Artistë bashkëkohorë shqiptarë në ‘Pino Pascali’ të Italisë. (Romeo Kodra)

Në mbyllje të artikullit ‘ONU – UUUFFF!!! – FRI 2013’ të publikuar më 31 Janar 2014 në AKS[1], me rastin e përfundimit të konkursit të përvitshëm të artit bashkëkohor të shpallur prej Galerisë Kombëtare të Arteve, pata shkruar:

“Kam përshtypjen se, jo vetëm që në GKA jemi vite dritë larg çfarëdo lloj reforme apo rilindjeje, por edhe po neglizhohet një gjeneratë artistësh me potencial jo të zakontë. GKA po bën shumë pak për të nxjerrë në pah punët e kësaj gjenerate. Ekspozimi i 12 artistëve dhe 3.500 euro çmime janë therrime për ta. Nuk shihet ndonjë studim apo thellim mbi punët e këtyre artistëve. Nëse këtë nuk e bën GKA që e ka për detyrë (meqë mbahet me taksat e shqiptarëve, të cilët paguajnë për të parë artin e tyre të promovuar siç duhet) nuk shoh kush tjetër duhet ta bëjë. Shpresoj që drejtori Shabani të mos kufizohet në hedhjen e shashkave siç është bërë shpesh gjatë viteve të pafundme të tranzicionit, por të hapë sytë në materialin human që ka nën hundë dhe ta promovojë nëpër Evropë. Fundja nuk u zgjodh për këtë?”

Më 1 Mars, në gazetën “Shqip”, lexoj një artikull[2] promovues të rradhës në të cilin shihet mundi dhe djersa e Drejtorit te GKA, Artan Shabani, që mesa duket ka arritur një rezultat domethënës: ekspozimin më 10 Maj të këtij viti të disa artistëve bashkëkohorë shqiptarë në muzeun ‘Pino Pascali’ të Italisë. Duke qenë se për të njëjtën gjë po ‘pistonoja’ në artikullin tim lajmi nuk bën veçse të më gëzojë. Por duke dashur t’i paraprijë fishekzjarret shurdhuese të rradhës doja të ngrija disa pyetje.

Kush janë artistët bashkëkohor shqiptar të përzgjedhur? Kush i ka përzgjedhur? Si i ka përzgjedhur? Me ç’kritere? E shoh disi të vështirë që nga ‘Pino Pascali’ të ngrihet ndonjëri e të vijë në Tiranë për të përzgjedhur artistët, kështu që me siguri do të jetë vendim i GKA përzgjedhja. Këtu rrezikojmë fishekzjarret!

Pikësëpari, shpresoj të mos ketë përzgjedhje të dyshimta që shkojnë nga ‘përzgjedhja e gocës së babit, apo çunit të mamit famozë’, deri tek ryshfeti i pastër. Duke ditur ku jetojmë, nuk besoj se do akuzohem për ultraskepticizëm.

Së dyti, besoj se është koha që Drejtori të na hapë platformën menaxheriale me të cilën ‘fitoi konkursin legjitim’ në Ministrinë e Kulturës. Aty – siç bëhet në të gjitha platformat menaxheriale (ndjesë për abetarizmin!) – natyrisht ai do të ketë parashikuar promovimin e artit shqiptar dhe në veçanti të artistëve të rinj. Do të ketë parashikuar, që përpara se të fillojë punë, mënyrat dhe qasjet e promovimit sa më optimal të artistëve tanë. Natyrisht do të ketë parashikuar paraprakisht vlerën konkrete që i është dashur të menaxhojë (si menaxher i institucionit artistik më të rëndësishën kombëtar), pra ai paraprakisht e ka parashikuar se kush janë specifikat e artistëve tanë, vlerat artistike të tyre, sepse që këtej e fillon punën një menaxher; duke filluar nga baza konkrete e gjësë që menaxhon. Që të nxjerrësh konkretësinë e gjësë që menaxhohet do të thotë të njohësh kontekstin që e prodhoi, aktorët që e prodhuan si dhe instrumentat me të cilët u prodhua. Natyrisht, drejtori i institucionit më të rëndësishëm kombëtar të artit, që e supozojmë si njohësin më të mirë të artit në vend, këto gjëra i di, por nuk e kuptoj përse nuk ka gjetur ende kohën të na e bëjë të ditur, të na diturojë edhe ne. Jo për gjë, por personalisht kam me shumë merak ekspozimin e artit shqiptar jashtë vendit, ku na shohin ende si ekzotikë apo folkloristikë (në kuptimin degradues të termit). Madje ka shumë shqiptarë pseudo-artistë që kanë shitur jashtë vendit atë që të huajt kanë dashur prej tyre, dhe si rrjedhojë prej nesh. E kam fjalën për ‘emigrantin e përvuajtur’, ‘artistin-intelektual të persekutuar prej diktaturës’ apo cliché-ve të tjera si këto.

