“Tirana. Qyteti i Munguar”, ose përgatitja teorike e gomerëve peshkopë. Pjesa I. (Romeo Kodra)

Në këtë shkrim do të flitet për një libër të botuar në tetor të 2016, Tirana. Qyteti i munguar i autorëve Besnik Aliaj, Sotir Dhamo dhe Gjergj Thomai. Libri rektorit dhe administratorit të Universitetit “Polis” sëbashku me drejtorin e Arkivit Qendror Teknik të Ndërtimit është shumë interesant sepse në të jepet një seri informacionesh dokumentues, shkrimorë dhe pamorë, të vyera mbi planifikimet urbane të Tiranës, që nga 1923 e deri në 1990.

Tirana Qyteti i Munguar

Tirana Qyteti i Munguar

Po ashtu në libër jepet, si fryt i vështrimit të autorëve, edhe një  interpretim që tregon, në mënyrë indirekte dhe të paqëllimshme prej tyre – ç’ka e bën edhe më interesant e të vyer -, një mënyrë leximi të hapësirës së kryeqytetit që karakterizon shumicën e historianëve, teoricienëve, planifikuesve urban, inxhenjerëve dhe arkitektëve shqiptarë. Kjo mënyrë interpretimi hapësinor – bazuar tek vështrimi, apo mënyra e të vështruarit – përbën pjesën thelbësore të interesit dhe kërkimit tim, për të cilën kam punuar dhe prodhuar disa rezultate gjatë 5 viteve të fundit, nëpërmjet këtij blogu, konferencave, seminareve, eventeve kuratoriale, teatrore, shkrimeve kritiko-teorike apo videove artistike.

Libri në vetëvete, duke u nënshkruar prej Besnik Aliajt dhe Sotir Dhamos, tregon në një farë mënyre edhe kapacitetin dhe përgatitjen teoriko-historike të tyre. Për pronarët e Universitetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Urban “Polis” dhe se ç’mendoj për ta si qenie njerëzore dhe akademikë kam shkruar diçka në 2013 (Gomerët peshkopë, ose mbi arsimin jo publik shqiptar – https://aksrevista.wordpress.com/2013/09/03/gomer%D1%91t-peshkop%D1%91-ose-mbi-arsimin-jo-publik-shqiptar-fragmente-dhe-sugjerime-romeo-kodra/). Me anë të një rileximi të këtij libri ka ardhur koha të shpreh mendimin tim edhe mbi përgatitjen e tyre shkencore, e cila mua më duket se riparaqet të gjitha cilësitë e tyre si njerëz, por që me këtë rast ia lë edhe lexuesit t’i gjykojë e vlerësojë.

Tirana. Qyteti i Munguar që në titull thekson një mungesë dhe, nëpërmjet dhënies së planeve dhe projekteve urbane – të realizuara e të parealizuara -, autorët na thonë se ky tekst krijon objektin e përmbushjes së dëshirave: qytetin e munguar. Pra plotëson në një farë mënyre mungesën, të cilën autorët e shohin si mungesë objektive. Dhe për të përforcuar idenë që shkruesit jo vetëm që nuk janë vetëndërgjegjësuar si subjekte mungues, por janë subjekte pre e së dëshirës së tyre pulsionale, pohojnë:

Qyteti i munguar në kuptimin e këtij materiali nuk nënkupton një qasje nostalgjike, por përkundrazi, një forcë shtytëse drejt objektivit të qytetit të dëshiruar, qytetit të mendjes, qytetit “ideal”. (fq.8).

