Kush është ky Romeo Kodra?

Tek përpiqesha të hidhja dy mendime në letrën digjitale te programit word, një mik i ngushtë më merr në telefon dhe më thotë: “Ore, e more vesh që t’ka dal emri n’gazetë?”. Mu duk çudi sepse nuk kisha shkruar asnjë artikull për Milosaon e Gazetës Shqiptare, në të vetmen gazetë që publikoj ndonjë gjë për teatrin apo artin në përgjithësi. Gjithsesi e vërteta ishte që gazeta ‘Tema’ kishte publikuar një artikull të gazetës ‘Shekulli’ – ndoshta nuk dinë si të mbushin web-in! – në të cilin renditeshin emrat e kandidatëve pjesëmarrës në konkursin e shpallur prej Ministrisë së Kulturës për postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar.

http://www.gazetatema.net/web/2014/01/07/ja-kush-jane-dhjete-pretendentet-per-drejtues-te-teatrit-kombetar/

http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=37932&kat=94

Në këtë shkrim më bëri përshtypje mundi sizifian i gazetares Valeria Dedaj; jo nga pikëpamja e përgatitjes mbi lëmën teatrore (s’po pretendoj aq), por nga pikëpamja e përgatitjes gazetareske. E shkreta – për sa i përket personit tim – kish mundur të formulonte vetëm që ‘është pedagog në një universitet privat në Tiranë dhe spektator i rregullt në Teatrin Kombëtar’. Të dyja këto informacione të vakëta dhe të varfëra, për fatin e saj të keq janë të gabuara: nuk jam më pedagog në asnjë universitet dhe Teatrin e frekuentoj kur gjykoj se duhet frekuentuar.

Duke mos dashur të bëj pedagogun e lëndës së gazetarisë dhe t’i sugjeroj “gazetares” në fjalë përdorimin e google, për të cilin nevojitet vetëm aftësia e përdorimit të një gishti të dorës dhe zotërimi i abetares, po i vij në ndihmë duke thënë diçka për veten.

Quhem Romeo Kodra dhe jam diplomuar në Bergamo të Italisë për TEORI, TEKNIKA dhe MENAXHIM të ARTIT dhe SPEKTAKLIT me një notë përfundimtare 109/110. Punët e diplomave, bachelor dhe master, kanë qenë mbi Antonin Artaud dhe Thomas Bernhard. Kam qenë – sëbashku me time motër Klarita Kodra – bashkëthemelues dhe menaxher i Shkollës së Kërcimit, Artit dhe Teatrit “ANGELS” për 9 vjet, deri më 2011, në mbyllje të shkollës, për arsye se Klarita Kodra vendosi të ishte full-time koreografe e Ekipit Kombëtar Italian të Gjimnastikës Ritmike dhe i nënshkruari vendosi të kthehej për zgjedhje personale në vendlindje. Kam qenë gjithashtu lektor/tutor i Universitetit të Studimeve të Bergamos dhe për 3 vjet konsulent/bashkëpunëtor i ‘Teatro Tascabile di Bergamo’ (TTB), një nga teatrot kërkimor më të suksesshëm në nivel ndërkombëtar (le të lexohen librat e historisë së teatrit kërkimor për info të mëtejshme). Është e vërtetë që kam punuar si pedagog në një universitet privat deri vitin e shkuar dhe prej thuajse 2 vitesh shkruaj mbi teatrin dhe artin në të përjavshmen ‘Milosao’ të ‘Gazetës Shqiptare’. Sëfundmi, argëtohem duke publikuar on line në aksrevista.wordpress.com.

Shpresoj vetëm të mos e kem lodhur “gazetaren” me 440 fjalët.

Për më shumë, vizitoni faqet:

https://aksrevista.wordpress.com/c-v-romeo-kodra/
https://artcuratingpolyphony.wordpress.com/portfolio-romeo-kodra/