Një event mbi arkitekturën dhe filmin në Universitetin Metropolitan. Pjesa e katërt: Citizen Jane. (Romeo Kodra)

[Ky tekst nuk u prezantua gjatë eventit të prillit, duke qenë se u zëvendësua nga prezantimi i Ernest Shtëpanit mbi të njëjtën temë.]

“Promenades that go from no place to nowhere” – Jane Jacobs.

Duke qenë se eventi ishte menduar të kontekstualizohej dhe të kontekstualizonte nëpërmjet historive, praktikave, teorive dhe teknikave të artit (arkitekturës dhe filmit) qenien tonë si qytetarë me të drejta dhe detyrime përkarshi bashkëjetesës në komunitetin urban, dokumentari Citizen Jane: Battle for the City, mbi jetën dhe veprimtarinë e Jane Jacobs-it, kësaj aktivisteje që me pak qytetarë të tjerë arriti të ndalojë frullin betonizues dhe asfaltues të pjesës më karakteristike të New York-ut të viteve ’60, na u duk më i përshtatshmi për të lidhur protestuesit e Astirit, Teatrit Kombëtar, fundit të pafundmë të Bulevardit drejt Bregut të Lumit e të tjera vatra të urbanizimit kafshëror kryeqytetas. Krahas dokumentarit, bazë diskutimi ishte edhe libri i Jane Jacobs-it The Death and Life of Great American Cities.

Fushëbeteja e Jacobs-it, siç u tha ishte New York-u i fillimviteve ’60, dhe kundërshtari Robert Moses, njeriu që importoi mendësinë dhe logjikën urbane të Parisit haussmannian në kryeqendrën e botës së pasluftës së II botërore.

Por ky importim, që kalëronte vrullin modernist dhe çlirimin nga ankthi i luftës, ishte akoma më megaloman, jashtë përmasave njerëzore, spekulativ dhe si rrjedhojë fashistoid sesa ç’mund të imagjinohej deri në atë kohë. Përplasja u shkaktua nga propozimi urban i Moses-it drejtuar administratës së metropolit, i cili parashikonte një expressway/autostradë të ngritur, 70-metra të gjerë, që kalonte si një bypass zemrën e Manhattan-it të Poshtëm, më ekzaktësisht, duke prekur lagjet Greenwich Village, Soho, Tribeca, Little Italy, Chinatown dhe Lower East Side.

Si banore e Greenwich Village, Jane Jacobs-i, deri në atë kohë gazetare për Architectural Forum, u gjend personalisht e prekur prej transformimeve urbane dhe ndërhyrjeve vizionare e spastruese të Robert Moses-it. Përplasja, për si arriti ta artikulonte Jacobs gjatë gjithë jetës së saj, ishte në mendësi dhe botëkuptim. Për t’i rënë shkurt qyteti i Moses-it ishte qyteti i së ardhmes, qyteti i industrializuar, qyteti i makinave dhe teknologjisë. Pak a shumë, me gjithë spekullimet e mundshme teorike, qyteti i Le Corbusier-së. Ndërsa për Jacobs-in ishte qyteti i marrëdhënieve njerëzore. Dhe me vetëm kaq pak konceptualizim, papërputhshmëria e Jacobs-it me mendësinë dhe botëkuptimin e ajkës së planifikimit urban dhe arkitekturës botërore, ishte sa e qelibartë aq edhe ekstreme e, mbi të gjitha, e drejtë.

Kjo papërputhshmëri nxjerr në pah dy pole që nuk shihen kurrë njëri me tjetrin. Falë Jane Jacobs-it, personi i parë që kritikoi publikisht me emër e mbiemër Robert Moses-in, gjer atëherë ati i padiskutueshëm i planifikimit dhe arkitekturës njujorkeze, sot e kësaj dite lëma e planifikimit dhe arkitekturës është e detyruar të mbërthejë e përcaktojë kuptimin e “marrëdhënieve njerëzore” përpara çdo projektimi të denjë për t’u quajtur i tillë.