Së fundmi, duke ditur që aktualisht në Shqipëri ka një brez artistësh që po thonë diçka origjinale, jo vetëm në kontekstin autokton, por edhe më gjerë (për së paku në rang evropian), nuk do të doja të shitej dhe të digjte mundësitë e veta për dy fishekzjarre të rradhës. Shpresoj të vapen veshët që duhet të dëgjojnë!

ONU – UUUFFF!!! – FRI 2013 (Romeo Kodra)

Dje, më 30 Janar 2014, Silva Agostini me videon e saj ‘Mutual Red’ u shpall fituese e edicionit të XX të konkursit ‘Onufri’. Në këtë edicion jubilar, që shihte pjesëmarrjen e 12 prej 130 artistëve që kishin aplikuar, pritej mbi të gjitha risia.

Në 4R e promovuara prej Ministrisë së Kulturës (Rinovim, Reforma, Risi, Rilindje), rinovimi (R1) është parë, në rastin e Galerisë Kombëtare të Arteve, në emrin e drejtorit të ri Artan Shabani; reforma (R2) do të shihej nga platforma menaxheriale që drejtori i ka prezantuar Ministrisë së Kulturës por të cilën për mungesë kohe kjo e fundit nuk na e ka vënë ende në dispozicion; risitë (R3) priteshin dhe po i shohim prej aktiviteteve të para të ndërmarra prej drejtorit të ri të GKA të cilat japin të dhënat të qarta edhe për idenë e reformës së tij; rilindja (R4) është premtimi që qeveria Rama ende mendon se do ta përmbushë përgjatë këtij mandati të parë. Por, le të shohim në ç’pikë jemi përsa i përket institucionit më të rëndësishëm të artit në vend.

Edicioni i XX i ‘Onufrit’ nuk i kushtoi më shumë se dy javë kohë kuratorit të zgjedhur prej drejtorit të ri. Kjo shihet nga moskoherenca thuajse totale e prurjeve të artistëve me konceptin kuratorial ‘Elozhe dyshimit’. Besoj se të gjithë vizituesit e ekspozitës panë që ndër këto punë filli ndërlidhës i Arjanës ishte ndjesia ankthgjeneruese e të qenurit pezull, në ekuilibër të pasigurt. Artisti bashkëkohor shqiptar në këtë pezulli është krejtësisht pasiv. Në mënyrë paradoksale pezullia mbizotëruese në punët e këtyre artistëve kthehet në potencë shprehimore. Dyshimi – i sugjeruar në konceptin kuratorial – nënkupton një subjekt i cili është aktiv dhe që ndërmerr apo ka ndërmarrë (duke u penduar më pas) një veprim. Në këto punë, thjeshtë, nuk gjendet askund një subjekt i tillë.

Kujt i duket se shpreh ndonjë dyshim fytyra e Endri Danit në fotografitë e tij? Ergin Zaloshnja ka ndonjë dyshim mbi eksperiencën e tij jetiko-artistike? Parapërgatitjet ad libitum të Irgin Senës janë fryt dyshimi apo autizmi makinik? Ekuilibristët e fitueses së çmimit dhe tensioni i tyre muskular është fryt i ndonjë dyshimi apo stërmundimi fizik? Ivi Topp ka gjithçka, por jo dyshime. Të mos flasim për Driton Selmanin; dyshimi i vetëm është ai i jurisë: Ja japim çmimin për këtë vepër perfekte apo presim të bëjë ‘salto mortale’?

