Fshirja e “Onufrit” si rikonceptim institucional prej “regjimentit Kosova II”. (Romeo Kodra)

Besoj se nuk ka vend të diskutohet ekzistenca e ‘Onufrit’,
pasi nuk shoh ndonjë ekspozitë
të organizuar çdo vit nga shteti që ka dinjitetin e saj.
Janë 21 vjet, bashkë me këtë edicion,
që do të thotë se është tashmë një traditë
dhe ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm
për të mos e shkatërruar këtë.

Gëzim Qëndro, 2015.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, një shqiptar nga Kosova u bë ministër i brendshëm i qeverisë kuislinge shqiptare, nën mbikëqyrjen e Reich-ut të Tretë Nazist. Ishte Xhaferr Deva, ardhur në Shqipëri në krye të regjimentit “Kosova”, i famshëm për spastrimet anti-komuniste dhe asgjesimin e bashkëkombësave të tjerë që pengonin pushtetin absolut të Reich-ut, falë të cilit “Shqypnia e Madhe” do të bëhej realitet ndërkombëtar.

Xhaferr Deva me presidentin e çetnikëve serbë Kosta Pećanac dhe një oficer SS në Podujevë.

Këtë vit, në krye të “regjimentit Kosova II”, ka zbritur në Shqipëri Erzen Shkololli, drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve, i famshëm derimësot për një koncept të vetëm menaxherial të bërë publik: për fshirjen e të vetmit event mbarëkombëtarë dhe ndërkombëtar, “Onufri”, të institucionit të vetëm kombëtar për artin modern dhe bashkëkohor, Galerisë Kombëtare të Arteve, fshirje e cila po i dhurohet për Krishtlindje dhe fundviti shqiptarëve si një “rikonceptim” institucional pas të cilit nuk fshihet asgjë tjetër veçse një fshirje historie arti shqiptar 25-vjeçare. Misioni i Shkolollit, njësoj si ai i Xhaferr Devës, është “Shqypnia e Madhe” nën udhëheqjen e politikave neoliberale të Edi(p) Ramës në një realitet “ndërkombëtar”.

Shkololli, përtej veshjeve me shije të diskutueshme, është një drejtor injorant e i paditur që nuk njeh as datën e themelimit të “Onufrit” (“u krijua në fund të viteve ‘90-të“, shkruhet nga copa e mishit në krye të institucionit në komunikatën e sotme për shtyp), informacion të cilin lehtësisht mund ta gjente në dokumentet origjinale në vetë Galerinë Kombëtare të Arteve që supozohet se drejton (kështu që përveçse se injorant e i paditur është edhe një copë përtaci).

Vetëm kjo e dhënë, pa iu futur më thellë kërkimeve mbi personazhin në fjalë, është e frikshme për të kuptuar se në dorë të kujt është lënë fati i historisë së artit shqiptar, sepse duam apo nuk duan, me të mirat apo me të këqijat e veta, “Onufri” është pjesë e historisë së artit shqiptar që prej 1993.

Shkololli në komunikatën e sotme për shtyp ripërsërit përpikmërisht retorikën e Mirela Kumbaros të tre-katër viteve më parë. Me një renditje anglo-saksone të politikishtes korrekte komunikata fillon me një parashtrim pozitiv të ku evidentohet që “Onufri […] mbajti peshën kryesore të shkëmbimit kulturor ndërkombëtar në artet pamore” shqiptare. Por, menjëherë, me një banalitet aspak anglo-sakson, na bëhen të ditura idiotësitë e zakonshme si:

Nga ana tjetër, shumë edicione të “Onufrit” nuk kanë pasur nivelin e duhur të organizimit për t’i prezantuar denjësisht artistët. Bashkëveprimi midis artistëve shqiptarë dhe të huaj në kuadër të këtyre edicioneve ka qenë pothuajse fiktiv, pasi shumë nga artistët e huaj pjesëmarrës të “Onufrit” nuk kanë qenë të pranishëm gjatë ditëve të organizimit të ekspozitës. Gjithashtu, në të shumtat e rasteve është aplikuar një qasje e padrejtë ndaj artistëve shqiptarë të cilët duhet të kalonin fazën e përzgjedhjes, kundrejt artistëve të huaj që ftoheshin direkt nga kuratori. Për rrjedhojë edhe interesi i publikut ndaj kësaj ekspozite si dhe vet vlera e këtij aktiviteti janë zbehur me kohë.

