Center for Openness and Dialogue … COD-i ia bën muuuuu!!! – Pjesa I (Romeo Kodra)

Deri para pak kohësh ata që shihnin të qelibartë mospërputhshmërinë e artistit dhe politikanit Rama ishin një minoritet absolut. Për ata është ky shkrim.

Tani pas aksionit kryeministror, sa katastrofik aq edhe bosh, duket sikur ky minoritet po zgjerohet.
Aksioni kryeministror është emëruar PaMur / Vila e Enverit / Bunk’Art / Shtëpia e Gjethit / Tirana Open / COD (Center for Openness and Dialogue). Emëruesi i tyre i përbashkët, është vendosur nga “Orakulli” që në fillim të herës, do të vetëgjenerohet duke u zmadhuar, duke u zgjeruar, duke u fryrë si një Pantagruel madhështor edhe mëtej. Natyrisht duke ruajtur elementin e tij gjenerator: hapjen fiktive dhe të kontrolluar.

Le t’i marrim me rradhë. PaMur ishte hapje, apo jo? Nuk numëroheshin muret që ranë … sidomos për gratë e PaBurr-it. U hap edhe Vila e Enverit, s’është kështu? Me ftesa qeveritare dhe dokument identifikimi në gojë, por s’duhet parë qimja në qullë. Bunk’Art, po e po! U hap aq shumë sa shkoi deri në Surrel. Po Shtëpia e Gjethit, nuk ishte një hapje? Për qeverinë dhe përfaqësitë e huaja … por fundja, nuk shohin ata edhe për ne? Tirana Open u hap sa s’kish ku të shkonte më! U hap, u shqye sëhapuri, derisa plasi. Dhe plasi aq shumë sa bëri të merrnin arratinë edhe ata që ishin brenda (vizitorë dhe botues). COD-in aty e keni, ia bën muuuu!

Po, po, COD-i ia bën muuuu. E kanë kuptuar edhe lopët se cili është modeli apo kodi, dhe jo më “artistët” që përfshihen në këto evente. Fundja edhe këta “artistë” do të jenë gjithmonë në kohë – në mos sot, nesër – të distancohen nga këto evente, siç po bëjnë gradualisht ata që po pasurojnë sëfundmi minoritetin e gjithëhershëm.

Do të jenë gjithmonë në kohë këta “artistë” apo operatorë “kulturorë” të shajnë Kryeministrin kur dje e cilësonin në mënyrë “naive” ARTIST se u kishte ofruar një kockë poshtë banketit ku fryn barkun pushteti politik me taksa publike. Do të jenë gjithmonë në kohë këta “artistë” apo operatorë “kulturorë” që deri dje i “jepnin kohë” Mirela Kumbaros, kamarieres së prostituimit artistik kryeministror, sepse “gjërat në Shqipëri nuk bëhen brenda natës” paçkase – ndërkohë – ndante fonde për projekte fiktive apo çmime boshe dhe të sajuara nga momenti në moment (shifra e shpenzuar i kalon 1 miliardë lekë … duke i bërë llogaritë “trashë-trashë”).

Po, po, këta do të jenë gjithmonë në kohë. Sepse koha e ka treguar se ky “artist” dhe operator “kulturor” shqiptar është gjithmonë bashkëkohor. Si nuk guxoi ndokush prej tyre të dilte jashtë saj, të dilte jashtë kohës, të ishte thjeshtë jashtëkohor! Sikur edhe për një sekond të vetëm: Jashtë! Ndoshta kanë frikë se mos bëhen Artistë … por kjo është disi e gjatë për t’jua shpjeguar.

Nejse. Nuk u duhet marrë për ters kjo “artistëve” dhe operatorëve “kulturor”. Nesër, si gjithmonë, do të ketë një rikthim të pozitivitetit, që kaq shumë i pëlqen pushtetit politik, dhe përsëri do të rreshtohen, bishtlëkundës dhe gjuhëpërjashtë për bythlëpirjen e rradhës. Po aty. Në të njëjtin vend. Poshtë tavolinës për kockën e rradhës, për copën e fondeve, për një vend pune, për një rezidencë 2 apo “x” javore “jashtetit”.

Ah, dhe ju lutem, nëse ju bie rasti t’i shihni rrugës, mos i vështroni gjatë në sy. Fillojnë e pulisin qepallat e syve të sikletosur. Shtrëngojnë buzët. Madje, ka raste që buza e poshtme e shtrënguar fort fillon e u dridhet, u ulët nga njëra anë, sikur do u bjerë ndonjë paralizë a ngërç.

Por, a është momenti të flitet për këto gjëra? Çfarë po bëj? Është kjo koha? Po! Po! Dhe 100 herë “PO”! Duhet nxjerrë problemi i bythlëpirësve, që me artin dhe kulturën e tyre “naive”, përveçse ushqejnë historikisht barkun pantagruelik të pushtetit, fillojnë e infektojnë, në mënyrë po aq “naive”, atmosferën e minoritetit. Një atmosferë ku oksigjeni është i pakët, i mjaftushëm sa për të mbajtur frymën dhe neuronet gjallë. Kështu që është gjithmonë “koha”!