Në një prej shkrimve të para botuar në këtë blog, në korrik të 2013, Praktika skizogjene dhe proksemika e hapësirës: Blloku i Tiranës, vija theksin mbi rëndësinë e vetëndërgjegjësimit tonë jo vetëm si studiues, artistë, por edhe si qytetarë shqiptarë, si “subjekte mungues”, si subjekte në zhdukje e sipër. Vija theksin mbi këtë pashmangshmëri vetëndërgjegjësimi prej gjithëkujt për të vështruar e më tej lexuar e interpretuar një hapësirë të çfarëdoshme, por në rastin në fjalë, mbi të gjitha, urbane. Pra, për mendimin tim, hapësira shqiptare – për të dalë nga bërlloku/Blloku paradigmatik ku kemi ngecur – duhet lexuar, prej çdo individi dhe mbi të gjithë studiuesi, jo si rezultat përshfaqës i një dëshire të një subjekti, si një dëshirë që do të plotësojë një mungesë a zbrazëti paraekzistuese të subjektit (studiues apo qytetar i thjeshtë qoftë). Në pak fjalë për të lexuar, interpretuar e përshfaqur korrektësisht hapësirën (cilado qoftë ajo: urbane, artistike, filozofike, etj.) duhet pranuar dhe vetëndërgjegjësuar lexuesi dhe interpretuesi si subjekt, si i nënshtruar, si një qenie që i është prerë kordoni kërthizor një herë e përgjithmonë dhe që nuk ka më nevojë të riparojë asgjë dhe askënd (pra, as veten) nëpërmjet përshfaqjes së objektivitetit dhe gjetjes së objekteve (p.sh. gjetja e Tiranës së Munguar) për të mbërritur një stad të supozuar idilik apo parajsor, ku kordoni kërthizor i rilidhur do të mbante bashkë çdo nënë e çdo fëmijë e të gjithë sëbashku, me Evën dhe Adamin, do të ishim të lidhur me Zotin/Universin, të përplotësuar. Kështu pra, për mendimin tim nuk ka kurrëkush nevojë të gjejë qytetin e munguar, sepse qyteti, përtej çdo pompoziteti të tejfryrë metaforik, është aty, i populluar prej qytetarëve të vet dhe pavarësisht përputhshmërisë me dëshirat e tyre.

Në këtë mënyrë, me këtë pranim e vetëndërgjegjësim, nuk do të udhëhiqeshim nga dëshira që, nëpërmjet gjetjes së një objekti, do të riparonte prerjen, do të mbushte zbrazëtinë e subjektit, sepse është pikërisht tek kjo qasje dhe vështrimet që rezultojnë prej saj që fillon spiralja e pafundme e riprodhimit e konsumimit të imazheve, objekteve, mallrave për të mbushur një zbrazëti; në pak fjalë, pikërisht këtu fillon dhe spiralja e varësia ndaj pushtetit, varësia ndaj riprodhuesit dhe kodifikuesit të çdo imazhi, objekti, malli.

Ndokujt do i duket sikur u largova shumë nga tema, por nuk është aspak kështu. Në fakt, po flas për trajtimin që i kanë bërë autorët këtij libri sikur të donin të thoshin që qyteti i Tiranës nuk është fryt i subjekteve arkitektë, planifikues, inxhenierë, por fryt i një politike aspak largpamëse; a thua se ka njeri që vë në dyshim këtë fakt, a thua se po të ishte në dorë të arkitektëve, planifikuesve apo inxhenierëve do të kishin Tiranën e vërtetë dhe jo Tiranën e munguar.

Duket, dhe duhet theksuar “duket”, se autorët nuk e kanë lexuar shkrimin tim të sipërpërmendur, ku theksohej nëpërmjet citimit të Lacan-it rreziku i leximit të hapësirës sipas vështrimit të një subjekti që ndjek dëshirën për një objekt, qasje që, duke u përgjithësuar aq shumë, në qerthujt studimorë e kulturorë shqiptarë, për mendimin tim, ka shkaktuar një automatizëm pothuajse identik me atë të përvetësuar prej reflekseve të kushtëzuara të qenve në eksperimentet e Pavlov-it.

Kështu pra, paçka gradave shkencore, autorët – pronarë universitetesh dhe drejtorë institucionesh publike – flasin, si pa të keq, për “shtysë drejt objektivit të qytetit të dëshiruar”.

