Arti i ambasadorit dhe Adrian Pacit. (Romeo Kodra)

Sot më bëri përshtypje një artikull gazete ku riprodhohej fjala e Adrian Pacit në Konferencën e Ambasadorëve, të mbajtur në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. (http://shqiptarja.com/kulture/2730/adrian-paci-smjaftojn–artist-t-e-sportist-t-t–integrohemi-n–europ–365941.html) Ideja e dërgimit të Pacit për të mbajtur një ligjëratë të tillë, natyrisht, erdhi prej “fenomenit” të arteve dhe politikës shqiptare, Kryeministrit Edi Rama.

Natyrisht, që në fillim, Paci, si njeri i zgjuar dhe inteligjent, duket qartazi që gjendej në një pozitë të sikletshme, të cilën e evidentoi nëpërmjet fjalës së tij. Ai vuri në shenjestër maskeradën e pompuar të të famshmëve të artit dhe kulturës që ekzaltojnë turmën e televotuesve trumpiksur; vuri në shenjestër rrënimin proporcionalisht të kundërt të realitetit shqiptar kur ky ballafaqohet me sukseset artistiko-kulturore të shqiptarëve, gjithmonë jashtë atdheut. Dhe me këtë jemi të gjithë dakort. Pyetja, të cilës i shmanget Paci, është: kush është autori i maskeradës? Kush i ftoi duke i përdorur “artistët e jashtëm” (dhe entuziast, duhet theksuar) direkt mbas zgjedhjeve në Kryeministri? Kush, nga ana tjetër, ka lënë copë-copë institucionet publike të artit dhe kulturës për të promovuar veten dhe politikën e tij? Paci, duke qenë se nuk i mungon buka e gojës (të paktën shpresoj) duhet të ketë guximin ta thotë, me emër dhe mbiemër. Përndryshe i bie të flasim “në hatlla” thoshin pleqtë një herë e një kohe. Të njëjtën gjë pata thënë edhe për ekspozitën e para ca kohëve të Edi Hilës, e cila, nga njëra anë, problematizonte me “vegime bulevardi” prishjen e një sheshi (Nënë Tereza) nga diktatura “komuniste” dhe, nga tjetra, nuk shihte, sot, ditën me diell, 200 metra po në të njëjtin bulevard, shtesën prej dy milionë eurosh te monumentet e kulturës si Ministria e Brendshme apo tek ajo përballë nga ana tjetër e Bulevardit. Në pak fjalë, duke qenë se supozohet të mos jemi në diktaturë, arti do pak kurajo, sidomos prej atyre artistëve që nuk vuajnë për bukën e gojës ose për fonde ministrore apo kryeministrore.

Më tej Adrian Paci hedh një ide:

“Ndoshta duhet menduar te krijohet një strukture dhe fond i përbashkët mes Ministrisë se kulturës dhe Ministrisë se jashtme për mbështetjen e artit dhe kulturës shqiptare ne botë.”

Personalisht më duket ide shumë e mirë, por menaxhimi paksa i diskutueshëm. Vërtet duam që ky fond/strukturë t’i lihet në dorë ministrive, pra, qeverisë? Si do e quajmë “AfterCOD Center” me ndonjë Falmë Fshazi apo Edit Pulaj të çardoshme që të shkojë mirë për çdo stinë me qeverinë dhe të propagandojë ad libitum RILINDJEN? Gjithsesi edhe Paci e di këtë, ndaj edhe vë në dukje se “[n]ga ana tjetër, nëse një fond i tillë do të ekzistonte, mendoj se ai duhej të mbrohej e te mbahet sa më larg nga banaliteti i pseudokulturës, pasi të gjithë e dimë se me të zellshmit për t’iu turrur zyrave të shtetit, për të marrë në dore flamurin e kombit, për të thurur vargje patetike e mbushur formularë të mërzitshëm, janë përgjithësisht njerëzit mediokër.” Dhe me të drejtë ka shumë artistë që turren nëpër zyrat e administratës për të shitur klishetë e shqiptarit të vuajtur prej diktaturës, mërgimit, apo ku di unë, dhe që presin vetëm gjysëm fjale nga “tregu” për të shitur jo vetëm ato palo punë, por edhe veten, edhe nënë e babë. Dhe këtë e bëjnë nëpërmjet artit bashkëkohor, sepse në Shqipëri injoranca e përgjithshme akoma nuk e ka deshifruar ç’është në të vërtetë arti bashkëkohor. E si mund ta mësojë shqiptari artin bashkëkohor me ato 3 libra të përkthyer për turp e faqe të zezë! Në shqipëri jemi akoma te metafora, te simbolikja, te nënteksti, te “ç’ka dashur të thotë autori”.