Robert Moses-i i përkiste fillimisht anës progresiste të politikës njujorkeze (demokrat), i cili me lehtësi kaloi në anën tjetër, atë të konservatorizmit (republikan). Pjellë e New Deal-it rooseveltian, plot parqe, stola dhe përmirësim të jetës së klasave jo të pasura, ai kaloi në pak vite duke u shndërruar për pozicionin që kishte, si planifikues i New York-ut, në nyjen gordiane të vënies në lëvizje dhe çlirimit të financave të elitave kapitaliste, plot mega-infrastruktura, beton dhe asfalt. Është, për mendimin tim, shembulli më i mirë arketipal i elitave afariste që kemi sot në botë, por edhe në Shqipëri, ku neoliberizmi dhe neokonservatorizmi, gjejnë gjithmonë gjuhën e përbashkët kur vjen puna për të spekulluar në kurriz të publikut, pra fondeve shtetërore, të cilat mundësojnë infrastruktura për të lehtësuar përfitimin gjithnjë e më të majmë të privatit. Thjeshtë për analogji dhe për të evidentuar versionet shqiptare të shndërrimit të pushtetit të votës në pushtet të parasë, po përmend Edi Ramën, i cili pak ditë përpara votimeve u premtonte banorëve të Astirit legalizimet, dhe pas votimeve u sillte buldozerët për fshirjen e rradhës; ose Lulëzim Bashën që kishte vënë një banner me dhjetra metra katrorë tek ish-stacioni i trenit “Bllokuar nga Edi Rama”, referuar vazhdimit të bulevardit kryesor të kryeqytetit, kur ishte në krye të Bashkisë së Tiranës, dhe tani del si “përkrahës” i banorëve të cilët preken nga “shkatërrimet e nevojshme për modernizimin urban” kryeqytetas.

Pra, u desh të vinte Jane Jacobs-i për t’u evidentuar një humbje e parikuperueshme që shkaktonin rinovimet urbane: marrëdhëniet njerëzore ose, thënë ndryshe, thurrima sociale. Ndoshta e frustruar prej retorikës fashistoide të planifikuesve dhe arkitektëve të asokohe, por që lehtësisht mund të dëgjohen edhe sot e kësaj dite, Jane Jacobs-i e fillon Life and Death me një fjali lapidare, që, për mendimin tim, i përket më shumë strategjisë së saj sesa nevojës apo domosdoshmërisë reale: “This book is an attack on current city planning and rebuilding.” The Death and Life of Great American Cities, Jacobs Jane, Vintage Books, NY, 1992, fq. 3.

Natyrisht libri nuk është zgjidhja e të gjitha problemeve. Madje, mund të thuhet se koha e ka demonstruar që nuk është fare zgjidhje, as edhe për vetë lagjet që asokohe, në mënyrë të papritur, shpëtoi prej fshirjes, të cilat sot janë shndërruar nëpërmjet një gentrifikimi tërësor, në lagje boutique, ku marrëdhëniet njerëzore, për si i nënkuptonte Jacobs-i, janë një kujtim i largët që gjendet në faqet e librave apo filmave amerikanë.

Dhe ky problem te vepra e Jane Jacobs-it është evidentuar që herët. Janë argëtuese përsa i përket kësaj çështjeje faqet e revistës The New Yorker, prej nga kritiku Lewis Mumford ironizonte zgjidhjet shtëpiake të mëmë Jacobs-it. Por pavarësisht kritikave, apo shijes disi reaksionare që del nga një lexim i parë dhe sipërfaqësor, fokusi maniakal dhe shkencor i Jacobs-it te “marrëdhëniet njerëzore” (kujdes, jo te njerëzit, por te marrëdhëniet njerëzore, pra kemi të bëjmë me analizimin e hapësirës brenda të cilave këto marrëdhënie ndodhin e zhvillohen!!!), zbulon njëkohësisht injorancën e kritikëve dhe vakumin që në vetevete këto marrëdhënie përbënin dhe shpesh vazhdojnë e përbëjnë në projektim apo dizajn arkitektoniko-urban, të cilat detyrimisht alienojnë këdo që ato projekte apo dezajne jeton e banon.

