Teatri midis kafshëve dhe shijeve kafshërore: “zgjidhja Rama” dhe “zgjidhja Kapexhiu”. (Romeo Kodra)

Nga pikëpamja “strategjike” ky shkrim nuk del në momentin më të duhur, sidomos kur dihet se çfarë rreziku i kanoset ndërtesës historike arkitekturore brenda së cilës ushtron veprimtarinë institucioni i emërtuar “Teatri Kombëtar”.

Por, fundja, problem më të madh kam “egon” brenda fjalës “strategji”, “shtresëzimin e egos” më saktë. Mënyrën se si krijohet egoja apo shtresëzohet në sytë e publikut shqiptar, apo, akoma më mirë, masmedias. Për ego nuk më plas! Përkundrazi, nuk mendoj që, nesër, kur të vijë rradha e uljes në karriket e pushtetit, nëse “punohet” me mençuri, nëse “punohet” duke u mbledhur “grusht bashkë”, si kope injorante nën sytë e një pushteti që po përgatit marrjen e karrikeve të së nesërmes, një shkrim si ky mund të më prish punë. Mund të më kthehet në njollë në biografi, sidomos për përcaktimin “kope” të atij grupi kundër prishjes së Teatrit.

Personalisht kam jetuar mjaftueshëm sa të mbaj mend fillimet e të ashtuquajturës “demokraci” kur doli një thashethem i gjoja Pranvera Hoxhës, bijës së diktatorit, që thoshte: “U zgjuan kafshët!”. Kjo mund të ketë qenë edhe e vërtetë, por nuk ndryshon thelbin e asaj që do them më poshtë. Më kujtohet edhe se si, përsëpaku minimalisht, kjo shprehje ndërseu masat barkthara shqiptare dhe se si vendosi theksin e diskurit të përgjithshëm publik ekskluzivisht te barku i tharë i shqiptarëve, tek pulsionet e pavetëdijshme, duke lënë jashtë diskurit publik trurin e tyre të tharë dhe aspiratat për ta nxjerrë atë nga shkretëtira diktatoriale. Dhe fokusimi te barku i tharë kanalizoi kopenë nën udhëheqjen e një tjetër çoban-diktatori të parapërcaktuar si Sali Berisha. Pra, e gjithë kjo parantezë, është për të thënë se fjalën “kope”, sot, po e përdor qëllimisht për t’u siguruar që të mos marrë pas vetes me diskurin tim – i cili mund të ishte shumë mirë i purifikuar dhe “politically correct” – askënd prej protestuesve për mbrojtjen e Teatrit, të cilët shpresoj të kenë një mendim personal mbi çështjen, të dinë se si ta artikulojnë atë përtej kopesë dhe ta bëjnë një gjë të tillë publikisht, në vetë të parë, sepse vetëm kështu rezistenca ka kuptim dhe është e mundur të bëhet qoftë edhe prej një personi të vetëm.

Por, nga ana tjetër, një shkrim si ky mund të më prishë punë – dhe kjo është akoma më e rrezikshme – edhe sot, sepse me kafshën në Kryeministri që sakrifikon jo vetëm Teatrin, por edhe nënë e babë me gjithë pjellën e vet, për pushtet (kjo nuk është metaforë: lexo këmbimin e shkrimeve mes Gregut të vogël dhe Edit tek libri “EDI RAMA”), ky shkrim mund të interpretohej si përçarës i kopesë dhe të përdorej për të justifikuar prishjen e Teatrit.

Por, paçka se si mund të interpretohet ky shkrim sot prej injorantëve apo dashakeqësve të mundshëm, kam përshtypjen se rezistenca (nënkuptuar si fuqi edhe fizike), në çfardolloj situate, ka patur rezultate kur është mbështetur në intelekt, përsëpaku, të barazvlefshëm me atë të fuqisë fizike. Pra, ajo që dua të them, për të marrë një shembull, është se, nëse një herë e një kohe Teatri i ka rezistuar kafshërisë së babzitur kryeministrore, kjo ka qenë e mundur jo vetëm për faktin që ka patur njerëz që u bënë bashkë, si kope (domosdoshmërisht e padiskutueshme për mendimin tim), në një rezistencë edhe fizike (greva si shembull), por edhe për faktin se ka patur njerëz që u bënë bashkë në një rezistencë intelektuale, pa u bërë kope e njëtrajtshme, që dinin të artikulonin arsyet e rezistencës duke e ushqyer debatin dhe higjenizuar atë prej injorancës, duke shndërruar njëkohësisht kopenë në masë kritike shoqërore.