Në motivimin e jurisë, për dhënien e çmimit Silvia Agostinit, thuhet: “Ndjesia e fortë e binomit dyshim/besim është shfaqur në një mënyrë thelbësore të fuqishme. Pra, nëse flasim për dyshimin, gjëja që na tërhoqi ishte faza kur subjekti, i cili është i pranishëm brenda konceptit kuratorial, qëndron pezull dhe reflekton tension. Është një vepër ku mund të kridhesh menjëherë, një subjekt i pastruar nga zbukurimet e tepërta dhe i sjellë thjesht dhe fuqishëm te publiku. Imazhet e veprës vepronin fuqishëm, duke mënjanuar një prirje lehtësisht estetike. Gjithashtu menduam se duke qenë juri e një konkursi ndërkombëtar, puna fituese duhet të ishte një vepër që përcillte në mënyrë të vlefshme një problematikë sa lokale aq edhe globale, në një mënyrë të vetëmjaftueshme”.

Më duket si një kacavjerrje nëpër xhama mbajtja brenda thonjëzave të paqena të konceptit kuratorial që edhe juria – pas kuratorit – i bën kësaj pune të vetëmjaftueshme dhe që, mbi të gjitha, shpreh tjetër gjë. Duke e konceptuar rolin e një jurie disi më shumë se tërheqje shpërblimesh qyl do të kisha dashur të dija prej tyre nëse nuk mendojnë se kjo video është një tjetër hulumtim i Silva Agostinit mbi gjeometrinë fraktale në art? Nuk u ka shkuar ndërmend anëtarëve të jurisë që ‘Mutual red’ mund të jetë e lidhur me lojën e kameras dhe gjenerimin e formave gjeometrike prej saj si në videot e mëparshme (shih Fractal Release ose Responding Environs) të Agostinit? Mbase e vetmja e metë e kësaj pune ishte pikërisht në lëvizjet e tepërta të kameras (do të kishte qenë më mirë statike) që shpërqëndronin prej tensionit të krijuar të kokave në ekuilibër.

Kam përshtypjen se, jo vetëm që në GKA jemi vite dritë larg çfarëdo lloj reforme apo rilindjeje, por edhe po neglizhohet një gjeneratë artistësh me potencial jo të zakontë. GKA po bën shumë pak për të nxjerrë në pah punët e kësaj gjenerate. Ekspozimi i 12 artistëve dhe 3.500 euro çmime janë thërrime për ta. Nuk shihet ndonjë studim apo thellim mbi punët e këtyre artistëve. Nëse këtë nuk e bën GKA që e ka për detyrë (meqë mbahet me taksat e shqiptarëve, të cilët paguajnë për të parë artin e tyre të promovuar siç duhet) nuk shoh kush tjetër duhet ta bëjë. Shpresoj që drejtori Shabani të mos kufizohet në hedhjen e shashkave siç është bërë shpesh gjatë viteve të pafundme të tranzicionit, por të hapë sytë në materialin human që ka nën hundë dhe ta promovojë nëpër Evropë. Fundja nuk u zgjodh për këtë?

ONUFRI XX: Elozhe dyshimit dhe llogjet e dyshimta. Romeo Kodra.

Me 26 Dhjetor 2013 në Galerinë Kombëtare të Arteve u hap ekspozita kolektive ‘Elozhe Dyshimit’. Ekspozita – e cila do të jetë e hapur deri më 2 shkurt 2014 – është përzgjedhja përfundimtare për Edicionin e XX të Çmimit ‘Onufri’ që organizohet çdo vit nga Galeria Kombëtare e Arteve.