Shkencor është edhe skepticizmi i vazhdueshëm dhe i kudogjendshëm i Jacobs-it; shkencor edhe pse jo i arrirë saktësisht për mungesë instumentash kritikë është nuhatja për nevojën e asaj që quan organic growth/rritje organike të qytetit; shkencor është mbi të gjitha edhe diversity/diversiteti i marrëdhënieve njerëzore që nxjerr në pah shkretëtirën realiste të projekteve publike dhe sociale të urbanistëve dhe arkitektëve të asokohe. Në pak fjalë për ta inkuadruar në terma disi më shkencorë, marksianë, Jane Jacobs, pa dashur, duke qenë se mohonte çdo lloj ideologjie, fliste për kapitalin social që i kundërvihet Kapitalit në përgjithësi e në veçanti kapitalit financiar (pak e kujtojnë që “ideologu” Karl Marx fillimisht merrej me gjëra shumë pak ideologjike dhe tejet konkrete, shumë pak hiperuranike/mbiqellore platoniane dhe përkatëse të përditshmërisë së fshatarëve, praktikisht vrojtonte, njësoj si Jane Jacobs, jetën reale, siç ishte shfrytëzimi i lëndës drusore për ngrohje ose thënë ndryshe mosndëshkueshmëria e fshatarëve që mblidhnin degë të rëna në pyll).

Gjithsesi, siç u përmend më sipër, nuk duhet parë Jane Jacobs-i si ungjillizuese e zgjidhjes së problemeve të arkitekturës dhe planifikimit urban. Madje hera herës ajo është rrënqethëse me qasjen reaksionare (Lewis Mumford shastisej prej mendjelehtësisë së thirrjes “The city cannot be an artwork”). Por, nëse do të kontekstualizohej Life and Death historikisht e gjeografikisht në New York-un e viteve ’60, pra nëse do të anashkalohej korrektësia e gjerësisë dhe thellësisë së sfondit teorik ku Jane Jacobs justifikon veprimin e saj si aktiviste, do të shihej që, nëpërmjet aftësisë së jashtëzakonshme të organizimit, reklamimit, mobilizimit dhe koalicioneve të krijuara për të arritur qëllimin e përcaktuar, Jane Jacobs është një fenomen që duhet studiuar në çdo kohë (në Citizen Jane: the Battle for the City të Matt Tyrenauer, që shpesh kalon në klishe tipike hollywoodo-amerikane, nuk përmendet, por interlokutorët aleatë të Jane Jacobs-it shkonin nga mafiozë italianë, hebrenj radikalë, pronarë të vegjël punishtesh apo dyqanesh, tregtarë kinezë e deri te banorët e thjeshtë të lagjeve të interesuara nga fshirjet fashistoide të Robert Moses-it).

Në fund më pëlqen të kujtoj një fragment nga kjo histori e aktivistes dhe shkrimtares amerikane që na lidh direkt me bëmat anakronike të kryebashkiakut të sotëm të Tiranës Erjon Veliaj, kur Jane Jacobs, në “dëgjesën publike” të krybashkiakut të New York-ut, pasi kishte marrë fjalën dhe kishte vënë re që nuk po regjistrohej, kishte protestuar duke kërkuar që të anulohej dhe të ribëhej e gjithë dëgjesa. “Kur nuk është e regjistruar, dëgjesa nuk ka egzistuar”, ishin fjalët e saj, pas të cilave u arrestua nga policia bashkiake.

P.S. Jane Jacobs u largua përfundimisht nga New York-u për në Toronto, në 1968, për shkak se, si pacifiste e bindur, ishte kundër luftës në Vietnam dhe nuk donte që dy djemtë e saj të kryenin shërbimin e detyrueshëm ushtarak.