“Fshati digjet e kurvat krihen”, ose “Distopia e vërtetë gjendet në Venecia”. (Romeo Kodra)

Prej pak ditësh është çelur Bienalja e Artit në Venecia, në të cilën Shqipëria përfaqësohet me veprën e Driant Zenelit “Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm”, titull i nxjerrë prej veprës fantastiko-shkencore të autorit shqiptar Arion Hysenbegas “Drejt Epsilonit të Eridanit”. Është ky rasti për kuptuar ndryshimin midis realitetit shqiptar dhe asaj që “prodhon shteti” (fjalët e ministres së Kulturës Elva Margariti) për të përshfaqur “realitetin” shqiptar (edhe atë të “Bulqizës” guxoi të thoshte kuratorja Alicia Knock, siç mund të dëgjohet në videon e link-uar mësipër). Në mungesë të videos së Driantit mund të ndihmohemi me kolazhin e dy imazheve që dokumentojnë të njëjtën ditë, në Shqipëri dhe në Venecia.

“Fshati” dhe “Kurvat”.

Nuk besoj se ka qenë ndonjëherë më e goditur thënia e popullit “Fshati digjet e kurvat krihen” (shumësi i gjysmës së dytë të fjalisë është i imi). Pas kësaj, lind pyetja, për cilin “realitet shqiptar” apo “të Bulqizës” flasin këta njerëz? Videoja e Zenelit është një vazhdim i fantastiko-shkencores së realizmit socialist. Ndryshimi i vetëm është që në periudhën e realizmit socialist vepra katalogohej si fantastiko-shkencore, kurse sot kuratorja na flet për “realitetin e Shqipërisë dhe Bulqizës” që gjejmë në “narrativën” e videos së Zenelit.

Jemi ende, siç duket, në atë që Kasëm Trebeshina quante “shtetin-meteorit” (e di ky Ikarus bashkëkohor, Zeneli, për çfarë po flas? apo me pasioni për të qenë Ikarus, pranon edhe “gishtin nën bisht” që i ka vënë pushteti, për të cilin fliste Trebeshina, dhe i duket vetja se po fluturon vërtetë?). Gjithsesi nuk pretendoj ta dijë. Nuk pretendoj ta dinë edhe vizituesit e Bienales së Artit në Venecia. Ç’ka më intereson është të vendos disa pika mbi “i”.

Distopia për të cilën flet Zeneli nuk është Shqipëria e së shkuarës diktatoriale, e cila nuk ishte as utopi (i tillë mbeti komunizmi, drejt të cilit do të na çonte socializmi shtetëror), por një realitet me të mirat dhe të këqijat e veta diktatoriale. Distopia, fjalë për fjalë, është një anti-utopi ku materializohen Driant Zeneli dhe qerthulli shqiptar në Bienale si qenie dhe si mendim (shih krijesa si Margariti, Muka, Sala, Paci, etj.). Thjeshtë “doublethink”, mendimdyshtor i gjuhës së re (Newspeak), ku gjithçka dhe gjithkush është vetvetja dhe ekzaktësisht e kundërta e vetvetes, varet sipas diktatit dhe interesit të momentit të Big Brother-it.

Nuk është e vështirë të kuptohet cili është Big Brother-i i Zenelit, besoj. Për “të vonuarit”, siç i quan Alicia Knock banorët e disa vendeve si Shqipëria (Comment penser l’émancipation et le futur dans un pays qui arrive en retard?), ndoshta është e qartë, por iu duhet qartësuar atyre që ecin me hapin e kohës si Knock & Co. Është Edi(p) Rama, ai që vendos firma për projekte ku Zeneli është pjesë, si kulla në mes të Muzeut Historik Kombëtar aprovuar prej Atelier Albania, apo punëdhënësi i kushërirës Falma Fshazi, përkthyesja e Kurbanit në turqisht e denjë për të drejtuar turqizmat e “Qendrës për Hapje dhe Dialog”. Është në pak fjalë pushteti, i madhi (Edi[pi]), dhe i vogli (Harabeli i Ajola Xoxës, Erjon Veliajt në pak fjalë).

Duhet shtuar në fund edhe diçka mbi “origjinalitetin” e konceptit të veprës së Driant Zenelit dhe kuratores Alicia Knock. Mjafton t’i hidhet një sy veprës së Gentian Shkurtit “Kthim në të ardhmen” dhe të bëhet një lidhje e thjeshtë midis pjesëmarrjes së Gentian Shkurtit në Sallonin e Artistëve Bashkëkohor Shqiptar organizuar nga ACAS (mesa di Shkurti vendosi të mos shkonte në një ekspozitë në MUCEM, ku midis artistëve ishte “përzgjedhur” edhe Edi(p) Rama), dhe prania e Alicia-s si pjesë e jurisë.

Suksese në jetë!