Do të doja me këtë rast të kisha bërë një shkrim mbi perfektësinë e “Thonë se s’mundesh me i mbajtë dy bostanë me një dorë” të Drilon Selmanit, mbi aftësinë e fotografimit të momentit historik të kompozuar me aq kujdes, në ngjyra dhe dinamizëm, në këtë vepër arti par exellence; do të doja të kisha bërë gjithashtu një shkrim mbi presionin e pushtetit të së përditshmes mbi personin Ergin Zaloshnja dhe jo vetëm mbi “bujarinë” e blatimit të statusit të artistit që i njeh pushteti institucional i Galerisë Kombëtare të Arteve apo Interpolit; do të doja të kisha shkruar mbi sarkazmën e Endri Danit dhe (de)formimit të ‘njeriut të ri’ shqiptar që kështu i deformuar po shkon drejt mplakjes; do të doja të vazhdoja të këshilloja Ivi Topp që – njësoj si në ‘Ardhje’ të TICA-s së 19 qershorit 2013 – të mos mimetizohet me Anri Salën, por të hetojë proçesin krijues të tij; do të doja të argëtohesha më sugjerimet intelektuale të ofruara nga vepra e Irgin Senës dhe lidhjet ndërtekstuale me leximin e ‘Las Meninas’ të Velasquez-it nga Michel Foucault-ja; do të doja të flisja për interpretimin e njëzëshëm që artistët i bëjnë titullit ‘Elozhe Dyshimit’ si lutje funebre kundrejt pezullisë së tranzicionit që në mënyrë paradoksale kthehet në një artikulim artistik pjellor dhe që ndoshta mund të përmbledhë këta artistë në një karakter artistik specifik autokton mbi të cilët duhen investuar energji prej institucioneve të artit, kritikës, mediave. Do të doja, por s’mundem, sepse – siç thonë amerikanët – kam probleme me atë ‘elefant në dhomë’ (elephant in the room) që për mua është puna e Alban Mujës ‘Gjermanët kanë pak frikë prej meje’.

Puna e Mujës është një video me metrazh të shkurtër që tregon të përditshmen e një personazhi të njohur në qytetin e Mitrovicës. Ky person(azh) në mjerimin dhe varfërinë e tij ekonomiko-intelektuale hiqet si Hitleri dhe nën dritën e diellit merr poza dhe gjestikulon si diktatori nazist për argëtimin e turmave. Spektakli i dhënë për masat dhe i ushqyer prej tyre prek thuajse të gjithë: që prej bashkëqytetarëve të tij e deri tek trupat diplomatike të Evropës.

Që në fillim më duhet të specifikoj: jam pro hapjes së vazhdueshme të diskutimeve mbi të shkuarën totalitare të çdo koordinate gjeografike qoftë shqiptare, evropiane apo të çdo pjese tjetër të rruzullit, dhe në çdo fushë të jetës; mbi të gjitha në art. Me këtë më duhet të shtoj që nuk është e mjaftueshme hapja e diskutimit, por edhe kompetenca (në rastin në fjalë, kompetenca artistike) mbi argumentet të cilat trajtojnë.

Pas këtij specifikimi më duhet të ngre një pyetje: ku qëndron elementi artistik i ‘Gjermanët kanë pak frikë prej meje’? Pyetjen e ngre mbi elementin artistik të imazhit filmik si bazik në medium-in e zgjedhur (video-art? short-film?), por edhe si trajtesë e artistit mbi subjektin e zgjedhur për veprën e tij. E ngre këtë pyetje sepse nuk arrij ta shoh këtë punë përtej një dokumenti filmik që do të ishte perfekt për një lajm televiziv, që gjithsesi do të kishte nevojë për hapjen e një diskutimi sociologjik. Në stadin aktual kjo punë, siç është paraqitur në GKA, është thjeshtë një altoparlant i lënë në dorë një varfanjaku të mjerë që me llogjet e tij të dyshimta gjen mundësinë të bëhet i famshëm nëpërmjet GKA. Dhe artisti ka bërë pak punë (mirëpres përgënjeshtrimet) për të nxjerrë jashtë në evidencën e tyre “ato pjesë të historisë që duket sikur lëvizin e dallgëzojnë nën sipërfaqe” sepse ato jo vetëm që s’lëvizin e dallgëzojnë nën sipërfaqe, por lëvrijnë tashmë nën dritën e diellit të qyteteve tona dhe askujt nuk i bëjnë përshtypje. Artisti nëse do të provokojë, mund ta bëjë në të njëjtin kontekst (p.sh. pse artisti nuk i vë përballë këtij Hitleri një person tjetër apo vetveten me një maskë të Slobodanit dhe duke bërtitur “Kosovo je Srbija!”, madje t’i kërkonte edhe para për performancën?) dhe jo ta ekspozojë në mënyrë identike, madje të shumëfishuar në potencialin e tij subversiv falë GKA. Do guxim kjo punë! Arti s’është për të gjithë!

