“Equus-i” si ngjarje që pa Papagjoni dhe turma klithëse. (Romeo Kodra)

Drejt një teatri të varfër

Drejt një teatri të varfër

Një lexuesi normal do i dukej tejet e skajshme ndasia midis gjykimit tim të përshfaqjes Equus së Dino Mustafiçit dhe atij të Josif Papagjonit, titulluar Kur bëhet ngjarje teatri ( http://www.mapo.al/2017/04/kur-behet-ngjarje-teatri/1 ). Për të thënë disa gjëra sqaruese në lidhje me shkrimin e kritikut teatror dhe ekspertit më të madh kombëtar (udhëheqës i doktoraturave të teatrologjisë shqiptare në Institutin e Albanologjisë) Josif Papagjoni më duhet të bëj një specifikim paraprak.

Në art pjesëmarrja dhe pëlqimi janë subjektiv, prandaj arti është edhe purifikues, sepse është gjithmonë anti-fashist, pra tolerant dhe i hapur për të gjithë. Por, në art, pavarësisht se janë të pranuar të gjithë, jo të gjithëve u japim pëlqimin. Pra, në fushën e artit, jo gjithçka që është subjektive mund të pranohet si vlerë e shtuar kolektive. Kur një eventi artistik i jepet pëlqimi, dhe e kam fjalën për  kritikën si pjesë e fushës së artit, ky pëlqim duhet mbështetur në teori, teknikë dhe histori që e kanë paraprirë ose që vetë eventi sjell si risi. Kur eventi sjell risi quhet “ngjarje”. Ngjarja në këtë rast është “në+gja”, pra është brenda gjasë/gjësë, pra ka sjell veten si një “gjë” të re në një kontekst dhe sistem specifik referencash. Duke qenë ngjarja shumë e rrallë për t’u materializuar, arti përveçse të sjellë “gjëra” të reja, mundohet edhe të kultivojë “gjërat”/risitë/vlerat e mëparshme, të traditës. Por këtu duhet patur kujdes, sepse kultivimi i traditës nuk është ngjarje, është event social-kulturor (event dhe ngjarje janë e njëjta gjë në shqip, por i ndaj për të mbajtur ndryshimin konceptual). Për ta bërë të kuptueshme më qartë: ngjarje është një tragjedi e Sofokliut, komedi e Aristofanit apo të Shakespear-it, dhe jo rivëniet e tyre në skenë (përveçse kur rivënia sjell një risi kërkimore teorike, teknike, historike të regjisorit, skenografit apo aktorit).

Josif Papagjoni, që në titull, e quan këtë përshfaqje të Peter Shaffer-it me regji të Mustafiçit një ngjarje, dhe unë personalisht nuk arrij ta kuptoj se çdo të thotë ngjarje për kritikun tonë teatror kur ai nuk jep asnjë referencë teorike, teknike dhe historike qoftë të regjisë, qoftë të dramaturgjisë apo aktrimit. Dhe jam munduar shumë ta kuptoj në gjithë atë tekst mbushur me logorroizëm barok, që për mua ka efektin e një gazi lotsjellës për të shpërndarë masat e lexuesve nga kritika teatrore. Epitet pas epiteti, përgëzim pas përgëzimi, lajkë mbas lajke, teksti i Papagjonit nuk nxjerr asgjë përveç gafave trashanike. P.sh. Papagjoni pa e ditur pyet “pse nuk ftojmë më shpesh regjisorë të formateve evropiane?”, duke kujtuar se “formatimi” – si ai që ka pjellë makina broadway-iane e homologimit dhe homogjenizimit komercial – është diçka pozitive; apo a thua se regjisorët formatohen diku në Evropë dhe këtu tek Instituti i Albanologjisë apo Universiteti i Arteve nuk na kanë sjellë diskun e duhur hiper-teknologjik për të formatuar trutë e studentëve!

Por nuk mbaron me kaq. Nga një duartrokitje e nxehtë, në brohoritje turravraponjëse, e deri në klithma entuziaste, Papagjoni na përcjell nëpërmjet përshfaqjes në perla konceptuale frojdiane: “koncepti frojdian i ndërtimit të psikes në dy kate a shkallë: vetëdija dhe pavetëdija”. Ehhhhh??? Koncepti frojdian!? Mua më duket se është koncept disamijëravjeçar. “Dy kate, dy shkallë”!? Sa rehat do ishim me dy kate, a shkallë të thjeshta! Do kishim mundësi të drejtonim katedra shkencore institucionesh kombëtare!

