“Pyramidal Disclosure” – projekt-propozim i AKS GROUP (Dritan Hyska, Pirro Vaso, Romeo Kodra) për përfaqësimin e Shqipërisë në Bienalen e Arkitekturës në Venecia 2016.

Pyramidal Disclosure

Cili është ndyshimi midis një optimisti dhe një pesimisti?
Një pesimist mendon se gjërat nuk mund të shkojnë më keq;
një optimist e di që është e mundur.
No Man’s Land – Danis Tanović

Sinopsi: Shqipëria ka qenë gjithmonë një territor periferik, një hapësirë tranzitore, një kufi për t’u kaluar, një “front” gjeopolitik. Aty janë shpalosur dhe shtresëzuar, në epoka dhe stile të ndryshme, arkitektura përfaqësuese pushtetesh politike që kanë përshenjuar territorin. Te këto përshenjime lexohen vizione të ndryshme e deri kontradiktore të botës. Shqipëria bashkëkohore, sot e kësaj ditë, pulson jetë me këto kontradikta dhe vizione të ndryshime. Ndoshta, pikërisht falë tyre. Ne, për këtë, jemi të bindur.

Si grup ndërdisiplinor kemi zgjedhur “frontin” tonë midis artit të arkitekturës dhe pushtetit politik. Ky front, në Shqipëri, ka një paradigmë sa unike aq edhe të vazhdueshme, e cila lidhet ngushtë me historinë dhe krijimin e kryeqytetit (1920) dhe si rrjedhojë shtetit shqiptar. Bëhet fjalë për aksin e bulevardit monumental të Tiranës, që fillon në vitin 1925.

Bulevardit, fillimisht, u përdor prej fashizmit[1] si përshenjim indirekt i territorit nëpërmjet modernizmit arkitekturor të “Ministrive”. Pas pushtimit (1939), aksi monumental u zhvillua më tej me një evoluim stilistik (racionalizëm italian: hotel Dajti, Kryeministria, etj.) nëpërmjet së cilës përfaqësohej, kësaj here në mënyrë direkte, pushteti i ri fashist.

Pavarësisht antagonizmit politik, pushteti diktatorial socialist, pas Luftës, vazhdoi zhvillimin e aksit të bulevardit gjithnjë nën refrenin e përshenjimit direkt të territorit (monumentalizmi, kësaj here, qe ai i realizmit socialist), por edhe simbologjisë përfaqësuese të pushtetit autoritar (lartësia dhe vertikalizmi i njëjtë arkitekturor, hermetizmi dhe mbyllja e ashpër e formave, ruajtja e aksit monumental të bulevardit).

Sot, në epokën bashkëkohore të shoqërisë tranzicionale shqiptare, gjejmë të patranzitueshme të njëjtat koncepte arkitekturore me të cilat përfaqësohet pushteti politik dhe ekonomik (hotel Rogner); i njëjti vertikalizëm por me lartësi edhe më të ekzagjeruara që kanë thyer profilin peizazhistik arkitekturor (“kullat binjake” në krah të Kuvendit); i njëjti hermetizëm dhe e njëjta mbyllje e shprehur prej formave të prera; e njëjta ruajtje e aksit të bulevardit.

Por ka edhe një përjashtim: “Piramida”!

E ndërtuar në 1988 nga arkitektët Vladimir Bregu, Pranvera Hoxha, Klement Kolaneci dhe Pirro Vaso (i cili është edhe drejtues i këtij projekt-propozimi për Bienalen e Arkitekturës në Venecia 2016), “Piramida”, porositur prej pushtetit politik si muze i dedikuar diktatorit shqiptar Enver Hoxha, dhe si rrjedhojë thellësisht përfaqësues simbolik i atij pushteti, përbën një nga objektet më kontroverse dhe enigmatike ku “fronti” midis arkitekturës dhe pushtetit politik duket si një sintezë tejet komplekse dhe e pandashme.

Këtu fillon sfida jonë si grup. Këtu fillon frymëzimi për të dekonstruktuar sintezën pasive[2] midis artit të arkitekturës dhe pushtetit politik, për të nxjerrë thelbin e rezistencës[3] dhe diferencës[4] artistike në këtë objekt, që falë gjetjeve artistike nuk mund t’i dorëzohet ekskluzivisht pushtetit politik, nuk mund t’i dorëzohet “përthjeshtimit të Ne në interes të një Uni”, siç thotë kuratori Aravena në koncept-idenë e Bienales.

