Nga një ‘Lega Nord’ në tjetrën. (Paolo Barcella)

Ky shkrim është një përmbledhje e artikullit Rrugëtime legiste. Nga antijugorizmi te ksenofobia (Percorsi leghisti. Dall’antimeridionalismo alla xenofobia), revista «Meridiana», 91, 2018.

Gjatë muajve të mbarsjes së Ligjit Martelli (shën. përkth.: për një përmbledhje të ligjeve italiane mbi emigracionin shih link), Lidhja Lombarde (Lega Lombarda) ia doli mbanë të marrë, për herë të parë, vëmendje mbarëkombëtare. Umberto Bossi ishte i vetmi senator i zgjedhur i partisë, por propozoi amendamente të shumta që kishin për qëllim obstruksionizmin parlamentar dhe një mbledhje firmash për të anuluar vetë ligjin[1]. Pikërisht për këtë, sipas Laura Balbo-s dhe Luigi Marconi-t, legizmi verior mund të konsiderohej, që në fillim të viteve Nëntëdhjetë, një organizatë e intolerancës që kishte ndërtuar lokalizmin e vet mbi kundërshtimin dhe denigrimin e tjetrit, jugorit apo të huajit, duke merituar hyrjen në fjalorin e racizmit vendas.

Përgjatë viteve, prirja ksenofobe e partisë – e shndërruar në Lidhjen Veriore (Lega Nord) duke federuar realitete të ndryshme veriore – u përforcua, derisa përshfaqi pretendimin autonomisë dhe vetëmjaftueshmërisë që, për Balbo-n dhe Marconi-n, ende nuk ekzistonin në 1992. Gjithsesi, përpara bashkimit në Lidhjen Veriore, legizmat ishin realiteti të shumëtrajtshme dhe, për shumë aspekte, të lëkundshme: vetëm leadership-i i Umberto Bossi-t diti të qeverisë tensionet e vazhdueshme të brendshme falë një pune përmbajtësore, ndërtimi barazpeshimesh, përpunimi fjalëkalimesh në formë përshenjuesish mbartës të kuptimeve të ndryshme që nevojiteshin për aktivimin e proceseve të identifikimit në individë dhe grupe shoqërore të cilët i përkisnin realiteteve të ndryshme lokale, jo domosdoshmërisht homogjene për sfond ideologjik, kulturor apo klasor, duke synuar përthithjen e subjekteve të pozicionuara në të majtë apo të djathtë të të gjithë harkut kushtetues.

Në sezonin e parë, në fakt, koagulantët e partisë qenë pa dyshim shtysat lokaliste ndërklasore të krahinave nënmalore që artikulonin brenda vetes variante paraekzistuese të ndjenjave antijugore, të përforcuara nga shtysa në rritje e antiqendërzuese që ushqeheshin nga polemika antishtetërore, të urrjetjes ndaj pushtetit romak dhe për një sistem partiak të konsideruar të korruptuar.

Këto instanca rrisnin antijugorizmin edhe për shkak të një pranie domethënëse në aparatet shtetrore lombardo-vendeikase të imigrantëve jugorë, të ardhur në këto krahina sidomos prej viteve Gjashtëdhjetë. Jugorë, sipas legistëve, ishin nënpunësit e postave, funksionarët bashkiakë, mësuesit e shkollave të cilët akuzoheshin për mosnjohjen e kulturave dhe “gjuhëve” lokale dhe, si rrjedhojë, pamundësinë e zhvillimit në mënyrë të duhur e funksionit të shërbimit publik dhe edukimin e gjeneratave të reja sipas vlerave të bashkëndara brenda komuniteteve. Jugorë ishin edhe kuestorët, funksionarët e policisë, karabinierët, subjekte që, sipas shumicës së shtresave të popullsisë veriore, kishin ardhur në Veri vetëm për shkak të shpërblimit të papunësisë për t’u mbajtur dhe bërë përgjegjës të sjelljeve shantazhuese kundrejt “popullit padan”.

