MIGJENI … Thesaret (Pjesa III). Romeo Kodra.

"Malli Rinuer" doreshkrim Migjeni

“Malli Rinuer” doreshkrim Migjeni

Si sintetizohen produktet artistike migjeniane? Si arrin autori i “vargjeve tё lira” tё sintetizojё energjitё e tij tё cilat ende sot, 13 tetor 2014, 103 vjet pas lindjes, çlirojnё sёrisht impulse qё godasin ndjesi tё fjetura tё shqiptarёve bashkёkohorё?

Pёrgjigjet mund tё jenё tё shumta. Qasjet plurale pёrkundrejt kёtyre pyetjeve mundet gjithashtu tё shumёfishojnё pёrgjigjet. Atyre qё (si autorit tё kёtyre rreshtave) u intereson teatri – fjala si tingull dhe jo vetёm si pёrmbajtje – e kanё tё pamundur tё eksplorojnё shkrirjet dhe plazmimet emocionale nё vartёn migjeniane nёse nuk dёgjojnё tingujt e autorit shkodran, elementet bazike tё alkimisё sё tij poetike.

Pёrveç tingujve fizikё konkret, tingujve tё njё diksioni korrekt, siç mёsohet nё propedeutikёn aktoriale tё çdo shkolle normale pёr teatrantё, mua mё interesojnё tingujt migjenianё tё infektuar, tingujt e asaj “poezie tuberkolare” siç e quante Arshi Pipa. Mё interesojnё gjithashtu tingujt e njё shkodrani a-tipik, tё rritur nёn zgjedhёn e pazgjedhur tё njё gjuhe amёsore si serbishtja qё ndёrpritet pёr t’u artikuluar sipas zgjedhjes sё autorit nё njё shqipe aspak tё sigurtё (ёshtё domethёnёse braktisja e tё sigurtёs pёr tё pasigurtёn tek Migjeni).

Duke qenё se regjistrime audio tё autorit nuk kam dёgjuar tё ketё, mua dhe tё interesuarve tё kёtij lloj proçedimi tё veçantё teatror, nuk na mbetet veçse tё pёrqёndrohemi tek teksti migjenian.

Por, pёr fat tё keq, kёtu kam hasur disa probleme aspak indiferente tё cilat vёshtirёsojnё deri nё ekstrem, nё mos pamundёsi, qasjen nё fjalё. Kjo vёshtirёsi konsiston nё modifikimin qё u ёshtё bёrё “Vargjeve tё lira” nga botuesit.

Nuk dua tё di arsyet pёr tё cilat janё modifikuar vargjet e poetit (personalisht çdo lloj ndёrhyrje do tё mё dukej blasfemi e pastёr), por shoh si jetike pёr tё mos humbur thesaret migjeniane qё tё ribotohet edhe njё herё vepra e tij e plotё, domosdoshmёrisht me dorёshkrimet e mbetura. Dhe do tё sugjeroja qё ky botim tё kurohej nga njё ekip filologёsh dhe ekspertёsh tё letrave shqipe nёn kujdesin e Ministrisё sё Kulturёs, sepse kemi tё bёjmё me njё pasuri kombёtare qё po humbet pa u vёnё re prej askujt.

Po marr vetёm njё shembull pёr tё treguar se pёr çfarё humbje po flas.

Gjatё kёrkimeve tё mia, po shfletoja njё botim tё “Vargjeve tё lira” tё 1944. Ky botim ёshtё i pari i botuar prej sё motrёs Olgёs, pasiqё botimi i 1936 – kur poeti kishte qenё ende nё jetё – qe censuruar nga organet e qeverisё zogiste. Midis kёtij botimi dhe atij tё 2010, tё botuar nga mbesa e Migjenit znj. Angjelina Ceka sipas redaktimit tё nderuarit Skёnder Luarasi, ka shumё ndryshime qё i pёrkasin shenjave tё pikёsimit, thekseve, korrigjimeve ortografike, korrigjimeve gramatikore. Ideja ime ёshtё qё kёto korrigjime janё bёrё pёr shkak tё disa paragjykimeve dhe kompetencёs sё mangёt mbi teoritё dhe teknikat e mjeshtёrisё poetike. Po mundohem tё shpjegohem disi mё shumё.

