‘‘Armiku i Popullit’’ dhe ‘atletizmi teatror’. Romeo Kodra

Të premten 24 Janar 2014, u vu në skenë drama e Ibsenit, ‘‘Armiku i Popullit’’. Regjia e boshnjakut Dino Mustafić ishte ndërtuar mbi një ring.

Ç’lidhje ka teatri me boksin? Po aktori me boksierin? Këto pyetje nuk po i ngre unë për herë të parë. Ato, paçka se marrin shkas nga përshfaqja e së premtes, më vijnë të sugjeruara që nga agu i teatrologjisë, që nga fillesat e shkencës së teatrit. Po flasim për më shumë se një shekull më parë; aty ku ende nuk ka mbërritur teatri shqiptar [i referohem teatrit brenda kufijëve aktualë]. ‘‘Decroux, Brecht, Ejzenstejn, Mejerchol’d, Stanislavskij, Copeau [të panjohurit e famshëm të anëve tona] konsideronin boksin një aspekt të rëndësishëm të punës së aktorit’’ kujton një nga teatrologët më të njohur italian, Franco Ruffini.

Aktori është ‘atlet i zemrës’ – thotë Artaud [më radikali i të panjohurve] -, po kështu edhe boksieri. Mund të shtojmë, pa shumë fantazi, që dramaturgu [Ibsen-i në këtë rast] është atlet i fjalës dhe regjizori atleti i aparatit skenik. Dinamika e punës së tyre është e bazuar në principin e aksionit dhe reaksionit. Mbi këtë princip doja të rendisja disa rreshta përreth ‘‘Armikut të Popullit’’ të Mustafić-it.

Përshfaqja kishte meritën e një loje teatrore shumëpërmasore tepër të guximshme. Kush guxon, natyrisht, është edhe më i ekspozuar ndaj rrezikut të dështimit. Përpos guximit, regjizori boshnjak pagoi mos arritjen e një niveli të duhur edhe për mungesën e kolaudimit të aparatit skenik. Kam përshtypjen se duhen më shumë se 6 muaj punë për të mbërritur në një nivel koherent (muzikë, tekst, lëvizje/koreografi) për një përshfaqje të tillë. Nuk besoj se këta aktorë kanë punuar më shumë se një muaj mbi këtë shfaqje.

Teksti nuk ishte i përvetësuar mjaftushëm prej aktorëve; fjalët u vinin ende prej memories dhe jo prej ‘rezervave emotive’. Në atë gjendje nuk ishin ende ‘të besueshëm’ [kujtoj britmat e Stanislavskijt drejtuar aktorëve të tij prej platesë ku ulej në vend të publikut]. Kur aktorët nuk janë të besueshëm, është e pamundur që të admirohen, qofshin këta Bajrush Mjaku [të cilit i urojmë 40 vjetorin e karrierës] apo Salaudin Bilali.

Por teksti nuk ishte i punuar mjaftueshëm edhe prej vetë regjizorit, që nuk ndiqte ato detaje të pakta të atletit të fjalës, Ibsen-it, i cili me këtë tekst sfidonte edhe një herë me idealizmin e tij romatik – anakronik për epokën [shkruar në 1882] – racionalizmin e ulët borgjez. Ky atlet i fjalës, me këtë tekst, i kundërvihej edhe një herë borgjezisë skandinave me të cilën polemizonte që prej falimentimit të teatrit të Bergen-it duke ripropozuar me figurën e heroit (ende) schiller-ian, Thomas Stockmann, një radikalizëm absolut në pakorruptueshmërinë e së drejtës, që natyrisht përfundon e thyer, por jo e përulur.

Teksti ibsen-ian përpara se të arrijë tek kjo thyerje ka disa etapa sizmike paralajmëruese graduale (aksion – reaksion, in crescendo), të cilat duhen nxjerrë në pah me anë të një kontrolli perfekt të ritmit të skenës [pra, jo vetëm fjalës]. P.sh. ishte e tepruar loja aktoriale e dhunimit të Petrës, që kalonte impaktin dramatik të vdekjes së heroit kryesor; ishin të tepërta kovat e ujit që i hidheshin në fytyrë Thomas-it. Duke qenë se detaji në teatër është esencial, duhet matur dhe ruajtur si ‘ujët e pakët’, dhe në këtë përshfaqje, duhet thënë, kishte me shumicë.

Doja t’i mbyllja këto rreshta me dy nota pozitive [?!].

E para është mbi kualitetin zanor të personazheve femërorë [Ilire Vinca dhe Arta Selimi]. Nuk di në Teatrin Kombëtar Shqiptar sa orë në javë i kushtojnë aktorët kantos … i kushtojnë orë kantos aktorët e TK? Nuk e kam fjalën për orët e kushtuara nën dush; as për ato nëpër lokalet e Tiranës.

E dyta është për atë taksonomi të rezonancave tingulluese që regjizori duket se njeh më së miri duke ja përshtatur hapësirës skenike. Sikur ta kish bazuar veprën pikërisht mbi to dhe jo mbi tekstin (sepse kjo vepër mbetet ende e bazuar më së shumti mbi tekstin) do të kishim një kovë ujë të freskët në shkretëtirën tonë teatrore.