Shtegtime fluturake në kafazin e artë, ose mbi veprën debutuese të Kleitia Vasos. (Romeo Kodra)

Vështirësia në të shkruarin e këtij artikulli qëndron në faktin se me autoren Kleitia Vaso, e cila debutoi në 2017 me përmbledhjen dygjuhëshe (shqip/anglisht) të tregimeve autobiografike “Fluturim”, njihemi prej vitesh tashmë, dhe mund të them se është një nga ato miqësi për të cilat fjalët nuk arrijnë të përcaktojnë thelbin e mirëkuptimit reciprok – shpesh herë të menjëhershëm – pavarësisht pikënisjeve përpjestueshmërisht dhe pashmangshmërisht të kundërta. Për të përcaktuar këtë miqësi mendoj se do të ndihmonte të përmendej – e përmbysur – vepra e Goethe-s, “Kundërtitë përzgjedhëse”.

Si rrjedhojë, kam frikë se lexuesi do të përhumbej disi duke qenë se në këtë shkrim vepra e autores do të duket e lexuar sëprapthi, por shpresoj që në fund – edhe pse nisur nga pole të kundërta – të mbërrij sadopak në thelbin e kësaj vepre, që shpresoj do të tërheqë lexuesin ashtu siç tërheq edhe të nënshkruarin.

fluturimMerita – për mendimin tim kryesore – e “Fluturim” qëndron në faktin e të qenurit një literaturë që nuk fillon nga statusi i autores: poete, shkrimtare, romanciere, noveliste. Subjekti autorial pra është në evolucion, në përpunim e sipër (… apo arrati?, siç mund të thonë ata që e njohin mirë K.). Ky fakt, që vjen si qëllimshmëri e vetëndërgjegjshme e Kleitia Vasos, nuk duhet marrë si i mirëqënë, duke patur parasysh kontekstin dhe hapësirën bashkëkohore të letrave shqipe, sa të përmbytur aq edhe të përmbysur nga megalomanë/e provincialë me komplekse inferioriteti, të cilët gjejnë tek akti i të shkruarit përveç valvulës së shfryrjeve të frustrimeve të përditshme edhe mjetin për të territorializuar/zaptuar statusin e vet narçizist karshi Tjetrit. Natyrisht, ky qerthull mazhoritar shkrimtarësh/shkruesish përfshin një listë të gjatë emrash që, për t’i rënë shkurt, shkojnë nga Kadare, me gjithë veprën e tij, e deri tek autori i këtyre rreshtave dhe ky blog, të cilët mendoj vetëm vetëdijshmëria mund t’i bëjë të përtypshëm për një lexues me kohë, njohuri letrare dhe dinjitet që kërkojnë të respektohen. Kështu pra, kjo qasje e autores, sidomos për kohën dhe kontekstin, mendoj se duhet të merret edhe si meritë, të cilën shpresoj autorja ta ruaj deri në rreshtin e fundit që do të shkruaj.

Por nga ana tjetër, mohimi apo arratia prej mbërthimit të pashmangshëm të statusit, prej subjektit autorial, nuk duhet marrë absolutisht as si modesti:

“[J]am një superbankë, pa modesti. Edhe ide e ndjenja dylekëshe në momentin dhe predispozitën e duhur mund të kthehen në thesare. Thesare që ndoshta vetëm mua më duken si të tilla por nuk mund të gjykoj sikur nuk jam unë. (fq. 159)”

Lind pyetja: atëherë, nëse qenka kështu, ku qëndron ndryshimi me megalomanët provincialë me komplekse inferioriteti prej të cilëve veçuam autoren; apo pse duhet shquar kjo autore prej tyre kur edhe ajo vetë pohon se “Gjithçka fillon nga uni” (fq. 187); ose nuk është ky një vetëkallzim i hapur i përkatësisë së kategorisë narçiziste të personalitetit? Përgjigjia është absolutisht, po! Por, ndryshimi është – siç thashë – te vetëdija dhe vetëironizimi që polarizohen si kontrapunkte me tiparet e skajshmërisë narçiziste të autores. Duket pra, sikur Vaso fshikullon vetveten me ironi e sarkazëm pas çdo kapërcimi narçizist dhe provokues.