Kam besim, dhe shpresoj, që intelekti dhe ndershmëria artistike e Alban Mujës mund të shohë mangësinë ose të diskutojë e punën e tij. Po kështu kam besim dhe shpresoj në intelektin dhe ndershmërinë artistike të kuratorëve dhe drejtorit të GKA. Atëherë, ka mundësi të shpjegohet dhe të artikulohet më mirë kjo punë? Më duket minimumi i mundshëm. Konteksti mbarëshqiptar ka nevojë të dalë jashtë folklorizmave dhe provokimeve sipërfaqësore që realiteti ynë vërtet ofron, por që me to nuk mund të karakterizohet apo përgjithësohet. Besoj se meritojmë më shumë si popull, por edhe si publik.

Personalisht e kam disi me merak këtë argument sepse prej shumë spekulluesve të historisë së shqiptarëve (sidomos të atyre jashtë kufijve aktualë) shihemi si pro-nazi-fashistë. Shumë historianë baresh (qartësisht anti-shqiptarë) në Evropë na ndajnë – dhe në mënyrë jo aq të fshehur – si shqiptarët/kosovarët fashistë dhe serbët komunistë që prej konfliktit të II Botëror. E njëjta gjë ndodh me çamët dhe grekët.

Meqë në prezantimin e këtij ‘Onufri’ si qëllim «është të promovojë dhe mbështesë rolin vital që luan arti në rritjen e ndërgjegjësimit publik, si dhe aftësisë së artit për të “matur pulsin” e kohës sonë» do të më dukej  e dyshimtë kjo vepër dhe ‘matja sipërfaqësore e pulsit të kohës’ që po i bëhet realitetit pa e vënë realisht dhe me kompetencë në diskutim. Me këtë art të lehtë në një institucion artistiko-kulturor kombëtar, me këtë nazi-revival autokton që s’na përket pavarësisht mjerimit dhe varfërisë sonë, nuk po i japim tepër kredite historianëve anti-shqiptarë të Evropës?

Arti ugar i Henry Moore-it * Romeo Kodra (Gazeta Shqiptare, 13 Tetor 2013)

Libri me figura, 1967, Henry Moore

Libri me figura, 1967, Henry Moore

Rrallё herё ndodh qё fama e artistit dhe vlera artistike e veprёs tё pёrputhen nё botёn e artit. Skulptori Henry Moore dhe vepra e tij bёjnё pjesё nё kёtё rrallёsi. Duke pёrjashtuar Francis Bacon-in, Moore ёshtё ikona mё e arrirё e arteve pamore britanike tё shekullit tё kaluar.

Prej 13 shtatorit 2013 kemi mundёsinё dhe nderin tё shohim nё Galerinё Kombёtare tё Arteve disa nga punёt e kёtij autori tё mundёsuar prej British Council. Ekspozimi i veprave – duhet thёnё – tёrheq mё shumё prej kualitetit tё punёve sesa pёr ideimin e itinerarit kuratorial (mungojnё totalisht informacionet minimale tё kuratorёve mbi autorin dhe veprat … pёr sё paku njё depliant do tё ishte i nevojshёm pёr publikun qё nuk ka dёgjuar mё parё pёr kёtё autor). Gjthsesi, edhe kёshtu … jemi mёsuar tashmё pa pretendime, ekspozita meriton mё shumё se njё vizitё.

