Çështja e Teatrit Kombëtar si kthesë e rrjedhës së historisë së institucionalizimit të artit. (Romeo Kodra)

Ky shkrim merr shkas nga një nevojë e mbajtjes hapur të një diskutimi i cili, në çështjen e mbrojtjes së Teatrit Kombëtar – nga shembja që rrezikon prej pushtetit të mafias së bërë shtet – nuk është artikuluar sa duhet. Nga të paktët, që kam dëgjuar ta artikulojë deri në një farë pike dhe pjesërisht këtë diskutim, është Kastriot Çipi, i cili në disa raste, gjatë fjalës së mbajtur ditëve të ngrysura apo netëve të gdhira në mbrojtje të Teatrit, ka folur edhe për rimarrje dhe ripërdorim të emërtimit “Teatër Popullor”, apo edhe shndërrimit të “formës institucionale” të Teatrit Kombëtar, pas braktisjes që i ka bërë qeveria, drejtori i institucionit dhe trupa. Pa i hapur të gjitha videot dhe shprehjet publike të Çipit, mendoj se është e mjaftueshme intervista e tij dhënë Zërit të Amerikës brenda sallës së rihapur të Teatrit Kombëtar. Prej kësaj interviste do të shkëpus disa pika që përbëjnë interes për argumentin e institucionalizimit të artit në Shqipëri.

Por para se të filloj, duhet thënë se Kastriot Çipit i duhet njohur përtej angazhimit të padiskutueshëm qytetar edhe një lloj ndershmërie dhe pasioni përkundrejt lëmës që lëvron. Por, shpresoj të mos fyhet për lesa maestà, dua në këtë shkrim të evidentoj edhe disa paqartësira që do të ndihmonin të hapej e të shtyhej mëtej diskutimi mbi argumentin në fjalë.

Pikësëpari, në video-intervistën e lëshuar për Zërin e Amerikës, Çipi shpesh ngatërron shtetin me qeverinë dhe me Edi Ramën. Këto nuk janë njësoj dhe duke mos qenë të tillë duhen specifikuar mirë për të parë sesi duhet vepruar në lidhje me çështjen e Teatrit.
Historikisht, duhet specifikuar, në kulturën demokratike perëndimore ka lindur shteti, si medium midis sovranit dhe të nënshtruarve të tij/subjekteve. Pastaj lindi qeveria, si horizontalizim i mëtejshëm i hierarkisë së pushtetit absolut të sovranit. Në epokën moderne, pas parlamentit, lindën gjykatat dhe media informative, si sigurues të shtetit demokratik.
Mund ta pranojmë që, në situatën në të cilën ndodhet sot Shqipëria – ku gjykatat, për arsye që dihen (reforma), nuk funksionojnë – një këlysh kurve mund të kapë, falë lidhjeve mafioze me pronarët e media-s informative, në mënyrë autoritare një Parti të caktuar, të fitojë zgjedhjet, të zotërojë parlamentin dhe të shndërrohet – duke parë mediokritetin e kabinetit me shurraqet dhe bythlëpirësit që e përbëjnë – de facto e de jure (nesër?) në qeveri. Pra duhet të kemi parasysh që në lojë kemi të bëjmë me një figurë politike që është Edi(p) Rama=qeveria=pralamenti.
Por nuk është ende shteti, i cili ka – nuk dihet edhe për sa kohë – një president. Për fatin tonë të keq e ka emrin Ilir Meta, as më pak e as më shumë sesa një i singjashëm i aventurierit të sipërpërmendur, në mos gjë tjetër, katapultues i vetëdijshëm i tij në pushtet.
Pra, në këtë panoramë, nëse Çipi kërkon ta ndajë Teatrin Kombëtar nga Rama=qeveria=parlamenti=(nesër)=presidenti/mbreti, unë dhe shumë të tjerë do të ishin dakort; por jo nga qeveria; jo nga shteti; jo nga parlamenti; jo nga mbreti; jo ndarje të artit nga asnjë instancë e pushtetit.
Personalisht (këtu do të dukem paksa kontradiktor), kam bindjen që shteti është e keqja absolute, duke qenë dispozitivi i një shoqërie për rregullin dhe sigurinë. Rregulli dhe siguria janë fjalëkalimet e fashizmit, jo vetëm të atij shoqëror, por edhe individual, ndërqelizor do të thosha duke cituar, pak a shumë, Michel Foucault-në.
Ndërsa Teatri, si art, që prej Athinës së Lashtë, është dispozitiv i anarkisë, pasigurisë, i vënies në pikëpyetje të “shumicës demokratike”, e rregullit, ligjit, sigurisë shoqërore dhe individuale të saj (Eskli fiton Dioniziet e Mëdha – festat e përvitshme pranverore që kulmonin me shfaqjet teatrore – me Persianet, një pjesë ku fituesit athinas, “shumica demokratike”, u shpalosej ana tjetër e medaljes së lavdisë së fitores, tragjedia e humbësve, prej të cilës mallëngjeheshin e iluminoheshin si qenie njerëzore, falë teatrit, deri në katharsis; Antigona e Sofokliut vinte në pikëpyetje ligjin e shumicës demokratike me anë të të drejtave edhe më thelbësore, të pamohueshme individuale … thjeshtë për të cituar dy shembuj).
Pra, mendimi im është, nëse duam demokraci sovrane, nëse duam shtet demokratik, nëse duam qeveri demokratike, parlament demokratik apo mbretëri demokratike, duhet patjetër – nëse duam t’i vëmë veshin historisë sonë perëndimore – të kemi teatër/art të lidhur ngushtësisht me to. Por ky i fundit duhet të jetë njëkohësisht, institucionalisht, pavarësisht se i atashuar, i pavarur prej tyre, për të mos i lënë hapësirë që teatrin/artin ta bëjë sovrani/Neroni/Edi(p) Rama, për të mos lejuar që teatrin/artin ta bëjë shteti/Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë/Realizmi Socialist i PPSH-së, për të mos lejuar që teatrin/artin ta bëjë qeveria=parlamenti i Edi(p) Ramës me Bjarke Ingels-at e vet.