Duke qenë se, siç pohova në hapje, me autoren njihemi dhe mund të them se jemi krejtësisht dhe proporcionalisht të kundërt, shpesh në leximin e librit e kam kapur veten duke gjykuar (edhe kategorizimi i saj si personalitet narçizist është, në fakt, një gjykim). Por ky gjykim në çastin e përcaktimit të subjektit autorial menjëherë përcakton edhe përcaktuesin si autor – veten time dhe statusin tim si autor-kritik në këtë rast – pjellë dhe pjesë e qerthullit psikanalitiko-konjitivist të moralshëm borgjez. Në pak fjalë, pavarësisht urrejtjes dhe luftës sime militante të deklaruar a priori (në çdo aspekt të jetës dhe jo vetëm profesionale) përkundrejt unit, të cilin e shoh si levën borgjeze që përcjell natyrshëm drejt personalitit narçizist, pushtetit dhe si rrjedhojë fashizmit, e gjej veten – përgjatë leximit të faqeve të “Fluturimit” të Kleitia Vasos – të veproj nëpërmjet kategorizimeve psikanalitike-konjitiviste (si ato të DSMDiagnostic and Statistical Manual of Mental Disorders) për të konsoliduar statusin tim si autor në territorin e kritikës, si rrjedhojë dhe njëkohësisht edhe si ushtrues autoritar i pushtetit të këtij statusi të hamendësuar: Ego Ergo Sum. Është pak a shumë si një epifani e një katharsis-i, falë së cilës, pavarësisht qëllimeve të mia “revolucionare”, zbuloj narçizin brenda meje, dëshirën time reaksionare për të zaptuar dhe shfrytëzuar atë çka jo vetëm mua por të gjithëve na tërheq, zapton dhe shfrytëzon: pushtetin, cilido dhe i çfarëdo përmase qoftë ai, që na mbërthen e kategorizon në përkufizime – pak a shumë – egomasturbuese apo egostimuluese a vetëpëlqyese i thënçin (për të mos ofenduar veshët e virgjër të një pjese të madhe të kritikës bashkëkohore shqiptare).

Kështu që, duke u nisur nga pole krejt të kundërta, mendoj – edhe pse mund të tingëllojë si haluçinacion kritiko-letrar i autorit të këtyre rreshtave, për shkak se autorja nuk duket (në një lexim sipërfaqësor) e interesuar për argumente të tillë – ky efekt gërryes dhe sfidues i personalitetit narçizist brenda vetes i autores dhe, nëpërmjet saj, brenda lexuesit është çka gjeneron prej thelbit të veprës së Kleitia Vasos.

Për të zbutur sadopak efektin haluçinant dhe haluçinogjen tek lexuesi sugjeroj të fokusohemi pak në citimin e mësipërm, dhe më saktësisht tek ai përkufizim kirurgjikal i sipërpërmendur.

Duke përdorur vetën e parë njëjës autorja thotë se “jam një superbankë” dhe nuk besoj se gjendet përkufizim më i saktë i përkatësisë së saj brenda qerthullit të psikologjisë së unit: brenda logjikës dhe botëkuptimit të një banke, tempullit inflacional-monetar të vlerës, aty ku çdo vlerë bëhet mall i kuantifikuar numerikisht.

