“Hamletmakina” dhe makina dёshirore. (Romeo Kodra)

Hamletmakina

Hamletmakina

Kudo janё makinat, aspak metaforikisht:
makina makinash, me çiftimet e tyre, me
bashkёlidhjet e tyre. Njё makinё-organ
ёshtё e ndёrfutur nё njё makinё-burim:
njёra çliron njё fluks, tjetra e ndёrpret.
Gjiri ёshtё njё makinё qё prodhon qumёsht,
dhe goja njё makinё e çiftuar me tё. Goja e
anoreksikut lёkundet midis njё makine pёr tё
ngrёnё, njё makine anale, njё makine pёr tё folur,
njё makine pёr tё marrё frymё (krizat e azmёs).
“Antiedipi” – Guattari/Deleuze

Heiner Müller, autor i “Hamletmakinёs”, erdhi kёto ditё nёpёrmjet kёsaj vepre nё Tiranё – 19 vjet pas vdekjes – falё regjizorit Stefan Çapaliku, tё cilit i shkojnё falenderimet e sinqerta pёr guximin e prurjes sё njё prej figurave mё tё shquara tё teatrit bashkёkohor (Broadway-izmat – shpresoj ta kuptojnё drejtorёt e teatrave kryeqytetase – na e kanё sjellё nё majё tё hundёs!). Pa kontributin e Çapalikut nuk do tё ekzistonte as ky shkrim mbi Hamletmakinёn, tё cilёn pata rastin ta shihja tё shtunёn e 4 tetorit nё Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Nёse vёnia nё skenё e njё teatri klasik ёshtё njё artikulim regjizorial, “Hamletmakina” ёshtё njё ç’artikulim. Ky ç’artikulim nuk do tё thotё kaos, por kaos i organizuar. Madje ёshtё njё kaos i organizuar qё nё mёnyrё brecht-iane (shih “teatrin didaktik” tek autori gjerman) i vihet pёrpara spektatorit nga Heiner Müller. Pathosi borgjez nёpёrmjet teatrit didaktik tё Brecht-it – Ati teatror i Müller-it dhe gjeneratёs sё tij – shkёrrmoqet posaçёrisht pёr tё mos i lёnё asnjё rrugёdalje manipulimeve teatrore, argёtimit tё spektatorit tё fundjavёs qё vjen nё teatёr sa pёr t’u mallёngjyer paksa.

Nё fakt Stefan Çapaliku duket se ndjek vetёm leximin linear dhe sipёrfaqёsor tё “Hamletmakinёs”. Tё paktёn kёshtu e shoh unё personalisht. Edhe me “Faustin” e vitit tё kaluar kishte tё njёjtin problem. “Hamletmakina” vetёm nё sipёrfaqe problematizon rolin e intelektualit tё vuajtur. Hamleti ёshtё njё makinё, njё makinё tinёzare as mё pak e as mё shumё se sa vrasёsi qё kёrkon tё demaskojё. Nё kёtё botё nuk ka tё pafajshёm: tё paktёn sipas Brechtit dhe Müller-it. Pra, nuk janё tё pafajshёm as intelektualёt apo artistёt e “manipuluar” prej pushtetit. Hamletmakina denoncon qё nё fillim vetveten dhe mё pas tё tjetrёt. Si fakt le tё shihet Ofelia qё, tek vepra e Müller-it, tingёllon sёtepёrmi me autobiografinё e dramaturgut gjerman (vetvrasjen e gruas sё autorit pak vite mё parё se tё dilte “Hamletmakina”).

Qё nuk ka demontuar makinёn perverse hamletiane Çapaliku duket edhe nёpёrmjet monotonisё sё personazheve tё Bualotit dhe Alikajt. Dhe monotoninё e nёnkuptoj nё sensin primar tё fjalёs, sepse nё pёrgjithёsi pjesa nuk ishte aspak monotone. Me monotoni nёnkuptoj pjesёn kur aktori i drejtohet publikut, kur komenton nёpёrmjet elementit zanor njё pozicion emocional apo ideologjik tё personazhit qё interpreton, i cili nё kёtё rast duhet tё ketё njё ton tjetёr, jashtё rolit, sepse nuk ёshtё mё Hamlet, dhe pikёrisht duke mos qenё mё Hamlet ёshtё akoma mё shumё (“to be or not to be … an actor?”). Aktori nё kёtё pjesё duhet tё demonstrojё efektin e “shtjetёrsimit” (Verfremdungseffekt) pёr tё thyer çdo pёrçim emotiv tё ngjarjes teatrore tek spektatori, pёr ta nxjerrё kёtё tё fundit nga kёneta e pathosit, nga mendime, ndjenja dhe pasione qё nuk i pёrkasin nё momentin e vёnies nё skenё, pёr ta projektuar spektatorin pas dhe pёrtej vёnies nё skenё, atje ku dhe kur gjen e sheh veten nё njё vizion makroskopik brenda kontekstin shoqёror nё tё cilin jeton.