Natyrisht, përsa po pohoj, duket sikur po flas prej një pozicioni të supozuar epëror, sikur po shes mend për të evidentuar a priori superioritetin tim intelektual apo teoriko-kërkimor. Por nuk besoj se është kështu. Personalisht kam bindjen se të gjithë, batakçinj a lekistë qofshin (siç janë rëndom pronarët e universiteteve), apo edhe studiues të apasionuar, kanë një qëllim të përbashkët: duan të arrijnë një të vërtetë apo vërtetësi karshi syve të lexuesve. Por të duash një vertetësi dhe të duash të vërtetën janë gjëra krejt të ndryshme. Personalisht preferoj vërtetësinë karshi të vërtetës, preferoj, ndryshe nga autorët e Tiranës. Qytet i Munguar, të jap si subjekt, për të treguar se kush jam e nga ç’katedër “predikoj”, elementet prej nga predikoj dhe jo të jap elemente predikuese për t’u subjektifikuar. Për të parë se çdo të thotë realisht të vështrosh prej kësaj qasjes së autorëve të Tiranës. Qyteti i Munguar, pra të lexosh e interpretosh si subjekt i udhëhequr nga dëshira drejt një objekti të munguar dhe, mbi të gjitha, ç’analfabetizëm teorik është, po citoj Umberto Galimbert-in:

Ka vështrime dashurie dhe vështrime të dëshirës. Dashuria është varfëri, mungesë. Është pritja që trupi tjetër të përshkojë një hapësirë dhe, duke mbushur një zbrazëti, të takohet. Në takim nuk ka shfrytëzim, por vetëm pranim […]; gjestet nuk kapin, por prekin; vështrimet nuk zotërojnë, por pranojnë […]. Përkundrazi, dëshira nuk njeh takime, nuk zvogëlon subjektivitetin e vet për të krijuar atë hapësirë të nevojshme për shfaqjen e subjektivitetit të tjetrit. Në vështrimin e saj nuk ka shenja pritjeje, por epsh të padurueshëm për të parë tek tjetri vetëm vetveten, prandaj nëse zhvesh një trup është vetëm për të përvetësuar mishin e për t’i marrë, me veshjet, çdo gjurmë të subjektivitetit, të cilin vështrimi i dëshirës, ndryshe nga vështrimi i dashurisë nuk di të përballojë.
[Il Corpo, Feltrinelli, Milano, 1983, fq. 105]

Ç’do të thotë kjo dhe çfarë lidhje ka me librin e tre autorëve? Për mendimin tim Tirana Qyteti i Munguar është një tekst që tregon se autorët lexojnë, interpretojnë dhe përshfaqin objektin e dëshirave të tyre – Tiranën e Munguar – si subjektivitete që nuk kanë pranuar të qenurit e tyre subjekte, të nënshtruar, dhe për t’u subjektifikuar, për t’i dhënë vetes autoritet, nuk “krijojnë hapësirë” (“Hapësirë për mendim” është sllogani ironik i Universitetit “Polis”). Në këtë mënyrë ata nuk arrijnë të lexojnë, interpretojnë dhe përshfaqin një subjektivitet apo subjektivitete të tjera, siç janë autorët e planeve dhe projekteve, të realizuara apo të parealizuara, por përshfaqin tek tjetri (tek ata autorë planesh e projektesh, të realizuara apo të parealizuara në kohë në Tiranë) vetveten; zhveshin një trup apo trupa, vetëm për të përvetësuar mishin, dhe për të marrë, me veshjen, çdo gjurmë subjektiviteti.

Këtë e bëjnë duke i dhënë një ton unifikues të gjithë librit, që është ai i të vështruarit prej qasjes së ekspertëve, si subjekte të njëtrajtshme, si qasje prej një statusi unifikues: Planifikuesi Urban, apo Arkitekti, apo Inxhenjeri, që kanë dallime midis njëri tjetrit, por vetëm në nivele objektive, në të dhëna faktike, në produkte, siç mund të jenë rezultatet e ndryshme që mund të shihen tek planet dhe projektet e dhëna urbane. Pra ajo që po pohoj është se autorët nuk vënë në diskutim statusin e subjektit apo subjekteve që kanë operuar në hapësirën urbane të Tiranës: ç’do të thotë të jesh planifikues urban, arkitekt, inxhenjer në 1920, 1940, 1950, 1990? Ata marrin si të mirëqenë që po flasin të njëjtën gjuhë, me disa ndryshime në fjalë/fjalor, por që në thelb trajtojnë të njëjtat koncepte dhe vizione të imagjinatës me ta. Por a është vërtetë kështu? Mos vallë kjo qasje uniforme ka të bëjë me sheshimin dhe njëtrajtësimin që i duhet një subjekti që ndjek pulsionet e dëshirës për të zhdukur gjurmët e ndryshme të të mëparshmëve, për t’i shndërruar në një gjuhë të përbashkët dhe, duke bërë kështu, për t’u subjektifikuar vetë në të njëjtën hapësirë si i deleguari apo të deleguarit trashendental të të keqkuptuarve gjenial të të gjitha kohërave në Tiranë? Mos vallë autorët, duke dhënë Tiranën reale dhe Tiranën e imagjinuar duan të thonë se janë ata që nëpërmjet qasjes së tyre vështrojnë, lexojnë, interpretojnë dhe mund të përshfaqin diçka më tepër: qytetin e munguar, parajsën, edenin e humbur?