Mes ndjenjave të ndryshme dhe të shumëllojshme antijugore legistët ia dolën të bëheshin interpretues të një narrative unike të kondensuar. Në 1987 ishin të shumtë ata që mendonin se urrejtja për Jugun qe argumenti i vetëm i vërtetë i Lidhjes Lombarde dhe Bossi-t në veçanti. Luciano Gulli, për shembull, tregonte kështu hyrjen e senatùr-it në parlament: «U demonstrua: mund të bëhesh deputet edhe duke ulëritur vetëm “katundarët në shtëpi të vet!” (a casa loro i terroni!)»[2]. Në këtë fazë çështja migratore dukej krejtësisht margjinale në diskurin e partisë, aq sa vetë Bossi deklaronte: «Ne nuk jemi një lëvizje racore […] jemi vetëm autonomist dhe për një Europë të bazuar te federalizmi […] ne nuk jemi për një bllokim të imigracionit. Kërkojmë vetëm që t’i jepet përparësi rezidentëve në Lombardi». Është pikërisht duke u kapur fort pas lokalizmit dhe antijugorizmit që, duke filluar nga zgjedhjet politike të 1987 dhe më pas në zgjedhjet europiane të 1989, që Lidhja Lombarde shumëfishoi konsensusin e saj, duke ia dalë të hyjë në parlament dhe të arrijë kuotën e 470.000 votave për europianet.

Partia, në Lombardi, kishte fituar konsensusin e mbi 10% në 49% të bashkive lombarde me një numër banuesish nën 5.000; në 46% të bashkive me një numër nga 5.001 në 10.000; në 32% të bashkive me një numër banuesish midis 10.001 dhe 50.000; në 33% me një numër banuesish mbi 50.000. Duke parë nga afër njësitë administrative ku partia triumfonte mund të kuptohet një aspekt vendimtar: ishin bashkitë e vogla të karakterizuara, vetëm pak vite më parë se legizmi të lindte, nga fenomeni emigrator. Dhe jo vetëm: bëhej fjalë për bashki që kishin njohur një emigracion të dendur drejt një vendi në veçanti, Zvicrës, qoftë në formën e emigrimit normal, qoftë në formën e atij kufitar (shën. përkth.: për një përmbledhje të migracionit kufitar shih link dhe link). Një situatë pjesërisht e ngjashme i përkiste edhe fshatrave venedikase në të cilët Lega kishte konsensus të përhapur: edhe aty, pas Luftës së Dytë, emigracioni drejt Zvicrës, Gjermanisë, Belgjikës kishte patur një relevancë të madhe. Kështu që bëhej fjalë për fshatra në të cilët përshfaqja e emigrantit ishte përgjithësisht ajo e kufitarit apo gastarbeiter-it, pra e fuqisë së pastër punëtore të huaj nën urdhërat e “pronarëve të shtëpisë”.

Pra, migranti i imagjinuar prej banorëve të zonave me prirje të forta legiste ishte një punëtor i huaj i pranishëm për një periudhë të kufizuar kohore, i destinuar të “kthehej në fshat”; një puëtor pa të drejta politike, integrimi i të cilit ishte i dekurajuar; dhe, në fund, një punëtor i nënshtruar kontrollit në kufi. Këto materiale kujtese dhe imagjinari emigrator kontribuan në gjenerimin e një nënkulture të re politike territoriale, bashkëndarë nga subjekte shpesh të diferencuar prej përkatësisë klasore, por edhe ngushtësisht të identifikuar me territorin dhe “kulturën” e vet.

Kështu kujtesa e emigracionit pati një funksion kundër-identifikimi mbi të gjitha midis subjekteve që në këto krahina kishin patur një eksperiencë emigracioni dhe migrantët nga Italia e Jugut, që mbërrinin në rrethet e tyre për të ushtruar profesionet e nënpunësve, në shërbime, në shkolla, me mundësi për të qëndruar: për shumë ish-emigrantë lombardo-venedikas ishte e vështirë të durohej që, duke punuar me vite të tëra jashtë për të fituar bukën e gojës, jugorët tani të pretendonin të bashkëndanin, pa lodhjen e të punuarit në miniera apo të rrezikuarit të jetës në kantieret malore. Deri nga fundi i viteve Tetëdhjetë, ky mekanizëm bëri të mundur që një pjesë e mirë e legistëve të parë të identifikoheshin më mirë me imigrantët e huaj sesa me jugorët, duke qenë se atyre u dukej se të parët punonin në fabrika, kantiere, apo si shërbëtorë e shërbëtore, shpesh në të zezë dhe në kushte pasigurie, ndërsa perceptonin jugorët si një bllok nënpunësish shtetëror.

