj eventuale ketij e mail-i do te behen publike (meqe jeni nje institucion publik).”

 

Nuk di nëse Ministria e Kulturës do t’i përgjigjet ndonjëherë këtij e mail-i. Personalisht nuk e besoj. Nuk kam patur as edhe një reagim ndaj artikullit tim “Teatri Kombëtar në udhë ose në kryq” (http://www.balkanweb.com/gazetav5/artikull.php?id=142060) të publikuar në Gazetën Shqiptare e 20/12/2013; aq më pak pres për këtë e mail.

Reagimi i vetëm ka ardhur prej atyre pak njerëzve të cilëve Teatri u dhemb. Por, as edhe njëri prej tyre nuk është i brendshëm në TK. Ndoshta – këta të fundit – frikësohen apo i druhen 30% të shkurtimeve me të cilën Ministria e Kulturës i prezantohet drejtorëve të institucioneve kombëtare të artit. Reforma mbetet ende ‘gërshërë’ kam përshtypjen. Shpresoj të përgënjeshtrohem nga njëri prej tre kandidatëve konkurues të mbetur: Edmond Budina, Hervin Çuli, Laert Vasili.

Gjithsesi, përtej spektakolarizimit ministror të countdown-it (sikur do të nisej një DISCOVERY për një mision ndërhapësinor) të emrave të mbetur, këtyre tre kandidateve konkurues nuk u dihen idetë që kanë për TK, të cilat do i shpalosen vetëm përpara Ministrisë (komisionit të panjohur përzgjedhës dhe Ministres), së cilës nga ana tjetër mesa duket ideja e ‘publikes’ në sintagmën ‘konkurs publik’ i është disi relative për të mos thënë e dyshimtë. Kujtoj për profanët që, në thirrjen ministrore për postin e drejtorit të TK, një nga objektivat në administrim ishte:

“-Të sigurojë ligjshmëri dhe transparencë të kontratave individuale dhe procedurave të punësimit.”

Thënia “Bëni si them unë! Mos bëni si bëj Unë!” më duket e gjetur për rastin.

Për ta mbyllur, kujtoj se në artikullin tim të fundit në ‘Gazetën Shqiptare’ nënvizoja faktin që “përzgjedhja është edhe akti themeltar i fillimit të punës së mbarë”. Kjo metodë përzgjedhjeje ndjell gjithçka, por jo një ogur të bardhë për punën në Teatrin Kombëtar.

Teatri Kombëtar në udhë ose në kryq: çështje evropianizimi. Romeo Kodra (Gazeta Shqiptare, 20/12/2013)

Më 26 dhjetor mbyllen aplikimet e konkursit për pozicionin e Drejtorit të Teatrit Kombëtar të shpallur nga Ministria e Kulturës. Nga të katër anët – dhe jo vetëm në teatër – kërkohen 4R: rinovime, risi, reforma, rilindje. Por nga cilët i presim? Kush do t’i realizojë dhe si? Këtë e di ekzekutivi i zgjedhur më 23 qershor, ose – për së paku – kështu shpresohet.

Deri më sot, përsa i përket kulturës, rinovimet (R1) janë parë dhe kanë të bëjnë ekskluzivisht me personat e zgjedhur në krye të institucioneve kombëtare më të rëndësishme, siç janë ata të Teatrit të Operas dhe Baletit, Muzeut Historik, Cirkut, Qendrës Kulturore për Fëmijë dhe Teatrit të Kukullave. Risitë (R2) do të shihen kur krerët e sapozgjedhur do të organizojnë eventet e para të institucioneve që drejtojnë. Reformat (R3) nuk dihen, sepse platformat e gjithsecilit prej këtyre të sapozgjedhurve janë të panjohura për publikun dhe dihen në detaje vetëm nga Ministria e Kulturës së cilës i falim mirëbesimin tonë. Por, në përzgjedhjen e krerëve të porsazgjedhur, është për tu vënë re diçka interesante dhe problematike: asnjëri prej tyre nuk ka një formim studimor në menaxhim arti, edhe pse kërkohej specifikisht në thirrjet e konkurseve ministrore. Si rrjedhojë, gjenerohen dyshime mbi qëndrushmërinë e reformave që mendohet të ndërmarrin drejtorët e rinj. Kam përshtypjen se strukturat menaxheriale nuk improvizohen; për to duhet – dhe na kërkohet nga partnerët evropianë – profesionalizëm. E thoshte edhe Andy Eagle, konsulenti uellsian i British Council, njëzëri me Ministren M. Kumbaro-Furxhi, një muaj më parë. Së fundmi, rilindja (R4) supozohet të na materializohet në fund të mandatit të ekzekutivit Rama.

Deri këtu logjika dhe mirëbesimi (shprehja e mirëmenduesve “lërini të punojnë”) i japin një vazhdimësi dhe koherencë zgjedhjes së shqiptarëve më 23 qershor. Kjo koherencë vlen edhe për përzgjedhjen e kreut të Teatrit Kombëtar. Dhe këtu artikulli mund të mbyllej. Por duke qenë se mbi teatrin jam interesuar vazhdimisht dhe mbi historikun e dinamikave politike të ndërmarra në vite mbi këtë institucion jam i informuar, nuk më duket e mjaftueshme kjo logjikë dhe ky mirëbesim. Personalisht nuk më mjafton logjika e mirëmenduesve. Unë di dhe kujtoj – për publikun që pa dashje e ka harruar – se refreni i 4R-ve në teatër është konsumuar prej vitesh: mjafton për këtë t’i hedhim një sy shkrimeve të Mihal Luarasit në “Teatri Kombëtar në udhëkryq” që datojnë vitet 1999, 2000, 2001; pra thuajse mbi një dekadë më parë.