Duket se autorja praktikisht ka interiorizuar/brendësuar të gjitha kodet e mundshme të këtij qerthulli. Eksperienca – migratore dhe studimore – amerikane thjeshtë ka perfeksionuar këtë brendësim, që shkon nga njohuria e të mirave materiale, që në qendrën e botës, në Amerikë kanë cilësi më të lartë sesa në provincë, në Shqipëri, e deri te njohuritë kritiko-letrare, që të cituara në libër sugjestionojnë për nga larmishmëria dhe kthjelltësia çdo lexues, kozmopolit apo provincial qoftë. Pas këtij brendësimi pra, autorja falë shtegtimeve të skajshme brenda sistemit arrin ta shohë këtë të fundit nga sipër dhe nga poshtë, në cilësi dhe sasi të plotë.

Në këtë mënyrë autorja e sheh veten të legjitimuar, duke kaluar në statusin e kodifikuesit (superego/super-banka). Me këtë brendësim ajo ndihet njëkohësisht e legjitimuar për të hulumtuar e provokuar, gjatë e gjerë, rolet e Narçizit bashkëkohor, fytyrat dhe pozat, që Narçizi/autorja/ne merr/marrim gjatë realitetit të përditshëm. Dhe ky hulumtim ka një funksion specifik: ezaurimin, gërryerjen e figurës së personalitetit narçizist, nëpërmjet të cilët, sido dhe sado që të përdridhemi, do të mbërrijmë aty ku autorja ka qenë, ka hulumtuar, provuar dhe prej nga, në fund të fundit, ka marrë apo përpiqet të marrë arratinë. Mund të quhet kjo arrati apo përpjekje arratie si kritikë ndaj sistemit dhe mënyrës së jetesës në një shoqëri tranzicionale si ajo e Shqipërisë, e sistemit dhe jetesës Made in USA, apo sistemit dhe mënyrës së jetesës në të cilën janë mbërthyer shoqëria bashkëkohore globale.

Por, në fund të fundit, kjo pak rëndësi ka. Më shumë rëndësi – dhe interes për mua personalisht – ka përcaktimi dhe marrëdhënia e krijuar me atë çka autorja i “trembet” mësëshumti: me “kafazin e artë” (fq. 91).

Natyrisht i gjithë libri është i shkruar brenda “kafazit të artë”, brenda kurthit të Narçizit bashkëkohor, ku autorja dhe ne si lexues, krijesa të një bote pseudo-post-indologjike bëjmë sikur jetojmë/fluturojmë. E vetëdijshme është edhe autorja.

Në fakt libri apo kafazi fillon me një Narçiz që është i tërhequr, që ka bërë një hap mbrapa apo ka mbetur në stadin e evoluimit fëminor: “Rruga e një manjole, e nisur drejt meje si dhuratë, u ndërpre nga dikush tjetër që e mori padrejtësisht. Kur e pashë, në duart e gabuara, a doja për vete me ngulm.” (fq. 19) Ka përcaktim më të arrirë të dëshirave fëminore sesa në këto dy fjali, që përshkruajnë kujtimin e një vizite të autores në Kopshtin Botanik të kryeqyteti shqiptar, diku rreth fundviteve ’80?

Dhe sado që autorja është munduar apo ka evoluuar, pikëmbërritja, në libër dhe në kafaz, është “zjarri i artë”, apo idealizimi romantik i të shkruarit:

“Shpresoj të mos lodhem shpejt si Julien-i dhe të mos lejoj të tjerët ose, veten, më tepër, të shuajë, si pa dashur, zjarrin e shenjtë. Të gjithë kemi momente mosbesimi tek vetja por çfarë më jep shpresë se këtë rradhë nuk do të lodhem, është natyra e të shkruarit si një proces pa fund – gjithmonë mund të përmirësohet, të eksperimentohet, të eksplorohet. Shpresoj dhe besoj se nuk do ta gënjej veten dhe nuk do të përdor kërkesa dhe detyra në dukje më urgjente, por që kërkojnë më pak nga unë, për ta shmangur. Dhe, gjithmonë duke patur frikë nga vetja e duke e kuptuar dorëzimin eventual të Julien-it shumë mirë, shpresoj që rreshtat e famshëm të poetit Dylan Thomas-it “Tërbohu, tërbohu kundër shuarjes së dritës” do të më buçasin në kokë dhe ndihmojnë siç më ka ndihmuar gjithmonë bukuria dhe fuqia e fjalëve.” (fq. 223)