Situata ndryshoi, midis 1989 dhe 1990, kur çështja imigratore zuri qendrën e debateve politike italiane. Legistët kultivonin një kundështi në rritje ndaj atyre që, duke projektuar ligjin për rregullimin e imigrimit, kërkonin më shumë të drejta për migrantët, mbrojtje, kushte të barabarta pune, përthjeshtim të proceseve integruese, amnisti për klandestinët. Bezdia karshi Ligjit Martelli rritej edhe më shumë kur dukej sikur kërkonte të krijonte kushte të favorshme migrantëve: vendimtare në këtë proces ishte edhe një herë kujtesa emigratore që, ndryshe nga sa mendonte një pjesë e madhe e së majtës, nuk u mungonte aspak legistëve të cilët, thjeshtë, e përdornin për interesin e tyre politik.

Qe pikërisht në këtë fazë që Lidhja Veriore transformoi për herë të parë imigrimin në argumentin e vet të preferuar. Ndodhitë e 1991 dhe zbarkimi në Puglia i mijëra shqiptarëve theksuan procesin, paralelisht me rënien në Itali të empatisë së përgjithshme karshi imigrantëve. Më pas, kur Duart e pastra (shën. përkth.: për më shumë mbi Mani pulite shih link) dhe fundi i sistemeve socialiste krijuan një zbrazëti politike në vend, Lidhja Veriore mundi të rritej në mënyrë domethënëse, duke kaluar në pak vite nga dy të zgjedhurit e 1987 në mbi 180 të 1994. Në parti kishte shumë vetëdijeni mbi relevancën që media do të mbulonte në rrugën drejt pushtetit dhe mënyrën nëpërmjet të cilës të merrej falas vëmendja e tyre: deklarata politikisht jo-korrekte, tejet të dhunshme dhe vulgare u përdorën për të fituar titujt e gazetave dhe pjesëmarrjet televizive. Siç ponoi në një rast Maroni: «[Bossi] është një gjeni. Sikur të na ishte thënë të paguanim hapësirën [që na u dha] në gazeta do të na ishin dashur miliarda»[3].

Dukshmëria më e madhe impononte ndryshime: gjuha e folur prej partisë nuk mund të ishte ajo e viteve të kaluara, kur rrethet alpine dhe paraalpine ishin territore referimi dhe lokalizmi fjalëkalimi i aktivistëve dhe militantëve. Në kalërimin drejt fitores së segmenteve të tjera veriore, ksenofobia, që në atë fazë kishte te shqiptarët një prej objektivave polemizues kryesorë, dukej si një trajtë ideologjike e përdorshme sa në Belluno, aq edhe Torino, në Trieste apo Milano. Megjithatë, tensionet me Aleancën Kombëtare (Alleanza Nazionale) dhe ndarja nga Berlusconi i mundësuan Lidhjes Veriore të ruanin për disa kohë edhe një paralele, prirjen e fortë dhe eksplicite antijugore që ishte e nevojshme për të salduar konsensusin me territoret e origjinës.

Vetëm pas qeverisë së dytë Berlusconi dhe konsolidimit të marrëdhënieve midis Bossi-t dhe Fini-t, vulosur prej Ligjit mbi imigrimin që mban emrat e të dyve, do të dëshmohej sezoni i parë i lënies mënjanë të retorikës antijugore prej diskureve zyrtare të partisë, të shpërndarë në media kombëtare, dhe konsolidimit përfundimtar të Lidhjes si një forcë kryesisht ksenofobe: gjithsesi, në lokalitetet me origjinë antike legiste ndjenja antijugore u mbajt e paprekur, duke qarkulluar në kontekstet lokale. Ende në 2011, për të marrë një shembull, gjatë festave verore të Lidhjes Veriore, ishte e mundur të gjendeshin gadgets padane që “festonin” në mënyrë ekscentrike 150-vjetorin e Bashkimit të Italisë. Ishte i tillë rasti i një fanelle ku fytyra e Garibaldit ndërpritej nga një shkrim: «Garibaldi, pse na çave trapin?» (Garibaldi, cazzi tuoi mai?).

Pikërisht për këtë arsye, drejtimi nacionalist që Salvini vendosi t’i japë partisë së tij, krijoi rezistencë dhe sikletosje në një numër domethënës legistësh të orëve të para, që nuk përtypin lehtësisht një leader që ka prirje për të kërkuar konsensus në Jug, duke veshur të sipërme tutash me shkrimet «Viterbo» apo «Catania», në vend të fanellave «Padania is not Italy» me të cilat shëtiste deri para pak vitesh.

