Rexhep Ferri “njeriu që nuk mund të lirohet nga nostalgjia”. Romeo Kodra (Gazeta Shqiptare 1/12/2013)

Prej 18 Nëntorit në Galerinë Kombëtare të Arteve është çelur ekspozita personale e Rexhep Ferrit. Këtë autor, një prej zërave më origjinal të hapësirës mbarëshqiptare, e kam hasur për fajin tim të keq vetëm rreth 2 vite më parë, falë monografisë së botuar prej Akademisë së Shkencave të Kosovës realizuar nga kritiku i artit dr. Gëzim Qëndro.

Duke shfletur këtë monografi, përveç impaktit direkt të veprave të piktorit, një përcaktim i Qëndros më tërhoqi vëmëndjen: “Kështu merr kuptim dhe bëhet më e qartë ekonomia e perceptimit  që lidhet me parapëlqimin e Ferrit për të ndërthurur qasjen fenomenologjike me integrimin gestaltist të formave …”. Nuk është i pakët si afirmim. Nga pikëpamja filozofike jemi në majat e realizimit të koncepteve të shkullit të XX-të, por këtu, në pikturë; dhe ç’është më surprizuese, në një autor shqiptar që dialogon me autorë të rangut të Picasso-s apo Bacon-it.

Kisha menduar prej kohësh, që kur lexova monografinë e dr. Qëndros, të shkruaja diçka mbi këtë autor, por më dukej disi e pavend të shkruaja pa patur as edhe një herë të vetme rastin të shihja veprat e tij nga afër. Ekspozita “Afër dhe Larg” ma ofroi këtë mundësi.

Të shkruarit mbi veprën e Ferrit erdhi edhe si shtysë e kuriozitetit për të parë koherencën e afirmimit, në dukje panegjirik, të Gëzim Qëndros mbi veprën e këtij autori që për habinë time u konfirmua përpikmërisht. “Qasja fenomenologjike” që thotë dr. Qëndro nga njëra anë më solli ndërmend M. Merleau-Ponty, për të cilin fenomenologjia si metodë është “një ‘psikologji përshkruese’ apo një rikthim ‘mbi vetë gjërat’ [Husserl], është mbi të gjitha një mohim i shkencës. Unë – vazhdon Merleau Ponty – nuk jam rezultati apo konvergjenca e rastësive të shumëfishta të cilat determinojnë trupin apo ‘psikizmin’ tim, nuk mund të mendohem si një pjesë e botës, si thjeshtë objekt i biologjisë, psikologjisë dhe sociologjisë, e as të mbyll mbi vete universin e shkencës. Gjithë ç’ka di mbi botën, edhe nëpërmjet shkencës, unë e di duke filluar nga një pikëpamje vetjake, ose nga një eksperiencë e botës pa të cilën simbolet e shkencës nuk do të kishin asnjë kuptim” [Fenomenologjia e Perceptimit]. Dhe po të vërejmë me kujdes sidomos figurat antropomorfe të Ferrit do të na shfaqen të sintetizuara pikërisht fenomenet e eksperiencës së botës. Tek vepra “Afër dhe Larg” [1978] p.sh. shohim në parninë hapësinore të pëlhurës të sintetizuar (apo koaguluar) taksonominë eksperienciale, kohore të një subjekti që ka të shenjuar mbi trup ankthet, pasionet, që formojnë e gjymtojnë në të njëjtën kohë.

Veprat gestaltiste të Ferrit ‘flasin’ detyrimisht një gjuhë universale, përgjithësuese, primitive [ngjyrat e përdorura nga Ferri në to janë të një toke në (zh)bërje e sipër, parahistorike, ançestrale]. Të gjithë jemi, kush më pak e kush më shumë, rrjedhojë e kësaj toke në (zh)bërje e sipër, por për një shqiptar nga Kosova si Ferri metafora është larg. Tek autori kosovar bëhet fjalë për një histori të tërë që nuk ka kohë për imagjinatë, por lëvrin pa rreshtur ndër shekuj midis reales dhe simbolikes; reales së trupave të konservuara në varreza masive që ngrihen si simbol i pazgjidhshëm dhe i pakuptimtë për të gëlltitur Historinë makabër të cilën autori e refuzon parreshtur. Edhe tani që Kosova është një realitet Ferri vazhdon me të njëjtin refuzim autistik, sepse çështja është tek ekzistenca e jo tek kombësia. “Njerëzit pa atdhe ikin ‘me sy kah Itaka’, se nuk mund të lirohen nga nostalgjia …” thoshte për të Ali Podrimja.

Ndërsa “integrimi gestaltist i formave” që nënvizon dr. Qëndro në monografinë e Ferrit nga ana tjetër hap mëtej edhe një dritare mbi artin bashkëkohor të përjetuar nga prof. Ferri, hap problematikën e autorit si koncept themeltar. Edhe këtu Rexhep Ferri është kirurgjikal. Në veprat gestaltiste fokusi primar është ai i subjektit vrojtues që interpreton dukshmërinë ambivalente të veprës duke u shndërruar në këtë mënyrë në një autor/krijues të pjesshëm të saj. Por interpretim nuk është i rastësishëm, autori këtu ka vënë gjithsesi kufijtë e tij (autoritar dhe të vetëdijshëm) duke vënë në skenë një mjedis të paracaktuar imtësisht dhe jo një atmosferë të vagullt. Po të shohim “Maskën e zezë” [2004] të vendosur në një skenë klasike teatrore, tmerri na paraqitet nga prania e papranishme që qëndron pas saj. Sytë përtej vrimave të kësaj maske mungojnë, mungon dhe goja apo dhëmbët. E zeza e maskës ndjell fatkeqësi vetëm në kontrast me bardhësinë pas saj. Prania antropomorfe pas saj jepet vetëm nga një element: pika të zeza që përkojnë me nyjëzimin e kafkës njerëzore. Por është një njeri i tjetërsuar, i tëhuajzuar nga qenia e tij, është një masë tumorrale, pa organe shqisore: një tumorr inorganik vdekjeprurës që ka uzurpuar skenën; është apoteoza e vdekjes së verbër.

Nuk duhet harruar sëfundmi Rexhep Ferri i letrave të cilit po i lë fjalën e mbylljes: “Në Ishullin e Mjaltit dhe Gjakut. Afër shtatë hijeve të një ngjyre. Pak më parë e pak më vonë, Hajrush Fazliu e sheh të vërtetën. Me urtësinë e tij të qetë pikturon një ëndërr. Jo duke krijuar portretin e Afërditës as Torzon e Venerës, por duke ruajtur origjinën e ndryshimeve. Jo larg rimodelimit. Me disa detaje nga jeta. Historia duket e gjallë. Për kohën antike dhe kohën moderne ëndrra ishte e njëjtë. Unë vetëm pak sa u ndala.” Kjo ishte vetëm një pjësëz e prozës, poetika e tij shkon përtej. Ju ftoj ta ndiqni në ekspozita, librari apo biblioteka.