Më bëri përshtypje sot, përsa i përket kësaj çështjeje, një shkrim i Ardian Vehbiut: “Psikodrama e hapjes”. Vehbiu është një nga ata që, deri para pak kohësh, gjente gjithmonë një fjalë të mirë për politikat artistiko-kulturore të “Rilindjes” dhe, nga perspektiva ime e të parit të këtyre gjërave, më dukej se justifikonte ca si tepër “barrën e rëndë” që i kishte lënë qeveria paraardhëse kësaj të sotmes. Por, nuk ia kam patur e as ia kam me të keq. Vehbiu përsëpaku nuk është bythlëpirës! Ai është gentleman!

Në shkrimin e tij të sotëm p.sh. nuk përmend tek kjo “psikodramë e hapjes” as PaMur dhe as Tirana Open, të dyja këto aktivitete që e kanë parë pjesëmarrës, dhe të dyja janë nën të njëjtën logjikë: atë të psikodramës së hapjes (Pa mur është një “hapje”, apo jo? Tirana Open nga anglishtja është përkthim shkronjë për shkronjë). Vehbiu nuk i përmend sepse, e thashë: është gentleman! Nuk “pështyn aty ku ka ngrënë” (kjo është një metaforë, sepse me sa dijeni kam barku pantagruelik i pushtetit pak ka lënë për të ngrënë, jo vetëm për Vehbiun, por edhe shumë të tjerë). Dhe as “nuk u kthen shpinën shokëve”. Sepse shok dhe mik ka edhe Kryeministrin Rama, mendoj, përderisa hap shkrimin e tij me një delikatesë të tillë: “Ka pasur interes të veçantë, në mediat tradicionale dhe ato elektronike, për disa ndërhyrje artistike-kuratoriale, të qeverisë së kryesuar nga Edi Rama, në objekte semiotikisht të rëndësishme”. Vehbiu e di shumë mirë që ndërhyrjet nuk janë “të qeverisë së kryesuar nga Edi Rama”, por të Edi Ramës (Madje, për Vilën e Enverit në AKSREVISTA e kam faktuar duke nxjerrë intervistën e Kryeministrit me Obrist-in shumë kohë përpara se të bëhej aktiviteti nga palaçot bishtlëkundës). Këtë e ka kuptuar cilido shqiptar që ka parë, sikur edhe nëpërmjet televizionit, këto aktivitete psikodramatike, dhe jo më Vehbiu.

Por, siç thashë, është gentleman i pandreqshëm. Ndoshta tek Vehbiu është më fortë e rrënjosur kjo ndjenjë e “çunave të Tironës të njëherë e një kohe” (si çun Tirone, “të të njëtit brez, të të njëjtit formim”, e konsideronte dhe i besonte Ramës nja një vit më parë në një intervistë në një televizion kombëtar). Ndoshta largësia, të jetuarit jashtë Shqipërisë, siç e kam përmendur thuajse ekzaktësisht një vit më parë në një shkrim tjetër, nuk e bën të shohë qartë zbrazëtinë e artit dhe kulturës kombëtare në këto dy vite regjimi rilindas. [P.Sh. po të heqim këto psikodrama çfarë na mbetet? Ndokujt i kujtohet ndonjë aktivitet tjetër artistik dhe kulturor? (Nuk e kam fjalën për Festivalin e Folklorik të Gjirokastrës me skenografinë e Rilindjes. Jo, atë jo.) Madje, po them edhe më shumë, ndokujt i kujtohen kush ishin kuratorët dhe artistët e këtyre aktiviteteve?]. Por ndoshta Vehbiu është i infektuar nga sëmundja e “shokut, mikut”, nuk ia kthen dot shpinën. Ndoshta. Ndoshta. Ndoshta.

Sido që të jetë unë nuk kam ndërmend që të ndreq askënd. Por them se edhe kjo rënie “anësëpasanës” nuk është aspak e nevojshme. Natyrisht nuk bën gjëmën e bythlëpirësve, që i kemi me lopatë, por i ndihmon ata të ndihen disi më rehat, i amortizon traumën e të fëlliqurit dhe të krupës që do iu djellin të tjerëve kur do të duhet të riciklohen në diskurin publik.

Personalisht, s’besoj se është e nevojshme ta them, më intereson shumë pak të qënurit gentleman. Më shumë më intereson roli i intelektualit i cili «nuk duhet të vihet “diku përpara dhe përkrah” për të shprehur të vërtetën e mbytur të kolektivitetit; por, përkundrazi, duhet të luftojë të gjitha format e pushtetit të cilat e transformojnë atë në një objekt dhe vegël në sferën e “dijes”, e “të vertetës”, e “ndërgjegjies” dhe “ligjëratës”». E thotë Foucault, nuk e them unë. Kështu që, kam përshtypjen, se mbi të gjitha kemi problemin e COD-it të pushtet, që na transformon në objekte dhe vegla të kodit të tij gjuhësor, na përpin dhe përdor duke shpalosur nëpërmjet nesh gjuhën e tij, artistike dhe intelektuale. COD-i ia bën muuuuu!!!