Duke qenë se z. Luarasi e shoh si njeriun e vetëm në Shqipëri që mbi lëmën teatrore flet me koherencë mbi konceptin e profesionit të tij dhe idesë së Teatrit Kombëtar (pëlqehet apo jo, kjo nuk më intereson; më mjafton koherenca sepse tregon sistematikë pune dhe njohuri shkollore dhe eksperiencë direkte mbi të) nuk po i përsëris problemet që ka shtruar. Gjithkush – nëse i interesuar – mund të lexojë dhe konstatojë personalisht që ato mbeten qartësisht të njëjtët, që prej botimit të shkrimeve të tij. Nëse lexohen këto shkrime jam i bindur se vështirë do të besojmë akoma në retorikën e 4R dhe të jemi ende mirëmendues. Problemet e dekadave të shkuara ripërsëriten në Teatër, dhe më shumë se në një “udhëkryq”, siç thotë prof. Luarasi, duket se Teatri Kombëtar vazhdon e vërtitet në një rrethrrotullim duke bërë të vjellin ata që janë brenda dhe ata që janë jashtë (të gjithë duan reforma, siç u tha më sipër, brenda e jashtë TK), të cilët shohin këtë makinë të çmendur pa shofer ose me shofer të alkoolizuar që s’di ç’rrugë të marrë prej dekadash. Teatri nga kjo situatë nuk përfiton asgjë përveç moçalishtes aktuale; përfitojnë vetëm pushtetarët e rradhës dhe kolonia parazitare me të cilën qarkohen, të cilët s’kanë të nginjur me mjeljen e këtij institucioni-“lopë publike” të quajtur TK.

Për të mos e lënë topin ekskluzivisht në duar e politikës do të doja të shtroja një argument për të bërë një hap përpara, drejt daljes prej rrethrrotullimit marramendës.

Mihal Luarasi në shkrimet e tij, edhe pse jep drejtime dhe ide të qarta mbi perspektivat e mundëshme të TK (por pa dhënë një platformë menaxheriale, me sa di unë), nuk ka përmendur fatkeqësisht një argument të thjeshtë por bazik: mënyrën e përzgjedhjes së kreut të këtij institucioni. Duke qenë se përzgjedhja është edhe akti themeltar i fillimit të punës së mbarë dhe i 4R-ve të dëshiruara prej të gjithëve, marr përsipër të shtoj disa gjëra të vogla por të domosdoshme mbi këtë argument.

Duke qenë se për institucionet e tjera kombëtare të kulturës zëra koridoresh kishin “profetizuar” emrat e drejtorëve (përpikmërisht të gjetur) disa javë, për të mos thënë muaj, përpara shpalljes publike, dhe duke qenë se e njëjta gjë po ndodh edhe për TK, do të ishte mirë që përzgjedhja të bëhej me një konkurs publik real. Do të sygjeroja që, për njohuri publike dhe eleminim dyshimesh mbi dallavere të brendëshme ministrore, të viheshin në dispozicion – on line në sitin e Ministrisë ditën e mbylljes së aplikimeve – platformat dhe dosjet e secilit konkurues për tu krahasuar midis njëra tjetrës prej gjithkujt, dhe për të parë përputhshmëritë me kriteret e kërkuara nga Ministria. Kështu, kam përshtypjen, papagajtë që fryjnë duke ledhatuar veshët e politikës do të dalin zbuluar. Pas kësaj konkuruesit do të mbronin dhe shpalosnin (me pyetje/përgjigje prej ekspertëve) platformat/dosjet e tyre përpara një jurie ekspertësh të artit teatror dhe menaxhimit të teatrit ditën e konkurimit të hapur për publikun. Do të ishte mirë të jepeshin edhe referencat bibliografike të përdorura prej konkuruesve – për të eleminuar dyshimet mbi plagjatura të rëndomta të shitura për gjetje origjinale – të cilat mund të verifikohen direkt on line nga juria, meqë tashmë thuajse gjithçka është e përftueshme në rrjetin internet.

Duke thënë këto gjëra më duket vetja sikur po shpik ujin e ngrohtë, më duket sikur po bëj pedagogji apo alfabetizim të rëndomtë. Ç’ka u tha më lart është thjeshtë proçedura normale e një konkursi publik në vendet evropiane. Por më mirë të akuzohem për pedagogjizëm dhe alfabetizim të rëndomtë sesa për menefregizëm. Personalisht nuk kam asnjë dëshirë ta shoh TK të gozhduar në kryq, por në udhë, për të luajtur me titullin e Mihal Luarasit. Sepse kjo është perspektiva që i paraqitet në të ardhmen e shpejtë: o merren vendime për të formuar një strukturë të qëndrueshme dhe efikase, ose do të humbasim përgjithmonë Teatrin, artin e parë të institucionalizur në Shqipëri (1945) dhe për koinçidencë, por jo rastësisht, në Evropë (arti i parë i institucionalizuar në kulturën evropiane është teatri i athinasve të lashtë). Këtë specifikim të fundit e them duke nënvizuar in primis përgjegjësinë e qeverisë Rama, Ministrisë së Kulturës dhe personalisht të znj. Kumbaro-Furxhi. Këto ditë, me vendimin që do të marrin, ata kanë mundësinë të tregojnë evropianizimin e tyre. Nuk na mbetet veçse të presim.

P.S. Personalisht do të publikoj platformën/dosjen time ditën e përfundimit të aplikimeve në http://www.aksrevista.wordpress.com hapësirë të cilën ja ofroj falas edhe Ministrisë së Kulturës për të publikuar dosjet e konkuruesve të tjerë, duke i garantuar privatësinë e të dhënave personale, nëse Ministria në fjalë nuk ka ende një sit interneti për një shërbim të tillë publik.