Pra, sado që libri mbyllet me një premtim – në dukje të sinqertë – ai ende tingëllon si një mendjelehtësi fëminore, adoleshenciale, apo – për ta përcaktuar më konkretisht për lexuesin shqiptar – si një betim pioneristik enverist alla “përpara flamurit dhe shokëve të mi pionierë”. Dhe, siç shihet nga paragrafi i sipërcituar, vetë betimi i autores nuk fillon me paralelizmin e hequr mes saj  dhe një autori tjetër – siç është Stendhal-i – por me një personazh të Stendhal-it; Julien-in e Le rouge et le noire. Pra, duket sikur pre e ndjenjave të pastërta dhe të sinqerta – për shkak të gjithëpërfshirjes në leximin e kryeveprës franceze – autorja Vaso, si çdo lexuese naive apo konsumatore shtëpiake telenovelash, ka rrëshqitur duke ngatërruar veten jo me autorin Stendhal, por me personazhin e këtij të fundit Julien.

Por hapja dhe mbyllja e librit, nuk janë tjetër veçse një planimetri dhe hartografi teoriko-stilistike e egoistëve dhe narçizistëve brenda “kafazit të artë” dhe sprovave të të shkruarit brenda tij. Sfida e vërtetë e autores dhe gjithsecilit prej nesh është përleshja trup më trup me “Evoluimin e fluturimit në ecje” (fqt. 46-47), domethënë me atë përcaktim sarkastik të hidhur e të vetëdijshmërisë që denoncon kommpromisin tonë si këmbësorë për të mos u zvarritur si kërmij. Kafka këtu është pararojë. Dhe autorja e di; të paktën këtë ndjesi më jep mua; ndoshta nga ekoja apo jehona blanchot-iane e të “shkruarit si proces pa fund” (L’Entretien infini).

Dhe këtu fillon dhe mbaron edhe gërryerja e autores përkundrejt vetes dhe si rrjedhojë lexuesit, përkundrejt të gjitha qenieve pseudo-fluturake narçiziste që popullojnë shoqërinë bashkëkohore, kozmopolite apo provinciale qoftë. Ky proces fshikullues e purgativ materializohet me një qëndrim të lëkundshëm të autores tek e cila nuk dallohet asnjëherë shakaja nga serioziteti, teatralizimi nga vërtetësia. Të gjitha këto të ndërthurura në një kaos të mirëorganizuar ku spikasin gjetjet e rrufeshme letrare dhe egocentrizmat bombastike, logjika dhe arsyetimet e pastërta dhe cinizmit apo paradokset, djallëzirat e rafinuara apo mendjelehtësirat trashanike. Në pak fjalë, ka vend për të gjithë dhe për t’u sfiduar me të gjithë.

Gjithsesi, personalisht preferoj të shoh Lizën përtej pasqyrës, Kleitia Vason të shpalosë Jabberwocky-n e saj, që dallohet në gjenezë mes atyre tangenteve fillestare nëpërmjet të cilëve na hapen sytë e shohim ndërthurje “gjërash, shprehish, territoresh, lëvizje deterritorializimi” (Deleuze, L’Abécédaire),  aty ku “vërshon dëshira” (idem.) … edhe ajo e jona për të lexuar … për t’u kuptuar:

 

“Të dy së bashku janë aq perfektë estetikisht sa duhet të ishin vetë majë tortës që po presin. Madje, mund të ishin vetë torta, të ftohtë dhe të ëmbël, bjondë dhe kremozë, më tepër akullore se qënie njerëzore.” (fq. 146)