Sot është i mirëpritur fakti i mbledhjes bashkë të aktorëve për të mbrojtur Teatrin. Por, për mendimin tim, sot është akoma më e nevojshme të kuptohet ku luhet loja dhe ku përgatitet rezistenca. Dhe, në këtë pikëpamje, nuk janë aspak të mirëpritura artikulimet pordhëmëdha të një injorance kafshërore çliruar prej kopesë së rezistencës, sepse kjo nuk bën gjë tjetër veçse amplifikohet qëllimisht në idiotësinë e saj prej masmedias për të çuar ujë në mullirin e pushtetit oligarkik.

Pardje, si zakonisht, po lexoja faqet e zeza dhe “për ‘i bret” kulturore të gazetave online shqiptare. Aty marr dijeni edhe për një projekt, apo skicë-ide siç e quan “modestisht” autori, mbi Teatrin Kombëtar. Madje, autori kishte patur mbështetjen e shumë “anëtarëve të rezistencës”. Thashë me vete, do të jetë ndonjë thashethem idiot me të cilat ushqehet zakonisht masmedia autoktone. Por jo. Sot, sikur rastësia të kish vendosur të më mbushte mendjen top, lexoj që “skicë-ideja” është më shumë sesa një thashethem. Bujar Kapexhiu me të vërtetë dhe seriozisht ka përgatitur një “skicë-ide“, që në vetvete është një shtesë.

teatri2.jpg

Ajo që më bën përshtypje është mënyra e ndërthurjes së “skicë-idesë” (që autorit mund t’i duket kushedi edhe origjinale), shtesës me ndërtimin arkitekturor, që i përket periudhës së racionalizmit italian, Teatrit. Më bën përshtypje sinteza dhe kompozimi i mëtejshëm, montazhi ideor i fokusuar qorrazi (sepse nuk e ka idenë se ç’është modernizmi në arkitekturë, e aq më pak komponenti modernist brenda racionalizmit italian që duket tek arkitektura e Teatrit) tek intensifikimi i vertikalitetit të pabazuar me asgjë, ripërsëritjes “zhurmuese” pamore, madhështisë së kotë. Thjeshtë: monumentalizimi i pushtetit riprodhuar prej një subjekti (etimologjikisht: të nënshtruari) në rravgim psikotik.

Këtë monumentalizim topitës dhe shastisës e gjejmë te mënyra e ndërthurjes së ndërtesave të periudhës të socializmit shtetëror me ndërtesat italiane përgjatë Bulevardit. Kjo “skicë-ide” më duket shumë e ngjashme me sintezat pasive – rravgime psikotike më vete edhe ato – dhe kompozimet e fryra socialiste, siç janë, bie fjala, kolonat e Pallatit të Kulturës që kërkojnë të rimojnë halldupshe me ato të korpusit të Rektoratit të Bosio-s në Sheshin Nënë Tereza, apo basorelievi i Kryeministrisë me atë të Maternitetit.

Praktikisht, sa më sipër i kam nxjerrë falë studimeve të mia mbi konceptimin e hapësirës në Shqipëri dhe mentalitetin qeverisës të një subjekti mbi një territor të caktuar, ku edhe Bujar Kapexhiu, aq më shumë si injorant e i paditur, d.m.th. si një person që nuk ia ka idenë për ç’flitet këtu dhe tërësisht i pavetëdijshmëm, pra i lirshëm dhe i sinqertë në veprimet e tij, mund të merret si një rast studimor (kavie) për të parë influencën në mentalitetin etiko-estetik nëpërmjet ndërtimeve fashiste në hapësirat publike të kryeqytetit.

Natyrisht këtu jemi në një nivel tjetër, jo shtetëror si në rastin e ndërtimeve të epokës së diktaturës së Enver Hoxhës, por individual. Gjithsesi, kjo nuk ka rëndësi, sidomos kur fokusi bazohet te kategoria gjithëpërfshirëse e “subjektit”. Pra si subjekt, qoftë pushtetari (Ahmet Zogu, Enver Hoxha apo Edi Rama), qoftë një i paditur apo injorant (Bujar Kapexhinjtë e këtyre 100 viteve të fundit, arkitektë, diletantë skicë-ideues, apo ndërtues kjoskash), kanë të njëjtën qasje karshi gjurmës së një subjekti, le ta quajmë, atëror: modernizmit fashist dhe eprorit të jashtëm tek i cili frymëzohen dhe prej të cilit modelohen.