Gjatё jetёs njihen komplekset e Migjenit pёrkarshi gjuhёs, pёr shkak tё pёrdorimit tё shqipes nё mёnyrё jo-korrekte, por qё asnjёherё nuk e kufizuan tё mos botonte shkrimet e tij (shih disa dёshmi mbi kёtё nё librin “Pёr Migjenin” tё Nasho Jorgaqit). Kjo do tё thotё qё poeti, edhe pse i dinte mangёsitё e tij, konsideronte pёrsёpaku si dytёsore ose absolutisht tё anashkalueshme kёto mangёsi. Kjo pёr mendimin tim ka lidhje me zgjedhjen personale tё poetit pёr tё artikuluar krijimtarinё e tij poetike nё shqip, njё gjuhё jo-amёsore, jo-prindёrore, jo-trashendentale, njё gjuhё qё zgjidhet prej poetit.

Nё fakt, po tё mendojmё – me Lakanin – qё gjuha na flet mё tepёr se ç’e flasim, dhe po tё mendojmё nga ana tjetёr qё krijimtaria poetike ёshtё njё luftё me gjuhёn dhe nё gjuhё, njё distilim i presioneve dhe tensioneve mendore, atёherё do tё shohim qё shqipja e Migjenit ёshtё njё gjuhё e marrё si njё instrument shprehёs qё i lejon poetit tё luaj nё njё fushё dy herё tё huaj, por nё tё njёjtёn kohё edhe tё zgjedhur prej tij. Akti i rezistencёs sё tij, qё konsiston nё kompozimin poetik, shihet qartazi qё ёshtё mё ekstrem se sa ç’mund tё mendohet. Atёherё besoj se ёshtё mёse e qartё pёr tё gjithё qё nuk kemi tё bёjmё me njё poet qё ka nevojё pёr normalizim apo rehabilitim, aq mё pak gjuhёsor. Migjeni dёshiron tё jetё jo-perfekt, i pakryer, i papёrfunduar sepse vetёm me kёtё paperfektёsi mund tё transmetojё nё mёnyrё koherente dhe etike dёshirёn e tij tё jo-perfektёsisё sё pranuar, tё transmetojё subjektet e tij tё gjymtuara nga jeta, tё transmetojё ekzistencёn e tij tё mangёt dhe tё infektuar me tё cilёn mund tё luftojё kёtё luftё tё pashpresё qё ёshtё ekzistenca njerёzore nё tёrёsinё e saj.

Do tё doja tё evidentoja faktin qё normalizimi dhe rehabilitimi gjuhёsor i Migjenit i ka rrёnjёt tek censura autoritare qё nё periudhёn e monarkisё zogiste. Kujtoj gjithashtu me kёtё rast qё Migjeni pikёrisht pёr shkak tё gjuhёs, nё epokёn e tij, perceptohej si njё poet i rangut tё dytё; Migjeni s’kish tё krahasuar me Fishtёn p.sh., njё prej etёrve jo vetёm tё gjuhёs, por edhe tё vargut shqipfolёs. Por Migjeni kishte diçka tjetёr, kishte forcёn e kurajos ekstreme nё pёrzgjedhjen e subjekteve tё trajtuara, kishte forcёn e kapёrcimeve poetike qё pёrfshijnё tokё e qiell bashkё duke i plazmuar nё njё tё vetme, kishte forcёn e shembjes sё idhujve, idhujve autoritarё dhe pa autoritet tё censurёs pёr tё vёnё kёshtu nё diskutim ekzistencёn humane, ashtu siç di tё bёjё vetёm njё poet i denjё pёr t’u quajtur i tillё.
Migjeni p.sh. kish kuptuar qё autoritarizmave tё Zogut u kishte ardhur fundi, madje e shihte si pjesё e “idhujve pa krena” pёrpara se tё merrte arratinё i pёrndjekur nga Musolini me tё cilin kishte bashkёpunuar dhe shitur Shqipёrinё pёr dekada. Migjeni sheh pa krena çdo lloj autoritarizmi.