Për ta nxjerrë “Pramidën” nga dritëhija e imazhit përfaqësues dhe simbolik të një pushteti autoritar filluam me drejtuesin e projekt-propozimit tonë, ark. Pirro Vaso, të rivizitonim edhe një herë, nëpërmjet intervistimit të drejtpërdrejtë, historikun e projektimit të “Piramidës”, kontekstin politiko-shoqëror, kontekstin teoriko-praktik arkitekturor, si dhe procesin e punës.

Na rezultuan disa gjetje krejtësisht arkitekturore të cilat, edhe pse ishin produkt i eksperimentimit arkitekturor[5] dhe jo i vullnetit për një disidencë politike, shkonin tërësisht drejt një konceptimi të arkitekturës si dëshirë, aspiratë dhe nevojshmëri publike, pra në drejtim të kundërt me promovimin e autoritarizmit të pushtetit.

Nuk u përqëndruam te simbolikja e “Piramidës”, te përfaqësimi simbolik, aty ku lidhet zakonisht pushteti politik. U interesuam për imagjinaren dhe realen, për esencën estetike dhe funksionin real të arkitekturës së një objekti publik. Këtu zbuluam që dalja apo thyerja alternative prej aksit monumental të bulevardit, animi deri në pjerrësi apo përshkallëzimi i vertikalitetit dhe hapja në gjatësi e hermetizmit të fasadës së mermertë me xham, të cilat, të gjitha sëbashku, kundërshtojnë simboliken e imazhit autoritar të pushtetit.

Kështu, nxorrëm aksiomën e narrativës sonë për Bienalen e Arkitekturës:

  1. dalja nga aksi apo nga sinteza autoritare,
  2. thyerja e vertikalitetit apo pushtetit hierarkik që ndërtesat arkitektonikisht shprehin,
  3. hapja e objektit apo transparenca e ndërtesave institucionale publike .

Kjo është historia e suksesit që duam të tregojmë nga “fronti” ynë: historia e nxjerrjes së artit të arkitekturës si diferencë narrative prej propagandës së pushtetit politik, një histori ripërvetësimi dhe rivlerësimi të trashëgimisë arkitekturore, që shpesh është rrezikuar prej revanshizmit shkatërrues gjatë ndërrimit të pushteteve politike. “Piramida” falë të qenit të saj “front” arkitekturor për artin dhe pushtetin politik, ka qenë dhe është emblemë e kësaj dukurie.

Metodologjia: Puna jonë hulumtuese frymëzohet prej iso-polifonisë shqiptare, cluster-toni[6] i së cilës materializohet edhe në hapësirën ekspozitive. Aty instalojmë të miniaturizuar një prej “rrëshqitëseve” të fasadës së “Piramidës së Pirro Vasos” (gips dhe mermer si origjinali) e cila del nga qendra e dyshemesë (rrëshirë pa shkëlqim, ngjyrë tulle ose terra di Siena, si balta e Tiranës) dhe ngrihet gradualisht lart (me të njëjtin kënd të origjinalit) deri në një qoshe të hapësirës së pavijonit shqiptar. Dritan Hyska – një nga artistët shqiptar që më shumë është fokusuar mbi arkitekturën tonë – me 2 video arti (me audio, që do të prodhohen posaçërisht) të projektuara në mur, piktura në vaj (?) dhe fotografi (?) kompleton korpusin e vepave artistike. Atyre u shtohen materiali dokumentues dhe një video-intervistë (në 3 monitorë me kufje) e Romeo Kodrës me arkitektin Pirro Vaso për ri-kontekstualizimin artistik, teorik dhe historik të “Piramidës”. Muret janë të lyera si dyshemeja (të zhytur në “front”), por me sfumatura. Ndriçimi është tërësisht artificial me spote, kështu që hapësira mbetet gjithmonë në gjysmë errësirë.

[1] Ndërtimi i bulevardit u bë falë fondeve italiane.
[2] Deleuze, Difference and Repetition.
[3] Deleuze, What is the Creative Act.
[4] Derrida, Différance. Margins of Philosophy.
[5] Ky eksperimentim arkitekturor u mundësua edhe prej faktit se në grupin e punës për ndërtimin e “Piramidës”merrnin pjesë e bija dhe dhëndri i ish-diktatorit Enver Hoxha.
[6] Kështu quhet toni bazë i iso-polifonisë (shih Vaso Tole – Enciklopedia e muzikës popullore shqiptare).

P.S. Ky projekt-propozim i AKS GROUP (Dritan Hyska, Pirro Vaso, Romeo Kodra) u dorëzua në Ministrinë e Kulturës gjatë thirrjes së hapur për përfaqësimin e Shqipërisë në Bienalen e Arkitekturës në Venecia 2016.