Së dyti, jam absolutisht dakort me Çipin për shndërrimin e Teatrit në një “institucion demokratik popullor”, por jo duke kopjuar modelin e SHBA me anë të atyre që atje quajnë public trust. Edhe këtu duhet specifikuar që public trust vjen jo prej Shteteve të Bashkuara, por prej Mbretërisë së Bashkuar. Është një formë paksa rétro, e vjetër dhe nuk ka referenca të sakta, analoge, në kontekstin shqiptar (i përket më shumë logjikës korporativiste dhe jo asaj sindikale, me të cilën jemi pak a shumë mësuar, kemi një ide, por që po e humbasim përfundimisht falë sulmit të praktikave neoliberale të Edi(p) Ramës). Kjo do të ishte një mish i huaj, mish-mash i mëtejshëm, për inkuadrim ligjor. Nuk kam nevojë t’i përmend Çipit ndonjë citim nga Arturo Ui dhe mendimin që kishte Brecht-i mbi to.
Më e mira dhe më e natyrshme për historinë dhe kuadrin ligjor shqiptar do të ishte të inkuadrohej ky institucion në atë që vetë Çipi, mesa duket pa dashje, tha: “institucion demokratik popullor” dhe, për të arritur aty, referenca është Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, demokracia e vetme popullore që kemi njohur (nuk po flas për kafshërinë që prodhoi dhe sesi përfundoi … jemi akoma në nivel teorik dhe nuk duhet të paragjykojmë për shkak të Enver Hoxhës dhe Partisë së Punës të gjitha arritjet e popullit shqiptar siç është bërë këto vite të patranzitueshme tranzicioni). Pra, mendimi im është se, kemi mundësi të përmirësojmë kafshëritë institucionale të së shkuarës, pa patur nevojë të eksperimentojmë duke huamarrë forma aliene për kontekstin.

Së treti, Çipi kujton përciptas prej studimeve të tij larta universitare/akademike Leninin, ku, sipas të cilit, “shteti-qeveria (!?!?!? Çipi nuk bën dallimin edhe këtu) nuk ka pse të financojë artistë që nuk mbështesin linjën politike (duke përmendur problemet që lindin, si censura, auto-censura, shantazhi, etj., etj..)”. Edhe në këtë rast do të sugjeroja leximin e Leninit dhe jo përkthimet enveriste të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” (nuk do zgjatem me citime ekzakte të Leninit, sepse shkrimi do dilte nga binarët, por do të mjaftohem duke thënë që “modeli leninist” ka kontribut të pamohueshëm në modelet e social-demokracive skandinave prej nga po shkruaj dhe të cilat, mesa di, janë model mbarëbotëror, përfshi këtu edhe SHBA). Madje, përsa i përket po kësaj çështjeje, Çipi çuditet sesi historia enveriste e censurës, auto-censurës dhe shantazhit me internime, dëbime apo burgime “vazhdon edhe sot sepse përveç shetit/qeverisë edhe privati kërcënon nëpërmjet rrogës ata që mbrojnë Teatrin”. Pra, instikti prej artisti të lirë, Çipin, e shtyn ta kuptojë analogjinë midis asaj kohe dhe kësaj kohe, por njohuria apo dija jo e mjaftueshme e pengon të pikasë problemin dhe parashtruar aty ku e si duhet. Për informacion, pa dashur të bëjë pedagogji, thelbi i shtrimit të kësaj çështjeje, për mendimin tim – por jam mëse i hapur nëse do kishte ndonjë sygjerim më të thelluar – quhet “pushteti” dhe “mendësia qeverisëse” (governmentality) që ka përshenjuar territorin shqiptar historikisht, dhe është koncept i cili duhet shqyrtuar filozofikisht, politikisht dhe artistikisht. Edhe një herë pra, problemi duhet parashtruar nën shqyrtimin filozofik, politik e artistik të marrëdhënies, të marrjes dhe dhënies, së çfardolloji, të artit dhe pushtetit dhe duke patur e parashtruar cognitio causae, njohuri dhe dije të qarta mbi to.