Dhe në sitjen e kohërave, pra që prej 1925 e këtej, kur filluan ndërtimet pro-kolonizuese fashiste, prej trurit të këtij subjekti ka rrjedhur modernia dhe ka mbetur fashizmi, ka rrjedhur eproriteti i bazuar në dije dhe mbetur krundja e eproritetit ksenofil karikaturesk (nuk e di nëse është Bujar Kapexhiu që nxori këtë përcaktim rastësor apo rastësia që përcaktoi karikaturistin Bujar Kapexhiun!). Jo më kot në Shqipëri, sot e kësaj dite, thuajse nuk kemi fare tekste informuese që të na shpjegojnë se ç’është e si erdhi modernia në Shqipëri. Jo më kot nuk dimë më të bëjmë dallimin midis bujarisë së një herë e një kohe dhe mikëpritjes kanunore me bythëlëpirjen, qurravitjen dhe përgjërimin karshi çdo brekëmuti e pordhaci që na vjen “nga ja’shtetit”. Por, përkundrazi, nga ana tjetër, kemi me bollëk informim të pandërprerë të konceptit të “modernes”, që informohet dita ditës, sipas tekave dhe prroit psikik të çdo kaqoli që i vihet një mikrofon në gojë a telekamera në surrat (qofshin Kapexhinjtë autoktonë apo BIG Bjarke Ingels-at e jashtëm). Kemi gazetarë mikrofonmbajtës që pompojnë jehonën e hajvanllikut, kemi gazetarë, për të cituar Derrida-në, që “nuk informojnë mbi faktet, por informojnë faktet”, për të nxjerrë në pah, të faktuar, atë më pak hajvanin. Edi Rama prej dekadash tashmë po na e përplas në fytyrë – me fakte – artistllikun e vet, jo vetëm modern por edhe bashkëkohor. Kush mund ta kundërshtojë Edi Ramën kur fakton që Tirana e ngjyrosur është më mirë se Tirana e kioskave të Kapexhinjve të viteve ’90?

Dhe natyrisht, kur loja luhet në një terren hajvanësh, të cilët eksitohen deri në pshurrje a dhjerje kur u vihen mikrofonët e telekamerat përpara, rezistenca e kopesë është e lehtë të shuhet. Madje mund të shuhet pa kurrëfarë mundi. Kopeja zbythet vetvetiu duke ndjerë zbrazëtinë intelektuale, shijet e padenja etiko-estetike, duke i lënë vend kafshërisë së vërtetë të pushtetit. Dhe zbythja e inteligjencës prej hapësirës publike është humbje për publikun dhe humbje e publikut, popullit etimologjikisht, që shndërrohet në kope në pritje të çobanit të rradhës: dje Sali Berisha, sot Edi Rama, nesër … një dreq e di.

 

Pra, kur shijet etiko-estetike janë këto të Kapexhinjve, të cilët nuk kanë as më të voglën “skicë-ide” përse, bie fjala, duke qenë të vetëshpallur “demokratë” dhe “liberalë” i dalin nga dora apo mendja këto lloj formash sovjetikisht socialiste, të cilat, siç thashë, pompohen qëllimisht zhurmshëm prej masmedias bythëlëpirëse kryeministrore duke lënë jashtë vëmendjes arkitektë të studiuar dhe të lexuar, brenda dhe jashtë, të cilët u heqin brekët dhe nxjerrin kopjimet e BIG studiove të Edi Ramës, atëherë kafshërisë oligarkike nuk i ngelet, duke u justifikuar në kafshëritë etiko-estetike të kapexhinjve, veçse të marshojë lirshëm mbi rrënojat e ardhshme të Teatrit.

Për të higjenizuar hapësirën publike prej shijeve etiko-estetike kafshërore, që paraprijnë ardhjen e kafshëve, duhet thënë qartë. Teatri nuk duhet të prishet, por të ruhet, duke u restauruar, siç është, sepse:
1. tregon mentalitetin qeverisës të një subjekti mbi një territor të caktuar;
2. tregon subjektifikimin kolonizues që përcillet me anë të këtij mentaliteti;
3. tregon konceptimin hapësinor të këtij mentaliteti dhe trashëgiminë që lë pas;
4. tregon evoluimin konceptual hapësinor të kësaj trashëgimie;
5. si dhe tregon evoluimin e saj material.

Me shumë mundësi pesë rreshtat e fundit nuk do u thonë asgjë shumicës së kopesë dhe nuk do amplifikohen prej masmedias bythëlëpirëse kryeministrore sepse shtruar në këto terma dalin pa brekë Kryeministri, BIG studiot BjarkeIngelsiane të tij, dhe gjithë kapexhinjtë e skicë-ideueshëm.

P.S. Si është e mundur që asnjë “protestues” apo “zëfuqishmit e mbrojtjes së Teatrit” ose masmedia nuk përfshiu në debat personat që nxorrën në shesh brekët e palara të BIG studios kryeministrore? Si ka mundësi që debati në hapësirën publike bëhet prej hajvanësh në rravgim psikotik dhe jo prej studiuesve të fushave që prekin një çështje si ajo e fateve të ndërtesës së Teatrit (studiues arkitekture, studiues restauratorë monumentesh, studiues teatri, studiues të planifikimit urban, studiues të çështjeve sociale, etj.)?

P.P.S. Fakti i të ndërtuarit të një shtese në një objekt monument kulture është rrënqethës, as më shumë e as më pak se ç’është rrënqethëse ideja që ekzistojnë mendje të afta për të pjellë “skicë-idera” të tilla.