Më pas kritiku teatror kombëtar sheh si të pavendtë butaforitë tekstuale shtuar prej regjisë (besoj e ka patur fjalën për citimet e Vetting-ut), gjë që mesa duket as panegjirikun Papagjoni nuk e kanë lënë pa ofenduar. Por, edhe në këtë rast, mjeshtri i kritikës teatrore shqiptare nuk mund të rrinte pa thënë të tijën deri në fund dhe i përvishet moralizmit idiot të Equus-it duke e bashkangjitur një emri që ka bërë historinë e teatrit botëror: Erwin Piscator-it. Por jo vetëm, kemi edhe Brecht-in nën shenjestrën papagjoniane. Madje edhe “futuristët” e “postmodernistët” (shyqyr që na i lë të paemëruar se kushedi se kë do të fuste brenda!). Kjo ndoshta ngaqë Papagjoni ka sëfundmi frikë se mos dalë si tepër realist, që, si term, kohët e fundit sillet rrezikshëm afër termit problematik “real-socialist” (Tashmë që edhe Kadareja ka dalë anti real-socialist, nuk i leverdis më askujt prej establishment-it të sillet vërdallë këtij qerthulli terminologjik). Ose ndoshta ka nevojë të bëjë atë që ka bërë gjithmonë si kritik teatror i formuar dhe afirmuar prej 50 vjetësh në Shqipëri: të alienojë nga arti të përditshmen e periferisë, e minorancës; dje të të persekutuarve të diktaturës enveriste, sot të totalitarizmit kapitalist neoliberal. Dje periferitë kishte lejen t’i përmendte vetëm Partia me përfshirjen në gjirin e saj të atyre që kishin shkelur në dërrasë të kalbur, po ashtu edhe sot lejen e ka pushteti që përqafon për fotografinë e rradhës romët, fshatarët, punëtorët. Kritika, si dje ashtu edhe sot, thjeshtë, mban ison.

Papagjoni nuk kursen së shfletuari fjalorin e sinonimeve dhe antonimeve për të pasuruar panegjirizmat e tij edhe për aktorët, duke treguar ekzaktësisht dhe simptomatikisht zbrazëtinë e fjalëve që duan të mbulojnë një aktrim mediokër. Po ashtu përveç citimeve butaforike – një Sizif këndej, një Hyjni a theatron andej – për të treguar forcërisht një bagazh enciklopedik, që mesa duket është bosh në përmbajtje, kritiku i teatrit nuk ka asnjë koncept teknik aktorial. Pse Timo Flloko na paska “një format të tijin të njohur me elemente patosi”? Ç’do të thotë format? Kush është ky teoricien teknikash aktoriale që flet për format? Mund të na e shpjegojë Papagjoni? Nëse e ka sajuar vetë këtë kategorizim formatesh ku Timoja na paska të tijin, atëherë përse nuk e shpjegon e na iluminon edhe ne lexuesve? Po kur Ema Andrea që e “bën të qesh bukur” kritikun dhe që mban “karakterizimin e personazhit me një grotesk të lehtë” si ka mundësi të shkaktojë tragjedinë ekzistenciale të Alan-it? Ku e ka parë kritiku teatror një grotesk që shkakton tragjedi ekzistenciale? Nuk them se nuk mund të bashkangjiten grotesku dhe tragjedia, por a nuk duket se ka një kundërshti midis pompozitetit përshkrues që Papagjoni i bën tragjedisë ekzistenciale, hyjnore, golgotiane të Alan-it që u pa në Teatrin Kombëtar dhe groteskut që zakonisht është përqeshës, ose maksimumi dramatik? Jo për gjë, por kam frikë se mos bëhet Papagjoni blasfem duke futur në një kallëp Krishtin dhe Alan-in? Po sikur të ishte ky tekst një apologji e homoseksualitetit si do ia bënte Papagjoni me firmat e hedhura me “intelektualë” të tjerë të llojit të tij kundër të drejtave të komunitetit LGBT?

Të gjitha sa u shkruajtën më sipër nuk mund të tolerohen sepse – për mendimin tim – janë devijuese prej asaj ç’ka teatri është apo duhet të jetë në Shqipëri. Paradigmë e kësaj që po pohoj është bashkangjitja panegjirike që Papagjoni i bën punës regjisuriale të Mustafiçit me një nga reformatorët e teatrit botëror, Grotowski-t. Dhe e bën duke përmendur një fjalë kyçe: ritualin. Rituali dhe teatri si ritual për Grotowski-n ishte aq i shenjtë saqë polaku zgjodhi izolimin total prej teatrit duartrokitës dhe bënte shfaqje për dy, tre vetë në fshatra të humbur. Dhe ky ritual prodhoi një lloj të ri aktori, që kishte te kontrolli trupor paradigmën e vet; kishte tek aftësimi i shërbëtorëve të ritualit vetë shëlbesën teatrore prej kënetës dogmatike të ideologjisë (në Poloni) dhe konsumerizmit (në Perëndim, ku Grotowski vazhdoi deri në fund i izoluar në laboratoret e tij – shih në Potendera, Itali). Tani të lexosh Papagjonin tek krahason ritualin e Mustafiçit, që me këtë shfaqje ka punuar maksimumi 3 muaj, dhe atë të Grotowski-t, që punonte me një shfaqje – minimumi – për dy a tre vjet, është të pështyshë mbi historinë e teatrit. Por, natyrisht, me pështytje të tilla dhe lëpirje panegjirike të ripërtypjeve teatrore broadway-iane jemi mësuar në Shqipëri, madje ky është një rast tipik ku duket qartë sesi mediokriteti ruan në këtë vend habitat-in e tij, tashmë, natyror.

P.S. Duket se mëkati më i madh i teatrit dhe, duke parë logorroizmin e Papagjonit, i kritikës teatrore shqiptare është mungesa e të kuptuarit të varfërisë – së mjeteve teatrore në rastin e teatrit dhe fjalëve të kota e pompoze në rastin e kritikës teatrore – si një mundësi produktive në gjenerimin e risive kritike dhe teatrore. Një lexim i Grotowski-t nuk do bënte keq: Drejt një teatri të varfër (Towards a Poor Theatre)!!!