Referendumet për autonominë venedikase dhe lombarde ishin pjellë e kësaj linje tensioni. Organizuar prej vullnetit të Maroni-t dhe Zaia-s, dy prej gardës së vjetër legiste, këto referendume u bazuan mbi një fushatë zgjedhore ndërmarrë në nivel të zyrave lokale, me qëllim mobilizimin e qytetarëve duke shfrytëzuar argumentet e preferuara të Jugut të mbajtur prej Veriut që paguan taksat. Në një manifest, përreth çështjes fiskale, që qarkullonte në festat padane në verën e 2017 lexohej: «Çdo lombard humbet 5.511 euro në vit, ndërsa çdo siçiljani i jepen 8.908 euro». Sërish Jugu përshkruhet si një barrë. Dhe është pikërisht në këtë linjë tensioni të brendshëm që Lidhjes me prirje kombëtariste të Salvini-t iu desh të bënte llogaritë muajt e shkuar, e cila përjetoi momentin më të dukshëm të saj kur Maroni hoqi dorë nga rikandidimi si guvernator i Lombardisë dhe polemikat që pasuan.

Tashmë Lidhja (jo më Veriore) e Salvini-t ka shumëfishuar konsensusin, duke u shtrirë jashtë rretheve antike të referimit. Një sukses i dukshëm i Lidhjes së re, në të cilin del gjithsesi në pah humbja e një segmenti domethënës të Lidhjes së vjetër Veriore dhe shpirtit të saj. Shumë votues origjinarë legistë votuan Salvini-n duke taposur hundët: vetëm ksenofobia dhe çështja migratore mund t’i mbajnë të varur pas një partie në të cilën nuk shohin më botën e tyre. Pra, në disa aspekte, Lidhja e Salvini-t ka groposur Lidhjen e Bossi-t dhe Maroni-t sa në instrumenta, aq edhe në përmbajtje. Në fakt, nga njëra anë, Lidhja Veriore deri në 2011 kishte ndërtuar konsensusin e saj duke filluar nga puna në territor plot tenda, fletushka, bazë militantësh, festa verore të partisë të mirëfinancuara dhe të përhapura në territor sa Festat e vjetra të Bashkimit (shën. përkth.: për më shumë mbi Feste dell’Unità shih link). Kriza e 2011 përshenjoi një pikë frenimi në këtë drejtim: rikuperimi i Salvini-t erdhi nga një territor tjetërpërtjetër, duke filluar nga përdorimi i new media, në përhapjen e imazhit të tij në të gjitha kanalet televizive, në radikalizimin e pozicionit të tij në një temë të vetme, ajo migratore, shndërruar në faktorin e vetëm tërheqës të partisë. Nga ana tjetër Lidhja e Salvini-t fitoi duke u paraqitur si forcë e ekstremit të djathtë, afër njerëzve dhe forcave politike të deklaruar – dhe shpesh me krenari – ksenofobe dhe reaksionare, sa kombëtare aq edhe të huaja, duke rivulosur në këtë mënyrë fundin e një sezoni në të cilin Lidhja Veriore paraqitej si një lëvizje politike që, sipas asaj që pati deklaruar Bossi në 1994, nuk do të ishte kurrë “me fashistët dhe nipërit e fashistëve”. Pikërisht për këtë bëhet edhe më interesant studimi i votës legiste, të kuptuarit nëse dhe cilën tipologji elektorati mund të ketë humbur në rrethinat me rrënjosje më të thellë, në favor të cilave subjekte të tjera dhe segmenteve shoqërore të përhapura edhe në pjesën e mbetur të territorit kombëtar. Të arsyetuarit mbi këtë është arsyetim mbi të ardhmen, jo vetëm legiste.


[1] Laura Balbo e Luigi Manconi, I razzismi reali, Feltrinelli, Milano 1992, f. 84.

[2] Luciano Gulli, È dimostrato: si può diventare deputato anche solo gridando «a casa loro i terroni!», në «Il Giornale», 17 qershor 1987.

[3] Michele De Lucia, Dossier Bossi-Lega Nord, Kaos Edizioni, Milano 2011, p. 52.

Advertisements