I lindur mё 1898, i shtati prej tetё fёmijёve tё njё minatori, Henry Moore merr famёn e merituar qё nё moshёn 30 vjeçare, duke arritur kulmin me çmimin nderkombёtar tё skulpturёs nё Bienalen e Venecias sё 1948. Por karriera e tij kishte filluar – pas pёrfundimit tё shёrbimit ushtarak dhe pjesёmarrjes nё Luftёn e I Botёrore – si pedagog i skulpturёs nё qytetin e Leeds-it. Vetёm nё 1921 do t’i dedikohej tёrёsisht artit tё Polikletit.

Nga njёra anё, fakti i interesimit pёr artin meksikan, afrikan dhe egjyptian, tour-i artistik – falё njё burse studimore – nё 1925 nё gadishullin italik, admirimi i Cézanne-it, Gauguin-it, van Gogh-ut, anёtarёsimi nga fundi i viteve ‘30 nё Grupin e Artistёve Surrealist Londinez dhe nga ana tjetёr, emёrimi nё 1941 nga qeveria britanike si Artist Lufte, pasi njё vit mё parё kishte filluar Shelter Sketchbook (vizatime/skica me njё fuqi ekspresive tronditёse nё tё cilat subjekti i refugjatёve tё luftёs ёshtё ngrirё si nё arkivole nё rifuxhot anti-bombardime tё Londrёs gjatё aksioneve nokturne tё Luftwaffe-s naziste) pёrbёjnё sintezёn e tё qenurit Henry Moore.

Ёshtё kjo pikё e angazhimit antifashist nё vetё tё parё qё e afron skulptorin anglez dhe veprёn e tij – deri atёherё eksperimentuese, avangardiste dhe elitare siç shihet edhe nga influencat e sipёrcituara – me publikun e gjerё tё masave. Gjatё gjithё jetёs sё artistit ky ekuilibёr dhe kjo lehtёsi lundrimi midis mbarёpopullores dhe elitares – sidomos pas Luftёs sё II Botёrore – do tё pёrbёnte karakteristikёn mё tё veçantё dhe tё rrallё nё botёn e artit skulptorik britanik dhe jo vetёm.

Shpesh, kritikё tё arteve pamore janё munduar tё katalogojnё veprёn e Moore-it nё surrealiste, primitiviste, simbolike apo t’i bёjnё njё lexim kritik tё bazuar mbi instanca psikanalitike (jungiane), mbi zgjedhjet e tij politike, por pa mundur – falё edhe kundёrshtimit kategorik tё vetё autorit tё njihej nё tё tilla katalogime apo lexime tё njёtrajtёshme – tё pёrcaktonin qartёsisht, pamvarёsisht karakterit mёse evident, veprёn e tij. Fakti ёshtё qё tek Moore qёndrojnё tё gjitha dhe asnjёra prej kёtyre influencave trashendentale.

Ёshtё e vёrtetё qё janё tё dukshme kёto influenca nё veprёn e kёtij autori, si p.sh. tek marrdhёnia nёnё-fёmijё (mjafton tё ndjekim ndёr vite numrin e rimarrjes sё kёtij subjekti nё veprёn e autorit pёr ta marrё si paradigmatike edhe nё kёtё shkrim), siç ёshtё e vёrtetё qё askund, kjo marrdhёnie, nuk ёshtё njё marrёdhёnie ndjenjash (ndonёse konflikti psikik bёhet i dukshёm nё mungesёn e njё marrdhёnieje ndjesore tё nёnёs karshi fёmijёs, ku fёmija ёshtё si njё peshё e varur nё prehёr; apo nga shmangia e kontakteve pamore – me sy – qё pёrforcojnё tёhuajzimin e ankthshёm mes dy personazheve). Por nga njё tjetёr pikёpamje ky subjekt, nёnё-fёmijё, mund tё lexohet tek vepra e Henry Moore-it gjithashtu edhe me lupёn e influencave primitiviste tё artit afrikan – qё mohojnё influencёn e mёsipёrme – ku realizmi figurativ ёshtё ende ançestral, i paplotё.

