Nëse fashizmi vishet me uniformën e Bashkisë. (Romeo Kodra)

Parantezë: Neni 9 dhe 46 i Kushtetutës rregullon organizimin e shtetasve shqiptar për tu mbledhur dhe ushtruar veprimtari nga më të ndryshmet. Por pika 2 e nenit 9 thotë: “Partitë politike dhe organizatat e tjera, programet dhe veprimtaria e të cilave mbështeten në metoda totalitariste, që nxitin e përkrahin urrejtjen racore, fetare, krahinore ose etnike, që përdorin dhunën për marrjen e pushtetit ose për të ndikuar në politikën shtetërore, si edhe ato me karakter të fshehtë janë të ndaluara sipas ligjit.” Po ashtu pika 3 e nenit 46 të Kushtetutës tregon se: “Organizatat ose shoqatat që ndjekin qëllime antikushtetuese janë të ndaluara sipas ligjit.”

Antitezë: Erion Veliaj, një i tredhur larvor, dje pas dhunimit të paligjshëm të protestuesve për mbrojtjen e parkut të Liqenit të Tiranës, dhe pas inskenimit të palgosjes së një polici të Bashkisë, deklaroi (shih link-un):

Veliaj dhe “Tani” (polici “i dëmtuar”, për të cilin nuk u arrestua askush … pse?!), duke qenë se Kryebashkiaku përdor numrin shumës në ligjërimin e tij në videon e mësipërme, deduktojmë se janë pjesë të një “shoqërie civile” e cila nuk është specifikuar, përveçse në terma përgjithësues. Nëse e ashtuquajtura “shoqëri civile”, aktivistë të së cilës janë Erion Veliaj dhe “Tani”, të cilëve u ka qëlluar “të veshin uniformën e Bashkisë”, është ajo që përfaqësohet në t-shirt-in e veshur gjithë qejf prej “Tanit”, siç demonstron fotoja e lapsi.al, atëherë Erion Veliaj dhe “Tani” kanë një problem të madh.

Tani_Polici a_që_duam

Sintezë: Kanë një problem të madh sepse, paçka se Kushtetuta e sotme nuk parandalon specifikisht aktivizmin fashist si në 1976, unë, personalisht, duke parë që mbështetës të Mussolini-t janë veshur me rrobat e ligjit dhe kur askush nuk bën zë, nëse do i shoh përballë në protestën e rradhës, rrezikoj vërtetë që t’i plotësoj dëshirën Kryebashkiakut, lopatën tua “ngul në kraharor”, në kokë ose në mendere … dhe nuk siguroj se do ta filloj nga bishti.

Nuk është metaforë. Nuk është as për të qeshur. Është thjeshtë një rrjedhë e natyrshme e ngjarjeve të historisë së Shqipërisë bashkëkohore. Në këtë Shqipëri ku nuk skuqet njeri kur Kryeministri thotë gjithë krenari se “jemi një vend pa sindikata”, paçka se vendi i fundit pa sindikata ka qenë Gjermania e 1933-45, sipas urdhërit të Hitlerit; në këtë Shqipëri ku kujtesa historike është konsumuar nën aromën e alkoholit, kafes dhe qofteve që kanë trashur jo vetëm bythë dhe tule, por edhe tru.

Unë ndoshta jam i vetmi që e mendoj kështu, ndoshta si unë e mendojnë 20, 30, apo 50 vetë. Por duhet ditur që rezistenca ndaj fashizmit në Shqipëri nuk ka filluar me më shumë sesa 20, 30 apo 50 vetë.

Post Scriptum: Personalisht nuk besoj tek rastësia në kësi rastesh. Duke njohur dinamikat fashistoide të qeverisjes së Edi Ramës, të ngjyrosura me një estetizëm filo-fashist, them se është momenti kyç ku ngjarjet, në kuptimin fenomenologjik të fjalës, po ndodhin. Nuk mendoj se Edi Rama është pjesë e interesuar mbi rrjedhojën e ngjarjeve. Mendoj se Kryeministri nuk ka ndonjë përgatitje makropolitike për të kuptuar se çfarë loje po luhet. Ai vetë është i rrjedhur e i marrë nga rrjedha e ngjarjeve. Mendoj thjeshtë se Edi Rama është një oportunist i cekët dhe i aftë të akumulojë pushtet, por jo të vendosë rrjedhën që pushteti duhet të marrë.

Nga ana tjetër, as unë nuk di ndonjë gjë mbi drejtimin e rrjedhës. Por di se çfarë drejtimi NUK duhet të marrë. Di se kur i duhet thënë JO! Dhe këtë ma thotë kujtesa e gjyshërve, prindërve dhe historia e Shqipërisë moderne dhe bashkëkohore: ma thotë rezistenca e monarkistit Mujo Ulqinaku (JO FASHIZMIT!), e Çetës (antifashiste e më pas komuniste) të Pezës (JO FASHIZMIT!), e qytetarëve, sindikalistëve dhe studentëve që përmbysën regjimin totalitar në 1991 (JO TOTALITARIZMIT!), ma thotë rezistenca e qytetarëve të sotëm që po luftojnë për të ruajtur një copë tokë të gjelbër publike prej zaptimit të betonit (JO AUTORITARIZMIT OLIGARKIK!).

Në mbyllje shpresoj që qytetarë të tjerë të zgjohen e të bashkohen në këtë protestë. Shpresoj (pa shumë besim) që media, ose të paktën nënpunësit e saj që kanë cipë, të evidentojnë fashizmin përtej dëshirës së pronarëve të tyre oligarkë.

Post Post Scriptum. I ka kërkuar ndokush llogari Bashkisë të pezullojë urgjentisht “Tanin” dhe të informohet se cilët janë shokët e tij “aktivistë të shoqërisë civile”? Media? Prokuroria? Policia? Vlahutin dhe Europa? Lu dhe SHBA? Vazhdon gjumi?