Nuk e ndihmojnё daljen nga monotonia edhe amplifikimet me mikrofon alla Carmelo Bene qё Bualoti kryen. Kёtu do tё thosha qё tejkalohet kufiri i blasfemisё, dhe nuk po zgjatem mё pёr delikatesё.

Skenografia dhe koreografia nuk janё keq tek kjo “Hamletmakinё”, edhe pse nganjёherё u mungonte pastёrtia e kompozimit [Bidonat dhe shishet bosh dalin nga kazanёt e plehrave si aktorёt: nuk mund tё bёhej ndonjё lidhje shenjuese mё tepёr midis tyre? Elementi i korit tek Müller, sipas traditёs sёrisht brecht-iane, ёshtё mbizotёrues: nuk mund tё ishte koreografuar dhe koralizuar mё shumё lёvizja e aktorёve tё rinj?]. Nё teatёr thuhet qё “nёse ka njё çengel nё mur, aty duhet varur diçka apo dikush”, dhe nga pikёpamja skenografike dhe koreografike kishte disa çengela qё mbetёn bosh.

Kostumet njёngjyrёshe, esenciale dhe simbolike, ishin nё linjё (besoj mё shumё prej intuitёs se sa prej studimit) me “shtjetёrsimin” ndaj pathosit, me anti-spektakolaritetin qё duhet mbajtur nё kёtё pjesё teatrore, ndёrsa grimi mbante koherencё me pjesёn nё personazhet e Bualotit dhe Alikajt, por jo nё personazhet e aktorёve tё rinj.

P.S. Tё gjithё jemi makina dёshirore tё lidhura njёra me tjetrёn pёr ndёrprerjen e dhe ri-transmetimin e flukseve. Nё Shqipёri – pёr injorimin total tё argumentit – akoma mё shumё se tjetёrkund. Kёshtu pra, jemi makina motori i sё cilave ёshtё dёshira, dhe qё karburohet nёpёrmjet marrdhёnieve me flukset. Por, nga kёto makinat dёshirore kemi nga njё anё prej atyre qё orjentohen nё flukset e posteve akademike, prej fondeve finanziare, prej posteve institucionale, bordeve etj., etj., tё cilave nuk u pёlqen aspak tё bёjnё njё “coming out” nё pranimin e tё qenurit pjesё e leviatanit, dhe kemi nga ana tjetёr prej atyre qё kёrkojnё “akte rezistence” (si nё “exergo” dhe “post scriptum” mё pёlqen t’i pёrbahem Gilles Deleuze-it dhe Felix Guattari-sё) skizoide pёr tё prishur vetё mekanizmin e makinёs dёshirore, pёr tё dalё jashtё organizmit dhe organizimit. Nё rastin tim personal, mundohem tё kryej akte rezistence “metateatrore” (teatёr brenda teatrit) – pёr tё demonstruar dhe pёr tё qartёsuar me kёtё rast ata qё nuk e kanё kuptuar ende Hamletmakinёn – me tё cilat kam pёr tё plasur deri sa tё kem frymё pёrpara gjithkujt disa tё vёrteta si p.sh. qё jemi pjesё e njё flluske inflacioni tё pёrgjithshёm nё tё cilёn bёjmё sikur bёjmё teatёr nё universitete apo institucione teatrore kombёtare pa patur tё pёrkthyer dhe pa lexuar libra pёr teatrin; flasim pёr autorё pa i lexuar dhe aq mё pak kuptuar ata; hapim diskutime qё gudulisin sipёrfaqёsisht mbi plagё qё nuk duam t’i hapim sepse djegin, sepse dhembin, sepse po u hapёn rrezikojmё kompromisin intelektual, rrogёn, fondet, postet … e tёrci e vёrci! U qartёsua ndopak Hamletmakina?