Nga arkitektura urbane në parkimin e tullave, apo anasjelltas? Rasti shqiptar. (Romeo Kodra)

Çdo ditë ngrihem në mëngjes dhe shoh një varg tullash anës rrugës përbri pallatit ku jetoj. Nuk janë rastësisht aty. I kanë lënë parkuesit e natës që vendet e parkimit t’i ruajnë gjatë ditës; edhe se ditën punojnë tjetërkund. S’i dihet asnjëherë; është mirë që një vend makine ta sigurosh, paçka se bllokon abuzivisht një hapësirë parkimi publike, një hapësirë të të gjithëve.

Çdo ditë fillon me një ndjesi nervashkatërruese që shpesh herë ka prekur konfliktin verbal. Kur largova për të parën herë një tullë, një zë nervagërvishtës gruaje, nga dritarja e katit të dytë, klithi “Ça ke erèèè?”, sikur t’i kisha shkulur flokët. “Hiç” i thashë “më jepte bezdi tulla dhe m’duket se bezdis edhe ata që duan t’parkojnë”. “Iiii ky?! Burrin im ka 5 vjet që parko’ taksin aty, e ti do me u grric kot qy me mjes.”.

Ç’ti thosha? Si mund të diskutohet me nevojat e ‘klasës punëtore’, me gruan e një taksisti të ndershëm, në një moment historik si ai i Shqipërisë bashkëkohore në të cilën puna është gati diçka e turpshme? E lashë të fitonte pa ‘‘i rënë në qafë kot’’.

Një herë tjetër, sërisht duke spostuar një tullë abuzive, një trim me duar në xhepa që doli nga bari përkarshi, më thërret, “Ça je tu bo vllajo? – Desha t’parkoja” ja kthej. “O’ parkexhi i lokalit aty. Shko içik mo anej, po deshe!”. Pavarësisht mënyrës së sjellshme që përdori, duke më treguar se ku të shkoja, iu përgjigja: “O vllajo, kam shpinë, ktu ke kati dytë. Mund t’çosh klientët e lokalit içik mo anej! – O zemra” më thotë duke u ngrehur disi “erdhe dje ti ktu!’’ E dinte qe kam vetëm dy vjet që banoj në atë lagje. ‘‘Un tironc dem baba dem duhet me çu klientat e mi anej???’’ Nuk ju them si vazhdoi, po shtoj vetëm që filloi një garë ku diskutohej kush kishte lindur më afër qendrës së Tiranës e kush ishte ‘‘jabonxhi’’. Fitova unë. Praktikisht i demonstrova në mënyrë të pamohueshme që kam lindur poshtë të pasmeve të kalit të Skënderbeut.

Çdo ditë nervat më shkatërrohen jo vetëm prej tullave që abuzojnë me vendparkimet e makinave, por edhe prej ndërtimeve kafshërore në zonën e Linzës, ku edhe banoj. Plani i munguar i arkitekturës urbanistike të zonës i ngjan një infeksioni dermatologjik të parikuperueshëm. Për një profan të artit të arkitekturës dhe të urbanistikës lidhja fashistoide midis ‘‘tullës abuzive’’ dhe ‘‘infeksionit dermatologjik’’ të arkitekturës urbanistike të kryeqytetit është disi e vështirë të ndërlidhet. Por, duhet ditur që territori shenjohet që prej kohërave më të errëta të homo sapiens-it, dhe jo vetëm. Shenjimi i territorit është pjesë e bios-it. Mjafton të shohim qentë që urinojnë rrëzë gardheve, apo kastorët që ngrejnë diga në lumenj, të cilët nuk kanë edhe aq ndryshim nga parkuesit nokturn me ‘‘tullat e tyre abuzive’’.

Dëshira e pafre e të pavetëdijshmes sonë na shtyn natyrshëm në këtë fashizëm zaptues të hapësirave (Gilles Deleuze). Është e kotë të racionalizojmë në mënyrë pozitiviste këtë prirje. Është mirë që në mënyrë racionale të bindemi që kjo prirje na paraprin, sepse sa më shumë ja mohojmë ekzistencën aq më shumë ajo shpërdhen pas çensurës[1].

Kohë më parë një ‘‘profesor’’ i një universiteti privat të Tiranës mbrojti ‘‘docenturën’’[2] me një lectio magistralis mbi arkitekturën fashiste italiane të Tiranës, të cilën e shihte si ‘‘të këndshme’’ paçka se ‘‘të ndërtuar nga fashistët’’. Në këtë mënyrë ndante apo injoronte tërësht, si shumë ‘‘arkitektë’’ të tjerë shqiptarë, ndikimin semantik të kësaj arkitekture.

Personalisht e kam parë gjithmonë si mungesë njohurie një qasje të tillë, të cilën mund ta kundërshtoja në parime të përgjithshme dhe konceptuale duke u mbështetur (lëkundshëm) në proksemikën (përshenjimin) e hapësirës. Arsyetimi im fillonte gjithmonë nga njohuritë teatrore, nga performimi fizik i aktorit në hapësirën skenike, dhe – duke shkuar disi së prapthi – deri tek ballafaqimi analogjik i strukturimit hapësinor arktiektonik me strukturimin hapësinor teatror. Shpesh herë kapërcimet analogjike paragjykohen me të zakonshmet ‘‘je i një fushe tjetër’’, ‘‘po flasim për dy gjëra të ndryshme’’, ‘‘sikur t’ishte kaq e lehtë arkitektura, do të bëheshin të gjithë arkitektë’’ e të tjera analiza të cekëta si këto. [Vazhdon nesër]


[1]    Shih në aksrevista.wordpress.com ‘‘Praktika skizogjene dhe proksemika e hapësirës: ‘Blloku’ i Tiranës.”. https://aksrevista.wordpress.com/2013/05/25/praktika-skizogjene-dhe-proksemika-e-hap%D1%91sir%D1%91s-blloku-i-tiran%D1%91s-romeo-kodra/

[2]    Mund të thuhet që i aprovoi vetes titullin ‘‘docent’’, duke qenë se ishte ‘‘bashkëpronar’’ i universitetit titulldhënës. Çudira shqiptare!