Sëfundmi, Çipi, në mënyrë paksa kontradiktore pranon se “institucionet e artit nuk mund të mbijetojnë pa fonde publike”, por atyre u duhet ndërruar “forma juridike, ende socialiste (duke nënkuptuar historinë tonë të shkuar nën regjimin e socializmit shtetëror)”. Nuk e di nëse kontradikta është pjellë e njohurisë së mjegullt dhe përgjithësuese apo e dëshirës për të dalë përpara Zërit të Amerikës si palë me vëllain e madh amerikan, për të cilin gogolizimi i socializmit është kthyer në fe. Por, fundja, kjo pak rëndësi ka. Interes për këtë shkrim përbën bindja e Çipit se “institucionet e artit nuk mund të mbijetojnë pa fonde publike dhe nuk mund të pretendohet të jenë for profit“. Duhet thënë se edhe këtu jemi dakort, por për arsye diametralisht të kundërta. Institucionet e artit dhe artistët mbijetojnë pa fonde publike e ç’ke me të (nuk po bëj analiza shembujsh sepse ka pafund në librat e historisë që nga Komedia e Artit, Dighilev, Living Theater, etj., etj.). Por, nga njëra anë, janë institucionet publike që degjenerojnë në kafshërira autoritare e dikatatoriale pa art/teatër dhe, nga tjetra, arti/teatri nuk ka profit të matshëm, sepse potencialisht ka gjithnjë humbje (nuk është vetëm van Ghog-u që “ka dalë me humbje” duke bërë art, por edhe Michelangelo-ja, më i paguari i kohës së vet, veprat e të cilit ende gjenerojnë para për pronarët që i kanë; pra, nëse do të ishim të ndershëm deri në fund, nuk është paguar mjaftueshëm për ç’ka prodhoi, për të mos folur për Shakespere-in).

Në mbyllje, për të mos e lënë pa propozim të qartë këtë shkrim e për të mos u dukur sikur interesi është për të gjetur qimen në qullë, duhet thënë diçka mbi formën institucionale demokratike popullore, për të cituar Çipin, që mund të ketë një institucion tashmë i dekompozuar i artit dhe kulturës shqiptare si Teatri Kombëtar. Duke qenë se jemi përpara një kthese të mundshme epokale të formave të institucionalizimit të artit, mendimi im është se duhen rihapur statutet dhe riparë inkuardimi ligjor i formave kooperativiste, jo sociale, as shtetërore, por popullore. Pra, prona e këtyre institucioneve, e cilësdo formë e natyre qoftë (materiale, jo materiale/shpirtërore), duhet të lidhet si e patjetërsueshme me konceptin e popullores (jo të individit, as grupeve të interesit, e madje as kombëtares, sepse kombi ka fashizmin pas dere dhe duke parë tentativat me ndarjet etnike në Kosovë e shoh drejt degjenerimit situatën). U duhet bashkangjitur dhe integruar këtyre kooperativave forma e ojf-ve të sotme, sidomos përsa i përket thjeshtësimit të burokracisë së praktikave admistrative financiare. Ky model me bazë popullore do të ishte një formë alternative e agjensive elitiste (jo elitare=për+bërës të elitave, pra elitiste, ndjekës, të nënshtruar ndaj etiketave, emërtimeve, emërimeve, famës, imazhit përfaqësues) që po promovon Kapitali, Soros-i dhe praktikat neoliberale prej vitesh tashmë në Shqipëri (shih COD – Center for Openness and Dialogue & Co.). Thjeshtë, po propozoj një model me të cilin Kapitali nuk ka marrë ende masat, një model jo alien për kontekstin, që nuk gjendet as në vendet e tjera të ish-Bllokut të Lindjes, ku pikërisht falë transformimit të formave institucionale dhe alienimit tërësor prej praktikave kontekstuale është mjelë një pasuri e tërë popujsh në dukje të pashpresë (këtë problem e ka edhe Gjermania, pas “bashkimit” të Lindores dhe Perëndimores). Thjeshtë një model/armë për të përballuar tsunamin e shkatërrimit të pronës popullore … tashmë, nuk më pëlqen ta quaj publike, sepse më sjell në mendje spektatorin teletrumpiksur dhe pasiv shqiptar. Si komponentë të bordeve të këtyre institucioneve teatrore, që do i bashkangjiteshin institucioneve shtetërore, qeveritare, ministrore, bashkiake etj., etj., do të thoja mjafton një anëtar prej institucionit të atashuar dhe katër prej opozitës, shoqërisë civile, kulturës dhe artit specifik (teatri, opera, filmi, arti pamor, etj.). Si koncept praktik dhe krijues teatror do të mjaftonte fokusi mbi kritikën e përhershme dhe të pashtershme të vetë institucionit të atashuar teatrit.

P.S. Ka edhe art+istë të painstitucionalizuar, por në këtë shkrim nuk flitet për to.
P.P.S. Arti i painstitucionalizuar është ai art që ka dijeni dhe merr parasysh gjithnjë dhe gjatë gjithë procesit krijues fuqinë e institucionalizimit duke ruajtur distanca sigurie prej tij.