Shqipëria “moderne” si simptomë. (Romeo Kodra)

Me shkatërrimin e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” Edi Rama dhe qeveria e tij fshiu me një “penelatë të guximshme” (bold stroke siç i pëlqejnë t’i quaj ai) një “monument kulture” të shpallur si të tillë prej atij vetë. Ky është rasti më ekzemplar me të cilin shpjegohet keqkuptimi shqiptar i modernes, i artit, planifikimit urban, arkitekturës. Shpjegohet me këtë rast tradhëtia e nevojës sonë mbarëpopullore për modernizim. Tradhëti e një pushteti që, për estetizim të politikave të veta, e përdor këtë modernizim për dukje, e cila në të njëjtën kohë është edhe zhdukje graduale e traditës, e kulturës, e vetvetes.

Por le t’i kthehemi Stadiumit. U ngritën në protestë për të, sipas pritshmërisë, të Djathtët e politikës që deri dje donin të shembnin “Piramidën”; u ngritën dhe organizuan “forume” (forum/vrimë … në ujë) “profesorë të shquar” universitetesh private, deri dje klientë të së Djathtës, që promovonin aktivitete për shembjen e “Piramidës” me një aplomb prej asketësh; u ngritën “profesorë të shquar” apo dinosaurë universitetesh shtetërore që zbrazëtinë e profilit të tyre profesional e mbushin me gjithollogji nëpër “statuse fejsbukjane”; u ngritën “arkitektë të pavarur” që nuk patën turp të shembnin 50 metra larg Stadiumit vila të epokës së para-luftës së II Botërore për të futur ndonjë lek në xhep; u ngritën, por pa e çuar plotësisht menderen prej kolltukut, edhe “ekspertë-arkitektë” të së Majtës shqiptare made in Italy të veshur me “gusto”, natyrisht pa hapur gojën sepse të mumifikuar prej frikës së humbjes së rrogës; madje-madje u ngrit edhe një gjysëm i vdekur nga ALUIZNI për të kërkuar “NDJESË … nga fejsbuku” si të ishte duke siguruar në grahmën e fundit të jetës pendimin përpara takimit me Shën Pjetrin, por që më shumë nuk nxorri nga dora/goja sepse e mbuloi diarrea deri te veshët.

Por cila është sinteza e gjithë kësaj situate? Asgjë e re, përveç arbitraritetit të pushtetit, i cili bën sipas qejfit. Varet se si i del gjumi në mëngjes, se çfarë oreksesh ka: përfitim nga betonizimi apo estetizim të politikës? Konkluzioni është: “Rama i di të gjitha”! Ai është i pari për ndjeshmëri artistiko-kulturore, dhe futja e Stadiumit në paketën e “monumenteve të kulturës të mbrojtur nga Shteti” e tregon këtë. Po ashtu Ai është i pari edhe për të bërë profite kafshërore me ndërtime abuzive, dhe pa pikë ndjeshmërie artistiko-kulturore, duke ia kaluar edhe idiotëve të së Djathtës dhe zvarranikëve që asaj i lëpihen, siç është pikërisht rasti i Stadiumit. E thjeshtë, edhe një herë: Ai është “NJISHI”; Ai është një “kokëderr” që ngref hormonet apo testosteronin e tredhur të meno/andropauzës socialiste me emrin Pandeli Majko dhe të gjithë faunës intelektualistike dhe dritëshkurtër të së Majtës shqiptare.

Çudia më e madhe – dhe kjo është një çudi retorike, duke parë gjendjen copë-copë të intelektualëve dhe institucioneve arsimore shqiptare – është që askush nuk vë re ripërsëritjen e së njëjtës histori sa barbare aq edhe bajate. Pushteti, duke filluar që nga fashistët dhe Mussolini në vitet ’20 të shekullit të kaluar, duke vazhduar me Enver Hoxhën e deri tek Edi Rama, ka shfrytëzuar njohurinë e tij TË SUPOZUAR mbi çështjet e artit dhe kulturës dhe si rrjedhojë të modernizimit. Ky supozim, që shqiptarët ia kanë dhënë si të mirëqenë, vjen thjeshtë nga pozicioni superior që pushteti vertikal ka. Ky pushtet historikisht i dhunshëm, që ka nënshtruar/subjektifikuar historikisht shqiptarët si vasalë, për të optimizuar qëllimin e tij në vetvete, pra Pushtetin dhe asgjë përtej tij, ka bërë po aq historikisht levë në dy ide bazike, të cilat duket se shqiptarët i kanë introjektuar, brendësuar, trupëzuar si reflekse të kushtëzuara pavloviane.