Ёshtё gjithashtu e vёrtetё qё plasticiteti figurativ i Moore-it sjell ndёrmend klasicizmin rilindas italian tё ndёrthurur me simbolizmin francez tё fillimit tё ‘900-s apo veprёn surrealiste tё Arp-it, por mund tё interpretohet edhe me anё tё njё pёrqёndrimi mbi formimin imagjinar, personal tё autorit, i cili kujtojmё qё duke patur tё atin minator mund tё kёtё edhe influenca nga eksperienca e tij direkte me elementet e gurta tё natyrёs, efektin e ndёrsjelltё tё elementёve primarё natyrorё si p.sh. stalagmitet dhe stalaktitet, apo kristalet e formuara si rrjedhojё e punёs sё parreshtur tё gurit dhe ujit nёntokё.

Henry Moore ishte njё artist i pararojёs, por edhe konservator; pjesё e avangardёs sё ‘900, por jo novator i skulpturёs. Ky paradoks – edhe mё i dukshёm nёse do tё kemi ndёrmend famёn absolute tё autorit – zgjidhet nёse do tё piketojmё kontekstin e prejardhjes sё tij, shkretёtirёn thuajse absolute tё artit skulptorik anglez pёrkundrejt vatrёs pёrvёluese parisiane p.sh., brenda sё cilёs dhe nё dialog me tё cilёn Moore gjendej dhe sillej si nё njё park lojrash ku – nga njёra anё – pёrthithte duke sintetizuar nё artin e tij ajkёn e arritjeve bashkёkohore, por pa u cёnuar – nga ana tjetёr – nga ethet e shkatёrrimit dhe rinovimit, tipike pёr pararojat evropiane tё kohёs.

Emblematike pёr veprёn e Moore-it mё duket njё gravurё e ekspozuar nё GKA, Libri me figura, 1967. Edhe kёtu ikonografia e nёnёs me fёmijё ёshtё nё njё raport simbolik me jetёn, por artisti ka dhёnё diçka mё shumё, pёrtej rimёs kompozitive, energjisё figurative: ka dhёnё njё libёr. Nё kёtё libёr, nё tё cilin pёrthyhen tё gjitha linjat e perspektivёs sё vёshtrimit tё dy personazheve, kemi njё figurё kafshёrore (ndoshta njёthundrake), por qё edhe kjo nuk ёshtё realisht objekt i interesit tё nёnёs dhe fёmijёs; ndoshta ёshtё thjeshtё etiketa simbolike e librit tё natyrёs, e njё natyre – pikёrisht – kafshёrore. Interesi i personazheve, dhe i autorit, ёshtё nёn faqen e librit, tek dora e fёmijёs qё diç kёrkon nёn kёtyre faqeve, nёn instrumentin parёsor tё formimit tonё kulturor. Autori nёpёrmjet kulturёs, nёpёrmjet kultivimit tё natyrёs kafshёrore, kёrkon tё na fokusojё nёn dhe pёrtej produktit apo produkteve tё saj. Nёn kёtё terren gjendet arti intelektual por i paplotё, arti nё pёrgatitje e sipёr, arti ugar i Henry Moore-it. Dhe – pёr ta mbyllur – ç’ёshtё mё e rёndёsishmja kёtu, ёshtё se kemi tё bёjmё me njё kulturё dhe njё art qё vjen jo nga lart, jo nga nёna (nuk ёshtё ajo qё kryen veprimin, ajo ёshtё pasive), por nga poshtё, nga njё fёmijё – Henry Moore – qё rrёmon(te) me kureshtje dhe pёrqёndrim, i cili arriti mrekullisht njё ekuilibёr magjik nё njё kohё aq pak magjike sa dhe tё çekuilibruar, siç ishte ‘900 evropiane.