Në shkrimin tim të 2013 evidentoja si simptomë kompleksin e inferioritetit që përgjithësisht subjektet autoktone kanë karshi çdo gjëje të huaj, që vjen nga jashtë, dhe çdo gjëje të pushtetit autoritar, që vjen nga lart; kompleks tërësisht i induktuar historikisht prej pushteteve që kanë bërë ligjin në Shqipëri, në këtë kontekst periferik perandorak thuajse të përhershëm. Nga kjo pikëpamje edhe autorët e Tiranës së Munguar përcjellin përpikmërisht të njëjtën simptomë duke filluar që nga përzgjedhja si planifikues “të parë” të Tiranës evropiane, arkitektin fashist, Armando Brasini:

Ideja e tij qëndronte në ravijëzimin e një aksi qendror dhe krijimin e një grupi ndërtesash monumentale, të cilat jo vetëm sillnin për herë të parë një gjurmë krejtësisht të ndryshme evropiane në strukturën orientale të Tiranës, por njëkohësisht ishin edhe shenjat për fillimin e një mënyre të re jetese. (fq. 18)

Pra, tek përzgjedhja e Atit të planifikimit urban shqiptar, paçka se fashist, tek autorët e Tiranës së Munguar duket qartë e njëjta simptomë e kompleksit të inferioritetit, ajo e të tredhurit mikro-borgjez, të cilit, duke supozuar se njeh e flet gjuhën e Atit, nuk i duket më vetja provincial, madje sheh edhe Shqipërinë si një kontekst të përbuzshëm oriental. Pra kompleksi i inferioritetit e bën të shohë Shqipërinë si aliene ndaj “krejtësisht të ndryshmes” evropiane, a thua se jemi apo kemi qenë ndonjëherë gjeografikisht në Polinezi. Dhe për këtë paçavure autorët nuk japin asnjë shpjegim (p.sh. çfarë qe orientale në strukturën urbane të Tiranës?).

Më tej autorët flasin edhe për aksin e bulevardit si çerniera lidhëse e qytetit me kulturë orientale dhe perëndimore. Natyrisht pa cituar askënd dhe asgjë, a thua se është miell i thesit të tyre. Duke mos u mjaftuar me kaq kemi edhe një “reflektim” mbi “Aksi[n] si interpretim i tipareve topografike dhe si manifestim i fuqisë politike” (që supozoj, kjo e fundit, fuqia, të jetë një lapsus për pushtetin politik) fryt i një përmbledhjeje të dy teksteve më të hershme të Sotir Dhamos.

Më shumë sesa një përmbledhje e dy teksteve të mëparshme, “reflektimi” i Dhamos duket si një përpjekje për të thënë që “mbi këto argumenta kam kohë që merrem”, praktikisht, siç thoshte Galimberti për subjektet e dëshirës, nuk lë hapësirë për përshfaqjen e subjektivitetit tjetër (autorëve të aksit, apo atyre që me aksin janë marrë), pra, as më pak e as më shumë duket si një përpjekje që bën një chihuahua histerike për të përshenjuar, duke përmjerë, një hapësirë që supozon të vetën.