E para është leva tek ideja populiste e mbrojtjes së “traditës dhe identitetit”, të nënkuptuara në aspektin e tyre më përgjithësues, sipërfaqësor apo edhe banal, për të mbledhur rreth vetes konsensusin e turmës. E dyta, që vjen si rrjedhojë e së parës, është leva tek injoranca karakterizuese e turmës populiste, pra jo vetëm e shqiptarëve, dhe ndjenja e saj e inferioritetit karshi konceptit të Modernes dhe Modernizimit të kontekstit të saj social, politik, artistik dhe kulturor, të parë, të gjithë këto, në një sfond historik. Dhe si çdo turmë, që sheh kreun e kopesë që udhëheq, edhe turma populiste shqiptare ndjek dhe beson në konceptin e modernes dhe modernizimit ashtu si ia paraqet e para prej deleve, “dashi që prin kopenë”.

Por kush do të duhej ta jepte në Shqipëri këtë sfond historik sa të thjeshtë aq edhe bajat të shoqërisë, politikës, artit të arkitekturës, urbanistikës dhe në përgjithësi kulturës shqiptare? Vetë pushteti politik? Ky i fundit, qoftë i së Djathtës apo së Majtës, sikur ta bënte këtë gjë do të kryente një naivitet makiavelik. Do të zbulonte Princin lakuriq.

Por, në mos të parët, kush tjetër? Mos vallë do të duhej ta jepnin “profesorët” e vetëdekoruar të universiteteve tona private dhe publike? Sikur të ishte kështu – sikur të mos ishin dele të turmës ata vetë, pra nëse do u njihnim si të mirëqenë një lloj inteligjence, për të cilën maksimalisht dyshoj – ata do të vetëdenonconin fabrikat e diplomave që kanë nën zotërim, sepse administrata e pushtetit – majtas dhe djathtas – është e mbushur me studentët e tyre injorantë, që nuk kanë patur mundësi të lexojnë qoftë edhe një libër historie në gjuhën amtare, përveç paçavureve të vetë profesorëve. Pra, nga kjo pikëpamje, “Nuk ka shanse!!!”, sepse janë po këta “profesorë” që ushqejnë makinerinë e prostituimit të hapësirave publike, arkitekturës, planifikimit urban, kulturës, artit me figurina të reja boshe për plotësimin e fasadës së albumit familjar të shoqërisë sonë neo-liberale.

Natyrisht as mund të pritet që ta jepnin këtë sfond historik arkitektët e pavarur apo ekspertët e administratës. Të parët – pas lekut – ashtu si të dytët – pas kolltukut – janë mëse të varur. Madje janë aq të varur sa janë kthyer në kufoma lavjerëse në arkitrarët e administratës publike, që kutërbojnë dhe qelbin ditë pas dite ajrin e qyteteve dhe shoqërisë sonë.

Por, nga ana tjetër, sfondin historik të shoqërisë, politikës, arkitekturës, planifikimit urban artit dhe kulturës, për fat, shqiptarët mund ta shohin edhe vetë, sepse ky sfond historik na jepet i lexueshëm qoftë edhe sikur të kufizohemi në leximin e historisë sonë 100 vjeçare si Shtet. Pra, nuk duhet kushedi se ç’sforcim i madh për të kuptuar. Mjafton një ngadalësim i histerisë apo skizofrenisë së përditshme pas së cilës jemi kapur; mjafton të dalim nga refleksi pavlovian i “identitetit pellazgjik” me të cilin masturbojmë herë pas here dhe “modernizimit perëndimor” përkundrejt të cilit na pëlqen të vetëtridhemi.

Pikësëpari le të fillojmë me “modernizimin që na sollën italianët”, siç shpesh dëgjohet ende sot e kësaj dite. Sipas Bruno Zevi-t, një nga arkitektët dhe urbanistët, si dhe teoricienët e këtyre dy fushave, arkitektura fashiste (racionalizmi italian) ishte “dëshirë për të mediuar menjëherë postulatin [supozimin apo kërkesën] modern pa referenca të qarta me traditën; ambiguitet kuptimesh për të mos irrituar kërrkënd dhe për të krijuar konfidencë me ‘klasiken’, ‘rregullin’, ‘logjikën’, ‘të qartën’; shkurt kotësi përkundrejt revolucionit arkitekturor të dëshiruar”. Pra, të gjithë panegjirizmat e prodhuara në Shqipërinë e 25 viteve të fundit, sipas Zevi-t, na dilkan keqkuptime të keqkuptimeve të fashistëve përkundrejt “postulatit të modernes”. Shqiptarët na paskëshin parë tek Italia e Mussolinit një model modernizimi në vetvete të keqkuptuar. Por kjo nuk i mjafton “kokave të mëdha të arkitekturës shqiptare” që madje shohin si “heronj” fashistë pushtues:

“Mussolini do t’i shpalonte Europës mosbesuese se vullneti për pushtet i shoqëruar nga vetëdija historike për rolin qytetërues të gens romanorum, mund ta ngrinte Shqipërinë e Varfër nga ligatinat e provincës osmane, dhe më të humbur të kontinentit, në majat e zhvillimit modern të kohës. Ai besonte në një ëndërr të tillë, dhe kish bërë të besonin kështu shumë njerëz në Itali. Kish me vete ky njeri edhe besimin e një brezi artistësh-heronj të artit bashkëkohor, të cilët – dorësëpari arkitektë – shihnin tek diktatura mjetin më efikas për radikalizimin e qyteteve dhe realizimin e ëndrrës së futuristëve për t’i dhënë “çdo brezi qytetin e vet”.” – Artan Shkreli

Natyrisht “kokat e arkitekturës shqiptare” nuk flasin për përfitimet financiare që sollën këto perla të fashizmit (jo vetën në arkitekturë e urbanistikë), e as për keqkuptimin që lanë pas në botëkuptimin dhe konceptimin e “modernes” dhe “modernizimit”.

Duhet shtuar që “modernizimi fashist” kishte, përveç përfitimit financiar, estetizimit të politikës, edhe një karakteristikë tjetër: shkatërrimin demonstrativ. Këtë karakteristikë e kam trajtuar edhe në shkrime të tjera të këtij blogu dhe ka të bëjë me “aksin zinxhir të Bulevardit”, i cili prishi vetëm pjesërisht një pjesë të Tiranës së atëhershme sepse duhej të demonstronte, në mënyrë evidente dhe faktike, në sytë e provincialëve shqiptare, pakrahasueshmërinë e arkitekturës moderne fashiste me atë tradicionale shqiptare. Pra Bulevardi u ndërtua posaçërisht për të ndarë Tiranën e vjetër(nga njëra anë) dhe Tiranën e Re (nga tjetra), modernen dhe tradicionalen, të cilat sintetizoheshin tek figura e pushtetit, që, pas kësaj, i linte vetes të shkatërronte dhe ndërtonte sipas dëshirës.

Dhe ja ku qartësohen gjërat për shqiptarët e sotëm, pikërisht tek kjo dukuri e pushtetit, e subjektit totalitar, që bën e zhbën sipas dëshirës. Kjo dukuri shihet tek Enver Hoxha, nga njëra anë mbrojtës i flaktë i shqiptarisë dhe traditës, dhe nga tjetra fshirësi i Tiranës së vjetër (Pazari, xhamitë, etj.). Dhe natyrisht shihet edhe tek Edi Rama, nga njëra anë emërtuesi “monument kulture” i Stadiumit, dhe nga tjetra shkatërrues i tij. [Periudhën Berisha/Nano/Berisha i lë jashtë momentalisht për çështje kohe.]

Në mbyllje kujtoj edhe një herë se modernizimi shqiptar i Shqipërisë nuk mund të kryhet pa u lexuar dhe kuptuar historia jonë në një sfond historik më të gjerë të vetë shoqërisë, politikës, arkitekturës, planifikimit urban, artit dhe kulturës. Vetëm nëpërmjet këtij dystimi të historisë sonë në këto plane të ndryshme historike mund të deshifrojmë dhe sintonizohemi me kulturën europiane, në të cilën, për tani, vetëm gjeografikisht jemi pjesë. Vetëm nëpërmjet këtij dystimi mund të kuptojmë subjektin totalitar dhe të përballemi me të, duke i vënë fre dhe duke mos u filtruar e subjektifikuar prej tij:

“E kam thënë: është me ndërthurje që bëhet subjekti, por teksa ndahen dy kohë të ndryshme. Është e nevojshme pra që të ketë asgjesim.” – Lituraterre – J. Lacan.

“[A]sgjë komunikon mbi veten më pak sesa një subjekt i tillë që në fund nuk fsheh asgjë. Nuk i duhet të bëj tjetër veçse t’ju manipulojë: ju jeni një element midis të tjerësh pjestarë të ceremonialit në të cilin subjekti kompozohet pikërisht për të mundësuar shkompozimin.” – Po aty.