Kjo nuk u kuptua (s’kish si ta kuptonte mospajtimin migjenian ndaj çdo lloj autoritarizmi regjimi diktatorial dhe autoritar enverist), dhe nuk kuptohet ende mesa duket (s’ka si ta kuptojё regjimi i qoftexhinjёve, batakçinjёve dhe dallaverexhinjёve qё kanё zaptuar ministritё, universitetet dhe çdo institucion publik tё cilёve kurimi i thesareve migjeniane u takon). Censura autoritare – falё pushtetit enverist – vazhdoi mbi Migjenin, edhe pas Luftёs sё II Botёrore. Censura autoritare – falё pushtetit diktatorial tё injorancёs bashkёkohore – vazhdon edhe pas 100 vjetёsh.

Por duhet thёnё qё Migjeni – pёr fat tё keq edhe ai – ka gabuar nё parashikimet e tij. Ky komb, pavarёsisht pyetjeve retorike tё poetit, mesa duket, vazhdon tё “adhurojё tё shёmtuemen”, vazhdon tё adhurojё autoritarizma pa autoritet. Ky komb e paska pas nё ADN nёnshtrimin ndaj autoritarizmit “pa krena”. Dhe kjo, pёr mendimin tim, ёshtё njё dukuri krejtёsisht shqiptare me tё cilёn mund tё lexojmё njё kontekst tё ardhshёm global.

Por, kёtu po dal nga qarku migjenian, kёtu po kaloj nё njё studim tjetёr me tё cilin do tё zgjatem mё shumё nё ndonjё shkrim tjetёr.

"Malli Rinuer" Migjeni

“Malli Rinuer” Migjeni

Nё mbyllje dua tё jap njё shembull emblematik tё korrigjimeve sa tё guximshme aq edhe blasfeme qё i janё bёrё vargjeve migjeniane. Po tё shihet nё poezinё “Malli rinuer”, tё cilёn znj. Ceka si kuratore e botimit tё 2010 ka gjithsesi meritёn qё na e ka vёnё edhe nё dorёshkrim (shpresoj tё bёhet me tё gjithё Veprёn), kemi tё modifikuar fjalёn “prendimi” siç e pёrdor poeti, qё nё tekstin e 2010 bёhet “pёrndimi”. Pse-ja nuk kuptohet. Migjeni kёtё fjalё e pёrdor dy herё (nё strofёn e I dhe tё III, pra nuk ёshtё rastёsi e as gabim) duke ruajtur tingullin dhe rjedhshmёrinё e vargut nёpёrmjet fenomenit fonetik tё quajtur metatezё (ndёrrimi i pozicionit tё dy tingujve pёr shkak tё ekonomisё fonetike nё shqiptim tё fjalёs qё çdo studiues gjuhёsie njeh). Po kёshtu, nё strofёn e I, ёshtё korrigjuar “xemren” me “zemrёn” qё njё aktor teatri i cili punon me tingullin mund ta rimojё me “nxehta” dy vargje mё poshtё nё strofёn e II, por qё humbet totalisht me korrigjimin e 2010. Janё shtuar presje qё thyejnё ritmin e leximit tё vargut nё strofёn e IV pёr tё cilёn Kadri Roshi, po ta kishte ditur, mund tё kishte vrarё redaktorёt e kёtij botimi.

Dua tё shpresoj qё thesaret migjeniane tё kenё ndonjё interes pёrtej kёtij blogu.