I dashur Adrian, e vetmja “mbrojtje” e fondeve, strukturave janë pikësëpari librat dhe, së dyti, pavarësia prej politikës në menaxhimin e fondeve të artit dhe kulturës; pavarësi e cila mund të jetë direkte, me njerëz jashtë institucioneve, apo e kontrolluar, me anë të trasparencës tërësore.

Adrian Paci - Mirela KumbaroTani nuk e di nëse, i ulur afër Mirela Kumbaros, përpara ambasadorëve, këto gjëra të kanë shkuar në mendje, por shanset që të realizohen janë të pakta. Janë të pakta sepse kur ti, që supozohesh suksesin ta kesh arritur falë meritës dhe që supozohet të mos ia kesh nevojën politikës për bukën e gojës, thua – në hapje të fjalës tënde – se Mirela Kumbaros i çmon sa “vullnetin aq dhe pasionin për t’i shërbyer kulturës shqiptare”, duhet të dish se po rivirgjëron në diskurin publik një person të degjeneruar kokë e këmbë prej prostituimit të artit dhe kulturës shqiptare për çështje të interesit politik. Dhe nëse nuk merr guximin ta evidentosh ti, janë të pakët ata që kanë siguruar bukën e gojës për ta bërë, Adrian. Nëse e ke nga padija atëherë po marr mundimin të të them edhe përse. Zonja e “çmuar”, pavarësisht se përkthyese në profesion, nuk ka marrë mundimin të bëjë një politikë për përkthimin e librave themelorë të artit të cilët do i jepnin kuptim Universitetit (të kotë) të Arteve si dhe do eleminon mediokritetet që aty kanë zënë rrënjë duke riprodhuar të ngjashmit e tyre. Zonja e “çmuar” mbylli të vetmen gjë të hajrit që kishte qeveria e shkuar e PD-LSI, Qendrën Kombëtare të Artit, e cila u shndërrua në tortë për partitë qeverisëse, por që ishte strukturalisht dhe me statut e pavarur në ndarjen e projekteve. Pra, zonjës së “çmuar” prej teje, i leverdisi më mirë ta mbyllte Qendrën, në vend që të nxirrte dhe dënonte fajtorët e dallavereve PD-LSI. Kështu që tortën, prej tre vitesh, thjeshtë po e mban të gjithën pët vete (shih projekt-propozimet e MK). Dhe përsa i përket trasparencës mjafton të shohësh se si i ka zgjedhur drejtuesit e institucioneve publike të artit zonja e “çmuar” prej teje, ose të paktën se si i ndan projektet e artit dhe kulturës (kërko vetëm një shembull: Festivali 2ditor i Dritave .. do të të kënaqë me buxhetin e tij që kalonte ato të të gjitha institucioneve publike të artit të mbledhura sëbashku).

Unë shpresoj që edhe ti Adrian t’i dish këto gjëra. Po të mos i dije do ishte injorancë, në kuptimin e injorimit të fakteve dhe si rrjedhojë e realitetit ku ke lindur dhe, mesa di, jeton. Pra, shkruaj jo sepse kam për qëllim të të rivendos në të njëjtin siklet në të cilin të vendosi Kryeministri, por të të vendos në një siklet tjetër: në sikletin e subjektifikimit, e nënshtrimit, e shtrëngimit të fjalës së lirë. Kjo e fundit nuk mund të jetë gjysmake, sepse liria o është, o s’është fare. Njësoj edhe arti. Në Shqipëri, për fat të keq, subjekti artist vazhdon e subjektivikohet, nënshtrohet, shtrëngohet nga subjekti politikan. Prandaj dhe Arti është për pak, nuk është për të gjithë. Ku duhet të të “katalogojmë” për librat e historisë, tek artistët alla Kadare që kishin diçka nëntekst, por që rrethanat shtrënguese i detyronin të flisnin anësëpasanës? Nuk do ishte ky katalogim më shumë i denjë për artin barok sesa për atë bashkëkohor?

P. S. “Ambasador” vjen prej latinishtes dhe ka të bëjë me “shërbyesin”. Arti nuk është shërbyes. Jo më. Realizmi Socialist është tjetër gjë. Po ashtu ambasadorët janë përfaqësues, ndërsa arti jo. Arti nuk është “për faqe”, por “për shfaqje”, si në teatrin e lashtë, për çjerrje të maskës, për të nxjerrë një faqe tjetër. Fasada po ashtu është, etimologjikisht, një faqe. Mos ndoshta Edi Rama po shndërron në fasadë të gjithë artistët shqiptarë, përfshi Pacin? Deleuze dhe Guattari përdornin një term visagéité, për ata që duan të dinë më shumë.