E megjithatë, pavarësisht idiotësive të sipërpërmendura, që dihen prej gjithkujt, në mënyrë psikotike komunikata na thotë se:

Ky aktivitet që fillimisht lindi si një nevojë për të rritur ndërveprimin mes skenës vendase dhe asaj ndërkombëtare vlerësohet se tashmë e ka përmbushur misionin e tij.

Domethënë, megjithëse “bashkëveprimi” midis artistëve shqiptarë e ndërkombëtarë “ka qenë thuajse fiktiv”, “ky aktivitet […] vlerësohet se tashmë e ka përmbushur misionin e vet”!? Shkurt, pra, përveçse se me një person injorant të paditur e dembel, në rastin e Shkolollit, kemi të bëjmë ose me një psikotik ose me analfabet të gjuhës shqipe që nuk kupton se ç’shkruan nga një fjali në tjetrën.

E vetmja gjë me të cilën mund të biem dakort me Shkolollin është se “[z]hvillimi i situatës artistike në vendin tonë, por edhe zhvillimet më të fundit të artit bashkëkohor në përgjithësi, nuk përkojnë më me formën e organizimit dhe strukturën që “Onufri” ka ndjekur gjatë viteve”. Por që zgjidhjen të na e japë Shkololli me anëtarët e bordit të GKA nëpërmjet përrallave të tipit:

GKA ka nevojë për një formatim dhe një qasje të re pune që do të jetë në hap me zhvillimet e reja në artin bashkëkohor dhe që reflektojnë ndryshimet thelbësore socio-politike në Shqipëri, rajon e më gjerë. GKA duhet të zhvilloj veprimtaritë e saj të rradhës të cilat prezantojnë sa më mirë artistët në ekspozita ndërkombëtare tematike e të kuruara, dhe që vijnë si rezultat i një pune të pasur kërkimore. Ky rikonceptim i programit artistik synon që ta kthejë Galerinë në një platformë të rëndësishme për shkëmbimin kulturor në nivel ndërkombëtar.

kjo, përtej çdo logjike të ç’ka u përmend më sipër, është e tepërt. Është e tepërt sepse “fshirja” e “Onufrit”, si çdo fshirje tjetër që ka karakterizuar 28 vite tranzicion politik, ekonomik, urban, social dhe kulturor në Shqipëri nuk mund të jenë “një qasje e re”, por thjeshtë një vazhdim i imponimit të politikave me qendër interesa të pjesshme (si në qeveritë e mëparshme) apo më keq personale (si në qeverinë e sotme) si politika të insteresit publik.

Zbrazëtia intelektuale e komunikatës – plot injorancë, dembelizëm, psikotizëm e analfabetizëm – dallohet edhe nga kalimi i të referuarit mbi “Onufrin”, referim mbi të cilin supozohet të ishte komunikata e sotme, në referimin mbi GKA-në. “GKA duhet të zhvillojë veprimtaritë e saj të rradhës …. ” e tërci e vërci. Çfarë lidhje ka kjo me “Onufrin”, vetëm mendjet e Shkolollit dhe bordit e dijnë. Apo mund të jetë thjeshtë një simptomë e zbrazëtisë së përgjithshme që përzgjedh qeveria në drejtim të institucioneve? Ndoshta, duke qenë se e ndiejnë zbrazëtinë institucionale të GKA-së së sotme, zbrazin prroin e tyre psikotik edhe në këtë komunikatë për “Onufrin”. Pastaj cilat janë “ekspozitat ndërkombëtare tematike” që ka “kuruar” GKA-ja e Shkolollit derimësot? “Retrospektiva” e Hilës? “Kolazhe dhe edicione” e Ruth Wolf-Rehfeldt? Apo gjelltorja e Flakës?

Në fund të komunikatës shohim emrat e bordit, të cilëve u duhen drejtuar pyetje dhe sqarime për këtë fshirje historie 25-vjeçare të artit shqiptar që kryhet kaq thjeshtësisht me një palo komunikatë si kjo e sotmja. P.sh., Eleni Laperi do të hapë gojë, për një herë të vetme në jetë, apo do vazhdojë çajrat kamomilizues së kritikës së artit? Edi Muka, do pipëtijë apo do vazhdojë turizmin në atdhe, si “Englishman in New York”? Ornela Vorpsi … ops, harrova që kjo është nga ato nxënëset e barcaletave të Edit Ramës që kishin gjetur “punë” në Itali. Zef Paci dhe Luçjan Bedeni janë aq keq për pesë lekë sa t’u merren firmat si dele? Sofjan Jaupaj dhe Xhoana Agolli … ah, këta janë rrogëtarë, nuk u vihet faj.

Reklama