Autori i reflektimit flet për “hyjnore”, për “eden” si bazë metaforiko-simbolike të themelimit të Tiranës, por pa thënë se ku i bazon, në cilat dokumente (ndoshta ngaqë ka lexuar përciptazi konceptin e “genius loci” të Norberg-Schulz-it që më vonë citon e që i duket se i shkon përshtat e rrjedhimisht ia kopsit sipërfaqësisht Tiranës). Po ashtu duke përcjellë si të vetën një plagjaturë që sheh “eden” edhe në konceptimin e banesës tiranase (me sa kujtoj, fryt i studiuesve të punësuar në Universitetin Polis), autori pohon, njësoj si injorantët e website-it të Bashkisë së Tiranës, si të mirëqenë themelimin e Tiranës në shekullin e XVII, paçka se Tirana ka rrënoja dokumentare/monumentale arkitekturore e urbane shumë më të lashta. Për të përmendur vetëm dy citoj: Kalanë e Tiranës dhe vilën antike midis rrugës së Durrësit dhe rrugës së Kavajës. Pas kësaj lind pyetja: kur një subjekt teoricien-historian nuk arrin të lexojë gjurmët objektive të një qyteti, është e drejtë, frytdhënëse dhe qartësuese të bëhen kërkime, supozime apo edhe të hidhen dyshime mbi ekzistencën objektive të qytetit apo mbi ekzistencën subjektive të teoricienit-historianit?

Por përpara se t’i përgjigjemi kësaj pyetje është mirë të vazhdojmë më tej.

Autori Dhamo thotë se Brasini “lexoi paralelin e ekzistencës së qytetit që ishte Mali i Dajtit” si një lloj “axis mundi” mbi të cilin themeloi aksin e bulevardit, që për Dhamon është një “interpretim i tipareve topografike lokale”. Direkt në fjalinë pasardhëse Dhamo shprehet kështu: “Bulevardi pa qytet i ngjasonte një aeroporti absurd pasi në mungesë të referencave anësore (ndërtesave) dialogonte vetëm me qiellin”. Pra, i detyruar prej evidencave të shprehë e konfirmojë bulevardin pa qytet – siç ka hyrë Tirana në historinë e planifikimit urban shqiptar, jo pa një tonalitet inferioriteti eurocentrik që nuk e percepton Tiranën si qytet të vërtetë –  Dhamo duket se demonstron ç’do të thotë të jesh subjekt në pre të dëshirës: thjeshtë kontradiktë e pastër psikotike e induktuar prej kompleksit të inferioritetit. Kështu lindin sërish pyetje, qyteti kishte në Malin e Dajtit një axis mundi paraprak, apo është bulevardi absurd i Brasini-t që e vendos këtë aks dialogues vetëm me qiellin? Bulevardi i Brasini-t interpretonte tiparet topografike lokale apo ishte një aeroport absurd? Pyetje të cilave vetëm hulumtuesit e përroit psikik të autorit mund t’u japin përgjigje.

Dhamo këmbëngul duke theksuar se “[e]dhe pse në fillesat e tij ishte jashtë shkalle, më vonë [bulevardi monumental] do të shndërrohej në aksin gjenerator kryesor të Tiranës”, ai filloi të “gjenero[jë] energji edhe sepse përfaqësonte pikëprerjen midis qytetit të përditshmërisë dhe atij të mundësive të reja, midis reales dhe ideales, midis kaosit dhe rregullit” (fq. 20). Pra kompleksi i inferioritetit të subjektit (historianit, teoricienit Dhamo në këtë rast), që nuk do të pranojë tredhjen prej pushtetit fashist, të cilin përkundrazi e njeh si At, mundohet ta përmbushë tredhjen objektivisht, duke lexuar, me kapërcime historiko-teorike pindarike, bulevardin, që krijon një zbrazëti dhe fshirje të dhunshme – “shemb[jen] e një pjese të qytetit ekzistues në segmentin verior të tij si dhe një pjesë të Pazarit të vjetër (fq. 18), siç e thonë vetë autorët -, si një gjenerator energjish “të pashteruara si nga pikëpamja e hapësirës fizike, ashtu edhe e vlerave në raport me qytetin e qytetarët”. Kështu pra, për teoricienin e tredhur, të bërë palë tashmë me pushtetin fashist, turravrapi pas pulsionit dëshiror duhet të vazhdojë i pashtershëm, ad libitum.